Taksa për produktet serbe, patriotizëm apo biznes me patriotizëm!?

14 nëntor 2018 12:56

Kaluan disa ditë nga vendosja e taksës ndaj prodhimeve serbe, duke e respektuar gëzimin dhe entuziazmin patriotik të secilit prej jush, prapë është e nevojshme që këtij veprimi t’i bëhet një analizë ekonomike e cila ka për bazë përftimet/humbjet e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.

Kosova importon diku rreth 400 milion euro produkte nga Serbia kurse eksporton vetëm rreth 35 milion, rast me të cilin në pjesëmarrje totale importi nga Serbia përbën pjesën ma të madhe të importit.  Nga paslufta deri më tani janë realizuar shumë fushata të cilat kanë pasur për qëllim që të ndalojnë importin dhe konsumin e importeve serbe, por edhe pas gjithë atyre thirrjeve dhe fushatave, prapë importet dhe produktet serbe mbizotërojnë në tregun e Kosovës. Fakti që për 19 vite nuk kemi mundur të largohemi nga produktet serbe tregon që këto produkte për një arsye ose tjetër zënë vend të rëndësishëm në tregun e Kosovës dhe që ekziston një arsye konkurruese pse këto produkte konsumohen nga kosovarët.

Çfarë i bën produktet serbe atraktive për tregun e Kosovës: ndoshta konsumatori kosovar është mësuar me brende të prodhimeve serbe, ndoshta distributorët e produkteve serbe kanë monopol në distribuim, ndoshta produktet serbe kanë kualitet të dobët (janë dhe kancerogjene), ndoshta kanë çmime të lira, ndoshta subvencionohen nga shteti serb, ndoshta “një dreq e di pse”! Por të gjitha këto arsye  është dashur të trajtohen veç e veç dhe nuk janë trajtuar me veprimin e fundit. Sidoqoftë ky është realiteti dhe kjo prapë tregon që produktet serbe janë shumë konkurruese dhe nuk mund të hiqen lehtë nga tregu.

Taksë apo rritje e çmimeve

Nëse e kemi tregun të mbushur me produkte serbe, e nëse kësaj i shtojmë edhe faktin që mund të ketë edhe faktorë të tjerë që ndihmojnë shitjen dhe konsumimin e këtyre produkteve siç janë kompanitë monopolistike ose vetë shteti i Serbisë, taksa prej 10% vështirë që do të bëjë ndonjë diferencë. E nëse vazhdohen të konsumohen produktet serbe, atëherë shteti i Serbisë nuk do dëmtohej asnjë cent pasi që taksen prej 10% edhe ashtu nuk e paguan shteti i Serbisë e as prodhuesit serbë por e paguajnë importuesit dhe distributorët kosovarë të cilët:                                                     

- këtë rritje të taksës do ta bartin tek rritja e çmimeve për konsumator, e me këtë rast do të dëmtohen konsumatorët e Kosovës, dhe

- nëse nuk do të kenë mundësine e rritjes së çmimeve atëherë distributorët ose do të ulin marzhat e fitimeve të tyre ose  do të mundohen të bartin “humbje” duke rritur çmimet qoftë edhe tek produktet e tjera që nuk janë prodhime të Serbisë.

Në dy versionet, taksën prej 10% do ta bartin konsumatorët kurse shteti i Serbisë nuk do te dëmtohet aspak.

Prodhimet zëvendësuese vendore:

Mënyra më e mirë për moskonsumimin e prodhimeve serbe është duke krijuar konkurrencë të drejtë përmes forcimit të ekonomisë kosovare dhe forcimit të prodhuesve kosovarë. E kur flasim për kushtet e të bërit biznes në Kosovë, atëherë nuk mund të mos i përmendim 100 arsye dhe pengesa që prodhuesit kosovarë dhe investitorët i kanë në Kosovë, barrierat e brendshme janë më problematike se vetë konkurrenca nga produktet serbe.

Po i përmend vetëm disa probleme, të cilat janë duke i penguar prodhuesit kosovarë dhe në këtë mënyrë duke i favorizuar drejtpërdrejt prodhimet serbe por edhe distributorët e këtyre prodhimeve në Kosovë.

Korrupsioni, Krimi dhe vjedhja, Evazioni fiskal dhe informaliteti, sistemi tatimor, Ngarkesat administrative, Ligjet dhe sistemi gjyqësor, çmimi dhe Furnizimi me energji elektrike, çmimi i naftës, Inkasimi i borxheve, Haraçi, Aftësitë dhe arsimimi i punëtorëve, etj. etj. Ndaj krejt këtyre barrierave të lartpërmendura, qeveria e Republikës së Kosovës jo vetëm që s’ka ndërmarrë asnjë hap parandalimi, por në të kundërtën është vetë shkaktare i këtyre problemeve.

Sponzorizuesit më të mëdhenj politikë nuk janë prodhuesit por janë distributorët (rrjetet e marketeve) që janë edhe importuesit më të mëdhenj të prodhimeve serbe, dhe nëse dikush në Kosovë është mbi ligjin atëherë mbi ligjin janë distributorët, të cilët shesin produkte me afate të  skaduara, vjedhin energji elektrike, keqtrajtojnë punëtorët, mashtrojnë konsumatorët etj. Favorizimi i distributorëve të produkteve serbe nga qeveria e Kosovës është e barabartë me favorizimin e vetë produkteve serbe.

Kemi me dhjetëra raste kur investitorët e huaj, janë larguar nga Kosova pasi që qeveria u ka kërkuar “haraç”, si pasojë e kësaj viti 2018 është viti me më se paku investime të huaja në Kosovë. Kosova në kuptimin e plotë të fjalës është duke i përzënë investitorët e huaj, dhe duke i falimentuar bizneset e mirëfillta. Në këto kushte të dështimit të plotë të përkrahjes për prodhimin e produkteve vendore  dhe dështimit për të ofruar ambient të përshtatshëm për biznes çka do ta bënte tregun atraktiv për hyrje të reja dhe rritje të konkurrencës, kufizimi i importit nga cilido vend për qytetarët e për  shtetin nuk është mundësi për zhvillim ekonomik por vetëm kufizim i tregut të lirë, thellim i monopolizimit të tregut, dhe rritje e çmimeve dhe kostos për qytetarët.

Prodhimet zëvendësuese të huaja:

Pra në këto rrethana kufizimi i importeve nga Serbia do t’i hapte rrugë vetëm favorizimit të prodhimeve të importit nga shtetet e tjera, alternativat e vetme të produkteve zëvendësuese mbesin prodhimet e shteteve që tashmë kanë shtrirje në tregun e Kosovës, dhe këtu padyshim ndër më agresivet janë prodhimet e shteteve si Maqedonia dhe Turqia.  

Taksa prej 10% mbi prodhime serbe, edhe pse dyshoj që do të sjellë ndaljen ose kufizimin e volumit të prodhimeve serbe, efektin në tregun e Kosovës sigurisht do ta ketë negativ sa i përket konkurrencës, ku në rend të parë largimi i një konkurrenti nga tregu konsiston në zvogëlim të numrit të konkurrentëve në treg, që do t’u mundësojë konkurrentëve ekzistues manipulim më të madh me tregun si p.sh. rritje të çmimeve për produktet e tyre, ulje të kualitet të produkteve të tyre, rritje të fitimeve  etj.; po e ilustroj – p.sh.  produkti serb ka çmim 60 Euro, produkti maqedonas 62 Euro, në rast të tërheqjes nga tregu i produktit serb me çmim prej 60 Euro, atëherë produkti maqedonas nuk ka arsye të mbajë çmimin e produktit 62 Euro por me lehtësi mund ta rrisë çmimin në 65 Euro ose më lart, e njëjta do të vlente për çfarëdo rritjeje tjetër të çmimeve si pasojë e aplikimit të taksës 10%.  Zëvendësimi i produkteve duhet të ndodhë gjithmonë në kuadër të konkurrencës, ku shteti duhet të ndërhyjë sidomos duke ofruar lehtësi dhe duke favorizuar konkurrencën, por në asnjë mënyrë nuk duhet të ndodhë duke kufizuar konkurrencën e lirë të tregut. Shteti duhet  veçanërisht të kujdeset që çmimet e produkteve të mos rriten pasi që në këtë mënyrë do të rritej kostoja e jetës për qytetarët

Ndëshkim i Serbisë apo ndëshkim i Kosovës:

Një tregim komik është si në vijim: Një xhind i afrohet një njeriu dhe i thotë që do t’ia plotësojë çfarëdo dëshire me kusht që për secilën dëshirë të tij komshiut do t’i plotësohet dyfish dëshira, njeriu mendon mendon dhe në fund thotë: “Më hiq një dorë!”,  “e pse” i thotë xhindi “ dëshiron ta heqësh një dorë?” “Sepse komshiut do t’i hiqen dy duar” - ia kthen njeriu!!

As në ekonomi dhe as në politikë nuk duhet të ekzistojë logjika e dëmtimit të tjetrit, por një logjikë e  përfitimeve të ndërsjella dhe vetanake. Kosova edhe ashtu e ka një ekonomi të pazhvilluar në krahasim me vendet në rajon dhe veprimet e pamenduara mirë e lojërat me ekonomi për qëllime politike, nuk do duhej të ishin opsion për politikbërësit. Në këto lojëra “patriotike” duke e ndaluar tregtinë e lirë është e sigurt që Kosova do të këtë humbje, çdo kufizim i tregtisë së lirë ka kosto, në të kundërtën ne nuk do të ndaleshim vetëm me Serbinë por do të aplikonim taksa edhe për shtete e tjera. Pra, që Kosova do të këtë dëmtim ekonomik nga ky veprim është e pamohueshëm, por nëse dëmtimi ekonomik serb është duke na interesuar më shumë, atëherë me keqardhje ju them që ndoshta,  veç ndoshta Serbia do të dëmtohet shumë më pak e ndoshta edhe hiç!

E vërteta e dhimbshme!

Duke qenë se jetojmë në Kosovë, ku korrupsioni dhe klientelizmi është punë ditore e qeverisë atëherë krejt veprimi i vendosjes së taksës për prodhime serbe ka më shumë sens duke analizuar përfitimet personale të personave në politikë:

1. Qeveria do të mbledhë më shumë taska për ta financuar buxhetin shpenzues për vitin tjetër

2. Disa kompani partnere të qeveritarëve që përfaqësojnë produkte të Maqedonisë dhe Turqisë ose shteteve të tjera do të jenë përfitues direktë

3. Duke mos harruar dhe përfitimin në vota të qytetarëve që verbërisht i besojnë kësaj iniciative patriotike

Edhe në këtë rast, qeveria ka zgjedhur që përpara se ta bëjë atë për të cilën paguhet, pra ta ndihmojë zhvillimin ekonomik kosovar, të ndalojë korrupsionin, dhe të bëjë reforma të nevojshme, e ka bartur barrën tek qytetarët të cilët duhet të paguajnë me mirëqenien e tyre politikat ditore “Patriotike” që sipas gjasave kanë prapavija korruptive.

 

14 nëntor 2018
12:56

Bujar Ejupi