Vetëkurthimi: Pse popullizmi nuk është alternativë politike?

19 mars 2018 10:09

Partitë politike në Kosovë e kanë një problem thelbësor e të patejkaluar deri më tani, atë të mungesës së demokracisë brendapartiake, respektivisht të nënshtrimit ndaj lidershipit të ngushtë. Kështu këto mund edhe të cilësohen si lideriste, të centralizuara, klanore, joprogramore, ideologjikisht të paprofilizuara etj. Si rrjedhojë ato ose ndahen me kalimin e kohës ose margjinalizohen deri në masë që shndërrohen në ndërmarrje private e ndjekës militantë përreth liderit. Kjo çka po ndodh tani në Vetëvendosje është vetëm rezultat i simptomave në tërë sistemin tonë partiak. Përshtypja e krijuar se Vetëvendosje është unike dhe krejtësisht ndryshe prej partive tjera doli të jetë e pabazë. Përkundër dallimeve të shumta që ka me partitë tjera, sidomos rreth qëndrimeve e veprimeve thelbësore, Vetëvendosje tani ka hyrë në garën politike me përvojë, qasjen dhe pasoja të ngjashme me partitë e tjera. Parti të cilat më shumë kanë prodhuar oportunistë dhe servilë sesa anëtarë të mirëfilltë, që ndajnë vizionin dhe qëllimet e përbashkëta politike.

Për të kuptuar më mirë zhvillimet si dhe arsyet e ndarjes së VV-së, duhet parë transformimin e saj si dhe elaboruar atë në kontekst të popullizimit. Kjo nuk do të thotë kurrsesi që partitë e tjera janë alternativa më të mira qeverisëse ose që nuk përbëhen nga elementet populliste e jodemokratike. Por, që VV-ja është një rast mjaft ilustrues, sesi suksesi elektoral mund t’i kthehet në bumerang të shthurjes e tkurrjes si subjekt politik. Karakteristikë e partive apo lëvizjeve populliste, është se e perceptojnë  dhe e paraqesin shoqërinë të ndarë në dy grupe antagoniste. Në njërën anë ‘popullin’ si pjesa e pastër dhe ideale të cilën vetëm ata e përfaqësojnë denjësisht, si dhe në anën tjetër janë elitat e korruptuara dhe rrjetet klienteliste përreth tyre, që paraqesin të keqen për ‘popullin’. Ashpërsimi i diskursit politik ndaj kundërshtarëve, simbolika e një uniteti të pathyeshëm, akuzat e vazhdueshme ndaj sistemit dhe ‘tjerëve’ (ndërkombëtarëve dhe grupeve tjera etnike) janë vetëm disa prej indikatorëve të popullizmit. Kujtojmë këtu rastet e Syriza, Alternative für Deutschland, FPÖ, Podemos, Lëvizjes 5 Yje në Itali e shumë parti tjera në Evropë që ndjekin pak a shumë këtë strategji politike për mobilizim elektoral. Sigurisht që VV-ja nuk është identike me shumicën e tyre, por që ligjërimi dhe mobilizimi popullist edhe i VV-së ka ndjekur një trajektore të ngjashme.

Së pari Vetëvendosje u formua si lëvizje shoqërore antisistem e kundër prezencës ndërkombëtare (UNMIK, EULEX) dhe atij politik vendor, duke refuzuar çdo marrëveshje ndërkombëtare që nga Pakoja e Ahtisaarit e deri te e fundit mbi demarkacionin. Gjithashtu nga thirrja për bojkot të zgjedhjeve deri në pjesëmarrje në zgjedhje, pastaj refuzimi i organizimit si parti deri në shndërrimin në parti politike dhe nga kundërshtimi kategorik i bashkëpunimit me parti tjera deri në lidhjen e koalicioneve nga më të ndryshmet, sidomos së fundi në nivelin lokal. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i lëvizjeve/partive populliste, që haset edhe në VV, është roli i liderit të pakontestueshëm dhe të plotfuqishëm. Me një retorikë mbresëlënëse dhe me karizëm personal, lideri i VV-së arriti që të jetë figura qendrore që arriti të mobilizojë masën dhe dyfishojë votat. Gjithnjë duke përdor diskursin dhe simbolikën që është tipike për mobilizimin popullist, por duke mos ofruar shpesh opsione e alternativa të duhura për problemet e caktuara. Në kohë krizash, veçanërisht krizë legjitimiteti politik siç është në rastin e Kosovës, këto strategji janë mjaft joshëse dhe premtuese për masën, duke rritur shpresën për ndryshimet e shumëpritura. Mirëpo, politikat e propozuara shpesh, vështirë se mund të realizohen ose janë aq të suksesshme, siç propagandohen nga diskursi popullist.

Duke kultivuar me vite shpresën për ndryshim të sistemit dhe jo vetëm të qeveritarëve aktualë, VV arriti suksesshëm t’i mobilizojë votuesit e zhgënjyer e të frustruar me gjendjen ekzistuese, duke u bërë një parti e gjithëkapshme (catch-all) që përfshin çfarëdo profili kuadrosh e votuesish. Për pasojë çmimi për këtë masivizim ishte lufta e brendshme për pushtet dhe humbja e kohezionit, e që ishte një bombë e kurdisur e cila do të shpërthente herët a vonë. Këmbëngulja për ndryshime e gjeti vetë Vetëvendosjen të ndryshuar, pa përpunuar dhe përshtatur ndryshimet e brendshme e të jashtëzakonshme. Prej një lëvizje shoqërore e të majtës antikoloniale dhe me synim bashkimin kombëtar deri në ‘shpëtimtar’ populli e grumbullues votash të të gjitha ngjyrave e prapavijave politike, Vetëvendosja u vetëkurthua. Në vend të ndryshimit të sistemit, sistemi e ndryshoi përfundimisht atë. Fati i ngjashëm me partitë populliste të majta që patën një rritje spektakolare por shpejt edhe rënie rapide, mund ta presë edhe VV—në, nëse nuk arrin të ndryshojë kursin e vet popullist. Kështu që VV-ja do të duhej të ndërmerrte urgjentisht ristrukturim kuadrosh dhe programi, sikurse edhe të angazhohet që gjuhën dhe strategjinë populliste ta shmangë. Kjo do të ishte jo vetëm e nevojshme për Vetëvendosjen, por edhe shumë e rëndësishme për demokracinë dhe sistemin tonë politik.    

19 mars 2018
10:09

Bekim Baliqi