Sa mban ura e Vuçiqit?

10 shtator 2018 17:36

Në vizitën e tij të shumëpritur në Kosovë nga faktorët ndërkombëtarë në rajon, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq më 9 shtator nga Mitrovica e Veriut iu drejtua qytetarëve serbë të Kosovës se do të ndërtojë “ura mirëbesimi me shqiptarët” (Aljazeera Balkans) këtu. Nga fjalimi i tij në Kosovë, një pjesë e medias e komentuesëve rajonalë e botërorë, s’di se qysh, kanë nxjerrë përfundimin se Vuçiqi doli të jetë i moderuar, i guximshëm dhe i gatshëm për marrëveshje me Prishtinën, përveç tjerash. Po komentoj shkurt për secilën, nga e mbrama, duke kërku falje se ky koment bazohet në lexim të sipërfaqshëm të fjalimit në fjalë. (Srpska Napredna Stranka) këtu.

I gatshëm për marrëveshje me Prishtinën? Assesi. Veç retorikës, nuk dha asnjë shenjë konkrete, e as propozim për marrëveshje. Veç provokoi duke idealizu qëllimet e Millosheviqit, etj. (Plus që pak ditë më parë kishte refuzu në Bruksel të takohet me palën kosovare.) Edhe ajo gjëja konkrete që e tha, domethënë premtimi se do të investojë në komunat serbe në Kosovë, tregon se ai nuk do marrëveshje me Prishtinën a shqiptarët, por veç do me i heshtë për një kohë serbët kosovarë dhe me e shty adresimin e “problemit të Kosovës” në Serbi, për së paku dhjetë e deri në njëzetë vjet, si e tha vetë. Si po duket, Kosova për të është kafshatë që s’e kapërdin dot dhe që s’i leverdis politikisht të merret seriozisht me të, andaj do me ia lënë në dorë pasardhësve të tij. (Ky është një shans për Prishtinën që t'i konkurrojë planit të integrimit të serbëve kosovarë në Serbi me një plan për t'i integruar ata në Kosovë.)

Me qëndrime të tilla, zor se mund të pritet një marrëveshje përfundimtare ose gati përfundimtare, aq më pak në afat më të afërt. Veç bisedime të kota e ndonjë rezultat modest. Por, edhe kjo nuk është e pavlerë. Dy shtete fqinje me marrëdhënie të këqija, më mirë është me folë kot, se mos me folë hiç me njëri-tjetrin. Andaj, nuk është e drejtë që çdo bisedim, negocim a marrëveshje me Serbinë me e quajtë tradhti. Por, as negocuesit tanë le të mos na rrejnë se nga negocimet Kosova veç po fiton, se jemi afër një marrëveshjeje përfundimtare ose se si rezultat i bisedimeve me Serbinë jemi afër anëtarësimit në BE a OKB. Siç po shihet, për një marrëveshje përfundimtare, duhet të ndryshojnë disa gjëra. E për ndryshime duhet kohë. Por, që ndryshimet të jenë të favorshme për një marrëveshje të mundshme, kohën duhet me e shfrytëzu duke punu në atë drejtim, se ajo nuk punon vetvetiu qysh duam ne.

I guximshëm? Pak dhe vonë. Krejt çka lexova në atë fjalim, është thirrje për të pranuar realitetin se Serbia e ka humbë luftën për Kosovën, se serbët kanë paguar shtrenjtë për politikën e gabuar (jo në qëllime por në strategji!) të Millosheviqit në Kosovë, e gjana të tilla që mund të përmblidhen si guxim për të thënë se realiteti është ky e ky dhe se duhet një kompromis me shqiptarët. Punë e madhe! Një gjë që politikanë të tjerë në Serbi e kanë thënë tashma (për shembull ish-kryeministri i Serbisë Zoran Gjingjiq qysh në vitin 2003 kishte bërë thirrje për "kompromis me shqiptarët") dhe që serbët, e sidomos ata të Kosovës, e dinë dhe përjetojnë përditë këtë realitet. Kaq për guximin e tij politik.

I moderuar? Si qytetar i Kosovës, s’di a më hyn në punë se a është radikal a i moderuar një lider në kontekst të politikës së shtetit të tij. Sidoqoftë, mbasi puna është qysh është, po komentoj. Varet se çka nënkuptohet me këto terme, por prej fjalimit del se është herë i moderuar herë jo. E vërtetë, i tha do fjalë më të buta për shqiptarët, e do fjalë kundër luftës, pro paqes që tingëllonin, sado vakët, progresive. Por, që “Millosheviqi ka qenë lideri i madh serb dhe me qëllimet më të mira…” i mbipeshon të gjitha, sidomos kur thuhet në Kosovë. Edhe ai e ka ditë se i mbipeshon të gjitha. S'e ka thënë rastësisht. Kështu, më së paku që mund të thuhet, Vuçiqi na del i dykuptimtë për një temë që nuk pranon dykuptimësi. (Sidoqoftë, mendoj se është e tepruar me pa tek ai një version të Millosheviqit, një Millosheviq 2.0, të dytë, a vazhdimësi të tij, siç po thuhet. Ky as e ka guximin e as budallallëkun e tij, por as partia e tij nuk ka orientim të tillë ideologjik. Plus që Kosova nuk është më në pozitë ku munden me sundu millosheviqat. Shpresoj!)

Nuk po duket se “ura e mirëbesimit me shqiptarët” të cilën Vuçiqi e promovoi në mesin e serbëve do të jetë aq e fortë. Nëse kjo është ura që mund të ndërtojë presidenti i Serbisë me Kosovën dhe shqiptarët, përgjigja në pyetjen se sa mirëbesim ndërmjet dy shteteve armike dhe komuniteteve të përçara mund të mbajë ajo, zor se mund të jetë optimiste.

10 shtator 2018
17:36

Gëzim Selaci