Shkeljet e ligjit gjatë dëbimit dhe procedurave ligjore të ekstradimit ndaj shtetasve turq

Meqenëse ekziston një mjegull e madhe me rastin e dorëzimit të shtetasve turq te autoritetet e shtetit turk, dhe nuk dihet se cila procedurë është zbatuar në rastin e tyre, ajo e dëbimit apo e ekstradimit, më poshtë mund të lexoni opinionin tim lidhur me shkeljet ligjore në rast të zbatimit të këtyre dy procedurave.

01 prill 2018 11:58

I. Lidhur me shkeljet e Ligjit nr. 04/L-219 për të Huajt

Meqenëse shtetasit turq të arrestuar dje dhe të deportuar nga Republika e Kosovës kanë qenë të pajisur me lejeqëndrim të rregullt në shtetin tonë, procedurën dhe kërkesat që duhet plotësuar për t’u pajisur me një lejeqëndrim të tillë nuk do t’i analizojmë fare.

Një shtetas i huaj, konsiderohet se është duke qëndruar në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Kosovës, ndër të tjera edhe nëse nuk ka leje qëndrimi të vlefshëm, i është anuluar apo revokuar lejeqëndrimi. Një ndër arsyet për anulim ose revokim të lejeqëndrimit të lëshuar ndaj shtetasit të huaj, është ekzistimi i rrezikut për rendin publik, sigurinë shtetërore apo shëndetin publik, gjë që është zbatuar në mënyrë të padrejtë në rastin e shtetasve turq. Si është e mundur që këta shtetas turq të pajisen me lejeqëndrim në vazhdimësi, të zhvillojnë aktivitet të ligjshëm në shtetin e Republikës së Kosovës dhe përnjëherë të kthehen në rrezik për rendin dhe sigurinë shtetërore?!

Por edhe sikur ky arsyetim të ishte i vërtetë dhe i bazuar në fakte, Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion, do të duhej të nxirrte një urdhër për largim ndaj të huajit i cili është duke qëndruar në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Kosovës. Një urdhër i tillë do të lëshohej në formë të vendimit, i cili do të përmbante të dhënat personale për shtetasin e huaj i cili është subjekt i largimit, si dhe arsyen e lëshimit të një urdhri të tillë, afatin brenda të cilit i huaji duhet të largohet nga territori i Republikës së Kosovës, pikën e kalimit kufitar nga duhet të kalojë, si dhe afatin e ndalimit të hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës (nëse i shqiptohet një masë e tillë). Urdhër largimi duhet të përmbajë edhe këshillën juridike për ankesë dhe procedurën e ankimimit.

I huaji, i cili është subjekt i urdhrit të largimit, i mundësohet që në mënyrë vullnetare ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës në një afat kohor, i cili nuk mund të jetë më i shkurtë se shtatë (7) ditë dhe jo më i gjatë se tridhjetë (30) ditë.

Në rast se i huaji nuk e lëshon territorin e Republikës së Kosovës brenda afatit kohor të përcaktuar në urdhrin për largim pa ndonjë arsye objektive, ai largohet me forcë dhe ky largim bëhet nga Policia Kufitare e Kosovës.

Mirëpo, me këtë ligj është rregulluar edhe kategoria e të huajve të cilët nuk dëbohen nga territori i Republikës së Kosovës. Sipas këtij ligji, i huaji nuk dëbohet ndër të tjera, nëse ekziston dyshimi i bazuar se i huaji në vendin e origjinës apo në një vend tjetër, do të dënohet me vdekje, do t’i nënshtrohet torturës, trajtimit çnjerëzor e degradues apo dënimeve për shkaqe diskriminuese.

Asnjë rrethanë ligjore nuk ka ekzistuar për deportimin e shtetasve turq nga Republika e Kosovës, dhe në mungesë të arsyeve ligjore për një deportim të tillë, shtetasit turq nuk do të duhej të deportoheshin në Turqi në asnjë rrethanë, sepse ekziston mundësia reale që këta shtetas turq do t’i nënshtrohen torturave, trajtimit çnjerëzor e degradues dhe mund të dënohen për shkaqe të diskriminimit, dhe kjo është vërtetuar nga praktika e veprimit të shtetit turk ndaj kundërshtarëve të presidentit Erdogan në të kaluarën.

II. Lidhur me mos zbatimin e procedurave ligjore të Ekstradimit

Kur një person arrestohet në territorin e Republikës së Kosovës në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga shteti kërkues (në këtë rast Turqia) procedura ligjore për ekstradim të personit të kërkuar do të ishte kjo:

Së pari, ndaj personit të ndaluar dhe arrestuar, në bazë të propozimit të Prokurorit të Shtetit mund t’i caktohet ndonjë masë për sigurimin e pranisë së tij gjatë zhvillimit të kësaj procedure të ekstradimit nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake (dorëzania, arresti shtëpiak, paraburgimi).

Së dyti, shteti kërkues (në këtë rast Turqia) do të duhej që të dërgonte përmes rrugëve diplomatike kërkesën për ekstradim të personit të kërkuar në të cilën do të bëhej një përshkrim i saktë i personit të kërkuar (emri dhe mbiemri, fotografia). Po ashtu kërkesës do të duhej t’i bashkëngjitej urdhër ndalimi (urdhërarresti i lëshuar), si dhe një përshkrim i fakteve mbi bazën e të cilave është kërkuar ekstradimi së bashku me cilësimin ligjor për veprën penale që dyshohet.

Në rast se shteti kërkues në afat prej 40 ditësh nuk dorëzon kërkesë për ekstradim dhe asnjë informacion tjetër lidhur me rastin, procedura e ekstradimit ndaj personit të kërkuar pushohet menjëherë.

Së treti, në rast se shteti kërkues (Turqia) dorëzon kërkesën e plotë për ekstradim, procedura e ekstradimit zhvillohet pranë Gjykatës Themelore, dhe ndaj çfarëdo vendimi të saj lidhur me ekstradim ose jo të personit të kërkuar, palët kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë në Gjykatë të Apelit e cila merr një vendim përfundimtar lidhur me kërkesën për ekstradim.

Në rast se Gjykata e Apelit vendos për ekstradim të personit të kërkuar dhe ndaj këtij vendimi palët nuk kanë të drejtë në ankesë, vendimi përfundimtar për ekstradim ose jo të personit të kërkuar merret nga Ministri i Drejtësisë së Republikës së Kosovës, i cili nuk është i lidhur me vendimin gjyqësor dhe mund të refuzojë ekstradimin e personit të kërkuar.

Së katërti, ekzistojnë disa pengesa për ekstradim të personit të kërkuar të cilat janë të përcaktuara me Konventën Evropiane për Ekstradimin dhe Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale. Një ndër pengesat kryesore për ekstradim janë veprat penale politike. Ndërsa, si pengesa procedurale për mosekstradim të personit të kërkuar janë shkaqet e arsyeshme se personi i kërkuar mund t’i nënshtrohet torturës apo trajtimit mizor, çnjerëzor, poshtërues ose ndëshkimit.

Ekstradimi nuk lejohet nëse ka dyshim të bazuar se kërkesa për ekstradim është bërë me qëllim të ndjekjes ose ndëshkimit të personit për shkak të racës, fesë, gjinisë, shtetësisë, bindjes politike, përkatësisë etnike ose anëtarësisë në ndonjë grup shoqëror.

Shtetasit turq, përkrahës të lëvizjes Gyleniste, e cila lëvizje është kundërshtare politike e presidentit Erdogan, janë të kërkuar për shkak të bindjeve të tyre politike dhe kundërshtimit të politikave udhëheqëse të presidentit Erdogan, e po ashtu si pasojë e kësaj do t’i nënshtroheshin një procesi të padrejtë dhe të anshëm gjyqësor në shtetin turk, prandaj, procedura e ekstradimit të këtyre shtetasve turq në çdo rast do të duhej të refuzohej.

Në rast se shtetasit turq janë ekstraduar duke mos respektuar asnjë procedurë gjyqësore të parashikuar me ligj, ashtu si edhe ka ndodhur në këtë rast, do të duhej që të gjithë personat e involvuar të thirren në përgjegjësi penale, sepse arrestimi dhe dorëzimi i tyre i ngjan më shumë një kidnapimi se sa një arrestimi të ligjshëm të paraparë me dispozita ligjore ndërkombëtare dhe vendore.

 

01 prill 2018
11:58

Agon Rrecaj