Recension: ‘’Gardhi’’ nga Lendita Zeqiraj

05 shkurt 2019 15:22

*shkrimi përmban spoilers

Një mbledhje e pasdites, e grave të tre gjeneratave, për 15 minuta na përplas vazhdimisht në mënyrë të ashpër me realitetin e jetës së grave,  në bazë të një elementi – krahasimi me mashkullin e vetëm në film, i cili është jo më shumë se 10 vjeç.

Në film paraqiten 3 gjenerata grash, dhe të tria i kanë preokupimet e tyre. Më të vjetrat dhe vajzat e tyre kanë familjen dhe nderin si preokupim, kurse vajzat e reja e kanë eksplorimin e vetvetes dhe liritë bazike. Kurse djali i vogël e ka preokupimin e marrjes për adoptim të një qeni.

Edhe pse prezenca e Gentit në film lexohet edhe në kontekst tjetër, ashtu si përfaqësimi i gjeneratës më të re në familje dhe dallimi me atë parapraken (Genti dallon dukshëm në moshë me kushërirën e tij Rozin e cila është një grua e re), prezenca e tij ia shtyn filmit temën e dallimit gjinor më shumë përpara. Por filmi gjatë gjithë kohës shfaq polaritet, mashkulli ndaj vajzës, moralja ndaj amorales, i bardhi ndaj të ziut, e vjetra ndaj të resë, dhe të dy anët e gardhit – liria dhe robëria, me një long-take mjeshtëror që zgjat gjatë gjithë filmit dhe e bart shikuesin simbolikisht disa herë në të dy anët e gardhit të oborrit. Ky polaritet i vazhdueshëm nuk lejon që të ndalesh dhe të thellohesh në njërin nga këto probleme, sepse menjëherë të godet me polaritetin e radhës, që në fakt kjo vazhdimësi e polaritetit është paraqitje e kompleksitetit real të pritshmërive të shoqërisë.

Gjithsesi në mënyrë më brutale theksohet çështja e marrëdhënieve të këtyre grave në kundërshtim me burrat dhe me shoqërinë, dhe thelbësisht edhe me njëra tjetrën si personazhe. Fillimisht me aktrimin shumë të fuqishëm dhe emocional të Ilire Vincës dhe Rozafa Çelës, mes skenave të përleshjeve të shëmtuara e të rënda mes nanës e vajzës rreth asaj çfarë është amorale në syrin e shoqërisë, dhe pastaj mes humorit për dhunën që burrat i shkaktojnë disa prej këtyre grave dhe normalizimit të kësaj, sepse ‘’Burrat qashtu prej natyrës janë ma të egër.’’ Do të thotë që personazhet e filmit veçse janë nënshtruar ndaj roleve të përcaktuara nga shoqëria, por që nuk tentojnë ta ndryshojnë më këtë fakt; thjesht e kanë pranuar si të qenë.

Por Genti edhe Rozi janë në kërkim të lirisë, Genti nëpërmjet tranzicionit prej fëmisë në më të rritur, duke dashtë të marrë një qen në shtëpi, duke e provuar një instrument të ri, duke e bërë një shok të ri rom, dhe në fund duke sha – të gjitha këto të ndaluara prej nanës së tij. Rozi në anën tjetër, lirinë e merr nëpërmjet vallëzimit me këngën e Adelinës që e fuqizon atë, dhe duke e pasë të dashur një person të zi. Në një mënyrë të butë shfaqet dallimi i kërkesave të dy fëmijëve, njëri për nga dëshira e çiltër, e tjetra për integritet dhe liri personale.

Simbolikisht, në fund Genti a kapërcen gardhin, dhe shkon drejt dëshirave të tij, kurse Rozi mbetet duke shiku prej dritares. Çelësin e gardhit ende e mbante nana.

Ndoshta perceptimet shoqërore dhe polaritetet që shfaqen në film mund të përmirësohen me gjenerata të reja, por, a e kapërceu Genti gardhin për shkak që është më i riu nga të dy, apo për shkak që është mashkull? A është dallimi tek djali e vajza, arritja dhe dështimi i kërkesave, në bazë të gjeneratës apo gjinisë? A do ta pranojë edhe Rozi fatin e saj si gratë e tjera të familjes, apo do t’vazhdojë me thy tabu dhe me marrë atë çka dëshiron?

Skenari i filmit sigurisht që është shumë i thellë dramatikisht në aplikimin e këtyre çështjeve në personazhet e veta. Në të shumtën e kohës, këto probleme janë krejtësisht personale dhe zhvillohen mes rrethit familjar, bisedat dhe përleshjet për to nuk kanë qëllime revolucionare që ta ndryshojnë shoqërinë, dhe përshtatshmëria e të gjithë kastës dhe rrjedhshmëria mes tyre e futur në skenar mjeshtërisht, të bën që si shikues automatikisht ta aplikosh gjendjen e këtyre grave dhe pyetjeve të filmit në nivele më të gjera.  

 

05 shkurt 2019
15:22

Rozafa Imami