Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kosova dhe Udhëkryqi i Bashkimit Evropian

Me lëkundjen e shtyllave që mundësojnë Bashkimin Evropian, Kosova duhet të vazhdojë luftën për integrim por dhe në të njëjtën kohë ta komplementojë atë qëllim me politika realiste që reflektojnë trendet e Shekullit XXI. 

Ndryshimet në Evropë

Deri në vitet e fundit Bashkimi Evropian mund të merrej si shembull i integrimit të shteteve dhe krijimit e zgjerimit të një blloku kyç ekonomik e politik në skenën globale. Ky zgjerim ende është i mundur nëse BE qëndron nën çadrën e sigurisë amerikane dhe ka vullnet politik për të evoluar.

Fatkeqësisht, shohim zbehje në dy parakushtet kryesore.

Në sferën e sigurisë ka lëvizje gjeopolitike si Brexit, kriza rreth vizionit të NATO-s për të ardhmen, përfshirja ekonomike e Kinës dhe ndërhyrjet ushtarake të Rusisë në kontinent. Të gjitha së bashku sinjalizojnë se baza e sigurisë, në të cilën është krijuar BE, është duke u lëkundur, gjë që automatikisht nënkupton më pak konfidencë në arsyen dhe kapacitetin e BE-së, dhe më pak apetit për zgjerim.

Vullneti politik gjithashtu ka pësuar. Rritja e popullizmit ushqen sentimente nacionaliste që bien ndesh me fuqizimin e Brukselit. Popullistët në përgjithësi dëshirojnë që qendrat e tyre përkatëse ta kenë në duar fatin e vet. Brexit është shembulli më i mirë i saj, por edhe Austria, Danimarka, Italia dhe vende tjera rrezikojnë kahjen e BE-së nën influencën e partive populliste.

Përderisa e tanishmja karakterizohet me këto dinamika, kanë dalur udhëheqës si Makron të cilët e pranojnë se çfarë po ndodh, dhe po mundohen të kthejnë rrezikun në mundësi duke kërkuar ridefinim të BE-së dhe thellim (jo zgjerim) përmes zhvillimit të qendrës politike, promovimit të përbashkët ekonomik dhe në sferën e sigurisë Evropiane (që dallon prej NATO-s si aleancë Euro-Atlantike.)

Me këto luhatje shfaqen vizionet e ndryshme për Evropën. Anglia me votë po thotë se nuk beson në projektin e bashkimit. Franca po kërkon ridefinim, ndërsa Gjermania vazhdimësi. Çka del prej ndeshjeve të vizioneve nuk e dijmë sepse e ardhmja nuk është përcaktuar. Vetëm se një Evropë më e ndarë ose edhe një më e fuqizuar por e pavarur nga Amerika – që të dy skenarët prodhojnë politika ku vendeve përkatëse u intereson të menaxhojnë raportin me Rusinë në mënyrë më pragmatike edhe nëse ajo rezulton në një lloj ndarje sferash ose zonash neutrale përfshirë Ballkanin Perëndimor.

Një lloj “sfungjeri” mes fuqive e kishim Ukrainën dhe jo rastësisht okupimi rus ndodhi në kohën kur Ukraina filloi t’i afrohej Perëndimit me paketën ekonomike. Me prezencën e thellë ruse në Serbi nuk është e pamundur nëse disa nga qendrat evropiane do të gjenin kompromise me Rusinë, në favor të Serbisë, për hir të menaxhimit të marrëdhënieve mes veti.

Kjo është Evropa e re, e pasigurt në të ardhmen e vet, me mungesë vizioni dhe pa vullnet të mjaftueshëm politik.

Kosova në këtë kontekst

Me lëkundjen e shtyllave që mundësojnë Bashkimin Evropian, Kosova duhet të vazhdojë luftën për integrim por dhe në të njëjtën kohë ta komplementojë atë qëllim me politika realiste që reflektojnë trendet e Shekullit XXI.

Konkretisht kisha propozuar që Qeveria e Kosovës ta përmirësojë diplomacinë e saj duke mos u varur vetëm në parametra të mëdha si integrimi në BE kur a) dihet se jemi me vite mos dekada larg, dhe b) antarësimi ose nuk është i sigurt ose nuk do ta ketë të njëjtin efekt për sigurinë e shtetit kur/nëse arrijmë aty.

Fokusi shtesë duhet të jetë në thellimin e marrëdhënieve bilaterale, por edhe krijimin e partnerëve të ri të cilët mund të avancojnë interesat e shtetit.

Si shembull Kosova ka çfarë të mësojë, interes nga i cili edhe mund të lidhet me vendet lindore sikur Estonia, Finlanda dhe Polonia. Në hapin e parë edhe vetëm komunikim më i rregullt dhe kërkesa për këshilla përmes forumeve kishin me qenë progres. Këto vende kanë interesa të ngjashme strategjike, të rrezikuara nga Rusia historikisht dhe më të përafërta me Amerikën si balanc natyral. Në vitin 2019, Finlanda, Suedia (jo anëtare të NATO-s) dhe Amerika nënshkruan marrëveshje trilaterale për bashkëpunim ushtarak që përfshin stërvitje, koordinim në komunikim strategjik, ndarje të informatave dhe aktivitete tjera që thellojnë ndërlidhjen. Estonia (anëtare e NATO-s) gjithashtu në 2019 nënshkroi marrëveshje për bashkëpunim në mbrojtje me Amerikën.

Vetëm nga këta shembuj shohim dy sfera të reja të bashkëpunimit strategjik që i tejkalojnë përkufizimet por edhe benefitet institucionale të një organizate të rëndësishme si NATO.

Ka hapësirë dhe kuptim që edhe Qeveria e Kosovës t’i shikojë gjërat përtej kanaleve ekzistuese, dhe t’i hapë vetes udhë që komplementojnë dhe ndihmojnë interesat vitale më gjerësisht. Fillimi është ndryshimi i pikëpamjes ndaj BE-se jo vetëm si qëllim, por edhe si entitet që ndryshon sipas rrethanave. E dyta është lidhja me vende tjera si ato që u përmendën më lart për të fituar aleat, dhe për të nxjerrë mësime direkte se si duhet ballafaquar me dilema të ngjashme ekzistenciale.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.