Snobizmi antropologjik

27 qershor 2019 14:21

Njeriu i zbritur nga mali u shfaq këtu e 200.000 vjet më parë. Edhe shtetet e para u shfaqën para 5500 vjetëve, madje dhe ato vetëm në disa vende të botës. Pra 95-99 % të historisë së njerëzimit në Tokë, njeriu ka jetuar në shoqëri të vogla, pa shtet dhe burokraci, me mjete prej druri dhe guri, pa dallime klasash, në grupe të vogla ku secili njihte tjetrin dhe merreshin me gjueti.

Me fjalë të tjera, të gjithë njerëzit në botë janë në të vërtetë “të ardhur nga mali”. Andaj edhe deklarata e bërë kohë më parë nga kryeministrja e Serbisë, lidhur me këtë, jo vetëm se ishte e pakujdesshme dhe e ndjeshme por ishte edhe budallallëk tipik. Snobizmi i tillë antropologjik i përshkruan edhe ata që të gjithë pa dallim.

Nëse do të dëshironim të prezantonim apo “ fusnim” të gjithë historinë e njeriut modern në 24 orë, koha e të ashtuquajturës “ Epokë e re” do të zgjaste vetëm 14 minuta deri në mesnatë. Jezusi i Nazaretit, Muhamedi, Perandoria Romake, Vikingët, kalorësit, kështjellat, shtrigat, murtaja, universiteti, Xhingis Kani, Rilindja, teleskopi, shtypi, Kolombo, makina me avull, Revolucioni Francez, mikroskopi, penicilina, vaksina, vetura, aeroplani luftarak, ulja në hënë e interneti - që të gjitha mund të futen në 14 minutat e fundit të 24 orëve të historisë reale njerëzore.

E pavarësisht kësaj, pjesën më të madhe të historisë njerëzore me bindje kemi filluar ta përshkruajmë si “para” historike, për më tepër “inovatorët” në shkolla fillore dhe të mesme, kësaj pjese i dedikojnë një leksion si parahyrje për të kaluar menjëherë tek Egjipti i lashtë dhe Greqia e vjetër. Me “njerëzit e shpellave” dhe “njerëzit prej mali” – si indianët, eskimezët e burrmanët- le të merren paleontologët, arkeologët, antropologët dhe Indiana Xhons-at tjerë.

Megjithëkëtë,  njerëzit “parahistorikë” nuk kanë pamje majmuni por janë njerëz që edhe  fizikisht edhe mentalisht janë identikë me ata edhe me ne. Unë jam e bindur se një patolog në cilindo morg nuk do të arrinte të bënte dallimin mes një trupi të njeriut modern dhe një njeriu të para 15.000 vjetëve më parë (nejse ndoshta njeriun modern do ta tradhtonte kariesi). Edhe sikur të mund  të udhëtonim në kohë t’jeni të bindur se dhe në kohën e gurit do të kishim parë sjellje të njohura njerëzore si: nëna që mbajnë foshnje në gji, fëmijë që luajnë, gra dhe burra që shoqërohen ose që luftojnë për reputacion dhe fuqi, pleqtë që kritikojnë dhe fajësojnë rininë për sjellje amorale, njerëz që si ne vallëzojnë, këndojnë dhe bien në dashuri.

Prandaj për ta kuptuar vërtet njeriun dhe ekzistencën e tij, le të dilet nga apartamenti dhe makina e rehatshme, qyteti, ushqimi dhe supermarketi, farmacia, energjia e ripërtitshme, kanalizimi, ujësjellësi, Facebook-u e digjitalizimi. Të gjitha këto janë bukfalisht të djeshme. Rrota, metali, qelqi, bujqësia, birra, vera, letra, shkolla, libra, fabrika, mbretëria, presidenti, ligji, gjykata, ushtria, policia, tregtia, politikani, drejtori, profesori, vendori e i huaji - të gjitha janë risi ekstreme. Pjesa më e madhe e historisë njerëzore nuk i njeh këto. Që të gjitha kanë filluar të shfaqen këtu e 11.000 vite më parë dhe në krahasim me ekzistencën e njeriut nuk janë gjë tjetër vetëm një rrahje qerpiku.

E megjithatë që të gjithë akoma po shfaqim vështirësi në përshtatje me këto risi. Derisa edhe sot shumë njerëz në këtë planet, shembull në Amazonë dhe Guine të Re, jetojnë në atë mënyrë, fotografohen për “ National Geographics” sepse duken jo të zakonshëm dhe ekzotikë. Për më tepër gratë e tyre nuk mbajnë sytjena duke e bërë kështu edhe më të shitur revistën. E rrjedhimisht del se si njerëz modernë, të arsimuar, të pasur e demokratikë jemi edhe më fanatikë. Ekstrem atipik i shembullit të njeriut plot kuriozitet e perversitet shoqëror.

E pse merremi me “njerëz të malit” që vijnë nga shoqëri egalitare të vogla dhe ekonomitë e tyre të bazuara në gjueti e grumbullim? Së pari sepse janë tejet fascinuese, të thjeshta dhe interesante. Së dyti, sepse pjesëtarët e tyre kanë ngjashmëri ekstreme me ne. Secili, hulumtues, etnolog apo antropolog i cili ka pasë fat apo fatkeqësi, të takojë një fis të tillë ka dëshmuar sesa të njëjtë janë dhe sa shumë lidhshmëri kanë. Edhe “njerëzit e malit” flisnin e bënin thashetheme, ishin të interesuar për fëmijët e tyre, seksin e tradhtinë, për ushqim, muzikë, kërcim e sport. Edhe zemëroheshin, frikësoheshin, tmerroheshin e lumturoheshin për gjërat e njëjta sikur edhe ata. Së treti, edhe vetë me qindra mijëra vjet kemi  jetuar në të tilla shoqëri paleolite. E natyrshëm lind pyetja a kanë me mund me u lavdëru me këtë jetëgjatësi edhe feudalizmi e socializmi? Apo a do të mund të jetojnë kapitalizmi e demokracia përfaqësuese edhe njëqindmi’ vite të tjera? Vështirë. Në fund të fundit, njerëzit e tillë dhe shoqëria e tyre, janë më se të rëndësishëm, sepse që të gjithë në kafkë mbajmë trurin nga Epoka e Gurit.

Do thoni si është e mundur kjo? Po ja për shembull frika nga gjarpri, edhe pse shumica e tyre që jetojnë në qytete dhe Facebook, me shumë siguri asnjëherë nuk kanë për të parë gjarpër jashtë kopshtit zoologjik, truri i tyre tmerrohet nga pamja e tyre në TV njëjtë sikurse të jetonin akoma në xhungël apo mal paleolitik prej kah edhe kanë dalë. Edhe pse ndoshta për kohën sot më tepër ish dashtë të frikësohen nga pllakat lëvizëse apo automjeti, prapëseprapë trupi paleolitik frikësohet nga gjarpri. 

Ose nacionalizmi. Me miliona vite, njeriu ka evoluar në kontekstin e madhësisë territoriale të grupeve të vogla me resurse të kufizuara, dhe secili interferim i të huajve ka nënkuptuar luftë për jetë a vdekje. Mosbesimi dhe ksenofobia për TJETRIN ishin parakusht për mbijetesë dhe secili pacifist i mundshëm përjashtohej nga shoqëria. Të njëjtat mekanizma të pjesës reptilë të trurit të tyre veprojnë edhe kur sot politikanët etiketojnë si armiq TJERËT si: zezakët, muslimanët, emigrantët, kroatët, shqiptarët dhe homoseksualët e tjerë. Ose konformizmi.

Nëse vendosim ta injorojmë malin nga i cili kemi zbritur të gjithë, si  95% e historisë së njerëzimit, e bëjmë këtë si snoba ose “inovatorë” që dëshirojmë me çdo kusht të harrojmë prej nga jemi dhe çka saktësisht na ka bërë njerëz. Edhe bash kështu siç jemi. Është e vërtetë se shoqëria njerëzore ka kaluar nëpër ndryshime të mëdha. Por këto ndryshime janë kaq të vonshme për t’u adoptuar kaq shpejt me to dhe për të harruar se rrënjët e plot problemeve të sotme, që nga diabeti e deri te nacionalizmi, janë te mali. 

 

27 qershor 2019
14:21

Ardita Dushi