Tregtia e Kosovës nuk po funksionon për askënd – më së paku për gratë

19 prill 2018 10:55

Diskutimi ekonomik dhe politik rreth tregtisë së jashtme, dhe posaçërisht deficitit të Kosovës, e kaplon diskursin publik me valë. Çdo tremujor, me publikimin e të dhënave rreth tregtisë së jashtme, do të ketë raportime të cilat i marrin këto të dhëna, i raportojnë në tërësi, dhe me shumë pak, ose hiç, analizë të thellë. Kohëve të fundit ka filluar të diskutohet, me të drejtë, fakti që Kosova ka suficit tregtar në shërbime, ndërsa deficit të vazhdueshëm në produkte. Mirëpo, edhe brenda produkteve, ka sektorë të cilët kanë trend pozitiv në tregti të jashtme.

Sidoqoftë, diskutimet, kur fokusohen në këto kategori me trend pozitiv për eksporte, janë të limituara në diskutime rreth faktit që Kosova eksporton në sektorët nxjerrës – kryesisht ato të mineraleve dhe metaleve të papërpunuara. Kështu, vlera e shtuar e këtyre produkteve që eksportohen është minimale. Mirëpo, përveç kësaj, një diskutim i rëndësishëm, sidomos nga aspekti i zhvillimit ekonomik gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, është punësimi në këta sektorë të cilët kanë trend të vazhdueshëm pozitiv të eksportit.

Në teori, përveç rritjes ekonomike në përgjithësi, arsyeja kryesore që një ekonomi synon të rrisë eksportin dhe të përmirësojë tregtinë ndërkombëtare është pritja që me rritjen e pjesëmarrjes së prodhuesve vendorë në treg ndërkombëtar, këta prodhues bëhen më konkurrues. Me rritje të konkurrueshmërisë, kta prodhues vendor rrisin cilësinë e produkteve dhe shërbimeve, të cilat ofrohen jo vetëm për eksport, por edhe për konsum vendor. Pas rritjes së konkurrueshmërisë, hapi i ardhshëm është përmirësimi i kushteve të punës. Kështu, qeveritë të cilat punojnë drejt rritjes së pjesëmarrjes së prodhuesve vendorë në tregti ndërkombëtare, shpesh japin si arsyetim edhe përmirësimin e kushteve të punës për punëtorët vendorë në sektorët eksportues.

Mirëpo, në realitet, një pjesë e konkurrueshmërisë më të lartë të prodhuesve vendorë bazohet në prodhim me kosto më të ulët, e cila në shumë raste është rrjedhojë e pagave të ulëta të fuqisë punëtore. Në ekonomitë në mbarë botën, por në vendet në zhvillim në veçanti, gratë përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të fuqisë punëtore të lirë, dhe si rezultat punësimi i tyre rritet, me rritjen e pjesëmarrjes së firmave vendore në tregti ndërkombëtare. Kështu, në shumë ekonomi, së paku në fillimet e rritjes së tregtisë ndërkombëtare, gratë përbëjnë pjesën e konsiderueshme të të punësuarve në sektorët eksportues. Kjo është e vërtetë për dominimin e grave në sektorët e tekstilit nëpër vendet si Bangladeshi. Kjo po ashtu është e vërtetë edhe për vendet të cilat eksportojnë prodhime bujqësore, sektorë tradicionalë në të cilët gratë dominojnë.

Në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, eksportet sipas kapitujve me nivelin më të lartë në Kosovë nëpër vite janë: (i) Hekuri dhe çeliku, (ii) Lëndët djegëse minerale, (iii) Plastika dhe artikujt e tyre, (iv) Artikujt prej hekurit dhe çelikut, si dhe (v) Xeherorët, ngjyrat dhe hiri. Këto kapituj janë gati ekskluzivisht pjesë e industrive nxjerrëse. Përveç nivelit të ulët të vlerës së shtuar të produkteve që bien në këto kategori, karakteristikë interesante është edhe punësimi në këta sektorë.

Është e nevojshme të ceket se për nga natyra këta sektorë paraqesin punësim të limituar. Përveç kësaj, nga perspektiva e ekonomisë së Kosovës, e fokusuar në aktivitete tregtare, këta sektorë nuk përbëjnë përqindje të madhe të ekonomisë. Si rezultat, analiza e numrit të të punësuarve në këta sektorë, qoftë në total ose si përqindje e totalit, ka pak kuptim – sepse duhet të krahasojmë molla me molla, e dardha me dardha. Mirëpo, në krahasimin e mollëve me molla, analiza e përbërjes së fuqisë punëtore në këta sektorë, është e mundshme.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave, sektori i minierave dhe xeheve, punëson vetëm 1.4% të të gjithë burrave të punësuar, dhe nuk ka të dhëna për gra të punësuara në këtë sektor. Si i tillë, sektori me nivelin më të lartë dhe stabil të eksporteve, punëson ekskluzivisht burra. Vartësia e nivelit të tregtisë në sektorët nxjerrës në vetvete është problematike – duke filluar nga mungesa e qëndrueshmërisë, mungesa e vlerës së shtuar në këta sektorë, por në rastin e Kosovës, problematik është edhe punësimi i limituar, e posaçërisht përjashtimi i grave nga punësimi në këta sektorë.

Në anën tjetër, duke pasur parasysh që në përgjithësi sektorët të cilët stimulohen për të eksportuar janë në kuadër të prodhimit, analiza e përbërjes së fuqisë punëtore edhe në këta sektorë është e nevojshme. Prodhimtaria, si kategori, punëson mbi 15% të burrave të punësuar në Kosovë, krahasuar me vetëm 6% të grave të punësuara. Fokusi i politikave ekonomike dhe tregtare drejt stimulimit të sektorit të prodhimit, duke e forcuar atë në mënyrë që t’i rritet konkurrueshmëria dhe të përmirësohet pjesëmarrja e Kosovës në tregti të jashtme, automatikisht favorizon edhe të punësuarit në këta sektorë. Dhe në këtë rast, bazuar në statistikat e punësimit, nga 44,000 punëtorë të punësuar në prodhim, 90% janë burra.

Aktiviteti ekonomik i grave në Kosovë, jo vetëm punësimi, është problematikë e cila duhet të adresohet nëse kemi për qëllim të arrijmë potencialin real ekonomik të vendit. Mirëpo, qasja duhet të jetë e shumëfishtë dhe të adresojë hendekun në nivele të ndryshme. Duke qenë që në një treg të vogël si ky i joni, prodhimi vendor nuk mund të arrijë ekonomizime të shkallës pa pasur qasje në tregje ndërkombëtare. Si rezultat, fuqizimi i prodhimit vendor, sidomos për t’i stimuluar për të eksportuar, duhet të ketë parasysh edhe aspektin e punësimit, posaçërisht të punësimit të grave. E kjo duhet të bëhet me anë të stimujve ekonomik, fiskal dhe ligjor.

19 prill 2018
10:55

Dita Dobranja