Lufta e Maos kundër harabelëve dhe zanafilla socio-politike e Covid-19

04 prill 2020 13:22

Pjesa e dytë - Kina pas Maos

(...vijon nga shkrimi i kaluar)

Në përpjekje për të marrë veten nga tronditja dhe traumat e urisë, në vitin 1978, Kina filloi të derregullonte tregun e saj dhe tkurrte shtrirjen e shtetit në çështjet ekonomike. Pas vdekjes së Maos, në krye të Kinës erdhi Deng Xiaoping, të cilin Mao e stigmatizonte si “kapitalist të fshehur”.

Deng nisi që ekonominë komuniste dhe të kontrolluar ta hapë dhe siç thotë David Harvey në librin e tij “Histori e shkurtër e neoliberalizmit”, për dy dekada ta shndërrojë Kinën në një qendër të dinamizmit kapitalist me norma të paprecedenta të rritjes ekonomike në historinë e njerëzimit.

Këto reforma ndihmuan numrin më të madh të njerëzve në histori, rreth 500 milionë, që për një periudhë të shpejtë të dalin nga varfëria. Mirëpo në memorien kolektive kineze nga vuajtja nën Maon ishte ngulitur frika nga uria dhe rikthimi i saj tmerronte secilin. Kjo frikë ka luajtur rol të rëndësishëm në politikbërjen kineze edhe pas vdekjes së Maos.

Deng Xiaoping druante se njerëzit mund të revoltoheshin në rast të urisë prandaj reformat e nisura nga ai synonin të stabilizonin furnizimin me ushqim për 900 milionë njerëz, kurse etika, kushtet e punëtorëve dhe ruajtja e ambientit e natyrës ishin çështje të parëndësishme në synimet e tij për një transformim rapid të Kinës.

Për këtë arsye Kina hoqi dorë nga kontrolli absolut shtetëror mbi pronat dhe lejoi hapjen e fermave private. Më 1988 Kina adoptoi “Ligjin për Mbrojtjen e Kafshëve të Egra” me dy qëllime kryesore: ruajtjen e kafshëve dhe përdorimin e tyre në masë të arsyeshme. Mirëpo siç tregon Li, ky ligj të metën themelore e ka cilësimin e kafshëve të egra si “resurse natyrore” që janë në shërbim të njerëzve.

Autoritetet lokale, indiferente kundrejt paradigmave eko-centrike e bio-centrike, e përdorin këtë ligj si bazë për të arsyetuar eksploatimin e kafshëve të egra. Kjo është arsyeja pse ka kaq shumë kafshë të egra në tregjet kineze. Për ta kafshët e natyra kanë vlerë, vetëm nëse janë të eksploatueshme ekonomikisht. Tregtia me kafshë të egra filloi si mjet i të varfërve për të fituar bukën e gojës, por më vonë u mbështet edhe nga shteti dhe u shndërrua në industri shumë profitabile që gjeneron miliarda dollarë çdo vit.

Kështu fermat e vogla familjare ngadalë u rritën në ndërmarrje të mëdha. Paralelisht me këtë normalisht u zhvillua edhe tregtia ilegale e kafshëve të egra të të gjitha llojeve: tigra, rinoqerontë, delfinë të lumit, pengolinë etj. Poashtu është logjika e profitit dhe kostos së ulët ajo e cila shtyn ndërmarrësit e tillë që të fusin sa më shumë kafshë në sa më pak hapësira.

Li thotë se kafazët ku mbahen kafshët në këto tregje janë mbi njëri-tjetrin në kushte të mjerueshme. Kafshët në kafazin më të ulët lagen me gjak, urinë, jashtëqitje e qelb. Kështu bartet virusi nga kafshët e mësipërme tek ato më poshtë, të cilat infektojnë edhe njerëzit kur bien në kontakt me ta.

Këto kushte prodhuan edhe virusin SARS më 2002, që ishte krijuar nga sëmundja e macës Civet. Mirëpo e tëra që Kina bëri ishte suspendimi i kësaj industrie për pak muaj dhe që nga ajo kohë tregtia me kafshë të egra vetëm sa është forcuar, kurse disa specie, si tuna blufine, disa lloje të arinjve e delfini i lumit, tanimë veçse janë zhdukur dhe disa si panda e tigri kinez janë fare pranë zhdukjes. Disave u merret lëkura e disa tjerave organe e lëngje trupore që përdoren si ilaçe tradicionale.

Njëjtë si më 2002, edhe këtë herë virusi u formua në një treg të kafshëve të shumëllojshme me kushte të mjerueshme. Li vlerëson se asnjëherë në historinë 5000 vjeçare të Kinës nuk ka pasur kaq shumë kafshë të burgosura dhe kaq shumë të keqtrajtuara.

Zoologë dhe epidemiologë po dëshmojnë se kafshët nuk janë fajtore për përhapjen e viruseve, por mënyra se si njerëzit i trajtojnë ato. Kur lakuriqët janë cak i gjuetisë ose për shkak të ikjes nga shpyllëzimi, ata stresohen dhe zhvillojnë shpesh viruse.

E poashtu edhe kafshët që mbahen të mbyllura në një treg me lakuriqët nga stresi bëhen më të cenueshme përballë viruseve dhe infektohen shumë më lehtë sesa në rrethana tjera dhe kështu formohet e rritet zingjiri i transmetimit.

Politikisht situata është e komplikuar. Qeveria qendrore kohë pas kohë ngritë shqetësimet e veta për gjendjen e kafshëve, por një gjë e tillë nuk ndodhë në nivel lokal. Për politikanët lokalë ndalimi i kësaj veprimtarie mund të çojë në mbylljen e shumë bizneseve që dëmtojnë mjedisin dhe kjo ua dëmton atyre legjitimitetin. Mirëpo qeveria qendrore vlerëson politikanët e saj lokalë në aftësinë e tyre për të gjeneruar rritje ekonomike.

Kësisoj politikanët lokalë japin leje për hapje të bizneseve pa u përmbushur kriteret mjedisore. Në shumë raste madje politikanët janë vetë biznismenët që eksploatojnë natyrën dhe kafshët e egra. Prandaj pa reformimin e Partisë Komuniste dhe pa ndryshimin e mentalitetit të saj strategjik, nuk do të krijohen kushte për ndryshim thelbësor të situatës.

Mungesa e demokracisë, autoritarizmi dhe sulmet ndaj lirisë së shprehjes mundësuan përhapjen në heshtje të Covid-19. Virusi ishte përhapur në nëntor të vitit 2019, por autoritetet kineze e mbajtën sekret këtë fakt dhe ndëshkuan mjekun që informoi institucionet për lindjen e këtij virusi.

Së fundmi, Kina ka dëbuar gazetarët e mediave më kredibile botërore si Washington Post, New York Times e Wall Street Journal për shkak që po prishnin imazhin që Kina po e krijonte këto ditë. Në një raport të vitit të kaluar për liri të shprehjes, nga 180 shtete, Kina renditej në vendin e 177-të Një studim i Harvardit ka gjetur se rreth 18 mijë web-faqe të internetit janë të bllokuara nga Kina. Disa prej fjalëve të cenzuruara në Kinë janë “të drejtat e njeriut”, “shtypja” etj.

Në terr informativ virusi u përhap heshturazi sepse nuk u morën masat e duhura: publiku nuk u informua, qarkullimi i njerëzve në nivel lokal e ndërkombëtar nuk u ndërpre dhe testimet nuk u bënë. Ian Bremmer thotë se rreth 7 milion njerëz kanë dalur nga Wuhani vetëm gjatë muajit janar, kurse dyshohet se në janar nga Kina në Evropë e anasjelltas janë realizuar mijëra fluturime. Kjo tregon se çfarë dëme për Kinën dhe botën mund të shkaktojë cenzura mbi lirinë e shprehjes. 

Më pas Kina duke shfrytëzuar aparaturën e saj shtetërore përmes autoritarizmit të vet imponoi masa strikte të karantinës. Siç tregon studimi i The Economist, diktaturat janë të këqija për shëndetin publik. Të dhënat historike të përfshira në këtë hulumtim janë marrë nga “Databaza Ndërkombëtare e Fatkeqësive” dhe mbulojnë 40 vitet e fundit dhe të gjitha sëmundjet, që nga ato më të lehta, tek ato më seriozet. Sipas raportit, demokracitë janë më efikase në luftimin e sëmundjeve. Demokracitë për shkak që funksionojnë më shumë poshtë-lart, janë në pozitë më të mirë për neutralizuar rreziqet.

Për shkak të cenzurës, Kina ka krijuar përshtypjen se ajo është efikase në izolimin e virusit, por ky është vetëm një percepcion që me gjasë nuk është real. Shumë qytetarë kinezë po raportojnë në rrjete sociale një gjendje që nuk është në përputhje me rrëfimin zyrtar. Autoritetet kineze janë duke i detyruar spitalet që rastet me Covid-19 t’i regjistrojnë si grip normal ose si pneunomi në mënyrë që të manipulojnë me shifra.

Kur jemi tek lëvizjet demokratike poshtë-lart, në Kinë ka disa shkëndija shprese. Kur Kina ngadalësoi rritjen e madhe të popullsisë në vitin 1978 përmes ligjit që ua ndalonte çifteve që të kenë më shumë se një fëmijë, ishin mu këta fëmijë që në mungesë të motrave e vëllezërve zhvilluan ndjeshmëri e kujdes më të madh ndaj kafshëve. Shumë nga këta të rinj sot janë të zëshëm në mbrojtjen e të drejtave të kafshëve dhe kanë shënuar disa suksese në këtë drejtim, por mbetet të shihet sesa efikasë do të jenë në institucionalizimin e vizionit të tyre për kafshët.

E ardhmja është e paqartë dhe me shumë rreziqe. Më 2015 veçse është anuluar ligji që ua ndalonte familjeve të kenë më shumë se një fëmijë dhe kjo mund të rritë kapacitetet e konsumit e rrjedhimisht edhe degradimin e natyrës.

Edhe pse Kina është nënshkruese e CITES, marrëveshje ndërkombëtare për mbrojtjen e bimëve dhe kafshëve të egra nga tregtia, por asnjëherë nuk ka implementuar siç duhet obligimet, përkundër sanksioneve.

Për shkak të fuqisë së saj gjithnjë e në rritje, do të jetë gjithnjë e më e vështirë që të ushtrohet trysni mbi Kinën, sidomos në institucione të OKB-së, ku kinezët udhëheqin 4 nga 15 agjensitë e specializuara.

Andrew Moravscik, një nga autoritetet në marrëdhënie ndërkombëtare, shkruan se ShBA-të ndihmuan Kinën që të reformohej me bindjen se rritja ekonomike me kohë do të demokratizohej. Në planet amerikane shtresa e mesme kineze e formuar nga zhvillimi ekonomik do të mbillte farën e demokracisë, por Kina nuk u demokratizua.

Ajo vetëm zhvilloi një makineri-përbindëshe që gjithçka e sheh si aset që mund të komercializohet. Kina as nuk u asimilua brenda rendit liberal ndërkombëtar. Përkundrazi, ajo është duke ndihmuar regjimet jodemokratike e iliberale për të minuar arkitekturën e institucioneve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat i sheh si “baza e hegjemonisë amerikane”.

Kina nuk është shembull i demokracisë e as nuk synon të jetë. Ajo edhe sot është, ashtu siç ishte shprehur Deng Xiaoping, “shtet kapitalist me karakteristika kineze”, që dmth kapitalizëm pa demokraci. E nëse Kina nuk bën hapa konkretë drejt demokratizimit dhe nuk ulë degradimin e natyrës, viruse të tilla do të vazhdojnë të rrezikojnë njerëzimin.

 

04 prill 2020
13:22

Shkodran Ramadani