Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Përfitimet e përfshirjes së mirëfilltë të të rinjve në subjekte politike

Kur u lansua njëri ndër aplikacionet e para të Youtube, pasi që ishte blerë nga Google, zhvilluesit e vërejtën se 5-10% e videove që ngarkoheshin në Youtube ishin mbrapsht. Pasi që ishin bërë të gjitha testimet e nevojshme, të cilat konfirmonin se aplikacioni ishte gati dhe funksiononte mirë, ekipa e zhvilluesve nuk mund të kuptonte se pse ky gabim po vazhdonte të ndodhë. Në fund doli që kjo ishte për shkak se 5-10% e përdoruesve ishin majtakë, dhe kur ata xhirojnë video e lëvizin telefonin për 180 shkallë, që do të thotë video del “mbrapsht”. Po të kishte ekipa e zhvilluesve të Google vetëm një majtak në ekipë do të mund të evitonte këtë situatë.

Shembulli i Google është vetëm një ilustrim i pasojave të mungesës së diversitetit dhe gjithëpërfshirjes. Pasojat janë tejet më të mëdha kur këto mungojnë në politika dhe programe të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë  në jetën tonë.  Përfshirja e grave, të rinjve, minoriteteve etnike, personave me aftësi të kufizuara, dhe të gjitha grupeve tjera të margjinalizuara, tradicionalisht është parë përmes tre këndvështrimeve – si mënyrë e respektimit të të drejtave të njeriut, si diçka që duhet bërë sepse e kërkon ligji, dhe si platformë për ngritje të imazhit. Përderisa këndvështrimi i parë është argumenti që përdoret më së shumti publikisht, realisht dy të tjerat janë aryset pse kemi atë pak diversitet dhe gjithëpërfshirje që kemi.

Këndvështrimi që nuk diskutohet është ai i përfitimeve të diversitetit dhe gjithëpërfshirjes për entitete të ndryshme dhe për shoqëri. Përfshirja e secilit grup të margjinalizuar, përveç se është mënyrë e drejtë e trajtimit të tyre, sjellë edhe përfitime të shumta për të gjithë. Shembull, përfshirja e të rinjve në subjekte politike. Edhe pse të rinjtë përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së Kosovës, ata vazhdojnë të jenë të margjinalizuar. Kur subjektet politike përqëndrohen në përfaqësimin kuantiativ të të rinjve brenda subjektit në vend të atij kualitativ, ata humbin potencialin që të rinjtë mund të sjellin.

Njëra prej përfitimeve të përfshirjes së mirëfilltë vjen nga përfshirja e këndvështrimeve të ndryshme. Secili grup i margjinalizuar i ka specifikat e veta, dhe nëse ato grupe nuk janë pjesë e diskutimit të çështjeve dhe zgjidhjeve, këndvështrimet e tyre nuk përfshihen, dhe rrjedhimisht zgjidhjet nuk janë detyrimisht ato të duhurat. Shpesh programet politike për adresimin e çështjeve  që kanë të bëjnë me të rinjtë zhvillohen nga gjeneratat më të vjetra, të cilët besojnë se mund të ofrojnë zgjidhje për shkak se ata kanë më shumë përvojë dhe i dijnë problemet mirë pasi që edhe ata dikur ishin të rinj. Përderisa përvoja është vlerë, është e rëndësishme të kuptojmë se ka shumë dallim në mes të të qenurit të rinj para 20 viteve dhe tash. Problemet, prioritetet, mundësitë, rrethanat shoqërore dhe shumë aspekte të tjera janë ndryshe. Për këtë arsye, është esenciale që subjektet politike të përfshijnë të rinjtë në diskutime dhe zgjidhje, dhe kështu të  zhvillojnë programe të  cilat me të vërtetë u shërbejnë të rinjve dhe shoqërisë në përgjithësi.

Përmes përfshirjes së këndvështrimeve të ndryshme dalin edhe ide të reja dhe kreative. Ky kreativitet mund të sjellë një frymë ndryshe jo vetëm në zgjidhje të problemeve dhe zhvillim të programeve, por edhe një frymë ndryshe në politikë. Kjo e fundit do të ishte veçanërisht e dobishme në këtë ambient ku qytetarët gjithmonë e më shumë po ndjejnë averzion ndaj politikës. Kjo mund të ndryshohet me qasje më gjithëpërfshirëse, e cila vjen nga diversiteti i mirëfilltë përbrenda subjekteve politike.

Një përfitim tjetër i përfshirjes kualitative të të rinjve është krijimi i kuadrove brenda subjektit politik. Si në secilën fushë tjetër, krijimi i kuadrove kërkon investim dhe kohë. Nuk mund të presim prej të rinjve që sapo të përfshihen në politikë të flasin me po aq oratori dhe kompetencë, si ata që kanë 10 apo 20 vite përvojë në këtë fushë. Disa ndoshta edhe munden, por jo të gjithë. Për këtë arsye është e rëndësishme që të përfshihen, trajnohen, mentorohen, dhe t’u ofrohen mundësi të ndryshme të zhvillimit profesional. Ky investim jo vetëm e rritë besnikërinë dhe dedikimin e këtyre personave ndaj subjektit politik, por edhe kthehet me kohë, kur këta persona flasin para elektoratit plot kompetencë, dhe e fitojnë besimin e tyre. Për më tepër, kur të rinjtë tjerë shohin potencial për zhvillim brenda një subjekti politik, ata vetë kërkojnë të jenë pjesë e atij subjekti. Dhe kështu, duke qenë gjithëpërfshirëse, subjektet politike bëhen mundësi atraktive për personat e zotë që kanë shumë për të ofruar edhe për subjektin edhe për vendin. Në të kundërtën, kur subjektet politike përqendrohen në kuantitet, rrezikojnë të kenë vetëm kuantitet, gjë që nuk ka rezultate të qëndrueshme.

Shembulli i Google na mëson se si diversiteti dhe gjithëpërfshirja janë vlerë për vendin e punës, komunitetin dhe shoqërinë, edhe në rastet kur nuk na shkon mendja fare. Ka shumë arsye pse subjektet politike duhet të kenë përfshirje të mirëfilltë të të rinjve. Në fund të fundit, të rinjtë nuk përfaqësojnë vetëm një grup të madh të popullësisë, por edhe të elektoratit. Një grup që ka fuqi të përmbysë çfarëdo rezultati të zgjedhjeve. Është pikërisht kjo fuqi që nëse përdoret mirë dhe për të mirë brenda subjekteve politike, mund të sjellë ndryshimet që i presim gjatë.

—–

Ky editorial është realizuar në kuadër të projektit “Pjesëmarrja politike: Drejt angazhimit efektiv të të rinjve”, që po implementohet nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me përkrahje nga National Endowment for Democracy (NED).

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.