Çfarë na tregon gafa me Xhamaikën?

24 shkurt 2020 11:24

Ka kaluar një kohë e gjatë qëkur Kosova mori njohjen e fundit. Për më tepër, në 20 muajt e fundit vendi ynë ka vuajtur nga një ofensivë e ashpër diplomatike nga ana e Serbisë e cila ka aktivizuar motorët e saj diplomatikë për çnjohje. Lajmi se Xhamaika njohu Kosovën si shtet të pavarur theu agoninë e gjatë, vetëm për të kuptuar më vonë që kjo ishte e pavërtetë.

Nga informacionet e para duket se Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe Ministri i Jashtëm Glauk Konjufca nuk përfillën rekomandimin e Ambasadores së Kosovës në SHBA që të mos bëhet ndonjë reagim publik pa marrë zyrtarisht notën verbale nga institucionet e Xhamaikës. Mirëpo Thaçi e Konjufca nuk u duruan dhe uruan publikisht “njohjen” nga Xhamaika.

Duket se një gjë e tillë ka irituar zyrtarët e Xhamaikës deri në atë masë sa të ndalojnë procesin e nisur të njohjes. Mirëpo mbetet të shihet nëse këto informacione janë të vërteta. Pas vrapit për të marrë meritat, pasoi edhe beteja për të gjetur fajtorin për këtë gafë. Këto ngjarje tregojnë mungesën e madhe të koordinimit ndërinstitucional të Kosovës dhe komunikimin e dobët mes zyrtarëve të lartë shtetëror.

Mirëpo e kurthuar në vorbullën e sagës së njohjeve dhe çnjohjeve, Kosova ka humbur sensin e orientimit strategjik në një mjedis jashtëzakonisht të vrazhdë dhe të pamëshirshëm ndërkombëtar. Përveç kësaj, dëmtimi i raporteve me partnerët e saj më të rëndësishëm dhe agjendat e shteteve mike që nuk përkojnë me nevojat tona, Kosovën e ka lënë pa asistencën shumë të nevojshme për navigim efektiv në një terren gjithnjë e më kompleks ndërkombëtar.

Gjatë kësaj periudhe të çorientimit diplomatik dhe polarizimit të brendshëm rreth secilës temë, Kosova ka dështuar të renditë mirëfilli prioritetet e saj shtetërore. Nga viti 2008 deri më 2015 strategjia diplomatike e Kosovës ka qenë e orientuar në rrafshin bilateral të sigurimit të një numri sa më të lartë të njohjeve nga shtete të veçanta.

Më pas, kur u kuptua se Kosova nuk mund të merr më shumë se 116 njohje, me rekomandimin e partnerëve ndërkombëtarë, aktiviteti diplomatik u orientua drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare si UNESCO dhe INTERPOL. Mirëpo për shkak të agresivitetit të Serbisë, Rusisë dhe Kinës, si dhe zbehjes së ndikimit të ShBA-së në këto organizata, kandidaturat e Kosovës dështuan një nga një.

Të dy këto fakte tregojnë se Kosova ka arritur atë çfarë ka mundur të arrijë pa njohje nga Serbia. Kjo situatë e skajshme kufitare që ka ekspozuar brishtësinë dhe jorelevancën tonë ka prodhuar edhe frustrim të brendshëm. Me refuzimin për të hequr ose pezulluar tarifën dhe polarizim të brendshëm ne kemi rënduar situatën dhe kemi margjinalizuar dhe izoluar veten, duke e humbur edhe aftësinë për vetë-imponim.

Kjo situatë ka ndikuar që natyra e relacioneve me partnerët tanë strategjikë të shndërrohet nga agjenda e harmonizuar dhe e shëndoshë në një kominikim koerciv përmes trysnive, paralajmërimeve dhe kërcënimeve jo shumë të dobishme për zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Gjendja aktuale tregon se lidershipi kosovar duhet të vetëdijësohet në dy drejtime, njëri afatshkurtër, tjetri afatgjatë. Drejtimi afatshkurtër është përqendrimi i kapacitetit tonë kreativ për ta shndërruar tarifën në një mjet efektiv për përforcimin e pozitës tonë ndërkombëtare.

Njohjet dhe çnjohjet nga shtetet periferike pa relevancë ndërkombetare për ne as nuk e përforcojnë, as nuk e dëmtojnë Kosovën. Njohjet nga shtetet e tilla janë të mirëseardhura dhe politikanët që pengojnë ardhjen e tyre duhet të mbahen përgjegjës, por impakti i njohjeve të tilla është shumë më i kufizuar se që pretendohet. E njohu apo nuk e njohu Xhamaika Kosovën shtet të pavarur, nuk ndryshon pozicioni ynë ndërkombëtar.   

Prandaj Kosova duhet të ndryshojë strategjinë e saj diplomatike. Në suaza afatshkurtëra, Kosova duhet të riaktivizojë fushatën e saj të anëtarësimit në organizata shumëpalëshe. Nga betejat për njohjet dhe cnjohjet e vendeve margjinale, Kosova duhet të synojë anëtarësimin në organizatat e rëndësishme, si UNESCO dhe INTERPOL.

Një problem në këtë çështje e përbën fakti që këto dy agjenda janë të ndërlidhura deri në një masë. Një prej arsyeve se pse Serbia ka nisur fushatën e çnjohjeve ka qenë ulja e numrit të njohjeve për Kosovën nën 95, që është nën 50% të totalit të ulësve në OKB. Një cak i tillë është vështirë i arritshëm për Serbinë, por nuk duhet të nënvlerësohet mundësia për të arritur në një situatë të tillë.

Por as mbivlerësimi i kësaj fushate nuk u shërben përpjekjeve tona për konsolidim të shtetësisë. Anëtarësimi i Kosovës në këto organizata duhet të jetë më lart në agjendën e Kosovës. Kosova duhet ta dijë se as me tarifë e as me reciprocitet nuk mund të sigurojë njohje nga Serbia apo nga ndonjë shtet substancial për të ardhmen tonë. Prandaj në këmbim të heqjes së tarifës, lidershipi ynë duhet të sigurohet se Serbia nuk do të pengojë Kosovën në kanditaturat e saj në këto organizata.

Në terma afatgjatë, Kosova duhet ta dijë se as njohjet e shteteve me peshë të vogël e as anëtarësimi në UNESCO e INTERPOL nuk e rrumbullakëson në plotëni pozitën e saj ndërkombëtare. Pa njohje nga Serbia, Kosova nuk do të merr njohje nga Rusia, Kina dhe pesë vendet e BE-së, Spanja, Sllovakia, Rumania, Qipro dhe Greqia.

Kjo do të thotë se Kosova nuk ka prospekte për anëtarësim në BE, OKB e madje as në NATO. E duke pasur parasysh fuqizimin e Kinës dhe Rusisë në UNESCO e INTERPOL, Kosova do ta ketë të vështirë anëtarësimin edhe në këto organizata. Poashtu, jo rastësisht çnjohjet po vijnë më së shumti nga Afrika, aty ku ShBA-ja ka humbur ndikimin e dikurshëm, kurse Rusia dhe sidomos Kina me investime marramendësë janë duke u bërë lojtarë vendimtarë strategjikë.

Mirëpo njohjen nga Serbia nuk do ta marrim pa dialog. Kjo nuk do të thotë se suksesi është i garantuar, por dialogu është rruga e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme për kontestin tonë. Kjo është sfida jonë afatgjate dhe kryesore strategjike, si në aspektin politik, ekonomik dhe atë të sigurisë.

Prandaj Kosova duhet të jetë e kujdesshme në renditjen e prioriteteve të saj dhe në ruajtjen e marrëdhënieve me ShBA-në dhe vendet e BE-së. Por para se të hyjë në dialog, duhet një koordinim i brendshëm dhe artikulim i një platforme koherente që unifikon spektrin e fragmentarizuar politik në Kosovë. E zhvillimet e fundit, bashkë me gafen e Xhamaikës, tregojnë se Kosova nuk ka bashkërendim të qëndrimeve e veprimeve në këtë rrafsh.

 

 

24 shkurt 2020
11:24

Shkodran Ramadani