Militantët – të diskriminuarit prej diskursit

04 maj 2020 16:40

Në Kosovë politika e ka kualitativisht hapësirën më të madhe mediale dhe vëmendjen më të madhe të audiencës. Debate, diskutime e intervista zhvillohen gati çdo natë në oraret e shikueshmërisë më të madhe, dhe hisen më të madhe në to e ka politika ditore. Rekordet e shikueshmërisë online i thyejnë vetëm njerëzit e politikës, e më të ndjekurit në rrjete sociale, janë ata që shkruajnë e komentojnë po rreth politikës. Në gjithë këtë atmosferë del syresh një fenomen, i cili, më shumë se të trajtohet si fenomen social, po shërben si etiketë diskriminuese: militanti. Në këtë kohë kur me avancimin e rrjeteve sociale, kushdo që ka qasje në internet ka mundësi të shprehet rreth gjithçkaje që sheh e lexon, hasim çdo ditë mendime e komente njerëzish që nuk i shohim në televizor e nuk i lexojmë nëpër libra. Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Shfaqja e njerëzve të thjeshtë në arenën politike vjen me Revolucionin Francez dhe shënjohet me një emërtim poaq thjeshtësues sa ai i militantit në Kosovë: turmat.

Diskursi që e hasim më së shpeshti në Kosovë për militantët partiakë, shquhet prej një karakteri elitar që e përdor termin “militant“  më shumë për të dëftuar nivelin (e ulët) intelektual të kësaj kategorie njerëzish sesa për të përshkruar veprime ose qasje të caktuara që do të binin nën përkufizimin e militantit (sipas etimologjisë së fjalës latine: militare – të shërbesh si ushtar). Së pari, ky diskurs i ka dhënë kuptim pezhorativ konceptit të militantit, ndërkohë që koncepti shërben për të përshkruar një nivel të caktuar angazhimi të individit për një kauzë të caktuar. Së dyti, ai i ngatërron militantët me turmat dhe, njësoj sikur diskursi mbizotërues në fundshekullin XIX në Evropë mbi turmat, ia atribuon militantëve karakteristikën e të qenit të udhëhequr vetëm prej pasioneve dhe të sugjestionuar prej emocioneve gjer në shkallën ku suspendohen identitetet e tyre individuale. Sjellja që sot shumë intelektualë në Kosovë ia atribuojnë militantëve partiakë, supozohet si sjellje e turmës, e zhveshur nga individualiteti dhe racionaliteti.

Për më tepër, në këtë diskursin pezhorativ për militantët, edhe asociimi i tyre me turmat gabimisht mendohet se e kryen funksionin e përshkrimit të irracionalitetit, paditurisë dhe udhëheqjes prej emocioneve. Një kundërargument interesant për konceptimin e Hannah Arendt mbi turmat, që sipas saj ishin një pasojë e proceseve të paevitueshme historike e sociale që kishin lënë një kategori njerëzish jashtë arenës politike, e jep studiuesi Stefan Jonnson, i cili sugjeron që vetë mekanizmat me të cilat trupi social e përfaqëson vetveten janë të kurdisura ashtu që të përjashtojnë pjesë të ndryshme të popullsisë nga kjo pjesëmarrje. Jonnson shton se vetë emërtimi i tyre si “turma” e kryen këtë funksion diskriminues. Sa më thellë që historianët shikojnë brenda turmave, thotë Jonnson, aq më shumë vdiret homogjeniteti i presupozuar dhe del një gamë motivimesh e planesh kontradiktore.

Pjesëmarrja masive e atyre që cilësohen si militantë në polemikat politike kosovare, që sot shikohet me një sy të alarmuar si një ogur i keq për shoqërinë, nuk është tjetër veç zëri i atyre që janë të përjashtuar nga arena politike. Ata janë spektatorët e atij që Jean Baudrillard e quan komunikim unilateral i mediave, veçse tani ata komentojnë, postojnë, votojnë në sondazhe online, dhe konfrontohen verbalisht kurdo që nuk pajtohen. Militantët mund ta kenë edhe gabim, shpeshherë e vazhdimisht, por të qenit gabim nuk është se po problematizohet sa të qenit të zëshëm dhe të pranishëm. Prirja pedante që përgjithëson botëkuptimet e ngushta dhe deficitet intelektuale ndër militantë, i trajton këto deficite sikur janë në natyrën e disa njerëzve, e jo në kushtet ekonomike e sociale që nxjerrin soje njeriun e paditur.

Në shoqërinë tonë, vendi i të qenit heretikë, nxitës të polemikave dhe ithtarë të ideve të rrezikshme, sikur është i rezervuar për elitat. Elitave ua ka ënda të bëjnë provokime intelektuale ndaj njerëzve të thjeshtë, dhe këtë e paraqesin sikur janë duke e provokuar kushedi ç’pushtet të dhunshëm. Ndërkohë që të provokuarit janë njerëzit e thjeshtë, sans-culottes, që nuk u ecë fjala në publik dhe kanë avantazh numerik ndaj elitave vetëm kur janë të organizuar. Kështu, puna shkon gjer atje ku fjala e rëndë, sharja e kërcënimi, bëhen shtegu i vetëm që militantit ia mundëson daljen në pah. Ky gjakim për dalje në pah, e vë deri diku në pikëpyetje edhe bindjen mbizotëruese në shoqërinë tonë, sipas të cilës ata që ndër ne quhen militantë janë domosdoshmërisht edhe partiakë. Ata mund t’u përkasin partive aq sa tifozët u përkasin ekipeve futbollistike, gjë që nuk e diskualifikon mundësinë që tifozët të jenë edhe agjenci në të drejtën e vet. Pra ta merrnim këtë analogji me tifozët e futbollit dhe ta kontekstualizonim sipas vërejtjes së Jonnsonit që përmendëm më lart, atëherë loja e futbollit është e kurdisur që në fushë të mos luajnë më shumë se 22 lojtarë, dhe tifozët janë produkt i po kësaj pamundësie për të marrë pjesë në lojë. Kështu, mund të themi se militantët aq sa u shërbejnë partive e kauzave edhe shërbehen me to si shtigje drejt arenës politike. Për dallim prej futbollit, politika ditore, debatet, intervistat, emisionet në përgjithësi, janë një lojë që luhet gati përditë me orë të shumta. Ky është një zjarr i madh polemikash, debatesh dhe akuzash, e militanti s’mundet veçse të ndriçohet prej tij pa u ngrohur.

Pëlhura e shoqërisë sonë është e endur ashtu që vlera që mund të shtojë individi  në të është, siç thoshte sociologu gjerman, Gerog Simel, quantité négligeable. Si individ, ky njeriu i thjeshtë i Kosovës që shfaqet si militant, është, pra, madhësi e neglizhueshme deri kur kapet si mostër prej intelektualëve elitistë, nga e cila këta të fundit e nxjerrin një emërues të përbashkët për t’i përkufizuar gjithë spektatorët që kthejnë fjalë.

Sipas etimologjisë së fjalës “militant” që e përmendëm më lart, ne të gjithë jemi militantë. Ne shërbejmë si ushtarë për kauzat dhe vlerat që besojmë. Shoqëria nuk do të ishte kjo që është sikur mos të mbrohej me këmbëngulje asnjë kauzë e mos të lindte asnjë e re. A nuk konfrontohemi shumica ose secili prej nesh sa herë që përballemi me mendime që i bëjnë leçe vlerave universale që besojmë? Sot, pjesa më e madhe e botës i mbron në mënyrë militante parimet e demokracisë e të drejtat dhe liritë e njeriut. Për më tepër shumica e vlerave të shoqërisë për të cilat ekziston një konsesus i gjerë, vetëm në mënyrë militante mund të mbrohen. Një prej këtyre vlerave është pjesëmarrja e njerëzve të thjeshtë në arenën politike.

             

 

 

 

 

 

 

04 maj 2020
16:40

Eroll Gashi