Kosova në indeksin e Lirisë së Shtypit dhe faktorët që e ndikojnë përmirësimin

03 maj 2018 14:32

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit në Kosovë gjen mediat në një gjendje të pakënaqshme për të ushtruar profesionin dhe detyrën që i kanë vënë vetes. Në indeksin e rankimit të Lirisë së Shtypit nga ‘Raportuesit pa Kufij’, Kosova qëndron nën mesataren e vendeve demokratike edhepse përpshtypja është se Kosova është vend i lirë dhe demokratik që garanton të drejtat dhe liritë.

Para se të shohim Kosovën në vendin e 78-të në listën e vendeve të rankuara nga ‘Reporterët pa Kufinjë’, duhet të shohim se kush mbetet pas Kosovës dhe kush lë prapa Kosovën. Pra, analiza duhet të vendoset në kontekst krahasimor së pari me vendet në regjion dhe pastaj edhe ndërkombëtarisht. Kosova shënon rritje të abuzimeve me gazetarë duke shënuar disa raste të dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve, në krahasim me Serbinë që nuk ka dhunë të raportuar ndaj gazetarëve, edhepse Serbia kalon Kosovën me vetëm dy vende. Përderisa Kosova ngjitet në rankim me 4 vende nga vitet e kaluara, Serbia bie për 10 vende nga vlerësimi i vitit 2017. Në mes të Kosovës dhe Serbisë, qëndron Qiproja Veriore apo e vetëquajtura Republika Turke e Qipros. Qipro Veriore rankohet plot 81 vende më mirë se sa Turqia e cila rankohet në vendin e 157-të dhe ka një ndikim të madh në Qipron Veriore, ndërsa Qipro rankohet mjaft larg përpara në vendin e 25-të.

Në vlerësimin e 2018, surpriza është shteti i Ganës (Ghana), që la pas jo vetëm shtetet afrikane por edhe mjaft shtete të BE-së dhe Amerikës. Vendi i 23-të me plot meritë i takon këtij shteti i cili ka mbajtë numër më të vogël të mediave por me raportim të drejtë dhe mirë. Pra, edhe Kosovën duhet parë nga kjo perspektivë krahasimtare me vendet tjera, që e vendosë Kosovën më mirë vetëm se dy shtete në rajon: Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilat edhe ashtu nuk janë shembull i mirë për Liri të Shtypit.

Gjendja e këtillë në Kosovë ka ardhur shkaku i disa faktorëve. Këta faktorë duhet analizuar nga dy perspektiva. Perspektiva e parë që sheh pengesat strukturore si pengesë për Lirinë e Shtypit dhe pengesat sociale të punëtorëve të mediave që kontribuojnë në pengimin e punës.

Pengesat strukturore në media kosovare krijojnë klimën e pavolitshme për të vepruar si punëtorë të medias. Financimi shtetëror i Radiotelevizionit të Kosovës krijon mundësi të ndikimit politik direkt në politikat redaktuese përmes kontrollimit të financave dhe përmes kontrollit politik mbi bordin mbikëqyrës e rrjedhimisht edhe menaxhimin dhe redaksitë e këtij televisioni. Media private e ka po të njëjtin problem me pronësinë e mediave. Pronarët e mediave në Kosovë janë të interesuar të përdorin median si mjet lufte për ndikimin e tyre politik dhe jo në zhvillimin e medias si biznes të qëndrueshëm. Për këtë, dëshmia më e mirë është se shumica e gazetarëve në Kosovë kanë kontrata të përkohshme. Kjo i jep kontroll të drejtpërdrejtë pronarëve të mediave mbi punën e gazetarëve në baza ditore.

Pengesë tjetër strukturore e disejnuar pikërisht kundër gazetarëve nga institucionet e Kosovës ështe jo-transparenca dhe fshehja pas idesë që dokumentet zyrtare janë të gjitha konfidenciale dhe për të pasë qasje në to, duhet kërkesë e veçantë, duhet vendim dhe pritje shumë e gjatë. Ky mekanizëm i qeverisë por edhe institucioneve tjera i pamundëson gazetarëve qasjen dhe kryerjen e punës. Dokumentet zyrtare duhet të jepen menjëherë pa patur nevojë të mirren vendime të cilat janë edhe ashtu të panevojshme sepse kjo edhe rregullohet me Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare. Nën Nenin 4 të Kreut II, alinea 2 të këtij Ligji thuhet se “dokumentet janë të hapura për publikun në bazë të kërkesës së drejtpërdrejtë, në bazë të kërkesës së bërë me shkrim ose në formë elektronike, me përjashtim të informacioneve të kufizuara me ligj.” Pra, vonesa në përgjigje e cila shpeshherë merr ditë apo javë pengon mbarëvajtjen e punës së gazetarëve.

Problem tjetër i madh në Kosovë që ka ndikimin parësor në vendosjen e Kosovës kaq poshtë në indeksin e Lirisë së Shtypit është dhuna ndaj gazetarëve. Sipas rrjetit ‘Safejournalists.net’, në Kosovë në vitin 2018 ka 8 raste të dhunës ndaj gazetarëve. Ndërsa në vitin 2017, në Raportin e Progresit të EU për Kosovën citohet:

 “Sipas AGK-së në vitin 2017 janë raportuar 24 incidente, 2 herë më shumë krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit. Ndër rastet e sulmeve, 2 redaktorë kanë marrë kërcënime me vdekje dhe një gazetar është sulmuar i cili më vonë është kërcënuar nga një anëtar i parlamentit”. I njëjti raport thotë gjithashtu se “kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve kanë vazhduar dhe zhvillimet në çështje tjera kanë stagnuar kryesisht”.

Ky raport edhe bën thirrje për “zero tolerancë për kërcënimet dhe sulmet ndaj medias”.

Ndërsa pjesa sociale e pengesave është edhe më pak shpresëdhënëse. Edhepse pengesat strukturore kanë ndikim të thellë në performancën e gazetarëve, kritika e Indeksit të Raportuesve pa Kufij nuk drejtohet ndaj gazetarëve por ndaj institucioneve. Megjithatë, pengesa tjetër vjen nga ana sociale e gazetarëve të cilët kanë mungesë të njohurive të avancuara për mbulimin e lajmeve. Edukimi dhe trajnimi i gazetarëve edhepse ekziston në institucione formale dhe jo-formale, jep pak shpresë për gazetari dinamike e të cilësisë të lartë. Mungesa e kurrikulave moderne, mungesa e mësimit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut si dhe Etikës prodhon gazetari sipërfaqësore. Këtu duhet shtuar edhe të kaluarën tonë dhe përvojat e konfliktit të cilat krijojnë ndikim në ekskluzivitet. Për këtë arsye, gazetarët kritikohen nga Raportuesit pa Kufinjë se nuk kanë bashkëpunim ndër-etnik edhepse kjo kritikë nuk merr parasysh konkurrencën për lajme.

Mungesa e edukimit mbi median dhe informacionin në shkolla krijon konsumues pasivë të lajmeve. Këta konsumues nuk ankohen për shkeljet që ju bëhen nga media në institucionet përkatëse dhe nuk krijojnë bashkëpunim të mirëfilltë me median në komunikim të dyanshëm. Në shumë raste, njohuria mbi median dhe informacionin në Kosovë është në nivelin nën-mesatar që krijon klimë favorizuese për keqinformim dhe lajme të rreme. Edhepse Edukimi mbi Median dhe Informatën tanimë është lëndë në disa Fakultete të Gazetarisë, kjo lëndë duhet të futet në të gjitha shkollat e mesme të Kosovës.

Këtë boshllëk edukimi mbi median, një numër i gazetarëve kanë shfrytëzuar dhe informacionin e kanë marrë në dorë duke hapur portale dhe media tjera online ku ka pak apo fare nuk ka kontroll dhe redaktim të lajmeve. Kontributi i mediave online për keqinformimin është barrë edhe e gazetarëve të cilët shpeshherë në mungesë kohe dhe dëshire, transmetojnë dhe publikojnë lajme të cilat nuk kanë kaluar nëpër filtrat e verifikimit apo edhe redaktimit duke mos-respektuar privatësinë dhe kontribuar në gjuhën e urrejtjes në media.

 

03 maj 2018
14:32

Abit Hoxha