Shëndeti Mendor – Tabu apo Sensacion

18 qershor 2019 10:08

Të gjithë jemi të njoftuar me fenomenin e fshehjes së problemeve deri sa nuk pëlcasin. Çfarëdo çështje që diskutohet, dëshira për mos-ballafaqim duket si diçka universale në temat që i prekë. Me e shty punimin për naj ditë tjetër, mos me fol për sa thellë n’borxh ke hi, mos me i kallxu prindërve për notën që e ki marrë; duket që shumë pak njerëz me qejf flasin për këto tema, pasi që përnime janë të pakëndshme.

Diçka që është më e shpeshtë për temën e shëndetit mendor (dhe disa tema tjera) është dëshira e shoqërisë për t’iu larguar problemeve personale që i shpreh individi. Nëse e njofton fëmiu prindin që ka performu dobët n’provim vijnë një seri e tentimeve për t’a ndreqë këtë “problem”. Tema diskutohet, vendimet mirren (disa me sukses disa pa të), dhe jeta vazhdon. Po i njëjti fëmi kur vjen edhe e çelë temën e stresit që po e ndjen në përditshmëri, kur flet për mungesën e dëshirës që e ka për t’u ngritur nga kreveti në mëngjes që me e jetu jetën e vet, kur flet për ankthin që e ndjenë prej mungesës së përkrahjes, çka ndodh? I paraqiten disa prej hiteve më të njohura sa i përket temave personale, siç janë: “Mos fol ksi sene se marre.”, “Hajt sa tkalon, e ki prej rinisë.”, “Je ka menon shumë për ksi sene.”, “N’vakt temin u dasht me i kry ton kto punë e sjem anku.”, e shumë të tjera.

Tu fillu prej familjes e deri tek shoqëria, shtytja jonë e temave të tilla larg diskurseve personale i çon drejt tabusë – diçka që nuk bon me u fol në rrethanat e tua. Në një shoqëri ku me të vërtetë është tabu e forcuar krijohet ndjenja e vetëm dy rezultateve: Ja m’injorojnë kshtu qe pse me folë, ja m’thojnë që o marre e mshtijnë me u ni ma keq. Rast konkret e kemi Indinë, ku vetëm 10% e personave të cilët kanë probleme me shëndet mendor kërkojnë ndihmë. Të tjerët jetojnë në frikë nga “Log Kya Kahenge?” – “Çka kanë me thonë njerzit tjerë?”, një frazë shumë e njofshme edhe për shoqërinë kosovare. Si rezultat personat të cilët kanë nevojë për ndihmë asnjëherë nuk e gjejnë atë që i nevojitet dhe jetojnë si ta kenë një plagë të hapur.

E gjithë kjo e bën të çmendesh kur hyn pastaj në internet dhe lexon tituj si “Mësohet identiteti i vajzës që bëri vetëvrasje në Prizren [Foto]”, “I riu në gjendje depresioni, plagos veten dhe mbyllet në dhomë, policia rrethon banesën”, “Shqiptarin pa dokumente e dërgojnë në burg, në qeli e gjejnë me litarë në qafë (Video)”. Artikujt e tillë mund të jenë me përshkrime të shkurta ose me dekonstruktime të thella se si është bërë “akti”, shpesh herë të bashkangjitura me foto të cilat e reflektojnë mjetin e përdorur. Ka intervista me anëtarë të familjes, ku nuk i respektohet e drejta privatësisë në mënyrë që të nxirret një artikull. Në sipërfaqe duket se e kemi një kuriozitet morbid mbi temën e vetëvrasjes dhe gjërat që e çojnë personin drejt saj.

Intervistat dhe shkrimet e përmendura publikohen për një arsye të thjeshtë – njerëzit i ndjekin. E gjithë kjo e qet temën e shëndetit mendor në një situatë të çuditshme: “A janë këta persona të cilët na thojnë se problemet tona janë vetëm imagjinare të njëjtit që vazhdimisht i ndjekin diskutimet dhe raportimet mbi këto situata të tmerrshme?” Gjë edhe më çuditshme është se duket që jemi të vetëdijshëm ndaj këtij programimi shoqëror. Shpesh herë kur flas me persona të panjohur dhe e kuptojnë se i kam përfunduar studimet në psikologji, përgjigja e parë është një variacion i “Valla na vyjn’ psikologt se jem keq” – përvojë që besoj është universale për çdo person që prekë në këtë fushë. Shëndeti mendor në vetëdijen e gjerë mbetet si temë që nxitë kureshtje. Diçka që mundesh me e lexu në internet dhe me e diskutu me persona tjerë, duke i mbajt larg rreth situatave personale. “Une jam ok, tjert po kan probleme” – i thojm vetës.

Sado shqetësuese që duket kjo situatë, ende ka mundësi për progres. Është koha me dal haptas për problemet personale që kolektivisht i ndjejmë – me fillu hapin e parë drejt një shoqërie ku ndjenjat si depresioni dhe ankthi nuk janë më kuriozitet patologjik ose tabu, po tema që munden me u  qelë nga çdo person që e ndjen nevojën dhe e gjen një shoqëri që është gati për të dëgjuar aktivisht. Me guximin e personave të cilët dalin në vetëdijen publike dhe flasin haptas për “personalen” në skenën shoqërore, mbet shpresa që ky kurioziteti të kthehet në pranim, e përfundimisht në përkrahje.

----

Klinika UNI - Qendër për këshillim, testim dhe vlerësim psikologjik

Nuk je vet - Këshillim online për të rinjët

CEL - Këshillime falas për komunitetin LGBT

I fight depression - Informata rreth Depresionit

Qendra Psiko-Sociale per Trauma Terapi, Diakonie Kosova - Shërbime falas për trauma terapi

 

 

18 qershor 2019
10:08

Bind Skeja