Bukë e shtet

16 mars 2018 10:15

Kosova së fundi e ka festuar dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë plot shkëlqim, siç edhe i ka hije, me paraqitjen e ambasadores së nderit, Rita Ora. Ambasadorja e nderit është një grua e re familja e së cilës emigroi në Britaninë e Madhe kur ajo ishte vetëm pesë vjeç. Rita është këngëtare e njohur botërisht.

Do të doja të shkruaja edhe pak për Ritën dhe për prindërit e saj. Unë nuk i njoh, por do të provoj t'i analizoj vendimet e tyre në bazë të asaj që di, prandaj edhe ju lutem që të mos ma shihni për të madhe nëse, për shkak të mungesës së informacioneve, bëj ndonjë gabim.

Prindërit e Ritës e kanë pasur fatin e keq të linden dhe të rriten në Ballkan, në një territor i cili ishte i dënuar me skamje, krizë, konflikte, protesta dhe në fund edhe me luftë. Kishin ardhur në përfundim, me plotë të drejtë, se e ardhmja e fëmijëve të tyre do të jetë shumë më e mirë në Britani, dhe prandaj kishin vendosur të emigrojnë. Besoj se ky nuk ishte vendim i lehtë për ta, e edhe Rita ka përmendur shpesh nëpër intervista se famlija e saj me të ardhur në Britani është ballafaquar me skamjen. Por, bash siç ndodh në shtetet me rregulla, prindërit e Ritës me mundin dhe punën e tyre arritën që fëmijëve të tyre t'u ofronin jetë normale dhe të bukur. Besoj se këtë e dëshiron edhe çdo prind fëmijët e të cilit ende jetojnë në Ballkan, por se gjërat në Ballkan nuk funksionojnë ashtu.

Nëse meren deklaratat e politikanëve kosovarë, fitohet përshtypja se momentalisht problemi më i madh në Kosovë është statusi i shtetit. Pa pasur qëllim ta minimalizoj rëndësinë e shtetësisë për prosperitet, besoj se gjërat tjera janë më me peshë për prindërit kosovarë. Për shembull: stabiliteti ekonomik (i cili në kapitalizmin neoliberal do të thotë një rrogë mjaft e madhe e cila do të mundësonte kursime për ato periudha papunësie të cilat janë gati të sigurta), mundësia për shërim cilësor dhe të qasshëm, programet sociale, institucionet funksionale dhe të përgjegjëse, arsimi cilësor, ajri i pastër, ushqimi i shëndoshë. Në botë përndryshe është e pranishme tendenca që suksesi i shtetit të mos matet me bruto produktin vendor por me cilësinë gjithëpërfshirëse të jetesës të cilën shteti u ofron qytetarëve të vet. E kanë kuptuar njerëzit se edhe rroga e madhe edhe sistemi i rregulluar nuk kanë kurrfarë kuptimi nëse jetën ia nënshtroni punës, nëse ushqeheni pashëndetshëm dhe thithni helme. E kanë kuptuar se është e rëndësishme të jetohet dinjitetshëm. Ballkani është larg nga ajo fazë, e faktin se mirëqenia e qytetarëve nuk i intereson fare elitës politike e shfrytëzojnë kapitalistët e huaj të cilët Kinën e kanë zëvendësuar me Serbinë, Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë, Kosovën. Përpara popull - – fuqia më e lirë punëtore në botë! Nxjerrje yndyre për pak para! Të drejtat e punëtorëve nuk ekzistojnë, e nëse ekzistojnë në letër, gjyqësia është e korruptuar, kështu që s'ka telashe! Po, po, e keni parë mirë. Edhe shtetet e Bashkimit Europian janë në listë sepse, për çudi, as ai anëtarësim magjik nuk nënkupton jetë dinjitoze.

Para pak kohe një mik i imi në Facebook i luti shokët e tij që në shpërblimet “BRIT“ (industria britanike e fotografisë çdo vit u ndan artistëve shpërblime "BRIT" për kontributin e tyre në muzikën pop) të votojnë për Dua Lipën (Dua Lipa është këngëtare angleze, tekstshkruese dhe modele), sepse, po citoj: “ Fitorja e Duas sot, do të thotë se Europa do të na dojë nesër “, aty luajti me fjalën Dua. Ky punon në një institucion qeveritar dhe në njërën prej agjencive donatore më me ndikim në Kosovë (jam mjaft e sigurtë se këtu ka konflikt interesi, por nuk jam e thirrur të vendos për këtë). Të ardhurat e tij mesatare mujore shkojnë mbi dy mijë euro. Udhëton vazhdimisht nëpër Europë dhe në botë, fëmijët e tij studiojnë jashtë vendit, dhe do të thosha se ëshë njeri shumë i lumtur. Pse mesazhi i tij drejtuar njerëzve në Kosovë do të ishte e orientuar drejt Dua Lipës, drejt një vajze tjetër të suksesshme, prindërit e së cilës sikur ata të Ritës gjatë viteve të nëntëdhjeta emigruan në Britani që Dua të mund të kishte jetë të bukur dhe të lumtur? E kam analizuar me shumë kujdes profilin e tij në Facebook dhe nuk kam gjetur asnjë fjalë të lidhur me punën e tij. Arsyen përse personi në fjalë ka zgjedhur të shkruajë për Duan, e kanë të qartë me mijëra të rinj të cilët çdo vit largohen nga Kosova. Por duket se Hashim Thaçi, për shembull, nuk e ka të qartë. Ai konsideron se arsyeja e vetme përse të rinjtë largohen nga Kosova është mungesa e liberalizimit të vizave, derisa faktorët e tjerë siç është papunësia e madhe vendos ta shpërfillë.

Por, të kthehemi te statusi i lartpërmendur nga Facebook-u. Ç'është ajo që duhet të bëjë Kosova që ta dojë Europa? Që Dua dhe Rita të marrin më shumë shpërblime? Unë jam plotësisht e sigurtë se Europa e adhuron Kosovën, por se qytetarët dhe qytetaret e Europës e duan veten më shumë, dhe se për vete duan punë të paguara mirë, bursa në universitete, pensione dhe pagesa sociale, prodhime të lira të cilat me standarde europiane i prodhojnë banorët e Kosovës me mezi dyqind euro në muaj.

Dhe a do t'ua shihni për të madhe? Unë nuk mundem. Nuk mund t'ua shoh për të madhe as të gjithë atyre njerëzve që kanë vendosur të largohen përgjithmonë.

Të gjithë atyre të cilët veten dhe jetën e tyre e kanë vënë përpara rrëfimeve helmuese për nacionalizmin, politikanët e korruptuar dhe në fund për betejën për shtet. Por, ekziston edhe një problem i cili ka të bëjë me shtetin. Politikanët, të dehur me jetët dhe gënjeshtrat e tyre luksoze, kanë harruar se njëri prej elementeve përbërëse të shtetit është - popullsia.

Se a ka shtet pa njerëz dhe se kujt do t'i këndojë Rita në vitin 2028 na mbetet të shohim.

 

16 mars 2018
10:15

Marija Stankovic