Kur trishtimi kap BE-në, vaji plas në Ballkan

28 tetor 2019 10:15

Ngjarjet e fundit në BE duket se po na tregojnë edhe një nga aftësitë e diplomacisë: zyrtarët e BE-së në lagim po gjykojnë vetveten për lënien e Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore jashtë radhës drejt Evropës, në mënyrë që të mos e gjykonin Emanuel Macron-in. Ani pse flisnin për të dyja vendet theksi qartas binte mbi Maqedoninë Veriore. Në rastin e Shqipërisë, Franca kishte mbështetjen e Holandës dhe të Danimarkës për ta vonuar dhënien e datës së hapjes së negociatave për pranim, ndërkaq në rastin e Maqedonisë së Veriut kundër ishte vetëm Franca. Andaj s’kishte pse të mos gjykohej Macroni. 

Sidomos kur kemi parasysh se Jean-Claude Juncker me të drejtë vuri në dukje se "nëse duam të respektohemi, duhet t'i mbajmë premtimet tona", po ashtu  Donald Tusk deklaroi haptas se i vinte turp. Ndërkaq që Franca ritheksonte se prioritet i saj është reformimi i BE-së, në gjatësi të shkopit dhe jo në zgjerim.

Duke dashur t’i ikin grackës së fajësimit për vendimin e gabuar  vetëm të një vendi apo personi, krijuan përshtypje në opinion se Gjermania, e cila kishte rol kryesor në reformimin e Maqedonisë Veriore, bëri sa mundi por ja që Franca ishte më kokëfortë. Hapur treguan se për akteret kryesorë të BE-së, fqinjët tanë janë shumë të vegjël për t’u kacafytur mes vete.

Dështuan edhe në fshehjen e konsensusit në prapaskenë. Konsensusit të ndërtuar mbi parimin se një vend i BE-së bart rol kyç  në marrjen / bllokimin e një vendimi me pëlqimin e heshtur të të tjerëve, por jo domosdoshmërish të të gjithëve. Njësoj sikurse në kulmin e krizës së refugjatëve të vitit 2015, kur Viktor Orbani u satanizua si një njeri pa shpirt - për të mos thënë se ai ishte - për të dalë më vonë se ishte thjesht një simbol i politikës pas së cilës qëndronte BE-ja.

Për kundër progresit në reforma, ani pse edhe ky progres po kalon nëpër faza të cilat po dominohen nga problemet e brendshme politike në Shqipëri, qasja e kryeministrit Rama karshi opozitës, si dhe problemi i emigrimit duket se ishin pika të pa kapërcyeshme për zyrtarët e BE-së. Emigrimi është potencuar si problemi më i pakapërcyeshëm për Francën. Andaj për Shqipërinë e Ramës, mesazhi është i qartë : së pari “ zgjerim të brendshëm” më pas shohim për BE.

Tirana e thatë e dogji Shkupin e njomë. Pse? Sepse Maqedonia Veriore e meritoi fillimin e negociatave jo vetëm për shkak të Marrëveshjes së Prespës dhe heqjes dorë nga politika e saj e një çerek shekulli, por edhe sepse tregoi në praktikë se, ani pse me mangësi të ekzistente, po funksionon si shtet ligjor dhe po realizonte reformat e kërkuara prej saj.  Në Maqedoninë Veriore, zyrtarët e shtetit shkojnë në burg për shkelje të ligjit, gjë kjo e cila është gati e paimagjinueshme në disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor; në to, gazetarët që raportojnë për shpërdorim detyre mund të përfundojnë pas hekurave. Por mos të harrojmë se kjo gjë deri para pak vitesh ishte edhe në Maqedoninë Veriore andaj bllokada franceze mund të sjellë një regres. Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme atje e hap mundësinë e tillë, sidomos kur kemi parasysh deklarata e kryeministri Zoran Zaev dhe liderit të VMRO-DPMNE-së Christian Mickoski - i pari flet për vazhdimin e reformave të mëtutjeshme për pranimin në BE, ndërkaq i dyti për shndërrimin e Maqedonisë Veriore në asgjë më shumë as më pak  se “ një tigër ekonomik të Ballkanit ”.

Argumenti i përdorur si pjesë e arsyetimit për zvarritjen e maqedonasve, se Bullgaria dhe Rumania u pranuan shumë herët nuk qëndron. Ata u pranuan për arsye gjeo-strategjike edhe sikur BE të kthehej tani në 2007, sërish do të bënte të njëjtën gjë. Logjikisht, në të vërtetë, kjo po lë të nënkuptohet se Maqedonisë Veriore, edhe pse nuk i plotëson kushtet e zakonshme, tani po i dhurohet një shtytje, për arsye gjeopolitike. Ndërkaq që rrethanat kanë ndryshuar dukshëm këto 12 vite: derisa Bashkimi Evropian atëbotë po ndiqte interesin e saj në kontinent duke mos ia vënë fare veshin (euro)Azisë si faktor, sot me fuqizimin e dukshëm të Rusisë, Kinës dhe Turqisë, po duket sikur po i ndan sferat politike në Ballkan.

 

28 tetor 2019
10:15

Ardita Dushi