Përse t'i besojmë më BE-së?

26 dhjetor 2018 09:36

Shtetet, organizatat e institucionet, ashtu si individët, e ndërtojnë reputacionin e tyre mbi konsistencën me të cilën i mbajnë premtimet. Ato që i mbajnë premtimet me rregull konsiderohen serioze dhe kanë ndikim të madh edhe tek tjerët. Ndërsa ato që i ndryshojnë qëndrimet sipas tekave konsiderohen të paqëndrueshme dhe joserioze.

Bashkimi Evropian (BE) hiqet si njëri nga ato shtete serioze dhe konsekuente në politikbërjen e saj. Por sjellja e BE-së me Kosovën në lidhje me liberalizimin e vizave përbën njërin prej rasteve më eklatante dhe të paprecedentë të tradhtisë së premtimeve nga një organizatë e një reputacioni të tillë.

Së pari, BE-ja kërkoi nga Kosova të përmbushë më shumë kritere se ç’duhej për liberalizimin e vizave, përfshirë demarkacionin e potershëm me Malin e Zi, edhe pse një gjë e tillë ishte qartësisht shantazh politik pasi që i njëjti parakusht nuk iu vendos Malit të Zi për liberalizim.

Pastaj, kur të gjitha 95 kriteret u plotësuan më në fund, dhe një gjë e tillë u pranua nga vetë institucionet e BE-së (grupi punues për liberalizim, komiteti LIBE i Parlamentit Evropian dhe vetë Parlamenti), përfaqësuesit e BE-së erdhën dhe në mënyrë të turpshme thanë që Kosova nuk mund të shkojë tutje me liberalizim. Se kur do të ndodhë nuk e dinë—ndoshta në 2020, dhe se në BE ka vende që “nuk janë të bindura”.

Po të shprehej BE-ja që në fillim kundër integrimit të Kosovës (apo Ballkanit në përgjithësi), një gjë e tillë do të ishte e kuptueshme. Po të ishte problemi tek mospërmbushja e kritereve (siç ka qenë një kohë të gjatë), do ta fajësonim Qeverinë e Kosovës. Por kur vetë institucionet e një organizate të ftojnë të bëhesh pjesë e familjes dhe e pranojnë që kriteret janë përmbushur, e ajo pastaj nuk e merr hapin të cilin e ka premtuar, kjo është tronditëse. Kjo sjellje e BE-së nuk është vetëm joserioze, por edhe kufizohet në urrejtje ndaj qytetarëve më të izoluar të Evropës.

Është dhënë arsyetimi që problemi i Kosovës nuk është me BE-në por me vendet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën. Së pari, nuk janë vendet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën ato të cilat po e kundërshtojnë liberalizimin, por vende si Gjermania, Franca e Holanda. Së dyti, edhe po të vinte kundërshtimi vetëm nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, atëherë BE-ja do duhej ta thoshte që në fillim se kemi të bëjmë me një problem më fondamental se sa kalimi i demarkacionit dhe plotësimi i kritereve. E jo të premtohej liberalizimi e pastaj diku—përgjatë rrugës—të kujtohej që paska vende që nuk e kanë njohur Kosovën dhe që kjo përbën problem.

Si mundet, shembull Gjermania, ta kundërshtojë liberalizimin kur i ka pranuar 1 milion refugjatë sirianë të cilët vijnë nga një vend lufte krejtësisht ndryshe, nuk e njohin gjermanishten dhe nuk sillen sipas kulturës Perëndimore?

Është thënë gjithashtu që hezitimi i BE-së ndërlidhet edhe me krizën e saj dhe “rrezikun e shpartallimit”. Së pari, mbijetesa e BE-së është vënë në pikëpyetje për mbi 10 vite, që prej krizës financiare botërore. Sipas kësaj logjike asgjë në BE nuk do duhej të ndodhte derisa ajo t’i shuaj përfundimisht brengat se ajo po shpartallohet. Së dyti, përse nuk i pengoi kjo krizë BE-së që t’ia jap liberalizimin Moldavisë, Ukrainës dhe Gjeorgjisë? E para është vend thellësisht i korruptuar e i varfër, e dyta në gjendje lufte, kurse e treta nuk është fare në Evropë.

                                                                                ***

Nëse BE-ja i thyen premtimet e saj, përse ti besojmë më? Jo vetëm për liberalizim, por për çfarëdo tjetër. T’i besojmë sepse nuk kemi partnerë apo rrugëdalje tjetër? Atëherë kjo qenka situatë e dëshpëruar. Paramendojeni çfarë argumenti—ju “besoj” sepse s’kam zgjidhje!

Në Kosovë që prej pasluftës dominon paradigma që komandat e BE-së duhet të zbatohen verbërisht dhe që çdo kundërshtim i saj përbën blasfemi. Që Kosova nuk mund t’i shfaqë BE-së brenga apo pakënaqësi por vetëm duhet t’i pranoj urdhrat dhe t’i zbatoj në heshtje. Që çdo kundërshtim i bashkësisë ndërkombëtare do të përcillet me implikime të tmerrshme.

Është karakteristikë e mendësisë së vendeve lindore si Kosova që marrëdhëniet të jenë hierarkike; që një palë duhet patjetër të jetë nën dirigjimin e palës tjetër dhe që dialogu i ndërsjellë të jetë njëdrejtimësh. Njëra palë e thotë, tjetra e bën. Madje edhe në mesin e “intelektualëve” të vendit nuk ekziston aftësia për t’i dalluar nuancat dhe për ta kuptuar që gjërat nuk janë bardh e zi, që ne nuk duhet të zgjedhim në mes të adhurimit të BE-së apo prishjes (“ftohjes”) me të. Që në fakt ekziston një rrugë e tretë e dialogut të barabartë në të cilin palët mbrojnë interesat e tyre mbi bazën e arsyes, jo të forcës.

Sigurisht se një psikolog do të ishte në një pozitë më të mirë për ta vlerësuar, por përshtypja ime është se në Kosovë, jo vetëm qytetarët, por edhe elita e vetëshpallur vuajnë nga një kompleks i madh i inferioritetit ndaj të huajve dhe i trajtojnë ata si të gjithëdijshëm dhe të pagabueshëm. Krahasojeni qasjen e Serbisë, për shembull, e cila me arrogancë i kundërvihet të gjitha kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare edhe pas krimeve të tmerrshme që i ka bërë. Ajo e fiton atë që nuk i takon sepse sillet thuajse i takon, ndërsa Kosova nuk e fiton atë që i takon sepse sillet thuajse nuk i takon.

E gjithë kjo nuk është për t’i amnistuar të tjerët që kanë përgjegjësi për liberalizim. Por tani kemi arritur në një pike në të cilën—me të vërtetë—Qeveria e Kosovës nuk mund të bëjë më shumë. Është shumë e përshtatshme për ne si qytetarët të saj ta kritikojmë atë për dështimin e liberalizimit, po sjellja joserioze e BE-së na ka vënë në një gjendje ku nuk mund t’ia drejtojmë gishtin askujt tjetër përpos vetë asaj.

26 dhjetor 2018
09:36

Bardhyl Salihu