Pse pagat në sektorin publik nuk duhet të rriten!

01 prill 2019 10:19

Kualiteti i ulët i shërbimeve nga institucionet publike shpeshherë është munduar të arsyetohet me faktin që pagat në sektorin publik janë të ulëta, dhe ky arsyetim i ka shërbyer për shumë vite politikanëve dhe udhëheqësve të institucioneve për të arsyetuar keqmenaxhimin dhe jokompetencën e tyre. Në rrethanat ekonomike dhe politike të Kosovës që karakterizohen me nivel të lartë të papunësisë, nepotizmit dhe korrupsionit, rritja e pagave nuk do të rrisë nivelin e shërbimeve por përkundrazi do të ndikojë në degradim edhe më të madh të institucione publike, dhe do ta pengojë zhvillimin e fuqisë punëtore dhe sektorin privat.

Se a janë pagat në sektorin publik të ulëta apo të larta, pikë e krahasimit duhet të jetë niveli i pagave në sektorin privat. Krahasimi i pagave me pagat e rajonit ose me larg është i gabuar sidomos kur bëhet nga jo profesionist të cilët i krahasojnë pagat por harrojnë të krahasojnë edhe parametrat e tjerë ekonomik të atyre vendeve, si për shembull GDP-në, koston e jetës, pagën mesatare, shkallën e papunësisë, produktivitetin, etj.

Krahasuar me sektorin privat, pagat në sektorin publik janë mjaft të larta e sidomos kur i krahasojmë me numrin e orëve të punës, p.sh. nëse e krahasojmë pagën e një punëtori në një kompani private të vendit tonë që punon deri në 60 orë në javë, me një punëtor në sektorin publik që punon 40 orë në javë, shohim se sektori privat paguhet së paku 2 herë me pak se ai publik. Sa i përket kualitetit të shërbimit, punëtori në sektorin privat detyrohet të “qeshë” edhe kur nuk i qeshet, në krahasim me punëtorët në sektorin publik ku shumica prej tyre gjysmën e orarit të punës e kalojnë në pauza të drekës dhe kafesë, dhe poashtu kanë “luksin” edhe të shfaqin pakënaqësitë e tyre ndaj punës që bëjnë.

Përveç ofrimit të pagës të lartë, sektori publik ndër të tjera është punëdhënësi më i sigurt dhe më afatgjatë, diçka që e bën shumë ma atraktive punën në sektorin publik. Edhe në vendet e zhvilluara vendet e punës në sektorin publik gëzojnë privilegje shtesë, por kjo vetëm pasi që këto vende të punës zakonisht paguhen më ulët dhe privilegjet shërbejnë për të kompensuar pagën e ulët. Në vendin tonë një punëtor i sektorit privat e ka të vështirë edhe të marrë kredi pasi që bankat e klasifikojnë si jo të sigurtë për të siguruar të hyra të vazhdueshme, përderisa punëtorët publikë janë më të privilegjuar tek bankat dhe i kalojnë procedurat për kredi shumë më shpejtë dhe me më lehtësi.

Mes dy sektorëve, atij publik dhe atij privat, ekziston një konkurrencë dhe ndikim reciprok, ngritja e pagave në sektorin publik ndikon në sektorin privat duke tërhequr punëtorët profesional nga një sektor në tjetrin, dhe duke krijuar presion në sektorin tjetër për rritje te pagave. Rrita e pagave në sektorin publik do të arsyetohej vetëm nëse do të kishte pasur një largim masiv të punëtorëve nga sektori publik në atë privat, dhe nëse paga aktuale do të ishte nën mesataren e pagës në sektorin privat. Por aktualisht numri i punëtorëve që lëshojnë vendet e punës në sektorin publik është minimal dhe paga mesatare në sektorin privat është më e ulët se ajo në sektorin publik.

Posta është shembull tipik sesi pagat e larta në sektorin publik, ndikojnë negativisht ne kualitetin e punëtorëve dhe shërbimeve që ata i ofrojnë. Pagat e larta tërheqin vëmendjen e militantëve politikë dhe punësimeve familjare, pra në rrethanat e Kosovës ku regrutimet janë kryesisht të manipuluara dhe nuk zgjidhen njerëzit sipas meritave por sipas lidhjeve, pagat e larta në PTK ndikuan që militantët e partive politike t’ia mësyjnë këtyre pozitave. Pra sa ma e lartë që është paga, ndikimi politik dhe korrupsioni për punësim është me i lartë. PTK jep shembull tipik sesi rritja e pagave do të ndikojë vetëm në politizimin e këtyre pozitave dhe në asnjë mënyrë në tërheqjen e punëtorëve të kualifikuar.

Në rast të pozitave deficitare, si p. sh. të profesionistëve të IT-së ose p. sh. të kontrollorëve të trafikut ajror, ku sektori privat ofron paga më të larta krahasim me sektorin publik, rritja e pagave prapë do të ishte gabim së pari pasi që është e pamundur të nivelizohen pagat me sektorin privat, dhe se është e gabuar që sektori publik të konkurrojë sektorin privat duke i marrë punëtorët më të mirë. Nëse kërkesa për profesionist është e madhe nga sektori privat, atëherë qëllimi i institucioneve publike duhet të jetë krijimi i kuadrove të reja dhe jo lufta për kuadrot ekzistuese. Programet e trajnimit dhe shkollimit ku punëtorët trajnohen dhe kushtëzohen të punojnë për një periudhe të caktuar në sektorin publik, janë praktikë e përdorur gjithandej nga sektori publik për të trajnuar punëtorë, ku përveç që përfitohet nga shërbimet e tyre, ndihmohet edhe sektori privat me kuadro të reja që trajnohen nga sektori publik. Pra largimi i punëtorëve nga sektori publik për në atë privat nuk është fenomen i cili duhet patjetër të ndalet, pasi që është benefitar për shoqërinë, duke ndikuar në rritjen e numrit të përgjithshëm të kuadrove, rritjen e punësimit, dhe eliminimin e problemit të kuadrove deficitare.

Është e pamohueshme që rritja e pagave në sektorin publik është instrumenti më i efektshëm politik për “blerje” të votave për një kategori masive të votuesve. Premtimet politike për rritje të pagave nuk janë përcjellë me përmirësim të kushteve të punës, dhe asnjëherë nuk kanë pasur në thelb angazhimin për rritje të kualitetit të shërbimeve. Punëtorët mund të motivohen prej shumë gjërave tjera përveç pagës dhe se paga si faktor i vetëm nuk ndikon në rritjen të kualitetit të shërbimeve.

Qeveria do duhej të stoponte çdo rritje të mëtutjeshme të pagave. Shpenzimet e pagave, pa përfshirë ndërmarrjet publike dhe institucionet e pavarura, i kushtojnë buxhetit të Kosovës 620 milion, ose 26% të totalit të shpenzimeve qeveritare dhe paraqesin kategorinë më të madhe shpenzuese të buxhetit. Pagat në sektorin publik nuk janë skema sociale dhe nuk duhet trajtuar si të tilla.

 

01 prill 2019
10:19

Bujar Ejupi