Për një qytetar të lirë

29 maj 2019 13:54

Recension përkitazi me dy librat: Alfabeti i tranzicionit dhe Mendimi kritik i një qytetari, të  autorit/publicistit Gilman Bakalli*

Është interesant sesi në këto hapësira ku ne jetojmë ngjarjet duket se ripërsëriten. Mbase edhe mund të na duket sikur rendi social e rikontekstualizon veten. Në njëfarë forme këtë e hasim në dy librat e Gilman Bakallit, Alfabeti i tranzicionit dhe Mendimi kritik i një qytetari. Duhet ta themi që në fillim se trajtesat e fenomeneve dhe ngjarjeve të cilat i rrok në fokusin e tij, autori Bakalli i dekonstrukton duke i vënë në shërbim edhe referencat filozofike, dhe si të tilla këto trajtesa sikur e tejkalojnë dimensionin kohor, sepse shumë nga trajtimet e tij që nga 1990 e deri më 2016, gjejnë shprehje, e disa vetëm sa vijnë dhe rikuptimësohen edhe sot e kësaj dite. Po ashtu, përmes shprehjes së mendimit të tij në këta dy libra, Bakalli na paraqitet si një qytetar i angazhuar në sferën publike. Ai mendon se edukimi i qytetarit duhet të bëhet përmes një procesi të vazhdueshëm dhe serioz. Pra, duhet që njerëzit jo vetëm të duken perëndimorë, por duhet edhe të jetojnë dhe mendojnë si të tillë. Ai, problemet shoqërore nuk i sheh si partikulare dhe zgjidhjet po ashtu, nuk i sheh si partikulare, por ai mendon se problemet duhen parë dhe trajtuar në tërësi dhe se ato nuk i përkasin vetëm një individi apo grupi, por u përkasin të gjithëve dhe të gjithë në pozitat aktuale të tyre duhet të angazhohen për t’i hapur udhë zgjidhjes. Sipas tij, po nuk e kuptuam dhe përjetuam sferën publike si diçka që na përket secilit, ajo përherë do të jetë arenë e një lufte egosh për dominim.

Sfondi kulturor - trajtesat e tij i përkasin sferës kulturologjike. Çdo problematikë e trajtuar në të dy librat, e sidomos tek libri Alfabeti i tranzicionit dhe kritika që u bëhet fenomeneve të ndryshme socio-politike, si bazë kanë kulturën apo më mirë të themi deficitet kulturore shqiptare. Dhe kjo për mua është tema bosht e paraqitjes në mendimet e tij, por ky është edhe problemi më i madh që ka shoqëria shqiptare në përgjithësi. Pamundësia që të çlirohemi nga strukturat socio-historike dhe mentaliteti i të djeshmes, si shoqëri na ka vënë në një qark të mbyllur dhe këtë autori Bakalli e intensifikon qartë në mendimet e tij.

Ai tek libri Alfabeti i tranzicionit paraqet disa fjalëve kyçe që shënjojnë një dukuri në kulturo-sferën shqiptare. Secila fjalë/dukuri shenjon një diskurs shoqëror, e që fillon me një renditje alfabetike nga shkronja A deri në Zh. Për me pa sesi autori i trajton disa nga këro fjalë përmbajtjesore, e që në diskursin shqiptar janë etablime të një areali pezhorativ vërejmë se si:

- Ndërtohet diskursit publik nëpërmes Akuzës,

- Rendi social që ende është nën kthetrat e Gjakmarrjes,

- Keqkuptimi i lirive ekonomiko-liberale dhe i Lirisë si të tillë,

- Kriza e Intelektualit në shoqërinë shqiptare,

- Keqpërdorimi i lirisë së shprehjes nëpërmes Medias etj., janë vetëm disa nga problematikat që autori Gilman Bakalli i sheh si pamundësi e daljes së shqiptarëve nga gjendja e tranzicionit.

Duke e vërejtur se si përjetohet dhe ushtrohet sfera publike dhe pastaj rendi dhe ligji dhe në fund edhe vetë shteti, autori na sensibilizon për një mundësi të një përhershmërie tranzicionale, sepse ai daljen nga tranzicioni nuk e sheh si akt, por si mendësi. Ai na fton se duhet të piqemi dhe përpiqemi si shoqëri, që kulturalisht të dalim në një stad më të avancuar edhe socio-politik, që shoqëria shqiptare më në fund të shkëputet nga periudha e tranzicionit.

Mendimi kritik i një qytetari – në deficit e thekson mungesën e qytetarisë, e rrjedhimisht edhe të  qytetarit në shoqërinë shqiptare. Kjo ndoshta është edhe vërejtja bazë dhe më serioze që autori Bakalli ia bën shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Kritika e tij bie mbi politikën, mbi arsimin, mbi shkencën, mbi median, familjen, mbi të ashtuquajturin intelektual; pra mbi të gjitha komunitetet që e përbëjnë një shoqëri dhe shtet. Lufta e pakompromis për pushtet, lufta e pakompromis për servilim dhe servilosje, i ka dhënë fuqi mediokritetit, që autori Bakalli e sulmon me tërë fuqinë e mendimit të tij, sepse ai mendon se mënyra sesi sillet shoqëria nuk do ta krijojë qytetarin e lirë, por një njeri të dëgjueshëm karshi pushtetit.  

Krijimi i qytetarit të lirë apo qytetarisë nuk është proces që krijohet në laborator, por është krijim i ngadalshëm dhe permanent dhe për këtë autori Gilman Bakalli bën thirrje dhe ngulmon mbi nevojën që shoqëria shqiptare duhet të jetë më sensitive ndaj kësaj, sepse siç edhe e thekson në dy këta librat e tij, trendet aktuale globale janë aq ndikuese në sferën lokale, sa që shoqëria shqiptare, me këtë stad të zhvillimit, vështirë se mund t’i përballojë. Po ashtu, ai mendon se kultivimi i një qytetari të lirë do të mundësonte edhe një shoqëri më të kulturuar dhe po ashtu, edhe një shtet më dinjitoz. Përndryshe, autori Bakalli na paralajmëron se nëse ne mbetemi peng i elitave qoftë politike, qoftë intelektuale aktuale, atëherë do të krijohet një shoqëri pa sensin për të tashmen dhe kështu do të dëmtohet edhe e ardhmja.

Prandaj, mendoj se merita e autorit Gilman Bakalli qëndron pikërisht në paralajmërim. Ai nuk mëton të jetë lajmëtar, assesi, madje ai mendon se lajmëtarët krijojnë besimtarë, të cilët sipas autorit janë mirëmbajtës të statusquo-së. Ai është paralajmërues, kërkon preventivë, parandalim të së mbrapshtës. Pra, insiston në mendim kritik, në një qytetar që veten dhe gjithë atë që sillet rreth tij mos t’i marrë si gjëra të mirëqena, por t’i fusë çdoherë nën dioptrinë e kritikës racionale. Pas leximit të librave të Gilman Bakallit, lirisht mund të themi në terma popper-ianë se ai është një Qytetar i lirë me një dozë të theksuar të një kritiku racional.  

---

*Gilman Bakalli ishte ligjërues, publicist dhe politikan nga Shkodra. Në Universitetin e Gracit, në Austri, kishte marrë gradën doktor i Filozofisë.  

29 maj 2019
13:54

Dritan Dragusha