04 shtator 2018
11:15

Jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor 2018-19, dhe përkundër heshtjes ministrore, shoqërore dhe mediale, ky vit është i veçantë ngaqë të gjitha shkollat e nivelit parauniversitar do të fillojnë të zbatojnë Kornizën e Kurrikulës së Re të Kosovës (KKK). Kjo Kornizë jo vetëm që ndyshon krejtësisht qasjen e mësimdhënies dhe mësimnxënies, por është ndër reformat më tërësore arsimore që ka synim tjetërsimin e arsimit në Kosovë. Duke marrë parasysh rëndësinë e njohjes së kësaj Kornize nga publiku, me fokus prindërit, mësimdhënësit, drejtorët, dhe politikëbërësit, ky shkrim do të japë një përshkrim të thjeshtësuar të Kornizës, pritjet dhe sfidat në zbatim.
Për ta thjeshtësuar definicionin e Kornizës, risia që sjell kjo Kornizë është mësimi i bazuar në parime dhe kompetenca dhe jo në përmbajtje lëndore; pra, arsimi do të jetë i fokusuar në mësim praktik që përshtatet me kërkesat e botës së sotme – kërkesat dhe nevojat e nxënësve do të dirigjojnë orët mësimore dhe plan-programet. Për shembull, në lëndën e Gjuhës Shqipe, nxënësit nuk do të shkruajnë më hartime se si i kanë kaluar pushimet verore, por do të shkruajnë ese hulumtuese dhe akademike, p. sh. ndikimi i librit “Sikur t’isha djalë” në barazinë shoqërore. Me anë të kësaj eseje, nxënësit do të mësohen të lexojnë dhe analizojnë në mënyrë kritike librin duke e ndërlidhur me dukuritë shoqërore, dhe do të zhvillojnë aftësitë hulumtuese në internet duke kërkuar evidencë në përkrahjen e argumenteve të tyre.
Çka pritet nga nxënësit?
Të gjitha këto aftësi që u përmendën më lart janë kompetencat që nxënësit duhet t’i zhvillojnë gjatë zbatimit të Kornizës. Më gjerësisht, nxënësit duhet t’i kenë zhvilluar këto kompetenca: (1) Komunikues efektiv – nxënësit komunikojnë në gjuhën amtare dhe të paktën një gjuhë të huaj në mënyrë konstruktive; (2) Mendimtar kreativ – nxënësit argumentojnë në mënyrë kreative të bazuar në hulumtime akademike; (3) Nxënës i suksesshëm – nxënësit mësojnë në mënyrë konsistente duke u bazuar në njohuritë e tyre dhe janë të vetëdijshëm rreth përparësive the mangësive të tyre në procesin e të nxënit; (4) Kontribues produktiv – nxënësit janë të gatshëm të aplikojnë për punët që dëshirojnë; (5) Individ i shëndoshë - nxënësit janë të mençur emocionalisht dhe kuptojnë faktorët emocionalë; (6) Qytetar i përgjegjshëm – nxënësit janë aktivë në shoqëri dhe janë bartës të të drejtave të njeriut.
Çka pritet nga mësimdhënësit/udhëheqësia e shkollës?
Nga mësimdhënësit, së pari pritet gjithëpërfshirja. Mësimdhënësit duhet të krijojnë një ambient klasor të pranueshëm për të gjithë nxënësit, pa dallim gjinie, etniciteti, kulturor, statusi ekonomik ose familjar. Gjithashtu, nga mësimdhënësit pritet të zhvillojnë mësim që i përshtatet të gjithë nxënësve. Nëse p. sh. në klasë janë 5 nxënës të komunitetit Rom, atëherë mësimdhënësi duhet të diskutojë rreth historisë së komunitetit Rom gjatë orës së Historisë, ose rreth kulturës së komunitetit Rom gjatë orës së Edukatës qytetare. Së dyti, pritet mësimdhënia dhe të nxënit e integruar dhe koherent në mes të gjitha lëndëve mësimore. Mësimdhënësit duhet të përgatisin planin ditor, javor, dymujor, dhe planin vjetor në bashkëpunim me mësimdhënësit e lëndëve të njëjta dhe lëndëve të ndryshme. Për shembull, gjatë përpilimit të planit javor, mësimdhënësi i Gjuhës Angleze kërkon nga nxënësit të shkruajnë një paragraf rreth Rrjeteve Sociale në gjuhën angleze ngaqë gjatë kësaj jave nxënësit do të mësojnë rreth përparësive dhe mangësive të rrjeteve sociale në lëndën Edukatë Qytetare.
Së treti, japet autonomia dhe fleksibiliteti në nivel shkolle tek mësimdhënësi dhe drejtorët për të përzgjedhur planet mësimore, tekstet mësimore, teknikat e mësimdhënies duke u bazuar në nevojat e nxënësve. Pra, mësimdhënësit kanë të drejtën e modifikimit të orës mësimore për t’ju përshtatur nivelit të mësimnxënies së nxënësve. Së katërti, pritet Përgjegjësia dhe llogaridhënia nga mësimdhënësit dhe drejtorët duke nxjerrë rezultatet e arritshmërisë së nxënësve vazhdimisht gjatë çdo ore mësimore. Mësimdhënësit duhet të kenë një dosje individuale për secilin nxënës që të mbajnë evidencë për arritshmëritë e secilit. Së fundi, nga mësimdhënësit pritet mësimdhënia që zhvillon kompetencat e përmendura më lart.
E çka tash?
Tash pritet si shkon zbatimi i kësaj Kornize në bankat shkollore. Më lart, gjatë përshkrimit të thjeshtësuar të Kurrikulës shihet se qasja e mësimdhënies dhe mësimnxënies do të transformohet krejtësisht. Zbatimi i sukssesshëm i kësaj Kornize do ta përmirësonte dukshëm cilësinë e arsimit në Kosovë. Por, sa kemi “kaqik” të zbatojmë këtë Kornizë? E gjithë kjo matet duke analizuar përspektivën ekonomike – Kapitali Njerëzor, Burimet Infrastrukturore dhe Racionaliteti.
1) Mungesë e Kapitalit Njerëzor. Edhepse mësimdhënësit dhe drejtorët janë trajnuar të zbatojnë këtë Kornizë në katër seanca trajnimi të ndryshme, këto trajnime nuk janë të mjaftueshme për përgatitjen e kapitalit njerëzor në ndërrim të praktikave të zbatuara me vite të tëra. Po i kërkojmë mësimdhënësve që deri vitin e kaluar në lëndën e TIK-ut kanë ligjëruar si hapen dhe mbyllen ikonat në kompjuter, tani t’ju mësojnë nxënësve rreth kodimit softuerik – e për këtë pjesë, 4 ditë trajnime me asnjë material përcjellës nuk mund të kenë pasur sukses tek mësimdhënësit.
2) Mungesë e Infrastrukturës. Po flas për mungesë të teknologjisë dhe infrastrukturës klasore/shkollore dhe mungesë të teksteve dhe materialeve mësimore. Edhe nëse mësimdhënësit janë të trajnuar si duhet, mungesa e këtyre burimeve e zbeh zbatimin e suksesshëm të Kornizës. Fillimisht, Korniza kërkon nga mësimdhënësit të përdorin sa më shumë teknika mësimore vizuele (video, prezantime) – që nxënësit të mësojnë duke parë. Por, si është kjo e mundur kur në klasë nuk ka projektorë, televizorë, ose kompjuterë?
Tutje, Korniza i jep autonomi dhe fleksibilitet mësimdhënësve të zgjedhin materiale mësimore. Kjo do të thotë që mësimdhënësit janë të lirë të gjejnë materiale mësimore shtesë për të mbajtur orën mësimore. Problemi i parë më këtë politikë arsimore është që tekstet shkollore nuk janë ndryshuar që nga fillimet e vitit 2000 dhe nuk përkojnë aspak me jetën e përditshme dhe rrjedhimisht nuk e plotësojnë asnjë parim të Kornizës. Politikëbërësit kanë menduar se ky problem mund të zgjidhet nëse i japin autonominë mësimdhënësve për përzgjedhjen e materialeve shtesë. E kjo, na çon tek problemi i dytë i kësaj politike arsimore – mungesë e skajshme e materialeve në gjuhën shqipe si online, ashtu edhe në formë të shkruar. Nuk e di nëse politikëbërësit e kësaj reforme kanë hulumtuar për gjetjen e materialeve në gjuhën shqipe dhe çfarë rezultatesh ju kanë dalur! Apo kanë supozuar që të gjithë mësimdhënësit janë njohës të gjuhës angleze?!
3) Racionaliteti. Perspektiva ekonomike në politikëbërje në arsim thotë se zbatuesit e potilikave arsimore, në këtë rast mësimdhënësit dhe drejtorët, përdorin racionalitetin dhe interesin personal për zbatimin e çfarëdo politike. Njëjtë sikur vendosim a kemi kohë dhe para të mjaftueshme për ndërtimin e një shtëpie të re, ashtu edhe mësimdhënësit vendosin nëse kanë kohë dhe burime të mjaftueshme për të zbatuar Kornizën. Për shembull, një mësimdhënësi i kërkohet që vazhdimisht të vlerësojë secilin nxënës gjatë çdo ore mësimore duke u bazuar në zhvillimin e kompetencave. Pra, mësimdhënësi duhet të mbajë orën dhe pastaj të mbajë shënime për secilin nxënës nëse janë aktivë në grup, nëse po përgjigjen në mënyrë kritike, nëse po i ndërlidhin temat etj. E tash, një mësimdhënës i Gjeografisë mesatarisht ka të paktën 25 nxënës për një klasë dhe i ka të paktën 4 klasë të ndryshme që bëjnë 100 nxënës. Gjatë javës, ky mësimdhënës duhet të krijojë dosje vlerësuese për secilin nxënës, të gjejë material shtesë për ligjëratë, të praktikojë teknika të reja mësimore, të shkruaj planin ditor dhe javor dhe të bëjë ndërlidhje kurrikulare me lëndët e tjera. Deri vitin e kaluar ky mësimdhënës ka ligjëruar duke u bazuar në libër dhe në një hartë të madhe në klasë, ka vlerësuar nxënësit me test ose duke i pyetur – duke përdorë racionalitetin, sa do të dalë jashtë kornizave të aplikuara deri tash në mësimdhënie ky mësimdhënës? Sa do të gjejë kohë për vlerësim të nxënësve e për hulumtim të materialeve shtesë? Sa do të ketë shtysë për bashkëpunim për përpilimin e planeve mësimore?
Edhe pse Kryeministri gjatë këtij viti kritikoi mësimdhënësit për gjendjen e arsimit në vend, unë mendoj se ky shkrim tregon qartë që të gjithë palët janë për t’u fajësuar, e kryesisht politkëbërësit. Kryeministri, me këtë Kornizë po i kërkon punonjësve të shtetit të mbjellin mjedra dhe po u thotë: “po i dua mjedrat me qenë të kuqe, jo më të vogla se 2cm, edhe me qenë të ëmbla”. Por, burimet që po u ofron janë një tokë e vogël në Tërrnavë, tri-katër kacia, dhe po u kërkon të mbjellin mjedra punonjësve që deri dje kanë mbjellë patate. Është e padrejtë të fajësohet një grup vetëm se i gjuhen reforma arsimore nga më të ndryshmet, dhe nuk i jepet asnjë burim shtesë. Reformë po, por ndryshim të materialeve të punës jo.
Pasi që njëra prej pengesave në zbatim është mungesa e materialeve, propozoj që të bëhet gjenerimi i materialeve mësimore në gjuhën shqipe, pse jo në suaza vullnetare nga OJQ-të; specialistë të fushave kurrikulare; studentë të Fakultetit të Edukimit dhe të Gjuhës Angleze, dhe të botohen në një uebfaqe online që do ta menaxhonte Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Pengesa tjetër në zbatim është përgatitja dhe gatishmëria e mësimdhënësve në zbatim të Kornizës. Pasi që mësimdhënësit janë zbatuesit kryesor të kësaj Kornize, ata do të duhej të kishin më shumë zë rreth zbatimit të saj ngaqë i dijnë mundësitë infrastrukturore dhe kohore që i kanë. Gjithashtu, specialistët në edukim do të mund të krijonin Udhëzues të përditësuar, në bashkëpunim me mësimdhënësit, se cilat janë alternativat e zbatimit të Kornizës në mungesë të infrastrukturës.
Si përfundim, zbatimi i suksesshëm i kësaj Kornize do të zhvillonte cilësinë e arsimit në Kosovë. Nëse duam që kjo politikë të ketë sukses, nuk duhet ta lëmë edhe këtë reformë si reformat e tjera arsimore – bukur e shkruar në letër, por e shëmtuar në zbatim. Korniza e Kurrikulës së Re të Kosovës mund të bëjë ndryshim tejet pozitiv në arsim dhe shpresoj që nuk do të mbetet në heshtje siç ka ndodhur deri tani.
Mësimdhënës, nxënës dhe drejtorë,
Gëzuar fillimin e këtij viti shkollor!
04 shtator 2018
11:15