Margjinalizimi ngjyra-ngjyra

14 qershor 2018 12:54

Pranimi i mendimit ndryshe dhe të qenit ndryshe është ajo se çka e dallon një shoqëri demokratike nga ajo totalitare. Mospranimi i diversitetit në një shoqëri konservatore si kjo në Kosovë, kontribuon që një njeri i cili ka tërheqje emocionale, psikologjike dhe seksuale ndaj seksit të njëjtë, të mbyllet në vetvete dhe të jetojë si një njeri tjetër, një njeri të cilin shoqëria e pranon dhe nuk e diskriminon në baza ditore.

Mungesa e kontaktit dhe e informimit për komunitetin LGBTI+ në Kosovë, ka bërë që shoqëria kosovare për vite me radhë jo vetëm të mos i pranojë dhe integrojë pjesëtarët e këtij komuniteti, por edhe t’ia mohojë ekzistencën në rrethin e tyre, në familje, në shkollë e shoqëri. I gjithë ky problem vjen si shkak i klasifikimit të problemeve si “parësore” dhe “dytësore” me të cilat Kosova është përballur gjatë rrugës, nga lufta e deri në procesin e shtetformimit. Në të parën hyjnë problemet politike dhe ekonomike, e në të dytën problemet sociale, si të drejtat e njeriut dhe integrimi i komuniteteve pakicë në shoqërinë kosovare.

Përjashtimi sistematik i pjesëtarëve të komunitetit LGBTI+ i cili vjen si rezultat i neglizhimit dhe i paragjykimeve, bën që ata të jetojnë nën ndjenjën e diskriminimit që nga fëmijëria e tyre, ku në disa raste fillon nga familjarët, e në disa raste të tjera nga shoqëria në shkollë. Presioni psikologjik dhe emocional me të cilin këta fëmijë përballen është i madh e mbështetja që gjejnë në hapësirat ku jetojnë është shumë e vogël. Ndonjëherë, për shkak të mungesës të guximit të përballen direkt me fëmijën e tyre, shumë familjarë mundohen indirekt të dërgojnë mesazhe negative tek fëmija i tyre për të cilin ose cilën mendojnë se orientimi seksual i tyre nuk është ai që është mësuar tradicionalisht, burrë dhe grua. Duke e gënjyer vetën, e shtyjnë edhe fëmijën e tyre ta krijojë një jetë tjetër, imagjinare, një jetesë e cila pranohet nga rrethi por që nuk pranohet nga brendësia e personit.

E gjithë kjo luftë në vetvete, ndikon në shëndetin mendor të fëmijës për arsye të ndryshme, si të abuzimit verbal në familje e shoqëri me anë të nofkave të ndryshme të cilat bazohen në karakteristika të cilat shihen si homoseksuale ose transeksuale, jetesës me frikën se do të humbasë prindërit, vëllain dhe motrën, shokun ose shoqen e ngushtë. Rrjedhimisht, në mungesë të komunikimit prind-fëmijë, njohurive të vogla rreth orientimit seksual, mendësisë provincialiste dhe abuzimit verbal e fizik, shumë fëmijë e adoleshentë e shohin vetëvrasjen si zgjidhje. Studimet tregojnë se tendencat më të mëdha për vetëvrasje vijnë nga adoleshentët LGBTI+. Të rinjtë e këtij komuniteti, në krahasim me të rinjtë heteroseksualë, kanë gati pesë herë më shumë gjasa të tentojnë të vetëvriten. Prandaj, në vend se fëmija të mësohet se çka duhet të mendojë para se t’i thotë fjalët e para dhe t’i mësohet urrejtja, le të mësohet me faktin që tjetrin ta shohë në fillim si njeri, e jo si homoseksual, transeksual, zezak, shqiptar, rom ose serb.

Një hipokrizi tjetër që lidhet me problemet me të cilat komuniteti LGBTI+ përballet është se gjatë hulumtimeve të ndryshme, komunikimit me familjarët e personave LGBTI+, bisedave me shokë e shoqe gej, lezbike e transgjinorë, del se probabiliteti është shumë më i madh që familjet kosovare të pranojnë fëmijën e tyre në rast se është kriminel sesa me orientim seksual ndryshe. Kontribut të madh në këtë tendencë ka luajtur shpërndarja e dogmave nga ekstremistëme agjenda të huaja se orientimi seksual është diçka që zgjidhet dhe është sëmundje.

Mirëpo, nëse flasim me argumente shkencore e logjike, e jo të bazuara në mite, del se orientimi seksual nuk është zgjedhje e as nuk është sëmundje. Se orientimi seksual nuk është zgjedhje, bie poshtë si hipotezë duke u lidhur me vetë natyrën e njeriut. Çdo njeri ka dëshirë të përfaqësohet me atë pjesën “e lartë” të shoqërisë, pjesën të cilën stereotipat e paragjykimet nuk ekzistojnë, pjesën me të cilën nuk e kanë frikën e humbjes së familjes e shoqërisë, pjesën me të cilën nuk jetojnë nën ndjenjën e frikës, e jo të jetë pjesë e një komuniteti më të diskriminuar e më të rrezikuar në botë. Hipoteza se është sëmundje, është hedhur poshtë që nga viti 1990, kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka larguar homoseksualitetin nga lista e klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve. Në Kosovë ndodh, ndodh që një person i cili synon pozita udhëheqëse të japë deklarata se homoseksualiteti është sëmundje, e që është një paradoks me vetë frymën kushtetuese dhe shkencën në vetvete. Por, është edhe më paradoksale kur një pedagog i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, e krahason homoseksualitetin me krimin, duke bërë që indirekt t’i vetëkontestojë studimet shkencore të tij. Duke e ditur që korniza ligjore e Kosovës i mbron të drejtat e komunitetit LGBTI+, në Kosovë, çdo thirrje e cila barazohet me gjuhën e urrejtjes, do të ishte dashur të shqyrtohet nga organet e drejtësisë, e sidomos ndaj njerëzve të cilët kanë ndikim në krijimin e opinionit për një masë të caktuar. Mirëpo, dihet se korniza ligjore e Kosovës nuk është perfekte, e sidomos nëse ndalemi tek të drejtat e komunitetit transgjinor, të cilët për shkak të burokracisë dhe mosndarjes të qartë të kompetencave, nuk kanë të drejtë dhe mundësinë ta ndërrojnë gjininë e tyre në dokumentet personale.

Edhe pse me një kushtetutë të përsosur në fushën e të drejtave të njeriut dhe një legjislacioni në fuqi i cili e dënon diskriminimin mbi baza të orientimit seksual, komuniteti LGBTI+ në Kosovë e kanë të vështirë të paraqiten përpara organeve kompetente për dhunë verbale dhe fizike për shkak të paragjykimeve dhe nënçmimeve që punonjësit mund t’i kenë për ta. E që ligjet nuk përfillen fare tregojnë më së miri disa nga reagimet e fundit për paradën e krenarisë; “Po e nxejmë do ujë, e po i përvlojmë në rrugë”; “Nuk i mbështes veprimet e ISIS, veç shumë kisha dasht’ me ju gjujtë një bombë ata nesër” – reagimet e këtyre personave, të cilët i legjitimojnë veprimet e një organizate terroriste, të cilët po t’ju jepej mundësia për pushtet do t’i përsëritnin politikat shoviniste të luftës së dytë botërore, do të duhej të përballeshin me drejtësinë për gjuhë dhe nxitje të urrejtjes. Në fund të fundit, liria e shprehjes është e tillë deri në momentin kur tjetrit nuk i cenohet integriteti.

Në Kosovë gjithmonë ka ekzistuar një lloj centralizimi i trajtimit të temave jo vetëm për komunitetin LGBTI+ por në fushën e të drejtave të njeriut në përgjithësi. Personalisht, deri me ardhjen time në Prishtinë nuk kam pasur kontakt me persona të komunitetit LGBTI+. Ardhja ime për studime këtu ka ndikuar që shoqëria ime të përbehet nga një lloj-lloj njerëzish jo vetëm në bazë të orientimit seksual, por edhe etnik e fetar. E kjo ka bërë që të lërë pas një pjesë të madhe të shoqërisë sa i përket informimit mbi të drejtat dhe liritë e individit.

Si përfundim, ideja e këtij shkrimi nuk është që të shtyj të dalësh dhe t’i promovosh të drejtat e komunitetit LGBTI+, por thjesht ta lejosh tjetrin ta jetojë jetën siç ai/ajo dëshiron dhe t’i gëzojë liritë themelore me të cilat ka lindur, por i janë marrë në njërën mënyrë ose tjetrën.

14 qershor 2018
12:54

Roni Idrizaj