Kuvendi jo efikas, arenë e përplasjeve politike

17 dhjetor 2018 12:21

Ngufatja e Kuvendit

Tensionet politike të akumuluara që prej shpalljes së pavarësisë kanë bërë që shpesh Kuvendi më shumë t’i ngjajë një fushëbeteje të konfliktit mes partive në pushtet dhe opozitës, sesa përmbushjes së funksionit kushtetues. Vendimmarrja për çështje të rëndësishme mbetet e bllokuar, ngase asnjëri kamp politik nuk po arrin shumicën e domosdoshme për t’i shtyrë përpara çështjet me interes nacional.

Kushtetuta e definon Kosovën si Republikë Parlamentare, ku fuqia e pushtetit nuk mund të përqendrohet në një institucion apo individ të vetëm. Por në dekadën e parë të shtetit është dëshmuar e kundërta. Legjislaturat e pas pavarësisë nuk kanë arritur ta ushtrojnë në plotni funksionin e tyre, veçmas rolin mbikëqyrës dhe kontrollues ndaj institucioneve tjera.

Degradimi i institucionit më të lartë përfaqësues ka prekur pikën kritike në dy legjislaturat e fundit. Pjesën më të madhe të energjive e orientuan në tema të cilat e futën vendin në krizë politike. Nuk kanë munguar as skenat ku deputetët tërhiqen zvarrë nga salla, për shkak të futjes së gazit lotsjellës brenda Kuvendit, si mjet kundërshtimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjes së Asociacionit me Serbinë.

Jetëgjatësia e koalicioneve qeverisëse është cenuar jo vetëm nga presioni i opozitës por edhe nga vetë partnerët. Për pasojë, asnjë legjislaturë e pas pavarësisë nuk ka mundur ta çojë deri në fund një mandat të plotë.

Kalimi gradual i kompetencave nga ndërkombëtarët tek vendorët, pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008 shpesh është përcjellë me paqartësi. Për katër vite radhazi Pavarësia është mbikëqyrur nga Misioni Civil Ndërkombëtar, që mbante kompetenca të shumta në qeverisjen e vendit.  Gjatë kësaj periudhe, në Kosovë u instalua edhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit- EULEX, si zëvendësim i UNMIKU-ut. Ardhja e EULEX-it ishte arsyetuar me mosgatishmërinë e institucioneve vendore që t’ i marrin levat e pushtetit, veçmas ato që kanë të bëjnë me sundimin e rendit dhe ligjit. Por krahas këtyre misioneve ndërkombëtare, qarkullimi i elitave është dëshmuar të jetë i ngadaltë, gjë që ka reflektuar negativisht në shtet-ndërtim.

Pushteti joformal

Megjithëse definohet si Republikë Parlamentare,  Kosova vuajtur edhe nga “pushteti jo formal”.

Siç evidentohet në analizën e dekadës së parë të shtetit të Kosovës, publikuar nga “Demokraci për Zhvillim” (D4D), pushteti i vërtetë në Kosovë është në duart e strukturave joformale që udhëhiqen nga partitë politike.

Në përgjimet e regjistruara mes viteve 2010-2016, ku krye personazhe janë eksponentë të PDK-s, parti që kjo ka qeverisur prej 2007-ës, vendimet kyçe, duke filluar prej caktimit të politikave e deri te emërimi i zyrtarëve të lartë të shtetit, bëhen nga strukturat joformale partiake. Politikanët kryesorë të PDK-së, përfshirë presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçin, kryetarin e Kuvendit dhe kryetarin e PDK-së Kadri Veseli, ishin gjithashtu pjesë e “Aferës Pronto”. Ndërkaq institucionet e shtetit, sikurse Kuvendi, vetëm i vërtetuan dhe legjitimuan ato vendime.

Shkalla deri ku arrin një pushtet i tillë përshkruhet përmes elaborimit të krizës kushtetuese të vitit 2014. Në analizë, përshkruhet se si kriza ishte më shumë si rezultat i etjes për pushtet e më pak i dispozitave të paqarta kushtetuese. Për më tepër, aty argumentohet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka vendosur Kosovën diku në mes të modeleve ‘pozitive’ dhe ‘negative’ të demokracive parlamentare, duke e komplikuar edhe më tej procesin e formimit të qeverisë. Në këtë kuptim, analiza e pushtetit tregon brishtësinë e aspekteve themelore të shtetësisë karshi akterëve të fuqishëm joformal.

Ndërhyrjet në gjyqësor

Ndarja e pushteteve është e garantuar me Kushtetutë. Por nuk kanë munguar rastet kur Kuvendi ka shfaqur hapur tendenca për ndërhyrje në punën e gjyqësorit. Rasti më i rëndë, i kundërshtuar gjerësisht ka qenë diskutimi i vendimit të Gjykatës së Apelit për rastin, “Drenica 1 dhe 2”, që ishte bërë kërkesë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës. Ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm ku Kuvendi hapur dhe drejtpërdrejtë i ndërhyn gjyqësorit. Praktika të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën në raste të ngjashme si debati parlamentarë për rastin, “Kiçina”. Këto seanca më tepër u kanë shërbyer deputetëve për të shfaqur patriotizëm dhe shkëmbyer akuza për tradhti e dezertim nga lufta e UÇK-së.  Trajtimi dhe debati politik i vendimeve të institucioneve të pushtetit gjyqësor është kritikuar edhe në raportet e Komisionit Evropian për Kosovën, duke e cilësuar këtë një praktikë të rrezikshme për të ardhmen e vendit.

Nuk kanë munguar as vendimet kontradiktore të Kuvendit, si pasojë e presioneve politike. Brenda një muaji deputetët e PDK-s, kishin ndryshuar bindje rreth Gjykatës Speciale. Fillimisht votuan kundër themelimit të saj, por që më vonë ndryshuan qëndrim dhe votuan pro Tribunalit i cili do t’i gjykojë krimet e supozuara të UÇK-së.  

Ndërkaq fundvitin e kaluar, partitë që aktualisht janë në pushtet, të mbështetur nga presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj e kryeparlamentari cytën një nismë nga Kuvendi për paralizimin e Speciales. Por pas presionit ndërkombëtarë dhe kërcënimit me izolim, liderët u zmbrapsën nga kjo mësymje.

Mungesa e rolit mbikëqyrës

Mungesa e raportimit dhe llogaridhënies si dhe fragmentimi institucional, vazhdojnë të paraqesin problem për mbikëqyrjen që Kuvendi duhet ta bëjë ndaj institucioneve tjera.

Mos ushtrimi i kontrollit mbi qeverinë,  dështimi për t’i zgjedhur anëtarët e bordeve në bazë të meritave, miratimi i ligjeve në procedurë të përshpejtuar dhe pa debat- janë disa prej mangësive të institucionet më të lartë ligjvënës, që evidentohen në Raportin e përvitshëm të Komisionit Evropian. Si shqetësuese përmendet mungesa e shpeshtë e deputetëve në seancat plenare si dhe polarizimi i vazhdueshëm politik.  Kuvendit i mungon fuqia dhe kapaciteti për të mbikëqyrur efektivisht 32 agjencitë të cilat i raportojnë drejtpërdrejt. Për më tepër, organi ligjvënës ka dështuar t’i zgjedhë anëtarët e bordeve profesionale për disa institucione të pavarura, brenda afatit dhe në bazë të meritave. Emërimi i anëtarëve, përveç që ka shumë të meta në respektimin e afateve, bëhet sipas preferencave partiake.

As dobësitë e shumta të konstatuara në raportet e Zyrës Kombëtarë të Auditorit, Kuvendi nuk i ka adresuar si duhet, për të ndikuar në përmirësimin e performancës së institucioneve që i ka nën ombrellë.

Kuvendi ka dështuar ta luajë rolin e vet mbikëqyrës, edhe kur bëhet fjalë për dialogun e zhvilluar në Bruksel. Deputetët shpesh janë shfaqur të painformuar për marrëveshjet e arritura në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo ka ndodhur edhe pse Kuvendi me dy rezolutat e miratuara në vitin 2011 dhe 2012 e kishte autorizuar qeverinë që të negociojë në emër të Kosovës, por të njëjtën kohë të japë llogari para deputetëve. Pas secilës marrëveshje të arritur, asnjëherë nuk është prezantuar dokumentacioni përcjellës, duke e lënë kështu të painformuar Kuvendin.

Partitë në pushtet e opozita edhe tani gjenden larg konsensusit sa i përket fazës përfundimtare të dialogut me Serbinë, e paralajmëruar të nisë së shpejti. Mungesa e një Platforme të përbashkët, ku do të theksohej roli i Kuvendit për çfarëdo marrëveshje që mund të mbërrihet, ka ngritur shqetësime për dëmin që mund t’i bëhet shtetësisë nga ky proces.

Kuvendi, ndër institucionet më të izoluara

Kuvendi i Kosovës vazhdon të jetë ndër institucionet më të izoluara edhe kur bëhet fjalë për anëtarësimin e tij në organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare. Një studim i Komisionit Evropian për bashkëpunimin ndërparlamentar në Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor, ka evidentuar pengesa sa i përket anëtarësimit të Kuvendit të Kosovës në mekanizmat evropianë. Në vitin 2002 Parlamenti Evropian vendosi që të iniciojë marrëdhënie joformale ndër-parlamentare në Kosovën. Ndërkaq marrëdhëniet zyrtare me Kuvendin e Kosovës kanë filluar vetëm në maj 2008, tre muaj pas shpalljes së pavarësisë.

Kosova deri më tani është pjesëmarrëse më të drejta të plota në dy iniciativa- në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore  (SEECP) dhe Konferenca e Kryetarëve të Parlamentit të Ballkanit Perëndimor (CSPËB). Statusin e vëzhguesit, Kuvendi i Kosovës e ka në dy iniciativa- Asamblenë parlamentare të NATO-s dhe Rrjetin e Komisioneve Parlamentare për Ekonomi, Financa dhe Integrim Evropian të Ballkanit Perëndimor (NPC). Kosova është mysafire në tri nisma- Konferencën e Komisioneve Parlamentare të Integrimit Evropian në kuadër të Procesit të Stabilizim Asociimit (COSAP), Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) dhe Forumin Parlamentar të Cetinjes (CPF). Por, Kosova mbetet jashtë shumë nismave tjera të rëndësishme.

Presidentët e krizave

Kuvendi, përveç qeverisë e zgjedh edhe presidentin e vendit. Kjo ka bërë që posti i shefit të shtetit, i cili sipas kushtetutës përfaqëson unitetin e popullit, të jetë pjesë e pazareve politike.  Për pasojë, janë prodhuar presidentë të cilët u rrëzuan me vendim të Gjykatës Kushtetuese apo të tillë që zgjidhen në rrethana të jashtëzakonshme. Brenda tetë muajsh institucioni më i lartë, i thirrur për ta interpretuar kushtetutën, kishte marrë dy vendime të rëndësishme për sistemin politik dhe juridik të vendit. Rasti i parë kishte të bënte me Aktgjykimin e datës 22 shtator 2010, ku u konstatua se Fatmir Sejdiu kishte shkelur seriozisht Kushtetutën duke mbajtur të njëjtën kohë postin e presidentit dhe atë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vendimi i kushtetueses u pasua me dorëheqjen Sejdiut nga posti i Presidentit të vendit, dhe më pas edhe me daljen e partisë së tij nga koalicioni qeverisës. Për një natë kishte tërhequr të gjithë ministrat e LDK-s nga koalicioni, duke shkaktuar krizë institucionale dhe duke quar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Rasti i dytë kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi presidentin është me Behgjet Pacollin, ku me aktgjykimin e datës 30 mars 2011 pati vlerësuar si antikushtetues vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e tij. Ky vendim bëri që institucionin më të lartë të vendit – Kuvendin, ta konfirmoj si shkelës të Kushtetutës. Për pasojë, pas vetëm 35 ditëve në krye të presidencës, Pacolli ofroi dorëheqjen, duke rrezikuar përsëri një krizë të mundshme institucionale. Por ajo u evitua pas marrëveshjes së tre liderëve politik Thaçi-Mustafa-Pacolli, për zgjedhjen e presidentit dhe zotimin për reformën kushtetuese dhe legjislacionin zgjedhor. Kuvendi kishte zgjedhur presidente Atifete Jahjagën, e cila doli nga zarfi i ish-ambasadorit amerikan, Christopher Dell. Por reformat e premtuara nuk u kryen kurrë.

Legjislatura e kaluar do të mbahet mend për zgjedhjen e presidentit në rrethana të jashtëzakonshme dhe nën tymin e gazit lotsjellës. Opozita kishte tentuar që vënien e Thaçit në krye të presidencës përveç protestës brenda e jashtë kuvendit, ta kundërshtojë edhe me gaz lotsjellës. Procesi maratonik, përveç që ishte shoqëruar me gaz lotsjellës në sallën plenare nga e cila deputetë opozitarë ishin nxjerrë zvarrë nga Policia, jashtë Kuvendit ishte shoqëruar edhe me përleshje midis policisë e mijëra protestuesve. Thaçi kishte arritur të konfirmohet President Shteti tek në raundin e tretë të votimit. Në të parin siguroi vetëm 50 vota, duke thyer kështu një rekord të zi, ngaqë prej pasluftës e këtej, nuk kishte marrë ndonjë president kaq pak mbështetje në ndonjë rreth votimi.

17 dhjetor 2018
12:21

Fitim Gashi