Ideologjia e vlerave të luftës

05 gusht 2019 16:50

Vlerat dhe idealet e luftës nuk kanë mundësuar emancipimin e zhvillimin e shoqërinë kosovare të pasluftës dhe, si të tilla, nuk janë të përshtatshme për shoqërinë e re dhe për aspiratat e reja të shtetit. Andaj, është thelbësore që të shikohet përtej “vlerave të luftës” dhe të flitet për “vlerat e pasluftës” të përshtatshme në rrethanat e reja. 

“Edhe pse kaluan njëzetë vite, çdo ditë e më tepër shihet se vlera e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një vlerë e paprekshme… Është vlera më sublime dhe e shenjtë e kombit tonë, shtetit tonë. Është një vlerë që e fuqizon çdo ditë e më tepër shtetin tonë… Gjithmonë duhet të kujtojmë me krenari luftën që e kemi zhvilluar dhe çdo herë kur respektojmë ato vlera vetëm sa do të forcohemi edhe si shoqëri, edhe si shtet… Bashkëluftëtarët tanë dhanë gjithçka që Kosova të jetë e lirë, të jetë e pavarur dhe të lëvizë gradualisht drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkim Evropian.” Kështu foli para do kohëve presidenti i Kosovës me rastin e një ceremonie për nderimin e dëshmorëve të luftës së UÇK-së 

Por, jo të gjithë janë të kënaqur që vlerat e luftës po përdoren për të fituar kapital politik. Në mesin e atyre që kanë reaguar kundër kapitalizimi nga ana e “klaneve që po shkelin gjakun e dëshmorëve” kanë qenë edhe vetë pjesëmarrësit në luftën e UÇK-së. Të tillët mbajnë qëndrimin se ideali i luftës çlirimtare është realizuar, tash për tash, vetëm përgjysmë, domethënë është realizuar “liria dhe çlirimi i vendit”, por ende jo “ideali për ndërtimin e shtetit të së drejtës”, i cili–sipas ish-zëdhënësit të UÇK-së–po “vazhdon”.

Kjo retorikë zhvillohet në kuadër të garës për pretendimin e monopolit për të folur në emër të mbrojtjes së vlerave të luftës. Dy palët në konflikt që përdorin këtë retorikë, megjithatë të përbashkët kanë pohimin se vlerat e luftës bartin ose nënkuptojnë vlerat e zhvillimit dhe konsolidimit të shtetit, progresit shoqëror, lirisë, pavarësisë, integrimit ndërkombëtar të vendit, e të ngjashme. Retorika politike ka tendencë që vlerave të luftës t’i mveshë vlera si demokracia, integrimi euro-atlantik, zhvillimi, etj, duke arsyetuar se qëllimi i luftës së UÇK-së ka pasur të bënte edhe me këto vlera e qëllime të dëshiruara. Mirëpo, kjo është anakronike për aq sa tek etosi i luftës së UÇK-së projekton vlera të zhvilluara në shoqërinë e re të pasluftës në Kosovë në kontekst të agjendës ndërkombëtare shtetndërtuese, kushtëzimit të integrimit europian me respektimin e të drejtave të njeriut, demokratizim dhe ndërtim të shtetit të së drejtës.

Pavarësisht retorikës së “mbrojtësve” dhe “kundërmbrojtësve” të vlerave të luftës, nuk mund të pretendohet se ato kanë të bëjmë me diçka më shumë se sa çlirim prej pushtimit dhe shtypjes serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Lufta është bërë për t’u çliruar prej Serbisë. Krejt çfarë i shtohet këtij qëllimi më pas është joreale dhe anakronike. Në të vërtetë, kaq mund të pritet prej luftës çlirimtare (dhe kjo nuk është për t’u nënvlerësuar). Por, lufta çlirimtare nuk ka ofruar një vizion se çfarë nënkupton liria, shteti i së drejtës, zhvillimi, progresi e integrimi dhe si të arrihen këto pas çlirimit. Vlerat e luftës nuk janë të përshtatshme për të frymëzuar aspirata politike e orientime ideologjike të shoqërisë kosovare të pasluftës. 

Në të vërtetë, siç po vërtetohet përditë e më shumë, retorika e “vlerave të luftës” dhe  e “gjakut të dëshmorëve” ka nënkuptuar shndërrimin e heronjëve të luftës në politikanë të korruptuar të pasluftës dhe është përdorur për zëvendësimin e shtypjes serbe me shtypjen e heronjëve dhe batakçive të vetëshpallur "bartës  të vlerave të luftës”. Kështu, ideja e “vlerave të luftës” është katandisë në instrument ideologjik për ruajtjen e status quosë dhe përligjen e sundimit të profiterëve të luftës: ato po ua mundësojnë "bartësve  të vlerave të luftës” udhëheqjen e paaftë dhe të korruptuar, po u japin “tagrin” për t’u vënë reket investitorëve të brendshëm dhe të jashtëm, dhe për t’i rehatuar dajallarët e klientët e tyre në poste publike e biznese private. Pikërisht ky miti i vlerave të luftës na ka penguar për ta parë se “bartësit e vlerave të luftës” e kanë robëru shoqërinë në vend se ta çlirojnë atë, e kanë rrënu shtetin në vend se ta ndërtojnë atë dhe e kanë forcu sundimin e forcës në vend se të drejtësisë. 

Për synime të tjera të pas çlirimit, si ndërtimi i shtetit, zhvillimi i shoqërisë, e të ngjashme, lypset një etos tjetër, vlera të reja dhe një elitë e re e shoqërisë që kishte me i bartë ato. Idealet e luftës nuk mund t’i sigurojnë ato. Kush ka rënë dëshmor për arsimim të duhur e të përshtatshëm për nxënësin e studentin, trajtim dinjitoz për të sëmurin e pensionistin, të drejta për punëtorin, punë për të papunin, përkrahje për profesionistin, shëndet e siguri për fëmijën, drejtësi për të dëmtuarin…?! 

Ideja e çlirimit etnik ose kombëtar nuk është e përshtatshme për çlirim nga sundimi i përfituesve të luftës e të pasluftës, nga mbretëria e injorancës, frikësimit, prapambetjes e moszhvillimit, si dhe nga autoritarizmi i tanëve dhe i të huajve. Andaj, është thelbësore dhe urgjente për shoqërinë e re kosovare të pasluftës të shikojë përtej “vlerave të luftës” dhe të flasë për “vlerat e pasluftës” për të artikuluar aspiratat e shoqërisë së re dhe narrativin e vlerave të reja. Tash pas dy dekadash, u pa se vlerat e luftës nuk kanë frymëzu ideale për emancipim e zhvillim të shoqërisë. Pasi që shoqëritë janë dinamike dhe shndërrohen në vazhdimësi dhe varësisht prej rrethanave të krijuara, narrativi mbi vlerat duhet të ndryshojë për t'iu përshtatur rrethanave të reja, zhvillimeve demografike e sociale dhe shndërrimeve kulturore e politike, nëse do të pranohet nga shoqëria e re dhe ta frymëzojë atë për zhvillim e përparim. Narrativi i ngurtë që nuk reflekton dhe nuk u përshtatet këtyre ndryshimeve nuk mund të legjitimohet. 

Edhe shënimi i përvjetorit të radhës (i njëzeti këtë vit) i çlirimit nga Serbia me manifestime publike pompoze, nuk ka kuptim për shoqërinë e re dhe nuk e ndihmon narrativin për vlerat e reja. Në të vërtetë, kjo ka kuptim veç për politikanët dhe bartësit e ideologjisë së vlerave e idealeve të luftës, të cilëve po ju duket se me spektakël e zbulim të busteve konfirmojnë pranimin popullor të narrativit të “çlirimit të vendit”. Por, për çfarë çlirimi flasin “çlirimtarët” tanë, kur neve frika prej të ardhmes, varfërisë, mashtrimit e shfrytëzimit s’na u nda prej se u “çlirua" vendi?! Liria është çlirim prej frikës dhe shfrytëzimit, çlirim prej keqmenaxhimit dhe korrupsionit, mundësi për përparim e zhvillim dhe çlirim prej pengesave si prej të huajve, ashtu edhe prej tanëve. Në të vërtetë, njëzetë vjet pas çlirimit prej pushtuesit të huaj ishte dashtë me festu çlirimin e dytë prej çlirimtarëve tanë. Se, çlirimi nuk është një akt që ndodhë njëherë e përgjithmonë. Është përpjekje e përditshme për t’u çliruar nga zgjedha e vënë qoftë nga të huajt, qoftë nga tanët.

 

05 gusht 2019
16:50

Gëzim Selaci