Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kundër tarifës!

Ilustrimi: BigEye

Sado të elaboruara argumentet e parashtruara të avokuesve të tarifave nuk e ndryshon faktin se ato në parim janë pengesa që më shumë çojnë në ngecje ekonomike sesa në ndonjë avancim. Qofshin ato të implementuara për promovimin e produkteve vendore, qofshin me ide të ndëshkojnë Serbinë si armik, qofshin për buxhet publik, apo qofshin për atë se politikat e shtetit pretendojnë të imponojnë parime morale, apo çfarëdo tjetër. Përfundimisht e domosdoshmërisht çka ndodh është se bëhen mjet për interesa të veçanta mbi kurriz të shumicës së qytetarëve – në kapacitetin e tyre si konsumatorë. Tarifat në import kanë për qëllim të mbrojnë prodhuesit vendorë prej konkurrencës së huaj. Megjithatë, e gjitha kjo shkon në dëm të konsumatorit. Kjo në fakt nuk e ndihmon zhvillimin ekonomik të vendit. Çka ndodh është se produktet dhe prodhimi shtrejtohen. Falsiteti qëndron te besimi se ekonomia do të zhvillohet nëse produktet vendore do të shiteshin për çmim më të lartë. Në fund tarifa është taksë që e paguan qytetari. Ajo i imponohet qytetarit, jo shtetit të huaj.

Ta marr si shembull Sempre-n e Plazma-n. Për shkak të konkurrencës, Sempre në fillim shitej me çmim të përafërt, por më lirë, se Plazma. Është gabim me mendu se ekonomia është zhvilluar ose do të zhvillohet pse një kosovar tani do ta blejë një biskotë për gati çmim të dyfishtë. Se Kosova më shumë po përfitoka kur po shitet biskota e vet dyfish më shumë sesa në konkurrencë me produktin serb. Më mirë do të kishte qenë sikur ta blente konsumatori biskotën për çmimin paraprak e ato paratë tjera t’i shpenzonte diku tjetër apo t’i kursente. Një tjetër pasojë e tarifave në import është se i kufizon opsionet e konsumatorëve në blerje. Bën që produkte të tërhiqen prej tregut tonë. Treg i lirë do të thotë të sfidosh gjitha interesat. Konkurrenca është e shëndoshë për ekonomi e për shoqëri. Ajo nxit cilësi. Krejt në rregull nëse prodhuesi shqiptar don me konkurru me produkte tjera. Le të vendosë konsumatori duke blerë apo abstenuar blerjen. Nuk ka nevojë të zëvendësojmë p. sh. produktet e Serbisë me të Kosovës. Kështu vetëm e ulë Kosova produktivitetin dhe shfrytëzon burime në mënyrë më pak produktive. Mënyra për t’u zhvilluar ekonomikisht nuk është me masa politike restriktive por me treg të lirë dhe inovacion. Si konsumator do të doja një produkt të ri e cilësor nga Kosova, jo parodi të produkteve serbe.

Në përgjithësi importi nuk shihet ekonomikisht i favorshëm. Eksporti përkundrazi qenka i mirë. Jo vetëm se importi e eksporit e kushtëzojnë njëri-tjetrin por në fakteksporti e paguan importin. Asnjë shtet nuk është as që mundet të jetë aq i vetëmjaftueshëm sa të prodhojë gjithçka. Sikur një shtet të mundte vetëm me importu pa eksportu, kish qenë ideale. Një argument si pse të japim para shtetasit të huaj e jo prodhuesit tonë është i gabuar dhe pa bazë në parime të shëndosha ekonomike. Kjo është vetëm se pasion dhe sentimentalizëm.Kosovarët gabohen edhe po mashtrohen nëse besojnë se tarifa po e ndëshkon Serbinë. Kosova po e ndëshkon veten sikurse edhe Serbia me çfarëdo bllokade që i bën mallit kosovar. Madje këto politika nuk i ndihmojnë raporteve me shtete tjera por i vështirësojnë ato. Në rastin më të keq e bën të pamundur të krijohen raporte të duhura për zhvillimin e Kosovës. Një qytetar nga Kosova duke e blerë një biskotë Plazma e promovon paqen dhe raporte të mira mes Kosovës dhe Serbisë më shumë se gjitha mundimet e politikanëve, të cilët me tarifa vetëm po i vështirësojnë ose po i zhbëjnë marrëdhëniet mes njerëzve, dhe kështu së fundi do të shkatërrojnë arritjet e kaluara ose do e ngadalësojnë apo vonojnë çdo ecje përpara. Njëjtë me çdo produkt të secilit shtet. E njëjta vlen edhe për Serbinë. Edhe Serbia humb duke qenë armik i Kosovës. Duke e përjashtuar veten me qëndrimin e saj ekskluziv kundrejt Kosovës e privon konsumatorin e vet nga zgjedhja e lirë. Kosova do të përfitonte më shumë prej tregut të lirë sesa të bëhet peng i politikës si Serbia duke i përsëritur te njëjtat gabime. Në fakt të dy shtetet përfitojnë prej parimeve liberale ekonomike dhe nxisin raporte paqësore mes njerëzve. Këto marrëdhënie ndërnjerëzore nuk mund të zgjidhen me politikë. Politikat që kurdoherë janë diskriminuese e kufizuese për ekonominë, i përçajnë njerëzit dhe krijojnë armiqësi.

Megjithëkëtë, duhet me pasë parasysh se a i ndihmon Kosovës tarifa, sidomos kundrejt Serbisë. Se produktet serbe po e dëmtojnë ekonominë si çdo produkt tjetër i huaj është e pavërtetë dhe gjitha këto mendime bazohen në falsitete. Se duhet ndihmuar prodhimin vendor, se nuk duhet blerë produktin e huaj, se paratë duhet dhënë bashkatdhetarit; këto janë vetëm fraza boshe për me futë në zbatim ligje që do e pengojnë zhvillimin. Asgjë nuk e ndryshon faktin se këto do të jenë te dëmshme për shumicën e qytetarëve që paguajnë për to.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.