Liria e shprehjes në epokën e filtrit

N? nj? demokraci, te drejtat e shumic?s nuk mund t? vihen n? d?m t? t? drejtave t? pakic?s. N? epok?n e algoritmeve, qeveria, m? shum? se kurr?, duhet t? siguroj? mbrojtjen e z?rave t? cenuesh?m, madje edhe t? gaboj? n? favor t? viktimave nganj?her?.

13 qershor 2018 13:54

OXFORD – Dekreti i Gjermanisë për Rrjetet Sociale - sipas të cilit platformat e mediave sociale si Facebook e Youtube, mund të gjobiten deri në 80 milionë euro për çdo postim "qartësisht ilegal" brenda 24 orëve nga pranimi i njoftimit - ka qenë kundërthënës që nga fillimi. Pas hyri plotësisht në fuqi në janar, kishte reagime të mëdha, ku kritikët nga i gjithë spektri politik thoshin se ky akt nxiste censurë. Qeveria po dorëzohej kundrejt interesave private, protestonin kritikët.

Atëherë, a është ky fillimi i fundit të lirisë së shprehjes në Gjermani?

Patjetër që nuk është. Netzwerkdurchsetzungsgesetz (apo NetzDG) gjermane është rregullorja më e rreptë e llojit të vet në Europë e cila po bëhet çdoherë e më e shumë halë në sy e kompanive të fuqishme amerikane të mediave sociale. Dhe kritikët kanë të drejtë në disa pika kur flasim për dobësitë e ligjit. Por mundësitë për shprehje të lirë do të mbesin të bollshme, edhe nëse disa postime fshihen gabimisht.

E vërteta është se ligji dërgon një porosi të rëndësishme: demokracitë nuk do të heshtin derisa qytetarët e tyre i ekspozohen gjuhës dhe imazheve të urrejtjes dhe të dhunës - përmbajtje që, siç e dimë, mund të nxisë urrejtje dhe dhunë reale. Refuzimi për mbrojtjen e publikut, sidomos më të cenueshmit, nga përmbajtja e rrezikshme në emër të "lirisë së shprehjes", në të vërtetë u shërben atyre që tashmë janë të privilegjuar, duke filluar me kompanitë e fuqishme të cilat janë në ballë të shpërndarjes së informacioneve.

Gjuha gjithmonë është filtruar. Në shoqëritë demokratike, secili ka të drejtë të shprehet brenda kufijve të ligjit, por askujt asnjëherë nuk i është garantuar audienca. Për të pasur ndikim, qytetarëve gjithmonë iu është dashur t'i drejtohen - apo t'i shmangen - "rojtarëve" të cilët vendosin se cilat kauza dhe ide janë relevante dhe të vlefshme për t'u dëgjuar, qoftë përmes mediave, institucioneve politike, apo përmes protestave.

Po kjo vlen edhe sot e kësaj dite, përveç faktit se rojtarët janë algoritmet të cilat automatikisht i filtrojnë dhe i rangojnë të gjitha kontributet. Gjithsesi, algoritmet mund të programohen sido që duan kompanitë, që do të thotë se ato mund t'i japin theks cilësive të cilat i ndajnë gazetarët profesionistë: kredibiliteti, inteligjenca e koherenca.

Por platformat sociale të ditëve tona kanë më shumë gjasa ta prioritizojnë potencialin për të hyrat nga reklama mbi të gjitha. Andaj, më të zëshmëve rëndom u jepet megafoni, derisa zërat më pak polarizues, më pak të privilegjuar shuhen, edhe nëse ata ofrojnë këndvështrime të mençura e të nuancuara të cilat vërtet i pasurojnë diskutimet publike.

Nëse algoritmi nuk e kryen punën e heshtjes së zërave më pak të privilegjuar, “trollët” digjital rëndom e marrin përsipër këtë rol, duke përdorur gjuhë urrejtëse e kërcënuese drejt kujtdo që ata zgjedhin. Gratë dhe pakicat kanë në veçanti gjasa të bëhen viktima të ngacmimeve online, por shënjestër mund të jetë secili. Bllogeri gjerman, Richard Gutjah, për shembull u bë objekt i teorive konspirative dhe cak i keqtrajtimit të hatashëm pasi ishte i pranishëm në dy sulme terroriste brenda dy javësh.

Viktimat e keqtrajtimeve online shpeshherë përgjigjen me vetëcensurë dhe shumë prej tyre, me sensin e tyre të dobësuar të sigurisë dhe dinjitetit, largohen vetë nga mediat sociale.  Në këtë aspekt, duke ofruar mbrojtje automatike në emër të "lirisë së shprehjes" shtetet në fakt e privilegjojnë gjuhën e urrejtjes. Por pse të drejtat e viktimës duhet të nënvlerësohen kundrejt të drejtave të ngacmuesve të tyre?

Në një demokraci, te drejtat e shumicës nuk mund të vihen në dëm të të drejtave të pakicës. Në epokën e algoritmeve, qeveria, më shumë se kurrë, duhet të sigurojë mbrojtjen e zërave të cenueshëm, madje edhe të gabojë në favor të viktimave nganjëherë. Nëse njerëzit tashmë të cenuar pushtohen nga bandat e ekstremistëve dhe të agresorëve, është krejt e kuptueshme që ata të frikësohen të flasin. Nëse kjo ndodh, e pati "liria e shprehjes".

Jo të gjithë kritikët e NetzDG-së e kundërshtojnë këtë vlerësim: disa pajtohen se liria e shprehjes së të cenuarëve nuk ka nevojë për mbrojtje shtesë. Por ata thonë se mbrojtja e nevojshme tanimë ekziston. Tekefundit, fyerjet e rënda, nxitjet e urrejtjes dhe dhuna janë të ndaluara, dhe kryesit mund të përndiqen. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, për shembull, favorizon përqendrimin në fuqizimin e aftësisë së sistemit gjyqësor për t'u marrë me gjjuhën e urrejtjes dhe me keqinformimin.

Por, në epokën digjitale, shpejtësia është vendimtarja. Teknologjia është instante, dhe postimet online mund të shpërndahen gjithandej brenda disa çasteve. Institucionet demokratike nuk lëvizin aq shpejt - madje shumë ngadalë që policia dhe gjykatat të jenë efikase sa i përket luftës kundër trollëve dhe urrejtjes online. Dhe shumë viktima nuk janë në pozitë të angazhojnë avokatë super të kualifikuar, siç ka bërë Gutjahr-i. Mbështetja vetëm në institucionet e ndërlikuara të shtetit nuk është strategji efikase për mbrojtjen e lirisë së shprehjes në rrjetet e komunikimit digjital të ditëve tona.

Gjuha e urrejtjes dhe format e tjera të përmbajtjes së rrezikshme dhe ilegale duhen sulmuar në rrënjë. Në njërën anë, ekziston nevoja për njohuri të shtuara në lidhje me mediat nga ana e konsumatorëve, të cilët duhet të mësohen nga mosha e hershme në lidhje me pasojat reale të gjuhës së urrejtjes online. Në anën tjetër - dhe kjo është ajo që NetzDG-ja mëton të sigurojë - platformat e mediave sociale duhet të sigurohen që produktet e tyre janë të sajuara asisoji që të nxisin shfrytëzim të përgjegjshëm.

Por kjo nuk arrihet lehtë. Përkundrazi, kjo kërkon rishqyrtim thelbësor të modeleve biznesore të cilat e lehtësojnë dhe madje e shpërblejnë gjuhën e urrejtjes. Kompanive nuk duhet t'u lejohet të përfitojnë nga përmbajtja dëmprurëse, derisa heqin dorë nga përgjegjësia e pasojave. Ato, në fakt, duhet t'i rishikojnë algoritmet e tyre në mënyrë më efikase dhe më të përpiktë për të vënë në pah përmbajtje të cilat njeriu duhet t'i monitorojë dhe t'i vlerësojë, duke potencuar njëkohësisht në të gjithë vendimet e tyre biznesore vetëdijen për përgjegjësinë e tyre në luftën për liri të njëmendtë të shprehjes.

Kjo mund të jetë në kundërshtim me logjikën e drejtpërdrejtë të biznesit, pra të ndërmarrjes së çfarëdo veprimi për të maksimizuar profitin dhe vlerën e aksionarëve. Por, padyshim, kjo është më e mira për shoqërinë. Qeveria gjermane bëri mirë që i shtyu kompanitë në drejtimin e duhur.

______

Artikulli origjinal nga Project Syndicate

Alexandra Borchardt është drejtoreshë e Zhvillimit Strategjik pranë Institutit të Reutersit për Studime të Gazetarisë.

13 qershor 2018
13:54

Aleksandra Borchardt