19 gusht 2019
10:04

Në përgjigje të shkrimit: Pse është e domosdoshme reforma e racionalizimit të agjencive?
Bëhuni gjithmonë skeptikë kur Kosova synon ndonjë proces të dhimbshëm që vjen nga Brukseli, e para në rajon, ndërsa është e fundit në procesin e stabilizim-asociimit. Në këtë vazhdë duhet të shihet edhe nisma për racionalizimin e agjencive të administratës publike.
Agjencitë u themeluan nën administratën e UNMIK-ut sipas modelit anglez si një nga hallkat efektive qeverisëse. Me vende pune të paguara mirë, ato rekrutuan staf kryesisht në bazë të meritës në kohën kur përkthyesit paguheshin shumë më mirë se drejtorët e departamenteve nëpër ministri. Me heqjen e mbikëqyrjes së jashtme, gjendja ka degraduar. Bordet janë mbushur me kuadro politikë pa përgatitjen e duhur profesionale ose janë lënë plotësisht pa mandat me vite të tëra ndërsa stafi ka filluar të mbushet me partizanë dhe familjarë. Megjithatë, agjencitë ende sot janë disa prej institucioneve më profesionale të Republikës së Kosovës.
Proces i racionalizimit të agjencive rrezikon t’i sjellë ato në nivelin e pjesës tjetër të administratës publike.
Po, disa prej agjencive, veçanërisht ato ekzekutive të krijuara për qëllime politike viteve të fundit, janë kot dhe lehtësisht mund të integrohen në ministritë e linjës si departamente të rëndomta. Nga ana tjetër, disa prej mangësive që përmenden si arsyetim për racionalizim lehtësisht mund të adresohen përmes zgjidhjeve më pak radikale që nuk përmenden. P. sh. nëse Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka kapacitet monitorimi, mund të formojë institute apolitike për vlerësim të performancës ose hulumtim të zgjidhjeve specifike ngjashëm me vlerësimin e performancës që tash e kryen Zyra Kombëtare e Auditimit, rol që duhet të forcohet më tutje.
Nëse bordet tash janë plotësisht të politizuara, mund të vendosen standarde më të larta profesionale në zgjedhjen e anëtarëve dhe të kërkohet një periudhë disavjeçare e shkëputjes paraprake nga politika të kandidatëve. Mund të organizohen seanca publike dëgjimore të kandidatëve për borde që disa prej njerëzve të pakualifikuar të eliminohen ose ndoshta edhe të pranohet politizimi i bordeve si shprehje e vullnet politik të popullit, por të rritet transparenca e vendimmarrjes.
Nga ana tjetër zgjidhja e ofruar e integrimit të agjencive tash të pavarura do t'i vendosë ato në linjë raportuese me sekretarët e përgjithshëm tanimë tejmase të politizuar ose të ndonjë drejtori departamenti i cili në shumë raste është poashtu me prapavijë politike dhe më pak i përgatitur profesionalisht për shkak të historisë së pagave më të ulëta nëpër ministri dhe mungesës së përvojës.
Procesi i racionalizimit ka një mishmash prioritetesh, p. sh. në valën e parë të racionalizimit e gjen Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale dhe Agjencinë e Aviacionit Civil, mes 7 agjencive të vendosura aty me synimin për të arritur cakun artificial të BE-së për të marrë grantin e premtuar.
Administrata publike nuk ka probleme me linjat e përgjegjësisë, Kosova ka problem me përgjegjësinë. Ka problem me stafin profesional jo kompetent, me menaxhmentin e lartë të politizuar dhe të korruptuar, rekrutimin dhe ngritjen në detyrë të pabazuar në meritë, me administratë që nuk i shërben qytetarit, burokraci të tepruar dhe mungesë digjitalizimi, dhe këto i thotë edhe Raporti i vendit. Si do t'i adresojë racionalizimi këto probleme kur këto agjenci, veçanërisht ato të formuara para ose menjëherë pas pavarësisë, qëndrojnë më mirë se pjesa tjetër e administratës publike?
Që nga pavarësia Kosova ka përjetuar një proces të degradimit dhe kapjes së administratës publike, gjersa niveli më i lartë i pagave se në sektorin privat ka forcuar përpjekjet për punësime jomeritore dhe buxheti shtetëror në rritje shihet si mundësi për zhvatje përmes tenderëve nga partitë në pushtet, me raste të theksuara të tanishme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, atë të Arsimit dhe atë të Tregtisë dhe Industrisë të cilat operohen si çifligje private për partitë nga vijnë ministrat përkatës. Racionalizimi nuk do ta ndikojë këtë prirje dhe nuk është zgjidhja e premtuar.
Përkundrazi, procesi i racionalizimit do të jetë një mundësi ideale për kapjen e këtyre institucioneve gjatë rrugës. Kjo veç ka filluar në agjencinë ku unë punoj. Ky eksperiment mund t’i kushtojë shumë Kosovës dhe duhet të ndërpritet. A do ta bartë BE-ja këtë përgjegjësi? Pasojat afatgjate të këtij procesi gjithsesi do t'i bartin qytetarët e Kosovës.
----
Autori/ja është shërbyes civil dhe ka kërkuar të mbetet anonim.
19 gusht 2019
10:04