Ndërtimi i paqes nëpërmjet drejtësisë

31 tetor 2019 09:52

Pas përfundimit të luftës, shoqëria dhe institucionet shtetërore kalojnë nëpër tranzicione të ndryshe me qëllim të ndërtimit të paqes dhe një jete më të mirë. Familjarët e viktimave të luftës kërkojnë drejtësi për familjarët e tyre të cilët kanë pësuar gjatë luftës, kurse shteti i sapodalë nga lufta angazhohet në krijimin dhe forcimin e institucioneve shtetërore. Njëzetë vite pas përfundimit të luftës familjarët e viktimave të zhgënjyer dhe pa shpresë se një ditë do të dënohen vrasësit e të dashurve të tyre. Si pasojë e luftës në Kosovë janë vrarë dhe zhdukur rreth 13 500 persona, ku rreth 80 % të prej tyre janë civilë të cilët nuk kanë marrë pjesë në konflikt.

Me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë janë marrë Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë i cila ka pushuar së ekzistuari në dhjetor të vitit 2017; gjykatat vendore të Kosovës duke përfshirë misionet e UNMIK-ut (2000-2008), EULEX-it (2009-2018) dhe prokurorët vendorë që nga viti 2015; gjykatat në Serbi; si dhe tani Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Kosovë me seli në Hagë, të cilat paralelisht me gjyqësorin vendor kanë kompetencë që t’i hetojnë dhe gjykojnë krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të cilët kanë ndodhur në Kosovë gjatë periudhës 1998-2000.

Lidhur me këto krime nga institucionet e lartpërmendura janë akuzuar rreth 190 persona ku prej tyre janë dënuar vetëm 65 persona (8 persona janë dënuar nga TPNJ-a, 17 persona nga gjyqësori në Serbi dhe 40 persona nga gjyqësori në Kosovë).

Arsyeja se përse nuk ka pasur më shumë sukses në ndëshkueshmërinë e kriminelëve të luftës është sepse institucionet gjyqësore janë ballafaquar me shumë sfidat përgjatë këtyre viteve. Disa prej sfidave kryesore janë: ndikimi në dëshmitarë; mungesa e bashkëpunimit mes prokurorisë së Kosovës dhe të Serbisë; koha (me kalimin e kohës kujtesa zbehet, dëshmitarët dhe të dyshuarit vdesin); mandatet e kufizuara të misioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe ndërrimi i shpeshtë i stafit ndërkombëtar ka ndikuar negativisht në intensitetin e punës; si dhe në fund numri jo i mjaftueshëm i prokurorëve vendorë dhe stafit mbështetës të angazhuar në hetimin e krimeve të luftës.

Përmes raporteve të Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë lidhur me monitorimin e gjykimeve për krimet e luftës në Kosovë janë evidentuar të gjitha ngecjet dhe sfidat me të cilat është ballafaquar dhe ende ballafaqohet gjyqësori kosovar, duke ofruar edhe rekomandimet konkrete për përmirësimin e gjendjes së gjyqësorit. Në raportin vjetor të viti 2013 i quajtur “Dëshmitarët ende Thembra e Akilit në gjykimet e profilit të lartë” përshkruhet gjendja reale e dëshmitarëve të cilët për arsye të ndryshme kanë hequr dorë nga dëshmitë e tyre paraprake me të cilat e kanë mbështetur aktakuzën. Gjatë ballafaqimit me deklaratat e tyre të mëhershme ata kanë potencuar: se i kanë nënshkruar deklaratat në anglisht; se nuk dinin çfarë kanë nënshkruar; se deklaratat në procedurat paraprake i kanë dhënë nën presion; se dallimet në dëshmitë e tyre paraprake dhe aktuale kanë qenë rezultat i përkthimit të dobët etj. Këto janë disa prej arsyeve që dëshmitarët i kanë përdorur gjatë refuzimit për t’u përgjigjur pyetjeve të prokurorit dhe të gjykatës. Vetëm gjatë kësaj periudhe një vjeçare nga numri i gjithmbarshëm i dëshmitarëve, pesë (5) dëshmitarë kanë dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur, shtatë (7) dëshmitarë nga ana e prokurorisë janë propozuar si dëshmitarë anonim, tre (3) prej tyre kanë dëshmuar me video lidhje me zë të ndryshuar dhe me fytyrë të mjegulluar, katër (4) kanë refuzuar statusin e dëshmitarit anonim dhe kanë dëshmuar publikisht duke refuzuar edhe më tutje të jenë dëshmitarë të prokurorisë. Raporti mbi progresin i Komisionit Evropian për vitin 2016 konstatoi se: “sistemi i mbrojtjes së dëshmitarëve, me gjithë faktin se ka kapacitetet adekuate, për momentin nuk ka dëshmitarë nën mbrojtje për shkak të mungesës së besimit në këtë sistem”. 

Dy dekada nga përfundimi i luftës qindra dhe mijëra dëshmitarë okularë kanë ndërruar jetë. Dëshmitë që ata mund të kenë dhënë në organet hetimore derisa kanë qenë të gjallë, nuk kanë më peshë të madhe në shqyrtimet gjyqësore. Gjatë kësaj periudhe edhe qindra prej kryerësve kanë ndërruar jetë, duke pamundësuar kështu çfarëdo hapje të mëtejme të procedurave gjyqësore. 

Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, të datës 9 qershor 1999, forcat ushtarake të RFJ-së dhe forcat policore serbe janë larguar nga territori i Kosovës. Që nga ky moment numri i madh i kryerësve të krimeve të luftës e kanë lëshuar territorin e Kosovës. Mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombëtarë mes Kosovës dhe Serbisë, mos shkëmbimi i informatave mes prokurorive të këtyre dy shteteve ka krijuar klimë të volitshme për kryerësit të cilët kanë kryer krimet e luftës në Kosovë. Fakti që shtetet nuk i ekstradojnë të dyshuarit, e në anën tjetër as vetë shtetet nuk kanë treguar ndonjë progres të madh në gjykimin e shtetaseve të vetë, tregon qartë se kjo është një prej sfidave më të mëdha që duhet sa më parë të ndërmerren masat e nevojshme. 

Gjatë këtij viti janë bërë edhe ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës (KPPK) duke e shtuar një dispozitë që lejon gjykimin në mungesë të personave të cilët nuk janë të kapshëm për organet e Kosovës. Disa juristë e përkrahin këtë ndryshim disa e kundërshtojnë. Shtrohet pyetja ku është qëllimi i dënimit në mungesë nëse personi i dyshuar apo i dënuar në mungesë edhe po qe se arrestohet përmes Interpolit ai ka të drejtë në rigjykim. Ky ndryshim i KPPK-ës mund të jep rezultate vetëm në ngritjen e numrit të personave të akuzuar dhe të dënuar por jo edhe në burgosjen e tyre. Ky veprim i ndërmarrë nuk do të krijojë satisfaksion për familjarët e viktimave kur e dinë se vrasësit e familjarëve të tyre nuk janë duke e vuajtur dënimin. 

Në Kosovë me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës kryesisht janë marrë misionet ndërkombëtare. Këto misione kanë pasur mandate të kufizuara, personeli i të cilit ka pasur kontratat e limituara, kurse rastet e krimeve të luftës janë raste voluminoze dhe procedurat gjyqësore deri në vendim të plotfuqishëm janë disa vjeçare. Kemi shembullin kur një rast për krimet e luftës ka filluar në vitin 2003 me aktakuzë të prokurorit të UNMIK-ut kurse ka përfunduar në vitin 2016 me përfaqësim nga prokurorë të EULEX-it, dhe sigurisht që gjatë kësaj periudhe janë ndryshuar disa prokurorë gjatë përfaqësimit të kësaj aktakuze para gjykatës. Krejt ky proces natyrshëm kërkon kohë që secilit prokuror të ri i duhet për t'u familjarizuar me dosjet voluminoze, gjë që ndikon në (mos) efikasitetin e zgjidhjes së rastit. 

Që nga mesi i qershorit të vitit 2014, EULEX-i gradualisht ka filluar transferimin e kompetencave ekzekutive tek prokuroria vendore. Në qershor të vitit 2018, EULEX-it i janë hequr kompetencat ekzekutive dhe tani vepron vetëm në cilësinë e monitoruesit. Që nga pranimi i kompetencave ekzekutive prokuroria vendore ka të angazhuar tre prokurorë dhe ka ngritur vetëm katër aktakuza ndaj katër personave në pesë vitet e fundit. 

Vullneti politik i të dy vendeve të dala nga lufta kurrë nuk ka qenë që të dënohen kryerësit e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, pasi që të dënuarit për këto veprat penale, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi janë parë si heronjtë dhe në shumicën e rasteve drejtpërsëdrejti nga udhëheqësit shtetërorë janë dekoruar me mirënjohje dhe janë avancuar në pozita kyçe të institucioneve të shtetit. 

Gjithashtu disa prej mediave në Kosovë duhet t'i japin më tepër mbështetje dhe përkushtim viktimave të krimeve të luftës pasi që deri më tash disa prej tyre kanë treguar përkushtim konsiderueshëm më të madh për personat të cilët kanë qenë të akuzuar. Kjo reflektohet shpesh nëpër emisione televizive ku prezantohen prova të një anshme, duke i ofruar hapësirë personave të dënuar që t'i mohojnë aktgjykimet e plotfuqishme, me qëllim që të krijohet një përshtypje në opinion se ata janë të dënuar në mënyrë të paligjshme.

Paqja nuk ndërtohet duke i neglizhuar familjet e viktimave të luftës, paqja nuk ndërtohet duke i ikur bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë, paqja nuk ndërtohet duke i kërcënuar dëshmitarët, paqja nuk ndërtohet duke ndikuar në gjyqësor, paqja nuk ndërtohet kur në tavolinën e bisedimeve politikanët i ikin këtyre temave. Krejt kjo tregon se politikanët deri më sot nuk kanë pasur vullnet dhe guxim që të ballafaqohen me të kaluarën. Krimet e luftës nuk duhet të harrohen apo të amnistohen me neglizhencën e institucioneve shtetërore pasi që me veprimet e tilla vetëm mjegullohet e kaluara dhe krijon konfuzione për gjeneratat e reja mbi atë se çfarë në të vërtetë ka ndodhur në këto troje.

 

31 tetor 2019
09:52

Amer Alija