Është bukur në zonën e rehatisë

18 janar 2019 09:43

Jeta,

Pasi po më duket se po e keqkupton qëllimin tim dhe atë që kam paraqitur deri më tani dhe ke barazuar konkluzionet e mia me qëndrimet dhe vlerat e mia, theksoj se ajo që vijon është analiza ime, bazuar në gjërat që di, nga përvoja ime në biseda me njerëz etj. Në analizë përpiqem të jem objektive, nëse them se mendoj diçka është kështu ose ashtu, kjo assesi nuk nënkupton që unë dua e as se nuk dua që gjërat të vendosen në atë mënyrë.

Ke iniciuar shumë gjëra në përgjigjen tënde të fundit dhe është e pamundur të përgjigjesh në të gjitha në një tekst të këtij formati. Prandaj do të ndaj dy mendimet më të rëndësishme dhe dy përgjigje.

Përgjigjen time të kaluar e pata titulluar "Nuk ka normalizim universal", jo sepse mendoj që procesi duhet të jetë i njëanshëm, por mu sepse e kuptoj që kjo fjalë nënkupton aq shumë gjëra të ndryshme për grupet e ndryshme të interesit. I kam paraqitur kushtet e normalizimit nga këndvështrimi i komunitetit serb sepse jam më kompetente të flas nga ky kënd dhe sepse ne po zhvillojmë dialog mes një serbe dhe një shqiptare nga Kosova dhe kam vlerësuar se kjo perspektivë ka vlerën më të lartë dalluese në korrespondencën për këtë temë. Kontributin tënd kryesor e shoh në paraqitjen e kërkesave të komunitetit shqiptar.

Mendoj se kemi hyrë në fazën përfundimtare të zbatimit të idesë për shkëmbimin e territorit dhe megjithëse është e pamundur ta ndalim këtë makineri, konsideroj se duhet të bëjmë atë që na takon, e kjo është të përpiqemi të kuptojmë motivimin e akterëve dhe të zhveshim rolin tonë në atë skenar, sado që të jetë i instrumentalizuar, e ne të pafuqishëm të bëjmë gjithçka tjetër veçse ta luajmë atë ashtu siç është shkruar për ne. Këtë e kam bërë edhe në korrespodencën e mëparshme.

Për këtë segment vetëm do të shtoja se është krejtësisht e parëndësishme nëse Serbia ka ose nuk ka ndonjë të drejtë morale ose çfarëdo të drejtë tjetër për t’u thirrur në mospërfilljen e Paketës së Ahtisarit, siç thua, Serbia e refuzoi këtë zgjidhje ... por Kosova jo. Kosova është ajo që ishte zotuar se do t'i përmbahet dispozitave të asaj Pakete dhe Kosova është ajo që krenohet me të, megjithëse zbatimi është nën çdo standard.

Sa i përket vetë serbëve të Kosovës dhe "detyrimeve tona ndaj sistemit", unë dua ta kujtoj se Koalicioni Kthimi (Povratak) në zgjedhjet e para parlamentare në Kosovë pas luftës, në vitin 2001, ishte partia e tretë parlamentare pas LDK-së dhe PDK-së, me madje 22 deputetë. Në atë kohë për zgjedhje u regjistruan madje 70,000 serbë dhe pjesëtarë të pakicave të tjera në Kosovë si dhe 100,000 persona të zhvendosur brenda vendit nga Serbia dhe Mali i Zi. Ky koalicion mori pjesë në punën e institucioneve qendrore deri në ngjarjet e vitit 2004, e madje edhe atëherë serbët në jug mbetën pjesë e institucioneve vendore deri në shpalljen e njëanshme të pavarësisë. Përveç përvetësimit të Paketës së përmendur të ligjeve të Ahtisaarit dhe zbatimit jo të rregullt të tyre, serbët kanë bërë po aq shumë sa shqiptarët për multietnicitetin e Kosovës. Ajo që mungoi ishte kthimi i serbëve në zonat urbane dhe nuk shoh sesi një shoqëri mund të jetë multietnike, nëse qasja në qytete është e ndaluar për serbët.

Natyrisht, pranoj se situata ishte krejtësisht ndryshe në veri. Këtu, deri në vitin 2013, kur Serbia na detyroi ta bëjmë, nuk kishte nevojë për ndërveprim me sistemin e Kosovës. Për komunitetin këtu, integrimi në sistemin e Kosovës ka sjellë vetëm destabilizim, institucionet serbe që as nuk janë shpërbërë e as nuk janë plotësisht funksionale dhe institucionet e Kosovës që nuk funksionojnë me kapacitet të plotë. Dhe më e keqja nga të gjithat, krizat politike të cilat e pezullojnë jetën tonë çdo disa muaj dhe përshkojnë çdo segment realiteti deri në atë pikë ku nuk mund të mendojmë për të ardhmen.

Mendimi im i dytë mund të përmblidhet në dy fraza "më e rëndësishme nga pyetja çka duhet është pse nuk është" dhe "standarde të barabarta". Këtu do të theksoja në mënyrë eksplicite se nuk e veçoj "normalizimin politik" nga "normalizimi shoqëror" sepse personalisht mendoj se duhet të jetë kështu, por sepse kam baza për të besuar se është kështu dhe se kjo nuk ka fare të bëjë me atë që unë mendoj se duhet ose nuk duhet të jetë.

Nga letra e parë që ta kam drejtuar ty, përpiqem t'i përgjigjem pyetjes "pse diçka nuk është", ndërsa te ti vërej tendencën për të vendosur standarde dhe atë çfarë duhet të jetë. Megjithatë, mendoj se në këtë moment është më e rëndësishme të kuptojmë shkaqet e gjendjes aktuale, kështu që unë do të vazhdoj me timen, do të veçoj "duhet" më të rëndësishme nga letra jote dhe do të përgjigjem në "pse ajo që duhet, nuk është ashtu".

Duhet: "Shoqëri kosovare do të thotë të gjitha komunitetet të cilat jetojnë në Kosovë, përfshirë këtu edhe komuniteti serb".

Pra, saktë ke vërejtur se kur serbët thonë "shoqëri kosovare", në të nuk e vendosin vetën edhe ata që kanë jetuar në regjimin e Millosheviqit edhe dikush që shoqërinë serbe kolektivisht e konsideron gjenocidale. Mendon se ke të gjitha mjetet dhe përvojat e nevojshme për të kuptuar mjaft mirë pse ajo që thua se duhet, në praktikë nuk është kështu.

Nga këndvështrimi i komunitetit serb, shqiptarët më të dukshëm, liderët e shoqërisë kosovare janë Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli (tani këtu është edhe Fatmir Limaj, por ndryshe nga tre të parët, ai nuk ka vazhdimësi në këtë dukshmëri). Ramush Haradinaj, sipas përgjegjësisë komanduese në Hagë ishte thirrë në përgjegjësi për vrasjen dhe torturimin e rreth 30 civilëve shqiptarë, romë dhe serbë të gjetur në liqenin e Radoniqit, por edhe për përdhunimin e një gruaje rome që e kishte bërë një ushtar në zinxhirin e tij të komandës, gjoja sipas urdhrit.

Këtu janë emrat e disa civilëve të gjetur në këtë varrezë për të cilën deri në aktakuzën e parë në vitin 2001 ekzistonin prova që i lidhin ato me njësitë nën komandën e Kryeministrit të Kosovës.

Vukosava Markoviq, Darinka Kovaç, Millovan Vllahoviq, Millosh Radunoviq, Sllobodan Radosheviq, Hajrullah Gashi, Isuf Hoxha, Ilira Frrokaj, Tush Frrokaj, Illija Antiq, Adzi Seferaj, Vellizar Stoshiq, Millka Vllahoviq, nëna SST7/04 (dëshmitare), Safet Kuqi, Zdravko Radunoviq dhe Pal Krasniqi.

Kushdo që ka stomak mund të lexojë hollësitë më mizore të fateve të tyre për secilin nga këta individë në aktakuzën në linkun më lart, ku ofrohen edhe sqarimet dhe provat në bazë të të cilave dyshohej se janë mbajtur në një burg të administruar nga Haradinaj ose ishin rrëmbyer nga njësitë e tij.

Dhe saktë, Ramush Haradinaj nuk u dënua në Hagë për shkak të mungesës së provave, por fakti që Millosheviqi kurrë nuk mori një gjykim, me siguri nuk bën që në sytë e tu ai të jetë më pak fajtor për mizoritë në Kosovë.

E njëjta vlen edhe për Haradinajn, në sytë e çdo serbi dhe serbeje, ai është një kriminel dhe për sa kohë që ai është asociacion i parë në Qeverinë e Kosovës ose shoqërinë kosovare, serbët nuk do të ndjehen pjesë e asaj shoqërie.

Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë një makth edhe më i keq. Në raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës Dick Marty, këta dy liderë institucionalë të Kosovës, së bashku me Xheladin Gashin (as emri i Fatmir Limajt dhe Xhavit Halitit nuk përjashtohen nga ky raport, por jo për të njëjtat krime) janë emëruar si organizatorë të operacionit të tregtimit të paligjshëm me organe dhe trajtim çnjerëzor të civilëve, e cila u krye në disa qendra paraburgimi në Shqipëri pas qershorit 1999. Viktimat e tyre gjithashtu kishin përkatësi të ndryshme etnike, megjithëse për tregti me organe, sipas pohimeve të dëshmitarëve që ishin në paraburgim në qendrat në Shqipëri, fillimisht përzgjidheshin më të përshtatshmit, respektivisht më të shëndetshmit të grupit të pavullnetshëm të donatorëve, ndërsa “përparësia” i ishte dhënë një grupi të caktuar etnik - serbëve.

Vetë ekzistimi i dyshimit se Presidenti i Kosovës dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës potencialisht janë përgjegjës për zhdukjen e një numri të caktuar nga gjithsej 500 persona të zhdukur pas tërheqjes së ushtrisë serbe nga Kosova, dhe të cilëve gjatë kësaj kohe ndoshta me dhunë u kanë rrëmbyer organet e brendshme, të burgosurve kryesisht të kombësisë serbe, parandalon identifikimin e komunitetit serb me çdo gjë që lidhet me institucionet e Kosovës për aq kohë sa këta persona i udhëheqin ato.

Natyrisht numri i viktimave civile në Kosovë shqiptare (8661) është katër herë më shumë se serbe (1797), që do të thotë se për ty do të ishte edhe më e lehtë të gjesh detajet e neveritshme të kriminelëve serbë dhe mu për këtë duhet ta kesh të qartë pse unë mund të kuptoj se ti dhe komuniteti i yt nuk ishit në gjendje të barazoheshit me shoqërinë jugosllave, sidomos jo pas luftës.

Megjithatë, ajo që ndoshta është më e rëndësishme në përpjekjet për pajtim është e vërteta, por edhe standardet e njëjta.

Për ty është lehtë të dënosh dhe ndjesh neveri ndaj mohimit të gjenocidit në Srebrenicë nga Ana Bërnabiq ose faktit që Vuçiq ka qenë ministër në qeverinë e Millosheviqit, si dhe për mua. Ndjej neveri nga këto dhe shumë gjëra të tjera që i lidhin me korrupsionin dhe krimin. Por unë nuk mund ta dënoj Ana Bërnabiqin sepse ka thënë se Srebrenica ishte krim lufte, por jo gjenocid, e njëkohësisht të mos e dënoj Haradinajn sepse ndoshta ka kryer krim lufte. Nëse Bërnabiq ose Vuçiq janë një dorë e zgjatur e politikës kriminale në emër të së cilës kanë pësuar shumë njerëz, atëherë janë edhe Ramushi dhe Thaçi... dhe me mundësinë që, ndryshe nga Vuçiq apo Millosheviq, ata personalisht, me duart e veta kanë kryer këto vepra.

Standardet e barabarta duhet të ekzistojnë edhe në regjistrimin e viktimave të luftës. Mendoj se nuk është në rregull të sfidohet numri i regjistruar i personave të zhvendosur nga Kosova sipas regjistrimit të popullsisë, për të cilin vetë më vonë konstaton se nuk është i besueshëm, ndërsa nga ana tjetër të nxirret vlerësimi i numrit të viktimave të dhunës seksuale si numër ekzakt edhe pse numri i regjistruar i viktimave të dhunës seksuale është shumë më i vogël.

Në fund, t'i përgjigjem pyetjes tënde si të arrijmë të normalizimi.

Prapë, esencën e shoh në diçka çfarë the, me të cilën nuk pajtohem thellësisht. Fjala është për këtë konstatim:

"Shoqëritë në Kosovë dhe Serbi nuk janë të ngjashme."

Unë kam qenë një studente e apasionuar e letërsisë, ndërsa romantizmi ishte një nga lëvizjet e mia të preferuara letrare dhe e kuptoj shumë mirë sesi dhe nga cilat iniciativa sociale lindi konstrukti shoqëror i "kombit" në shekullin e 19-të. Ajo sesi e sheh ti shoqërinë kosovare janë karakteristikat tipike të heroit bajronik. Nuk ka asnjë komb që nuk e percepton veten si i lirë dhe më i drejtë në raport me të tjerët, që veten nuk e konsideron individual, krenar, liridashës e të dinjitetshëm.

Për më tepër, besoj se shumica e serbëve që kanë lexuar atë çfarë ke shkruar ti për shoqërinë kosovare kanë menduar: po edhe serbët humbën 1,2 milion banorë vetëm në Luftën e Parë Botërore, a nuk i bën kjo popull liridashës?

Megjithëse, nga perspektiva ime, as këta nuk e kanë mirë, çdo njeri për nga natyra është liridashës dhe nuk ka komb që është "më liridashës" se tjetri, ndërsa të gjitha shoqëritë kanë tendencë të dominojnë dhe të grupohen për mbrojtjen e tyre.

Kështu që nuk mendoj se ekziston ndonjë dallim thelbësor midis shoqërisë kosovare dhe asaj serbe, dhe as që ka dallime të mëdha midis dy shoqërive të tjera kudo në botë.

Unë shoh njerëz, të grupuar në baza të caktuara identiteti, po aq të aftë për të krijuar dhe shkatërruar, për të vrarë dhe mbrojtur. Ajo që bën dallimin mes këtyre grupeve janë vetëm institucionet, paraardhësi i të cilave është kontrata shoqërore. Sa më të fuqishme dhe korrigjuese institucionet, aq më e avancuar dhe liridashëse shoqëria, sa më të dobëta institucionet, aq më e madhe shtypja dhe denigrimi i vlerave morale. Natyrisht, zhvillimi ekonomik dhe arsimi luajnë një rol po aq të rëndësishëm.

Ndërsa institucionet, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, janë uzurpuar dhe vënë në shërbim të elitave të korruptuara politike dhe kriminelëve dhe janë të paefektshme në ndëshkimin e modeleve të papranueshme shoqërore, siç janë dhuna ndaj civilëve, diskriminimi dhe shumë dukuri të tjera negative.

Për mua, në këtë konkluzion është çelësi i rregullimit të marrëdhënieve në të gjithë Ballkanin, jo vetëm midis serbëve dhe shqiptarëve, e pasi shoh se jemi larg nga ky konkluzion kam paraqitur parashikimin tim se pajtimi në brezin tonë nuk do të ndodhë. Mendoj se edhe ti e ke dëshmuar këtë me përshkrimin e shoqërisë serbe si "genocidiale me një rezistence qytetare të vonuar, krizë identiteti dhe të kaluar të turpshme".

Fillimisht, të gjitha këto epitete edhe etiketimin e gjithë kombit mund t'i zbatosh edhe në periudhat jo të lavdishme të historisë së amerikanëve, gjermanëve, italianëve, kroatëve, britanikëve, turqve, rusëve ... dhe kjo listë mund të shkojë në pafundësi, por ti problemin e sheh vetëm te ata që të shkaktuan dëm ty drejtpërdrejt.

Kjo është absolutisht e kuptueshme, por njëkohësisht dëshmon se ti e para nuk do të jesh në gjendje të pajtohesh me serbët, sepse si do ta bëjë, e mbi të gjitha pse do të pajtoheshe me dikë, ndërgjegjen kombëtare e të cilit e sheh në atë mënyrë. E njëjta vlen për serbët që kanë vuajtur nga shqiptarët; janë të rrallë ata që mund të ngrihen mbi të gjitha ato trauma dhe të dallojnë midis kriminelit dhe të fqinjit të tyre ose, më keq, fëmijëve të fqinjëve të tyre që assesi nuk kishin pasur kurrfarë ndikimi në atë që po ndodhte në Kosovë.

Kjo është arsyeja pse unë mendoj se brezi ynë mund ta arrijë paqen, por jo edhe pajtimin.

---

Sbunker e boton këtë kolumne të përkthyer dhe të botuar në origjinal nga portali KoSSev. Ky portal, me mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, nis rubrikën e re Millica dhe Jeta, në kuadër të faqes Dialogu. Aktivistët civile Millica Andriq nga Zubin Potoku dhe Jeta Krasniqi nga Prishtina do të shkëmbejnë qëndrimet rreth çështjeve aktuale të popullit serb dhe shqiptar dhe marrëdhënieve të tyre të ndërsjella në muajt në vijim. Rubrika publikohet në kuadër të projektit "Përkrahja në krijimin e lidhjeve shoqërore dhe mbrojtjes së pakicave në Kosovë". Mendimet dhe qëndrimet e shprehura paraqesin mendimet e vetë autoreve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e redaksisë së KoSSev-it dhe donatorëve.

Nga gjuha serbe tekstin e përktheu: Bruno Neziraj 

"Lepo je u zoni komfora" - https://kossev.info/lepo-je-u-zoni-komfora/

 

18 janar 2019
09:43

Milica Andric