Politika e jashtme kosovare dhe nevoja e MPJ-së për reformën e brendshme

29 shtator 2018 12:30

Para se të bëhet çfarëdo analize dhe hulumtimi për politikën e jashtme të një shteti, është e rëndësishme të definohet se çfarë kuptojmë me këtë term. Si çdo koncept tjetër dhe frazë që është e aplikueshme në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, edhe politika e jashtme nënkupton shumëçka për shumëkënd, në mënyra të ndryshme.

Një koncept më i gjerë dhe më pak kufizues për politikën e jashtme nga diplomati dhe politologu Christopher Hill, thotë se, politika e jashtme, mund të përmblidhet  si: “Tërësia e marrëdhënieve zyrtare të jashtme të lidhura nga një aktor i pavarur (zakonisht një shtet) në marrëdhëniet ndërkombëtare.”Në anën tjetër në konceptin e tyre për politikën e jashtme Charles Kegley and Eugene Wittkopf pëfshijnë qëllimet, vlerat dhe instrumentet që zyrtarët shtetërorë, në këtë rast shtetet, përdorin në marrëdhëniet ndërkombëtare. Gjithsesi, këto koncepte janë të diskutueshme  dhe vetë shumëllojshmëria e tyre shpërfaqë edhe më shumë fluiditetin e politikës së jashtme. Pra, jo domosdo ka një konsensus të gjerë se çfarë të definohet si politikë e jashtme. Sidoqoftë, shtetet arrijnë një përafrim konceptesh se çfarë dëshirojnë ta definojnë si politikë të jashtme, dhe cilat janë qëllimet e saj. Në këtë aspekt Republika e Kosovës si një aktor i ri, i pavarur në shoqërinë ndërkombëtare, ka bërë disa hapa për të artikuluar disa nga qëllimet e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ajo çfarë vërehet në politikën e jashtme të Kosovës është fragmentarizmi në sferën e jashtme, atë që Instituti për Studime Politike i Prishtinës analizon në mënyrë kritike përmes raportit të saj.

Vështruar nga rëndësia dhe kompleksiteti që ka Ministiria e Punëve të Jashtme, është jashtëzakonisht e rëndësishme të bëhet një rikapitulim dhe analizë e sfidave, sukseseve dhe gjendjes aktuale të kësaj ministrie, dhe politikës së jashtme si tërësi.  Në këtë aspekt, PIPS, në raportin e tij vë në pah disa mangësi substanciale, që përkthehen edhe në pozitën e Republikës së Kosovës në shoqërinë ndërkombëtare. Në raportin prej katër shtyllave kryesore ku hyjnë: Politika e Jashtme e Republikës së Kosovës, sfidat e Kosovës në politikën e jashtme, sfida të zbatimit të politikës së jashtme, dhe sfida e organizimit dhe funksionimit të MPJ-së ,PIPS skenon dhe artikulon problematika të MPJ-së, duke dhënë edhe një sërë rekomandimesh. Një nga gjetjet më të rëndësishme të raportit thekson se: Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) aktualisht nuk ka një strategji gjithëpërfshirëse për politikën e jashtme të vendit ku do të definoheshin prioritetet në këtë fushë. Përkundrazi, politika e jashtme është e formuluar në mënyrë të fragmentuar në disa dokumente të Qeverisë së Kosovës si: Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës  2017-2021, Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (PKZMSA) 2017–2021 apo dokumenti Strategjia për Njohjen e plotë të Kosovës. Në parim Ministria e Punëve të Jashtme duhet të funksionojë përmes prioriteteve mirë të definuara në një dokument strategjik.

Tutje, analiza e PIPS artikulon se MPJ nuk e ka kapitalizuar mjaftushëm  kapitullin II të MSA-së, i cili parasheh dialogun politik ndërmjet palëve, ose thënë në fjalë tjera, asistencën e BE-së për integrimin e Kosovës në shoqërinë ndërkombëtare, aty ku e lejon mundësia. Shikuar nga ky prizëm, raporti sugjeron që MPJ do duhej të synojë ta institucionalizojë dialogun në kuadër të këtij titulli, dhe të kërkojë vazhdimisht përkrahje zyrtare nga BE-ja për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Përkundër obligimeve të BE-së që ta shtyjë para pjesëmarrjen e Kosovës në komunitetin demokratik, mbetet në rolin e MPJ-së që t’i materializojë obligimet e institucioneve të BE-së.

Domeni i politikës së Jashtme përfshin në orbitën e saj marrëdhënie edhe me shtete mosnjohëse. Një sfidë për Republikën e Kosovës mbetet mosnjohja nga Bosnja dhe Hercegovina gjë që  vërehet që nuk është edhe ndonjë prioritet i rëndësishëm. Në bazë të disa të dhënave BiH shet në tregun kosovar rreth 100 milionë euro në vit, në anën tjetër, mosnjohja nga ky vend dhe një lloj bllokade e marrëdhënieve bilaterale, lë Kosovën në një pozitë të pafavorshme në Ballkan. Kësisoj, Serbia nuk mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe kjo automatikisht gjeneron probleme  në arenën ndërkombëtare në aspektin e njohjeve të reja. Shoqëria Civile në Kosovë ka sugjeruar që Bashkimi Evropian të kushtëzojë BiH me normalizim të marrëdhënieve me Kosovën në kuadër të procesit të integrimit evropian. Kjo ide, do të duhej të shfrytëzohej nga Kosova.

Raporti bën  edhe një analizë të funksionimit politik dhe teknik të MPJ, ku vërehet një politizim i procesit të rekrutimit dhe avancimit të stafit diplomatik, mungesë e strukturimit të qartë të MPJ, ndarjes së punëve dhe arritjes së objektivave. Ndikimi politik brenda MPJ-së është shqetësues pasi që ka ndikuar thellësisht në funksionimin profesional të ambasadave. Raporti vë në pah se për shkak të këtij rrjetëzimi nëpër shërbime diplomatike të Kosovës ka pasur njerëz me fuqi politike më shumë se vetë ambasadorët përkatës. Kjo ka dëmtuar edhe procesin e rotacionit të shërbimit të jashtëm. Një problematikë është edhe koordinimi MPJ – ambasada. Shpesh ambasadorët me fuqi të madhe politike injorojnë direktivat dhe njoftimet e MPJ-së. Ndërkaq, nga këndvështrimi i ambasadave hulumtimi gjen se MPJ shpesh dështon të reagojë dhe informojë me kohë ambasadat e Kosovës për qëndrimet zyrtare të Republikës së Kosovës. Siç ka qenë rasti për arrestimin e zyrtarit serb Marko Gjuriq.

Megjithatë, MPJ-ja ka pasur disa iniciativa të suksesshme që kanë bërë që MPJ të mbahet në konsideratë nga ministritë e Punëve të Jashtme të vendeve tjera. Konferenca e Dialogut Ndërfetar (Interfaith Dialogue), KSTalksEU, Konferenca Germia Hill, fushata për anëtarësim në UNESCO dhe disa konferenca të tjera kanë hapur më shumë horizonte në sferën ndërkombëtare. Fushata për anëtarësim në UNESCO ka pasur impakt pozitiv përkundër dështimit për t’u anëtarësuar, sepse ka kijuar imazh pozitiv pë Kosovën dhe ka vënë Kosovën në qendër të zhvillimeve botërore. Për të mos harruar që kjo ka qenë edhe fushata e parë më vetiniciativë e Kosovës. Pavarësisht politizimit të theksuar të MPJ-së, kjo ministri ka arritur që në radhët e veta t’i mbajë disa kuadro më vlerë që kanë ndikuar dhe ndikojnë pozitivisht në mbarëvajtjen e punëve.

Si përfundim, PIPS rekomandon që të shqyrtohet organizimi i departamenteve teknike, të ketë së paku dy drejtorë të përgjithshëm, të themelohet Agjencia e Kosovës për Zhvillim Ndërkombëtar (AKZH) në kuadër të MPJ-së, githashtu të krijohet forumi, Kolegji i Diplomatëve. Së këndejmi, analiza e PIPS e sheh të rëndësishme  ndërtimin e një programi efektiv të zhvillimit të kapaciteteve të stafit të MPJ-së, fuqizimin e drejtorëve të departamenteve, mbikëqyrjen e procesit të vlerësimit të stafit, testim më të hollësishëm të diplomatëve, si dhe MPJ do duhet të zhvillojë më shumë kapacitete për të realizuar aktivitete në kuadër të shtegut të dytë të diplomacisë (Track II Diplomacy).

Analiza e PIPS artikulon që MPJ duhet të ketë një rregullim më të mirë politik dhe teknik. Marrë parasysh që pjesa politike dhe teknike komplimentojnë njëra-tjetrën, shumë procese dhe prioritete të Republikës së Kosovës kanë mbetur pezull si pasojë e një moskoordinimi adekuat të këtyre dimensioneve. Meqenëse legjitimiteti ndërkombëtar i Kosovës është ende i brishtë, një strategji e mirë dizajnuar nga MPJ është imperative për etabilimin sa më të suksesshëm të shtetësisë së Republikës së Kosovës në shoqërinë ndërkombëtare. Politika e jashtme ka efekt në jetën e përditshme të qytetarëve në mënyra të ndryshme dhe mjaft komplekse, për këtë arsye analizimi i saj duhet të marrë më shumë vëmendje dhe hapësirë.

-----------

Instituti për Studime Politike i Prishtinës (PIPS) ka publikuar një raport i cili bën një vështrim dhe analizë kritike të zbatimit të politikës së jashtme së Republikës së Kosovës. Raporti i plotë mund të lexohet këtu.

 

29 shtator 2018
12:30

Arbër Fetahu