Yom Kippur dhe Kosova që kërkon paqen e saj

22 shkurt 2020 09:50

Është një storie, të cilën më pëlqen ta sjell shpesh në biseda për politikën e jashtme, që pasqyron shkëlqyeshëm gjykimin e drejtë, vendimin e mençur politik në çastin e vështirë.

Kah fundi i luftës së shkurtër Yom Kippur në vitin 1973 që po zhvillohej mes disa shteteve arabe dhe Izraelit, SHBA-ve u doli një telashe e paparashikuar. Izraeli thuajse kishte fituar luftën, por nuk donte të tërhiqej pa demoluar ushtrinë egjiptiane tërësisht. Në fakt ky synim ishte i lehtë, pasi ajo që njihej si Ushtria e Tretë egjiptiane, tashmë ishte e rrethuar në Kanalin e Suezit nga izraelitët dhe të gjitha linjat e furnizimit i kishte të bllokuara.

Në anën tjetër, për aleatin kryesor të Izraelit në këtë luftë, por jo vetëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkatërrimi i Ushtrisë së Tretë ishte i papranueshëm. Madje ata kishin paralajmëruar qeverinë izrealite se një hap i tillë mbase do të kishte edhe pasoja për marrëdhëniet mes dy shteteve. Në këtë pikë, udhëheqësit izraelitë gjendeshin para një zgjedhjeje të vështirë. Ndesheshin ballë për ballë ndjenja tunduese e shkatërrimit të armikut që ishte një urdhër goje larg dhe arsyeshmëria e gjykimit të ftohtë për drejtimin e aleancës së tyre kryesore politike në të ardhmen. Ata zgjodhën të dytën. Disa ditë më vonë filluan të lejonin furnizimet joluftarake për Ushtrinë e Tretë egjiptase.

Por jo vetëm kaq. Pesë vite më vonë, më 1978, Egjipti u bë shteti i parë arab që normalizoi marrëdhëniet dhe njohu shtetin e izraelit. Me shumë gjasë, as ky insert nuk do të ishte i mundur në rast se gjykimi i udhëheqësve izraelit në momentin e marrjes së vendimit do të ishte tjetërsoj. Por kjo pjesë realisht nuk është thelbi i stories.

Thelbi qëndron në faktin se ka disa premisa që janë të njëjta dhe mund të jenë të aplikueshme edhe në kontekste tjera, sikundër vendimi i drejtë politik në kohë të vështirë, mposhtja e yshtjes momentale për qëllim të kalkulimit afatgjatë. Nëse ke fatin e mirë dhe era fryen velat e tua sjellshëm, racionalja  mund edhe të shpërblehet shumëfish në të ardhmen, ashtu sikur iu shpërblye Izraelit në vitin 1978. Ka rëndësi të kujtohet gjithmonë se në disa raste koncensioni i mençur është fitorja më e madhe diplomatike.

Mund të jenë nja dy-tre mësime që zyrtarët kosovarë, të cilët pritet të jenë pjesë e dialogut me Serbinë javët në vijim, që mund t’i nxjerrin nga ky rrëfim, ani pse kontekstet janë krejtësisht të ndryshme.

Dialogu Kosovë-Serbi sapo ka hyrë në një fazë të re me një trysni serioze ndërkombëtare, veçanërisht amerikane, për t’i dhënë një epilog. Kjo jo domosdoshmërisht nënkupton se marrëveshja e paqes mes Kosovës dhe Serbisë do të nënshkruhet, por për hir të së vërtetës edhe mosarritja e marrëveshjes do të jetë përcaktim, thënë ndryshe, mbyllje e një cikli zhvillimesh dhe hapje e një cikli të ri. Gjasat reale janë që javët dhe muajt në vijim, në cilindo variant që rrjedhin ngjarjet, do të jenë përcaktuese për të ardhmen e Kosovës.

Nëse vazhdon qasja e njëjtë ku Presidenti dhe Qeveria e re janë më të largët sesa udhëheqësit e dy Koreve, atëherë do të jetë e vështirë për këdo që të presë rezultat për të qenë dhe perspektivë nga ky proces. Këtë mishmash shtetëror e kemi parë qartazi dy vitet e fundit, kur në një moment të caktuar, të dy institucionet kanë tentuar të udhëheqin negociata të ndara nga njëra tjetra.

Interesi nacional i Kosovës është që procesi i dialogut të përmbyllet me një marrëveshje që përmbush kërkesat e saj për integrim të plotë në sistemin ndërkombëtar duke ruajtur realitetin shtetëror. Mbi të gjitha, sido që të jetë përfundimi, për Kosovën është me rëndësi të mos shquhet si aktori joracional, sikur ka ndodhur shpeshherë deri tash.

Natyrisht se dy situatat e futura në këtë tekst, lufta e Yom Kippur dhe dialogu Kosovë-Serbi, i kanë diferencat e tyre. Por është gjithashtu e vërtetë se sistemi ndërkombëtar në në masë të madhe mbetet i njëjti në thelb, pavarësisht transformimeve që imponohen nga koha.

Nëpër çdo faqe të historisë shihen shtetet teksa ecin nëpër një teh të hollë shpate kur bëjnë zgjedhje jetike teksa tentojnë të ndajnë në peshore racionalitetin nga emocionet, interesin nacional nga politika e përditshme dhe të kaluarën shpeshherë të hidhur nga aftësia e vizionimit të së ardhmes.

Disa bëjnë zgjedhjet e duhura, por ca të tjera nuk ia dalin dhe përhumben në zinxhir vendimesh të gabuara.

Udhëheqësit e Kosovës që do të jenë të përfshirë në bisedime me Serbinë duke u përballur me vendime të vështira javët e muajt në vijim, shpresoj ta kalojnë nëpër mend edhe ndonjë rrëfim të ngjashëm me atë të luftës Yom Kippur.

22 shkurt 2020
09:50

Butrint Berisha