Ligjet pa substancë - sa për t'u shënjuar si të kryera

21 dhjetor 2018 10:01

Miratimi i dhjetëra ligjeve ka mbetur peng i vendimmarrjes së bllokuar në institucionin më të lartë përfaqësues. Mungesa e konsensusit rreth dialogut me Serbinë ka ngufatur punën e organit ligjvënës, edhe sa i përket ushtrimit të funksionit bazik - që është votimi i ligjeve. Përveçse në shumë raste qeveria procedon ligje të paqarta për miratim, të shumtën e herëve anëtarët e kabinetit nuk marrin pjesë për t’i arsyetuar ato. Kësisoj, Kuvendi nuk ka arritur ta përmbushë as për së afërmi axhendën legjislative, përfshirë miratimin e ligjeve që ndërlidhen me Reformat Evropiane. Mungesa e theksuar e pjesëmarrjes në votime nga deputetët, të cilët zakonisht largohen pasi të jenë evidentuar në listën e mëditjeve, ka bërë që pikat e rendit të ditës të bartën nga njëra seancë në tjetrën. Kuvendi ka dështuar të krijojë një plan veprimi për të adresuar ngarkesën në rritje dhe të kompensojë kohën e humbur.

Bojkoti dhe rrëshqitja në debate jopërmbajtjesore i kanë karakterizuar dy legjislaturat e fundit.

Me tone kritike për ngecjet në përmbushjen e axhendës legjislative, flasin edhe raportet e Komisionit Evropian. Kosova ka marrë notë negative për shkak se ligjvënësit nuk kanë arritur ta përmbushin mandatin për të cilin janë zgjedhur. Pjesa më e madhe e mangësive u faturohet deputetëve për shkak të papërgjegjësisë.

Proceset zgjedhore të parakohshme si dhe vonesat në formimin e qeverisë, kanë shkaktuar pengesa në punën e kuvendit, duke ngadalësuar seriozisht reformat. Vitet e fundit, partitë nuk kanë treguar gatishmëri për të instaluar një dialog konstruktiv, brenda Kuvendit si forumi kyç për debatin politik.  

Ligje pa politika

Prej vitit 2008, kur Kosova krijoi institucionet e veta shtetërore me kompetenca të plota, korniza ligjore është zhvilluar në mënyrë substanciale. Por zbatimi ka ngecur pothuajse në çdo aspekt.

Pas Shpalljes së Pavarësisë, institucionet vendore u dhanë plotësisht pas përshpejtimit të procesit të shtetndërtimit. Sjellja e institucioneve që varej nga e kaluara dhe e karakterizuar shpjegohet më së miri me axhendën legjislative të Kuvendit. Vetëm gjatë vitit 2008, Kuvendi miratoi 91 ligje, pa i diskutuar fare politikat. Tendenca për të instaluar legjislacion pa politika ishte zhvilluar gjatë kohës së administrimit të OKB-së, por po përhapej në kontekstin e ri politik të shtetit të pavarur. Diskutimet rreth axhendës legjislative u lanë jashtë seancave parlamentare. Vetëm disa forca të vogla politike e kundërshtonin përgjithësisht qasjen nga lart-poshtë, ndërkohë që ndjenja e përgjithshme ishte se ligjet thjesht po imponoheshin nga bashkësia ndërkombëtare. Këtë herë, jo përmes UNMIK-ut, por përmes pranimit të njëanshëm të planit Ahtisarit, dhe më vonë përmes Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO).

Por sipas Analizës së D4D-s me titull: “Zanafilla Plus Dhjetë”, problemi nuk qëndronte në mënyrë specifike tek ligjet, pasi ato gjithmonë mund të ndryshoheshin. Çështja thelbësore ishte tek njohuritë. Duke qenë dëshmitarë të tranzicionit politik të njëpasnjëshëm, shoqërisë kosovare nuk iu dha as kohë e as mjet i duhur për të rishikuar dhe konsoliduar vlerat shoqërore në procesin e shtetbërjes. Për shumë vite Kosova ka qenë në qendër të vëmendjes për bashkësinë ndërkombëtare. Rrethi i gjerë i palëve të interesit, krijoi konfuzion sidomos për ndarjen e pushtetit. Konfuzioni mes bashkësisë ndërkombëtare u transferua edhe tek politikanët vendorë. Kjo bëri që ligjet të hartohen dhe të kalonin në një shpejtësi absurde pa ndonjë substancë, efektet e dëmshme të të cilëve do të shiheshin më vonë.

Praktika e miratimit të legjislacionit pa politika që ishte zhvilluar gjatë kohës së UNMIK-ut vazhdoi edhe në kontekstin e ri politik të shtetit të pavarur. Diskutimet rreth axhendës legjislative u lanë jashtë seancave parlamentare, ku vetëm disa forca të vogla politike e kundërshtonin përgjithësisht qasjen nga lart-poshtë, ndërkohë që ndjenja e përgjithshme ishte se ligjet thjesht po imponoheshin nga bashkësia ndërkombëtare, përmes pranimit të njëanshëm të plani i Ahtisarit, dhe më vonë përmes ICO-s. Edhe pse UNMIK-u kurrë nuk pushoi veprimtarinë e vet, institucionet e Kosovës e konsideronin misionin si të panevojshëm dhe që nuk i shërbente kurrfarë qëllimi pas shpalljes së pavarësisë. Në këtë mënyrë, institucionet nisën të punojnë ngushtë me ICO-në pasi ajo e ndihmoi Kosovën që të bëjë përgatitjet përfundimtare për hartimin e kushtetutës, kompletimin e arkitekturës së kornizës institucionale, dhe hartimin e legjislacionit.

Megjithëse formale dhe e ngutshme, zhvillimi i kornizës ligjore dhe institucionale, u konsiderua e suksesshme.

Ekspres ligje në emër të integrimit të serbëve

Miratimi i legjislacionit vital shpesh është diktuar edhe nga vullneti i komuniteteve pakicë, veçmas atij serb. Domosdoshmëria që të jetësohet Marrëveshja e 19 prillit të vitit 2013, e ashtuquajtur për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka bërë që shumë ligje të kalojnë në procedurë të përshpejtuar e pa debat.    

Duke u nisur nga të drejtat që u garanton kushtetuta nëpërmjet votës së dyfishtë, disa ligje janë kundërshtuar ashpër prej komuniteteve pakicë, deri në përpjekje për të penguar miratimin e tyre. Madje Ligji për Trepçën, ishte bërë shkaktar që subjekti kryesor i cili përfaqëson serbët - Lista Serbe - të bojkotojë punën e Kuvendit. Marrëdhënia e këtij subjekti me institucionet e Kosovës është diktuar nga Beogradi. Megjithatë, shumica shqiptare është treguar zemërgjerë duke miratuar ligje, të cilat ngjallën frustrim tek pala shqiptare. I tillë është Ligji për Amnistinë, për miratimin e të cilit deputetët nuk kishin kursyer as rregulloren. Të dyja leximet ishin kryer brenda një dite, pa debat e pa lënie të mundësisë që të adresohen vërejtjet dhe rekomandimet. Me këtë ligj amnistoheshin veprat e kryera nga serbët, kundër shtetit të pavarur të Kosovës. Miratimi i tij, qe përcjellë me pakënaqësi qytetare derisa  organizatat joqeveritare, i patën lutur ndërkombëtarët të mos e mbysin debatin.

Janë edhe një sërë dokumentesh tjera të shndërruar në ligje, në emër të integrimit të serbëve brenda institucioneve të Kosovës. Kërkesa të cilat supozohet se mund ta cenojnë rendin kushtetues ka pasur në vazhdimësi. Së fundi, insistim i serbëve është ndryshimi i legjislacionit për t’ia përshtatur themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, në mënyrë që të përligjen kompetencat ekzekutive. Themelimi i këtij mekanizmi ka ngecur, për shkak të përplasjes rreth kompetencave që duhet t’i ketë. Beogradi është palë nënshkruese dhe avokon që udhërrëfyes i vetëm për Asociacionin/Bashkësinë të jetë Marrëveshja e Parimeve e Brukselit, e arritur më 25 gusht 2015. Por Gjykata Kushtetuese ka gjetur shkelje në të shtatë kapitujt e asaj marrëveshje. Pikërisht kjo marrëveshje ishte njëra prej shkaqeve që çoi në protestat më të dhunshme, që prej shpalljes së pavarësisë. Rreziku nga krijimi i një pushteti të mesëm nuk ka kaluar ende. Edhe zyrtarët e lartë shtetërorë e pranojnë se Serbia po e përdor Asociacionin/Bashkësinë si mjet drejt arritjes së qëllimit final - krijimin e autonomisë për veriun.

Krahas kornizës ligjore, Kuvendi ka miratuar edhe dokumente tjera në formë rezolutash, por të cilat nuk kanë gjetur zbatim. Vetëm këtë vit janë ndërmarrë dhjetëra përpjekje për të miratuar një dokument të tillë. Por asnjëri kamp politik nuk po arrin të sigurojë votat e mjaftueshme për t’i shtyrë përpara iniciativat parlamentare rreth dialogut me Serbinë.  

Një proces vendimmarrjeje, ndër të rrallët që ka unifikuar partitë politike, është transformimi i FSK-s në ushtri. Subjektet në koalicion qeverisës dhe ato në opozitë, duke përjashtuar Listën Serbe, i kanë dhënë mbështetje tri projektligjeve të sponsorizuara nga Qeveria, të cilat gjenden në procedurë të miratimit. Opsioni i ligjit u vë në zbatim, në pamundësi për ta krijuar Ushtrinë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, të cilat nuk mund të bëhen pa përkrahjen e dy të tretave të komuniteteve pakicë.

 

21 dhjetor 2018
10:01

Fitim Gashi