Rëndësia e zgjedhjeve presidenciale për të ardhmen e Maqedonisë

08 maj 2019 09:17

Të dielën, më 5 mars, qytetarët e Maqedonisë së Veriut vendosën se kush do të jetë President i vendit për pesë vitet e ardhshme. Këto zgjedhje do të kenë rol të rëndësishëm për orientimin politik të Maqedonisë së Veriut. Me këto zgjedhje u përcaktuan në masë të madhe binarët në të cilët ecën perspektiva e këtij shteti.

Për të kuptuar peshën e këtyre zgjedhjeve është e rëndësishme që të nënvizohen arritjet e Maqedonisë së Veriut në përpjekjet e saj për të ndërtuar një shtet multietnik dhe demokratik. Gatishmëria e saj për të zgjidhur konteste bilaterale dhe për të ndërtuar fqinjësi të mirë është gjithashtu një aspekt krucial për stabilitetin rajonal. 

Bartëset e këtyre zhvillimeve pozitive kanë qenë LSDM-ja dhe BDI-ja, por me mbështetje edhe nga parti tjera shqiptare. Në përgjithësi këto forca të koalicionit kanë qenë vektorë progresivë që kanë udhëhequr Maqedoninë e Veriut në tri drejtime pozitive: Së pari demokratizim të shtetit jo vetëm përmes akomodimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por edhe përmes integrimit të tyre brenda shtetit maqedonas.

Për herë të parë Maqedonia e Veriut ka një shqiptar në krye të Parlamentit të saj. Ishte LSDM-ja ajo që e mundësoi një gjë të tillë. Nga janari i këtij viti ka hyrë në fuqi edhe ligji për gjuhët, duke u bërë edhe shqipja gjuhë zyrtare. Këta hapa kanë qenë tejet të rëndësishëm për krijimin e një klime qytetare shtetndërtuese që zbut tensionet multietnike.

Krijimi i një ambienti ku shteti nuk funksionon në premisa etnike ishte i domosdoshëm për stabilitetin dhe demokratizimin e vendit. LSDM-ja e ka kuptuar që sa më shumë përfshirje të shqiptarëve në politikë, aq më pak aspirata për konflikt e shkëputje. Sa më shumë akomodim, aq më pak gjasa për disintegrim. Kjo klimë multietnike po shfaqet edhe në faktin që LSDM-ja dhe BDI-ja kanë dalur me një kandidat për President.

Së dyti prirja e LSDM-së për inkluzivitet të brendshëm u paralelizua me konstruktivitet fqinjësor. Zoran Zaev dhe Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras arritën marrëveshjen për riemërtimin e Mqedonisë. Ky problem e kishte bllokuar çdo tentim për të avancuar drejt BE-së. Për gati 30 vite Greqia dhe tanimë Maqedonia e Veriut kanë qenë të kapërthyera në një mosmarrëveshje rreth emrit.

Marrëveshja e Prespës e arritur më 25 qershor të vitit të kaluar dhe e ratifikuar në dy parlamentet më 25 janar dhe 19 shkurt të këtij viti është një ngjarje historike që jo vetëm ka hapur rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, por edhe ka relaksuar klimën e tensionuar mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Një hap i tillë është i mirëseardhur jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por për tërë rajonin. Kosova dhe Serbia po mundohen që ta kapitalizojnë këtë momentum dhe të arrijnë një marrëveshje mes vetes. Ky trend i rrit gjasat që Ballkani Perëndimor të gravitojë drejt orbitës së paktit veri-atlantik. Me këtë poashtu po vështirësohet ushtrimi i ndikimit nga akterë të tretë që mundohen ta sabotojnë përpjekjen për ndërtimin e një stabiliteti të qëndrueshëm rajonal.

Shkurt, kjo marrëveshje është një dëshmi e vullnetit të mirë të Zaevit për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe me fqinjët në veçanti dhe stabilitetin rajonal në përgjithësi. Me këtë Zaev tregoi se, për dallim prej paraardhësit Nikola Gruevski, është i interesuar të aplikojë kushtin e BE-së për fqinjësi të mirë.

Së treti të dy qasje e para bashkë kanë rritur gjasat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në organizata multilaterale. Me t’u ratifikuar Marrëveshja e Prespës, NATO-ja unanimisht nënshkroi një dokument që hapë rrugën për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në këtë organizatë në Samitin e 11-12 korrikut gjatë kësaj vere në Bruksel.

Anëtarësimi në NATO është një objektiv më se real, ndërkohë që bllokada që Greqia i kishte vendosur Maqedonisë vite me radhë përmes vetos tani është mënjanuar përmes marrëveshjes për riemërtimin e kësaj të fundit. Fati i integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE tani varet nga faktorë të tjerë: nga reformat e brendshme institucionale dhe disponimi i BE-së për zgjerim.

Në anën tjetër, kandidatja e VMRO-së Siljanovska-Davkova vjen nga një parti që u mundua t’i sabotojë të tri këto lëvizje të kompasit politik të Maqedonisë së Veriut. E para, partia e saj ishte sabotuesja kryesore e Marrëveshjes së Ohrit për akomodimin dhe integrimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Kultura e partisë së saj funksionon mbi idenë e dominimit të shqiptarëve dhe margjinalizimit të tyre në institucione.

Kjo parti kishte përdorur dhunën duke futur turmën në Parlament në në shenjë të pakënaqësisë për zgjedhjen e një shqiptari në krye të këtij institucioni. Të akuzuarit u dënuan me 211 vite burg për veprën “rrezikim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë”. Presidenti në ikje, Ivanov, ka bllokuar me vite ligjin që e bën gjuhën shqipe gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Gruevski me partinë e tij kanë sabotuar për kohë të gjatë edhe proceset e integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE.

Davkova është kultivuese e kësaj qasjeje. Ajo këtë e dëshmoi edhe me premtimin se nëse fiton në zgjedhje, ajo do të organizojë një referendum për të prishur marrëveshjen me Greqinë dhe që t’ia kthejë Maqedonisë së Veriut emrin e dikurshëm. Një gjë të tillë ajo vështirë se do të mund ta bënte, por tregon për orientimin e saj politik.

Këtu nuk bën të harrohen as akterët tjerë politikë shqiptarë, sidomos kandidatura e Blerim Rekës, që erdhi në një moment jo të mirë për Maqedoninë e Veriut. Kjo sepse Maqedonia kishte nevojë për një platformë multietnike. Përveç kësaj, praktikisht nuk është e mundshme që edhe Presidenti të jetë shqiptar, përveç Kryetarit të Kuvendit. Një gjë e tillë do ta dobësonte pozicionin e LSDM-së brenda maqedonasve dhe do ta pengonte zhvillimin e kulturës multietnike.

Maqedonia e Veriut ende nuk është e gatshme për një President shqiptar. Maqedonasit do të ktheheshin lehtë kundër LSDM-së dhe do të forcohej VMRO-ja dhe prapë do të ktheheshim në situata të dominimit etnik. Vetë fakti që posti i Kryetarit të Kuvendit i përket një shqiptari është një arritje e madhe në krahasim me të kaluarën.

Poashtu, edhe sikur Rekën ta votonin të gjithë shqiptarët, ai prapë nuk do të fitonte. Duke qenë se ai ka kërkuar votë etnike, ka qenë e ditur që në fillim se maqedonasit nuk do ta votonin. Efekti kryesor i votave për Rekën ka qenë forcimi i logjikës etnike dhe kjo direkt e ka forcuar kauzën e VMRO-së për nxitjen e paranojës në mesin e maqedonasve: se shqiptarët po bëhen bashkë kundër maqedonasve për ta marrë Maqedoninë e Veriut nga brenda.

Me këtë është ulur mbështetja për LSDM-në brenda maqedonasve për shkak të koalicionit të saj me disa parti shqiptare. Është lehtësuar etiketimi i saj si tradhtare e maqedonasve. Këtë e ka ndihmuar mbështetja direkte dhe e hapur për Blerim Rekën e politikanëve shqiptarë nga Kosova në krye me Kryetarin e VV-së Albin Kurtin.

Në rrethin e dytë Blerim Reka, Zijadin Sela dhe Bilal Kasami duke bërë thirrje që të dilet në zgjedhje, por duke mos rekomanduar votimin e Stevo Pendarovskit nuk u ndihmuan shumë përpjekjeve të Maqedonisë së Veriut për demokratizim të brendshëm dhe stabilitet rajonal. 
Thirrja e tyre për votim është e mirëseardhur, por duke e barazuar kandidatin e LSDM-së me atë të VMRO-së e relativizuan situatën.

Ishtë një thirrje me gjysmë zemre dhe si e tillë nuk ndihmoi edhe aq shumë mobilizimin e nevojshëm qytetar të Maqedonisë së Veriut. Duke mos bërë thirrje që të votohet Pendarovski, praktikisht mesazhi i tyre ishte që "Davkova dhe Pendarovski janë të njëjtë.” Fatmirësisht, shqiptarët dolën mjaftueshëm në zgjedhje dhe duke votuar për Pendarovskin e bënë diferencën e nevojshme për fitore.

Një gjë tjetër me rëndësi është se sheshazi Pendarovski ishte zgjidhja e parapëlqyer edhe nga BE-ja, NATO-ja e ShBA-të. Sepse ai është pjesë e një procesi dhe boshti që e ka vënë Maqedoninë e Veriut në binarët e duhur pro perëndimorë. Fitorja e Pendarovskit ishte afirmim i trendit progresiv që ka filluar në Maqedoninë e Veriut që nga ardhja e Zoran Zaevit në krye të shtetit.

Shkurt, në këto zgjedhje qytetarët e Maqedonisë së Veriut vendosën që të fitojë kandidati që është i përkushtuar në demokratizimin e Maqedonisë së Veriut, në stabilitetin rajonal dhe fqinjësinë e mirë dhe integrimin e shtetit të tij në NATO dhe BE. Me zgjedhjen e tij, qytetarët e Maqedonisë së Veriut refuzuan prapakthimin në politikën e Gruevskit që është politikë e dominimit etnik, e konfliktit fqinjësor dhe e refuzimit të BE-së dhe NATO-s.   

 

 

08 maj 2019
09:17

Shkodran Ramadani