Postmoderna apo rizomatizimi i mendimit

29 nëntor 2018 17:21

Ajo çka e karakterizon mendimin e filozofit më kritik dhe me të kritikuar njëkohësisht, Friedrich Nietzsche-s, është prodhimi i debateve të pafundme, nëpërmjet të cilave janë dhënë shumë perspektiva të ndryshme dhe linja të mendimit. Pra, filozofia e tij do ta vendosë edhe një mënyrë të menduarit paradigmatik, që edhe sot e kësaj dite do të prodhojë debate pafund. Duhet të kemi parasysh se kjo mënyrë e të filozofuarit nuk është parapërcaktuese dhe se mendimi i tij nuk ka të bëjë me një mbivendosje domosdoshmërie, por në fakt ai është një mendim apelues (Hans-George Gadamer, Historia e Filozofisë), që e fton vetveten t’i shkojë nga pas origjinës së mendimit. E gjithë filozofia e këtij filozofi koncentrohet në një momentum apo në një pikë kthese siç e konsideronte Habermas-i, që do të prodhojë konsekuenca aq të mëdha në interpretimin e fiozofisë dhe të botës në përgjithësi. Rikthimi tek përhershmëria e së njëjtës, bëhet për ta zbërthyer mendimin modern racionalist, se prej nga vinin gjithë këto vlera esenciale, e që ai i shihte si imponime më shumë sesa diçka të natyrshme.

Për këtë Habermas-i mendonte se pikën e kthesës nga moderniteti në postmodernitet Nietzsche nuk e bën sikur një kapërcim të thjeshtë apo si një nevojë e natyrshme drejt së resë, por vjen si rezultat i rikthimit mbrapa në histori për ta investiguar gjenealogjinë e mendimit dhe të vetë modernitetit. Gjatë këtij rrugëtimi do të ndodhë shndërrimi i të gjitha vlerave. Me këtë rikthim, ai do të kalojë nëpër periudhat paraardhëse historike dhe kritika e tij do të mbërrijë tek parasokratikët, gjegjësisht tek shpirti dionisian si shprehja më arkaike e madhështisë së njeriut. Andaj, Habermas-i duke cituar Nietzsche-n shprehet kështu: “Nietzsche i përdor mjetet në mënyrë që të kthehet prapa tek miti sikur një pikëmbështetje e arsyes, duke e shqyrtuar origjinën e mendimit, dhe ai apelon se duhet ta kuptojmë origjinën e edukimit historik si një kontradiktë radikale e një fryme të kohës së re, ku duhet të kuptohet se, historia duhet të bëhet problem i vetë historisë, njohja duhet ta kthejë thumbin nga vetja, në mënyrë që të sjellë diçka të re dhe një premtim për jetën. Nietzsche këtu është duke menduar nëpërmes Lindjes së Tragjedisë, si një hulumtim i kryer me mjete historiko-filologjike, që e ka kthyer atë prapa botës së krishterë, në fillimet e botës antike greke, të madhërishmes, natyrores dhe njerëzores” (Jürgen Habermas, The philosophical discourse of Modernity). Me këtë duhet të kuptojmë se postmoderna nuk është një projekt i lindur nga analizat faktike që të mund të konkludojmë më pastaj, por është si një proces i rikthimit prapa dhe i një procesi rivlerësues. Për këtë; një nga arritjet më të fuqishme në filozofinë e Nietzsche-s është që nëpërmes shqyrtimit gjenealigjiko-historik vjen deri tek shpërbërja e të gjitha formave epistemologjike dhe esencialiste, duke i futur në një skanim të rivlerësimit të përhershëm. Prandaj, ky “...rivlerësimi i së vjetrës kundër modernes nuk është një qëllim në vetvete, por një mjet strategjik që ka kuptim vetëm në optikën e një kohe postmoderne” (Luk Ferry, Homo Aestheticus – shpikja e shijes në epokën e demokracisë). Postmoderna duhet kuptuar si një kritikë radikale ndaj racionalizmit dhe subjektocentrizmit, por duke kërkuar gjithashtu edhe mbështetjen tek origjina e mendimit, pra te filozofia e refleksionit pararacionalist, e që për Nietzsche-n origjinën e ka tek dionisiania si shtysa më e fuqishme e impulseve njerëzore të vullnetit për jetë.

Në të njëjtën linjë mendon edhe Gianni Vattimo kur pohon se: “(..) postmoderna nuk mund te kuptohet thjesht në terma të ‘risisë’ apo si ‘kapërcim’ i modernitetit. Nëse do të ishte kështu, atëherë vetë postmodernizmi do të paravendosej brenda kornizave të vetë modernitetit, ngaqë kjo e fundit vetudhëhiqet nga kategoritë e ‘risisë’ dhe ‘kapërcimit’. Sidoqoftë, gjërat ndryshojnë kur e shohim postmodernen jo thjesht si shpërbërje të kategorisë së ‘risisë’ ose progersit – me fjalë tjera, si përvojë/përjetim të ‘fundit të historisë’ – por si shfaqje e një stadi tjetër brenda vetë historisë, nëse ajo shfaqet si më shumë ose më pak e avancuar është e parëndësishme” (Gianni Vattimo, The End of Modernity: Nihilism and Hermeneutics in Postmodern Culture). Vattimo, postmodernen e koncepton brenda sferës historike, por jo si të historicizuar. Nëpërmes rivlerësimit të të gjitha vlerave, Nietzsche arrin deri në pozitat e nihilizmi radikal, ku pastaj shtrohet nevoja e lindjes së diçkaje që bazën do ta ketë tek filozofia parasokratike. Fuqia e nihilizmit është që ta pastrojë botën nga mendimi normativist modern që pretendonte në njeriun e zhveshur nga instinktet e tij të brendshme dhe ta rimodelojë apo ta rikthejë atë nga pozitat e natyrës së kënaqësive dhe estetike të tij. Po ta parafrazojmë Habermas-in, atëherë çka Nietzsche do t’i konsideronte si fenomene estetike, janë ato momente kur subjekti e humb vetveten dhe kur normat e jetës dekompozohen, iluzionet e sjelljes normale kolapsojnë dhe si rezultat i kësaj, vetëm në këtë mënyrë një botë e paparë më herët do të hapej para tij. Këtu hapësira estetike as nuk e fsheh, e as nuk e zbulon më termin aparencë-esencë, por tanimë paraqitet vetëm si një sipërfaqe. Gjithnjë nën optikën e Habermas-it konsiderohet se Nietzsche vazhdon purifikimin romantik të fenomeneve estetike prej çfarëdo asocimi teorik ose praktik, duke i dhënë elemente pothuajse tërësisht ndjesore. Kështu, “arti hap aksesin ndaj asaj që është dionisiane me koston e një ekstaze, ku i zbulon trajtat amorfe të natyrës njerëzore” (J. Habermas). Me Nietzschen, kritika e modernitetit lirohet prej pretendimeve emancipuese, arsyeja subjektivo-centrike konfrontohet me tjetërsimin e saj, si një kundërautoritet i arsyes. Nietzsche na apelon që përvojat e jetës së përditshme t’i kthejmë në dimensionet arkaike të shprehjes njerëzore.

Këtu edhe diferencohen linjat dhe postulatet e postmodernes karshi projektit të modernes në përgjithësi, sepse tani këtu fillon interpretimi i botës jashtë mid-setit racionalist dhe orientohen drejt trajtave impulsive ndjesore të njeriut. Njeriu çlirohet nga ashpërsia dhe ngurtësia e të menduarit sistematik dhe skematik të njohjes, futet në botën e hedonizmit pa pretendimin e ngritjes në një bazamenti që pastaj do ta rimodelojë të vërtetën. Prandaj, “Humbja domethënëse e realitetit të jashtëm, zëvendësimi i tij nga mit-bërja” (Hans Bertens, Koncepti i Postmodernes), inkurajon fuqinë e shpirtit të njeriut dhe vullnetin për fuqi që t’i jepet jetës.  Jo rastësisht “(...)arti konsiderohet si veprimtaria gjenuine aktive matafizike, sepse vetë jeta është e bazuar në iluzione, mashtrime, domosdoshmëri të shumë perspektivave dhe shumë gabimeve” (J. Habermas). Krejt kjo i hap rrugë një jete ku nuk mëtohet pagabueshmëria, saktësia e së vërtetës, por që sublimohet në një përpjekje të fuqishme të vullnetit për fuqi. Kështuqë, kontradikta të tilla vetëvlerësuese tanimë janë shpërbërë që me dekompozimin e idesë absolute. Ripozicionimi i botës tek hiçi, është po ashtu edhe rivendosja në një stad vetorientues për njeriun, i cili në mungesë të vlerave dhe një legjislacioni të kodifikuar me vlerë universale, me instinktet e tij i hapet jetës në një dimension artistik.

Krejt kjo që u tha më lart e shpjegon faktin se tanimë postmoderna është e konstruktuar nga Nietzsche, e cila më pastaj do të kapilarizohet në trajta të ndryshme të veprimtarisë së njeriut në botën bashkëkohore. Një moment i tillë është i “...karakterizuar kryesisht nga një krizë e skajshme episemologjike dhe ontologjike” (Hans Bertens, Koncepti i Postmodernes), dhe kjo pastaj do të sjellë efektet perspektiviste pluraliste. Bota do të hapet në një horizont krejtësisht dinamik dhe rigjenerues. Pothuajse në çdo fushë, në çdo veprimtari njerëzore do të këtë ndikim mendimi nietzschean. Me pluralitetin e mendimeve tani lindin edhe shumësia e shprehjeve të llojllojshme të cilat më nuk do ta kenë të attach-uara saktësinë, por do të zhvillohen në sajë të pluralitetit të interpretimeve dhe paradokseve. Një formë e tillë shprehëse do të artikulohet përmes hermenautikës postmoderne, e cila tani do të fokusohet tek interpretimi artistik dhe tek krijimtaria shpirtërore e njeriut. Kështu, konsekuencat e mëdha të mendimit të Nietzsche-s përveç në filozofi, ato do të jenë edhe në letërsi, muzikë, pikturë, madje edhe në disperzivitetitn e stratifikimit, gjithashtu do të ketë impakt edhe në teorinë e konstruktivizmit social. Andaj, pa asnjë hezitim mund të themi se konsekuencat e mendimit të Nietzsche-s janë mëse aktuale edhe sot e kësaj dite dhe se në këtë botë të rizomatizuar digjitale lirisht mund të themi se po jetojmë në rikthimin dhe rivlerësimin e përhershëm nietzschean.

29 nëntor 2018
17:21

Dritan Dragusha