Kur tutet njeri me u ba anglez, e s’tutet me u ba horë

10 qershor 2018 12:15

Ndërkohë që kronikat e lajmeve raportojnë vazhdimisht raste të grave që vriten prej burrave, për arsye të ndryshme, por gati çdo herë, sepse “ajo e ka meritu dyqysh”, Mikullovci, nji ish humorist, i cili siduket me po atë zanatë ka hy në politikë, u shpreh para disa ditëve në adresë të diskutimit mbi projekt kodin penal kështu në kuvend: "Nuk më pëlqeu fort se nuk po i vjen era këtij projekt-kodi, shqip. Mendoj se ishte dashur të mbështeten ata ekspertët e juaj zotëri Abelard pak edhe në Kanun edhe në traditën e pleqnarëve. Pleqnia jonë ka zgjidhur konflikte që nuk ka ditur asnjë jurist t’i zgjedh. Posaçërisht u ndala në dhunën në familje, të kuptohemi dhuna familjare, ky ligj nuk mund të aplikohet si në Angli, Amerikë e tjera vende. Ne jemi tjetër dhe duhet t’iu tregojmë që jemi tjetër. Ta marr një shembull sipas këtij ligji nëse gruaja e padit burrin e burri shkon dy vjet në burg, e kur të kthehet prej burgu a e pret ajo gru në shtëpi, tregomëni?" Dhe mu në këtë pikë sallën e pushtuen zgërdhimjet. Në vijim të këtij fjalimi aj shton që fëmijët duhet me i rrehë për me i eduku.

Mikullovci e filloi fjalimin e tij tue e theksu që s'asht jurist, me gjasë me minimizu përgjegjësinë e tij për budallakinat që e kish ndërmend me i thanë, por nashta edhe me i nënçmu juristët që kanë punu në këtë kod penal. Sidoqoftë, kishe tue u tregu modest, u thirr në logjikë pasi që nuk kishte ekspertizën. Dhe muer tani turr me e ba logjikën përshesh.

As un nuk jam juriste. E besa as kritike arti, apo e humorit popullorqe me përralla të odave të burrave, jo. Pra nuk muj me vlerësu si juriste mbi kodin penal në fjalë ku lufta kundër dhunës në familje asht çashtje e randësishme. Por, jo e vetmja, e pse kapet Mikullovci bash tek kjo, dhe kapet e nuk thotë kurrgja të hajrit, un nuk e kuptoj. E as nuk e kam nërmend me vlerësu si kritike arti talentin e Mikullovcit me keshë e me i shti të tjerët me keshë me tragjedinë e dhunës ndaj grave të këtij vendi. Por, muj me vlerësu si njeri me nji troh mend në kry, e mujë me thanë sipas logjikës, që fjalimi i Mikullovcit në kuvend në lidhje me dhunën në familje ishte nji hajgare pa shije. 

E mbaj në mend kur na shtijke me keshë Mikullovci me humorin popullor. E mbaj në mend edhe kur humori që na u servojke ishte përçmues për gratë, e shpesh herë relativizojke dhunën ndaj grave tue e mveshë me romantizëm të traditës së lashtë shqiptare me i pleqnue senet me burra që kolliten; e gra që iu tuten burrave dhe sillen si shërbëtore në shpi të veta; dhe me burra pleq që shtramojnë sytë mas vajzave të reja, e kur shkojnë në shpi, i mshelin të bijat e tyne në dry “me e mbrojtë nerën e familjes”; me baballarë që inkurajojnë djemtë me u rrehë; me tregime që e shesin tradhëtinë si virtyt e hajninë si talent; me dramatizime që e përqeshin katunarin tue e paraqitë si të egër etj.. Kena keshë qaq sa kena dijtë. Por, të gjithë që keshin sot me nji fjalim të tillë përçmues, sikur që ishte aj i Mikullovcit, pavarësisht që vendi ku u shpreh aj, në tanësi asht nji vend ku njeri s'pret ma mirë, janë tue keshë me viktimat e dhunës në familje e cila i prekë ma së shumti gratë dhe fëmijët. E kjo asht tragjedi në vete. A e dini pse? Sepse, veç sot ndërkohë që un po i shkruej këta rreshta u vranë dy gra në Shqipni (i njajti Kanun na randon si atje si këtu) nga burra kanunor se ligji dështoi me i mbrojtë, e ligji, e di qysh tash, ka me dështu me i ndëshku qysh duhet vrasësit e tyne. Sepse, me gjasë edhe gjyqit ka me i interesu se çka kanë ba ato që e merituen. Mentalitetit kanunor i intereson kjo patjetër. Sepse, kjo shoqni, që hala asht peng i Kanunit, nuk munet me u liru vet prej thojve të gjatë të kësaj egërsine që i asht ngulë në mendje gjeneratë mas gjenerate, me shekuj. Prandaj i vyn nji ligj i fortë. Sa ma anglez, a amerikan, a gjerman, a suedez, a zvicran qaq ma mirë.

Dhe ndërkohë që na si shoqni harruem emnat e grave të vrame prej burrave të tyne përshkak të së drejtës kanunore që iu vjen me pec me gjyku mbi to qysh t'ju teket, më shkoj mendja me ju pvet, a e dini qysh i kanë emnat ato që tek kanë me u vra? S'ka me shku gjatë. Dikun nji burrë ka me u ba nervoz. E shteti ka me dështu me e mbrojtë nji grue (që aj burri e konsideron pronë të veten) prej asaj nervoze. E shoqnia ka me dështu me u ba vullkan që mbushë shpellat ku vlon ky gjak trimnie e me i ba zjarrë, e me i ba hi. Viktima e radhës ka me e pasë nji emën. Hajde e lujna nji lojë: kush mundet me ia qëllu qysh ka me e pasë emnin?  Qysh ka me e pasë emnin grueja e ardhshme që ka me e vra burri edhe pasi që ajo e ka denoncu dhe ka lypë ndihmë njiqind herë në polici, e tani masi që e ka vra, neve ka me na interesu ma së shumti se çka ka ba ajo që e ka meritu, ndërkohë që vrasësi nëse nuk shpallet i sëmurë mendor prej ekspertëve mjeko-ligjor dhe pshton pa dënim, dënohet nën protesta të avokatit mbrojtës se grueja ka qenë kurvë, veç pak vite prej të cilave tani për sjellje të mirë, me aminin e burrështetasve kanunorë i falen disa vite dhe del e shijon jetën si burrë i lirë?  Hajt qëllojani, qysh e ka emnin! Leonorë? Zejnepe? Dijanë? Adrianë? Xhuljetë? ... Ardianë? Hatë? Miradije? Afërditë? Besë? Qamile? Marije? Mrikë? Zanë? Hanë? Zgjedheni nji emën grueje, e nëse nuk ia keni qëllu kësaj here, ndoshta ia keni qëllu asaj pas kësaj. Ose asaj pas asaj. Nuk asht larg. Ju vjen rendi sahora me fitu në këtë lojë. Por, mos harroni, disa fitore janë veç nji humbje që ia pagueni llogarinë ma vonë. Po, po du me thanë që s’ka fitues në këtë lojë. Jo, përnime. Ama, mos nguroni, luni. Sepse, krejt kjo, asht nji lojë. Apo jo? A s'po e shihni qysh po lujnë ata në kuvend? A nuk e nijtët qysh u kënaq Mikullovci tue ba hajgare a? A nuk i nijtët qysh u shkrijtën tue keshë të tjerët përreth? Po ju, a keshët pak?

Si plak, Mikullovci u mundu me tingllu i urtë, dhe hajgarexhi në të njajtën kohë. E tue u mbështetë në respektin që gzon në shoqni, aj po harron që kurrkush borxh respekt nuk i ka. E qysh e ka fitu atë, mundet edhe me e humbë. Sidomos, kur e keqpërdorë atë respekt për me e llogaritë nji popull të tanë për budallë. Mikullovci po e harron përgjegjjësinë që i takon me respektin që gzon. Me qenë i respektuem asht barrë e madhe. Por mundet me kenë edhe gjamë e madhe, kur të rrethojnë shum njerëz prej lakmisë me u pa pak nën dritën që të bjen, e mes tyne asnjani nuk të do mjaft, me të thanë gabim je. Në njanin prej skeçeve te zakonshme nga repertori i humorit popullor, nji herë Mikullovci e pat dhanë nji porosi shum të mirë. Aj thoshte aty "... në kit dynje jonë tri lloj njerëzish. I mençmi, gjysë i mençmi edhe budalla. I mençëm asht aj qi di vet, po edhe tjerët i pvet edhe i ngon çka po thojnë tjerët. Njeri gjysë i mençem asht aj qi nuk di vet fort, por i pvet tjerët, i ngon tjerët edhe mëson prej tjerëve. E budallë asht aj qi as nuk di vet, as nuk i ngonë tjerët, as nuk mëson kurrgjo. Mozomakeq." S'kam çka shtoj këtu, përveç me e shprehë habinë tem qysh s'iu kujtu kjo urtësi para se me folë për virtytet e larta të pleqnisë shqiptare me i ba drejtësi dhunës ndaj grave sipas traditës kanunore? Apo nashta Mikullovci e di që pak janë ata në këtë vend që kishin me ia nxanë për të madhe këtë ofendim që ia ban kësaj shoqnije, sidomos kur vjen në shprehje si ofendim për gratë, andaj nuk ndjen që e rrezikon seriozisht humbjen e respektit? E respekti i grave si un nashta nuk i duhet?! E qysh kishte me iu dashtë nji njeriu që lypë pleqnime kanunore për fatin e grave? Cila pleqni pat gra në to? Gratë plaken kot, nëse nuk vrahen ma herët. 

Nuk e di sa SHQIP kishte me i tingllu kjo Mikullovcit, por Kanuni që po e lypë aj ka mbushë vorre në Kosovë me gra "kurva". Kanuni që po e lypë aj, ka vra njerëz për çashtje fëtyre e nere, e tani ka lypë me marrë edhe ma shum gjak; gjak të cilin e kanë pagu njerëz që as s'kanë qenë të lindun kur baba, a gjyshi, a stërgjyshi u randu prej nji fjale dhe e ka vra njanin, fisi i të cilit tash për me kthy drejtësinë në vend e ka trashëgu gjeneratë mas gjenerate amanetin me u hakmarrë, me gjakmarrë. Nejse, a kam nevojë këtu me e cekë që edhe në gjakmarrje gratë kurseheshin? Me to nuk mirrej gjaku. Për to nuk mirrej gjaku. S'asht i denjtë gjaku i grave për me pleqnu drejtësi. Kanuni që po e lypë Mikullovci po vazhdon me veshë katune të tana në troje shqyptare me të zezë. A asht boll “shqip” kjo?

Mikullovci u plakë. E kuptoj. Mendjen nashta nuk e ka ma edhe aq të kthjellët. Por, aj asht aty me të drejtën me çu dorën nalt e me e votu ose jo për të ardhmen e këtij vendi. Dhe në këtë pikë, mu s'ka pse me më interesu kush ishte aj ma herët. Kur vjen puna me mendu për të ardhmen e vendit tem, vendin e vnoj çdo here përpara njerëzve si Mikullovci që i shtijnë njerëzit me keshë tue e arsyetu dajakun ndaj fëmijëve, ndërkohë që viktimës të fundit fëmijë të dhunës në familje hala eshnat s'ju kanë kalbë nën dhe; e tue u mundu me tingëllu sarkastik në llogari të dhunës ndaj grave. E disa idiotë aty keshin me fjalët e tij, tue e paramendu po get gruen që i kthehet burri në ship prej burgut mbas dy vjetëve, ku ka hy përshkak se ajo e ka denoncu për dhunë (dhe merre me mend edhe për hajgare veç dy vjet i merr burg) tue e rrehë tash burri pse e ka denoncu, e ajo s’ka ku shkon tjetër. E disa idiotë keshin nashta thjeshtë veç me njeriun në përgjithësi, sepse janë aty veç për me u zgërdhi me njani tjetrin e me këtë popull. Keshin, burra e gra bashkë. Por, Mikullovci që lypë Kanun në kodin penal, nuk asht për me keshë me te. Aj nuk dallon me këtë mentalitet që shprehë në këtë rast as prej Veselit të cilin e përqeshë në foltore të kuvendit, e as prej Haradinajt që pleqnon krisma armësh nëpër oda me peshën e Kanunit, e as prej Thaçit që "lahet" me Kanun para pleqnisë për me shfajsu veten prej krimeve e me i ikë rrugëve ligjore që mujnë me ia cenu pushtetin.

Un, e besa edhe ti, pra un e ti, e kena borxh me e vnu vendin para njeriut, dhe kjo nënkupton mos me u verbu para emnit të tij, as mos me ndje keqardhje për moshën e tij. Të askujt ma, për aq sa vlen. S'je i aftë. S'e ke vendin në kuvend. Pikë. Anipse kuvendi jonë asht nji vend absurd, ku shumica që janë aty nuk e kanë vendin aty. Kritika ndaj budallakinave që folen sot aty, sidoqoftë, nuk guxon me mungu. Dhe kurrsesi nuk guxon me qenë selektive e me e kursy dikend sipas preferencave të popullaritetit. Bile ndaj atyne që e gzojnë nji farë respekti në shoqni, kritika duhet të jetë edhe ma e rreptë. Sepse, e tham, me respekt vjen përgjegjësia, nëse kurrgja tjetër, së paku me ia kuptu e mos me ia nënçmu plagën popullit. Dhe kur ti nuk e respekton nji përgjegjësi, që kur nuk di ta lypë veç heshtjen, pse me të respektu ty ky popull? Apo nashta Mikullovci, mendon që në mesin e këtij populli nuk ka “njerëz të mençëm e gjysë të mençëm”, por veç budallë dhe folë palidhje, e mendon që nuk vihet re? 

Vihet re, dhe vihet re dhimbshëm. Sidoqoftë, jam e vetëdijshme që kritikat ndaj fjalimeve të tilla nuk bajnë nji dallim të madh sot për sot. Jena mësue mos me besu ma në ndryshim. Por, edhe kur duket sikur nuk kryejnë shum punë sot, ato kanë me iu dashtë gjeneratave të ardhshme si gjurmë e krijimit të identitetit të tyne. Nji identiteti që edhe kur të bahet si Austri, e si Amerikë, e si Zvicër, e si Gjermani, e si Angli nuk ka me pasë nevojë me u tutë, që parimeve shoqnore në bazë të cilave organizon jetën, s'po ju vijka era “shqip”. Sepse, mos me pranu në asnji rrethanë dhunën ndaj grave e ndaj fëmijëve asht boll shqip; mos me pranu hajgare në kuvend në llogari të dhunës ndaj grave e fëmijëve asht boll shqip. 

Shqiptarët nuk janë bisha. Gratë e këtij vendi janë shqiptarë, gjithashtu. Un jam shqiptare. Dhe si grue, Kanunin e pleqninë që po i kërkon Mikullovci kam me i luftu, sikur dikur qysh prindërit tanë e luftuen robnimin prej Serbisë. Shqip. Sepse, Kanuni e pleqnia e odave asht robnimi jem. E nuk e duroj ma. Se nën Kanun me mijëra gra të përdhunume gjatë luftës kanë vuejt e vuejnë dhimbjet e tyne në heshtje e harresë edhe sot. Nën Kanun gratë që humbën krejt familjen në luftë s'kishin as shpi ma ku me u kthye, dhe jo pse shpia s’ishte ma, por se burrat e shpisë nuk ishin, dhe shpinë ua muer burrnia e mbetun e bishtit mas gardhit. Po, po, nën Kanun as me vuejt s'e lan gruen rehat. Dhe po nën këtë Kanun, sot e njizet vjet, burrnia e vendit po organizon shtetin e manipulon popullin në pllamë të dorës, si mafi.

Ndërkohë që dhuna ndaj grave asht problem anë e mbanë botës, për neve duhet me u konsideru si nji ndër problemet ma të mëdhaja kombëtare dhe me e luftu atë në Kosovë, edhe nëse rrezikohemi “me u ba si anglez”, asht çashtje kombëtare urgjente. Dhe dhunën sistematike ndaj grave s'mujna me luftu pa ia shkulë rrajtë Kanunit prej kësaj toke. 

"Mendoj që pak si shum po mundohemi të bëhemi si anglez" tha Mikullovci, e në mendje si duket ishte i bindun që po thot diçka shum bujare e patriotike. Ndërkohë un isha tue mendu, sikur të jishit pak ma shum si anglez së paku humorin do ta kisht fort ma të mirë. Shum keq që s'jeni. Shum keq që tuteni me u ba anglez, e nuk tuteni me u ba horë. Kishim ba mirë me e pa që kjo tutë, që asht e shtrime gjanë në këtë popull, e rumbullakson idiotllëkun që na ka kaplu. Brenda kësaj tute me u ba anglez, a gjerman, a zvicran a çkado tjetër, tutë e cila na mbajti nën ethe sidomos me ardhjen e “të huejve” në Kosovë, e i mbanë nën ethe edhe gjenerata të tana të shqiparëtve që jetojnë në diasporë, fshihet nji inferioritet që ne si popull i përndjekun ndër shekuj kurrë nuk u ndërgjegjësuem me i dhanë emën, por e shprehim tue kompenzu me krenari atdhetare me mendimin që nuk vrehet që asht racizëm. Ky racizëm, po aq sa injoranca pleqnare që lypë Kanune me i ba drejtësi dhunës në familje duhet me u luftu në shoqni, dhe duhet me u luftu edhe aty ku vendoset për të ardhmen tonë. Kur merr fund kjo prapambetuni more? 

Mikullovci ban mirë me kërku falje e tani me dhanë dorëheqje. Dhe atë respekt që e gzon hala në këtë shoqni do bante mirë me vazhdu me e gzu larg mundësisë me na nënçmu prap me naj urtësi ku dhuna ndaj grave i shkrin njerëzit tue keshë. Dhe kjo asht nji këshillë qëllimmirë, që Mikullovcit siduket hala s'iu gjet nji njeri që e respekton mjaft, për me ia dhanë. Prandaj, ia lejoj vetes dhe po ia jap un. Pa i lypë kusur. Me respekt. E n’koftë së paku gjysë i mençëm z. Mikullovci, e un mendoj që mas krejt kësaj aj megjithatë asht, do e pranonte me dinjitet. E nëse jo për me e mbrojtë respektin që e gzon prej të tjerëve, së paku për hatër të vetrespektit.

10 qershor 2018
12:15

Ardiana Shala Prishtina