Pa shëndet mendor s’ka hiç shëndet

19 prill 2019 10:36

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) ekzistojnë rreth 450 milionë njerëz në mbarë botën me çrregullime psikologjike. 75 përqind e tyre jetojnë në vendet në zhvillim, ku pasiguria, analfabetizmi, varfëria dhe dhuna e rrisin prevalencën e këtyre çrregullimeve. 85 për qind e këtyre njerëzve nuk kanë qasje tek shërbimet e shëndetit mendor dhe në mesin e atyre që marrin trajtim kujdesi është shumë më i ulët sesa standardet e pranueshme dhe shumë shpesh edhe joefektiv. Në Evropë, tek shtetet anëtare të BE-së, më shumë se një në gjashtë individë kanë përjetuar ndonjë çrregullim psikologjik në vitin 2016 (rreth 84 milionë njerëz) dhe mbi 84,000 njerëz kanë vdekur nga pasojat e problemeve të shëndetit mendor në vitin 2015. Raporti i vitit 2018 e cilëson shëndetin mendor si një shqetësim urgjent të shëndetit publik dhe paralajmëron për pasojat ekonomike e sociale që mund të kenë çrregullimet e patrajtuara të shëndetit mendor.

Shumë qeveri nëpër vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe vendet në zhvillim, e pranojnë shëndetin mendor si çështje që meriton vëmendje. Por problemi është tejet kompleks dhe i vështirë për t’u adresuar. Edhe Kosova ka sfida të mëdha për sa i përket shëndetit mendor. Temat e mëdha nacionale - të cilat duket se nuk do të shuhen kurrë - pengojnë dukshëm funksionimin e institucioneve që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve. Shëndeti mendor nuk është përjashtim.

Gjatë viteve të '90-ta, sistemi i përgjithshëm shëndetësor në Kosovë vuajti nga neglizhimi dhe mungesa e fondeve. Situata u përkeqësua më tej kur lufta u ashpërsua. Menjëherë pas stabilizimit të gjendjes socio-politike, institucionet shëndetësore bënë çdo përpjekje që të siguronin edhe shërbimet bazë shëndetësore. Gjatë kësaj kohe, çrregullimet psikologjike dhe neurologjike menaxhoheshin nën ombrellën e një sistemi të vetëm neuropsikiatrik. Natyrisht, shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor të çrregullimeve mendore ishin praktikisht joekzistente, kurse repartet neuropsikiatrike që ofronin kujdes spitalor ofronin kryesisht trajtim farmakologjik.

Lufta e viteve të ‘90-ta në Kosovë megjithatë krijoi një mundësi për ta reformuar shëndetin mendor. Si pjesë e ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, OBSh-ja krijoi njësi të veçantë të shëndetit mendor dhe i filloi aktivitetet mjaft shpejt. Dy nga rekomandimet e përgjithshme të OBSh-së ishin inicimi i një forme të re të menaxhimit të çrregullimeve psikologjike, kryesisht përmes ndarjes së disiplinës së psikiatrisë prej asaj të neurologjisë dhe zhvillimit të shërbimeve të shëndetit mendor me bazë komunitare të mbylljes së institucioneve që strehonin individë me çregullime psikologjike për kohë të gjatë.

Gjersa OBSh-ja sqaroi llojin e qasjes për të cilën avokonte, neuropsikiatrat kosovarë krijuan një Task-Forcë të Shëndetit Mendor. Kjo task-forcë mori përsipër zhvillimin e një strategjie të reformës së shëndetit mendor së bashku me profesionistë të organizatave internacionale. Plani Strategjik i Shëndetit Mendor përfshinte edhe politikat e shëndetit mendor edhe planin e implementimit. Ky plan u miratua zyrtarisht në vitin 2001. Organizata të shumta dhe donatorë të ndryshëm kontribuan në reforma të ndryshme për shëndetin mendor në Kosovë dhe shumë prej tyre përdorën Planin Strategjik si udhëzuesin e tyre të përgjithshëm. Gjatë kësaj kohe u themelua edhe shërbimi profesional i shëndetit mendor në Kosovë me shtatë struktura administrative të ndërlidhura.

Reforma e vitit 2001 shënoi rezultate fillestare inkurajuese. Më vonë, në vitet 2008-2013, si pasojë e “nevojave të mëdha në sferën e shëndetit mendor, kufizimeve serioze buxhetore të këtij sektori, integrimeve të shërbimeve spitalore dhe jashtëspitalore të shëndetit mendor, si dhe riorganizimit të Entit Special në Shtimë (si pjesë funkisonale e Shërbimit të Shëndetit Mendor të Kosovës)” u imponua nevoja për hartimin e një plani të ri strategjik për shëndet mendor. Qëllimi i kësaj strategjie ishte avancimi i mëtejshëm i sistemit të shëndetit mendor duke siguruar përmbushjen e standardeve të shërbimit të shëndetit mendor të Kosovës në pajtueshmëri me standardet e OBSh-së, monitorimin e mbikëqyrjen e rregullt të këtyre shërbimeve, si dhe legjislacionin gjithpërfshirës që rregullonte çështjen e hospitalizimeve dhe trajtimeve të detyruara. Kjo strategji synonte edhe të forconte procesin e deinstitucionalizimit dhe sigurimin e të drejtave të shfrytëzuesve të shërbimeve të shëndetit mendor. Në vitin 2015 u miratua Ligji mbi shëndetin mendor në Kosovë.

Tashmë shërbimet e shëndetit mendor janë të organizuara në shtatë rajone brenda Kosovës. Koordinimi i përgjithshëm ofrohet nga Njësia e Shëndetit Mendor në Ministrinë e Shëndetësisë. Funksionet kyçe të kësaj njësie përfshijnë administrimin, mbikëqyrjen, monitorimin dhe zhvillimin e politikave. Një gamë e shërbimeve të shëndetit mendor është zhvilluar për të siguruar një vazhdimësi të kujdesit për njerëzit me nevoja të shëndetit mendor; ndër to edhe disa qendra për shërbime të shëndetit mendor të bazuara në komunitet për të rritur dhe fëmijë e adoloshentë.

Ndonëse është punuar mirë në këtë fushë, nuk është punuar mjaftueshëm. Është më se e qartë se shëndeti mendor në Kosovë është ende në fille të progresit dhe se ka hapësirë për përmirësim. Fatkeqësia më e madhe është se mungon edhe vetëdijësimi i qytetarëve për shëndetin mendor. Nuk ka kampanja të mjaftueshme sensibilizuese dhe nuk ka punë të mjaftueshme në terren. Ka injorancë të pamasë të përhapur në shoqëri rreth shëndetit mendor. Kjo shpesh rezulton edhe me abuzime me njerëz të prekur nga çrregullimet, si dhe rezulton me një stigmë kolosale rreth shëndetit mendor. Shqetësimi për shëndetin mendor si çështje me rëndësi për shëndetin e përgjithshëm publik poashtu mund të vlerësohet nga aspekti ekonomik. Forumi Ekonomik Botëror vlerësoi se kostot e lidhura me çrregullime psikologjike në vitin 2010 ishin 2.5 trilionë dollarë kurse supozohet se do të rriten në 6 trilionë në vitin 2030. Kostoja e çrregullimeve psikologjike e tejkalon koston e çdo sëmundjeje të patransmetueshme, duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, kancerin dhe diabetin.

Tash që bota po i kushton rëndësi përmasave të shëndetit mendor, si në aspektin social ashtu dhe në atë ekonomik, edhe Kosova si vend i dalur nga lufta duhet ta zhvendosë fokusin në zgjidhje të kësaj çështjeje. Kjo do të përfshinte zhvillimin e shërbimeve dhe përmirësimin e kushteve që ofrohen. Gjersa zhvillojmë modelet e trajtimit, nuk duhet të harrojmë faktin se njerëzit e prekur nga çrregullimet janë në qendër të të gjitha përpjekjeve tona. Një numër i madh studimesh u bënë për të vlerësuar stresin post-traumatik tek popullata e Kosovës pas luftës. Studime të tjera akademike bëhen shumë shpesh për të parë impaktin e faktorëve të ndryshëm tek pjesët e ndryshme të popullsisë. Mirëpo, studime të mëdha, të inicuara nga vetë qeveria, nuk u bënë kurrë. E, kjo duhet të ndryshojë!

 

19 prill 2019
10:36

Eurisa Rukovci