Lëkundjet Globale dhe Prioritetet e Kosovës

09 dhjetor 2019 15:55

Me ndryshimim e Qeverisë, në mesin e ndryshimeve globale e rajonale, është një stuhi e përkryer që administrata në ardhje të kthejë të menduarit politik në Kosovë nga ajo reaktive në proaktive ku i propozon aleatëve mënyra sesi fuqizimi i shtetit ndërlidhet me efekte pozitive për përkrahësit e saj. Në biznes kjo quhet propozim vlere (value proposition.)  Duam të shohim një propozim vlere edhe në Qeverinë e ardhshme.

Lëkundjet Globale

Në vitin 2011, Trump kishte deklaruar se Kina po keqpërdor Amerikën. Me ardhjen e tij në Shtëpi të Bardhë filluan tarifat që tanimë kanë eskaluar në luftë tregtare. Nëse ndëgjoni fjalime të Presidentit Trump mund të mendoni se i gjithë sherri mes dy super fuqive buron prej tij. Realiteti është se janë dy faktorë të ndërlidhur, njëri ekonomik e tjetri gjeo-politik, pse kjo betejë tejkalon individët.

Në aspektin ekonomik, SHBA-të dhe Kina kanë qenë në trajektore të thellimit të marrëdhënieve qysh prej viteve të 70-ta me sukseset e Diplomacisë së Nixon. Në atë kohë, të dyjat kishin nevojë të balanconin fuqinë sovjetike dhe ky bashkëpunim arrinte atë qëllim. Edhe pse me episoda të krizave, përfitimet e afrimit morën hov aq shumë sa që pas disa dekadave (më 2006) historiani Niall Ferguson e quante rendin e ri botëror: Chimerica, të definuar nga dinamika ekonomike Amerikë-Kinë.

Ngjarja më e rëndësishme që prej afrimit përmes Diplomacisë së Nixon ishte ajo e vitit 2002 kur Kina u pranua në Organizatën Botërore të Tregtisë. Që nga ajo kohë, zhvillimi tregtar kinez ka eksploduar. Kjo ka rezultuar në rritjen e Kinës dhe shtrirjen e saj ekonomike gjithandej globit përfshirë edhe tranzicionin e saj prej një shteti në ndërtim e sipër, në një superfuqi ekonomike e tek pretenduesi më serioz për zhvendosjen e Amerikës si fuqia numër 1.

Siguria mbi të gjitha

Në sferën gjeo-politike ky zhvillim ekonomik lehtë përkthehet në supremaci ushtarake e cila mund ta bllokojë qarkullimin e flotës amerikane dhe lëvizjen e mallrave të tregtuara mes Amerikës dhe vendeve tjera aziatike. Për të ilustruar rëndësinë e kësaj sfide, tanimë është bërë përditshmëri që marinët kinez të provokojnë flotën Amerikane në detin e Kinës Jugore. Kina ka ndërtuar aty rreth 13 Km2 hapësirë të ishujve artificialë që përdor si baza ushtarake dhe baza për pretendim sovraniteti mbi ujërat e atjeshme, në kundërshtim me qëndrimet e shteteve përreth dhe SHBA-ve.  Potenciali për përplasje mes superfuqive në këtë rajon është aq i madh saqë nëse dikush kërkon ekuivalentin e Sarajevës së Luftës së parë Botërore në kontekstin e shekullit XXI, shansat janë shumë të larta se atë e gjen në Detin Jugor të Kinës.

Aty ku Kina thotë se ka sovranitet, në po të njëjtat ujëra Amerika e determinuar thotë se lundrimi i lirë është i pamohueshëm dhe i bazuar në ligjin ndërkombëtar.  Kjo, dhe çdo gjë që lidhet mes zgjerimit të Kinës dhe rezistencës amerikane ndaj këtij zgjerimi, është faktori më i rëndësishëm për marrëdhëniet SHBA - Kinë, dhe botën, në vitet që do vijnë. Këtu bëhen edhe më problematike ndeshjet e projekteve ekonomike për zhvillim, tarifat, statusi i Hong Kong-ut, Taiwan-it, kontestet kufitare mes shteteve fqinje, etj.

Çka do të thotë ky zhvillim për Kosovën?

Ashtu sikur vendet tjera, edhe Kosova duhet të ketë politikë pragmatike. Në aspektin strategjik padyshim që ajo është dhe duhet të jetë në përputhje me Amerikën. Kosova nuk është në pozicionin e Beogradit i cili vazhdimisht mundohet të solidifikojë një politikë të bazuar në katër shtylla (Bruksel, Moskë, Uashington dhe Peking.) Kosova ka vetëm dy shtylla: Uashingtonin dhe Brukselin. Me dobësimin e BE-së dhe Brexit, Brukseli thyhet si shtyllë kyçe, dhe si për Kosovën ashtu edhe Serbinë mbetën Gjermania, Franca, dhe Anglia si minishtylla.

Në skenën globale domethënë kemi lëkundje të sistemit kryesisht me përçarjen SHBA-Kinë. Ndërsa në rajonin e Evropës po përjetojmë lëvizje fragmentimi më shumë sesa determinim për konsolidim. Kjo nënkupton për Kosovën që në nivelin ndërkombëtar duhet t’i ketë disa prioritete të qarta që sigurojnë interesat vitale:

1. Zhvillim të ushtrisë dhe thellim të bashkëpunimit ushtarak me SHBA-të.

2. Antarësim në NATO.

3. Zhvillim ekonomik dhe shoqëror me SHBA-të dhe vendet e tjera aleate të Perëndimit.

4. Shkëmbime ekonomike me shtetet tjera siç e diktojnë interesat e vendit (përderisa ato nuk i dëmtojnë por vetëm ndihmojnë zhvillimit dhe nuk bien ndesh me 3 pikat më lart.)

Një sqarim të shkurtër për renditjen. Mund të mendoni që pse jo Shqipëria të jetë e para, apo pse nuk është NATO-ja, ku është Gjermania, apo të tjerë në rajon si Turqia, etj.? Përgjigjen e keni në plan programin e çdo shteti që shkurt përkthehet me frazën, siguria mbi çdo gjë. Kosova duhet të përafrohet me Shqipërinë në ekonomi, politikë, etj. Por, siguria e cila mund t’i kërcënohet Kosovës fundamentalisht duhet të mbrohet nga vetë Kosova. Dhe që kjo të bëhet, Kosovës i duhet lidhje edhe përkrahje edhe më e madhe nga Amerika.

Njëra dorë lan tjetrën, dhe Kosova duhet të bëhet më kreative që të gjejë vlera reale të cilat mund t’i shtojë Amerikës për çdo hap përkrahje. Pasioni dhe vullneti proamerikan në Kosovë është i tillë sepse të gjithë e dijmë se populli ka sentimente shumë pozitive për Amerikën. Por duhet shkuar një hap më tutje për t’i kthyer në aleat.

Kështu arrihet gjëja më e rëndësishme, dhe lehtësohet anëtarësimi në NATO. NATO-ja është esenciale për sigurinë kolektive të perëndimit dhe si e tillë efektet e saj janë vetëm pozitive. Problemi është se me lëkundjet gjeo-politike, mungesa e kontributit të duhur nga shtetet evropiane për mirëmbajtjen e Aleancës, qëndrimet e tanishme Amerikane që vënë në pikëpyetje Aleancën, dhe de facto gati ndarjen e Turqisë nga NATO me blerjen e armatimit rus, – të gjitha krijojnë pasiguri dhe si të tilla e bëjnë thellimin strategjik me SHBA-të esencial dhe të parin në renditje.

Pika e tretë më kujton Japoninë në Revolucionin e quajtur Meji Restoration. Në atë kohë japonezët e kuptuan që kishin mbetur mbrapa dhe se duhej të Modernizoheshin dhe “Perëndimizoheshin“ (Westernize) në mënyrë që të zhvilloheshin sikur vendet perëndimore. Edhe Qeveritë e kaluara e kanë thënë që Kosova ka orientim euro-atlantik duke përfshirë aspektin shoqëror e kulturor. Por, korrupsioni, mungesa e progresit në shëndetësi, shkollim, mbrojtje të ambientit etj., të gjitha tregojnë ndryshe.

Nëse prioritetet definohen qartazi siç i kam cekur më lart, rrjedhimisht këto bëhen parametrat se si të matet suksesi që detyron Qeverinë të punojë rreth gjetjes së mënyrave për t’i kërkuar thellim të marrëdhënieve ushtarake me SHBA-të, dhe për të gjetur dhe krijuar vlera për Amerikën që ky propozim të jetë më i realizueshëm.  E gjitha kjo do të duhej të rezultonte në një lloj traktati të mbrojtjes Kosovë-Amerikë. Ky duhet të jetë synimi dhe duhet të punohet seriozisht në realizimin e kësaj. 

Është proces i gjatë që do të kishte tentime, dështime e mësime deri në arritjen e suksesit, por padyshim e gjitha fillon me absorbimin e realitetit politik ndërkombëtar, dhe vlerë propozimin ndaj SHBA-ve dhe aleatëve tjerë.

09 dhjetor 2019
15:55

Ard Morina