Kriza e legjitimitetit dhe rrethi vicioz politik

Recension i librit “Republika në Udhëkryq” Logos A , 2017 nga Gëzim Selaci

26 shkurt 2018 09:49

Çka është burimi i legjitimitetit të klasës politike?- Kjo do të ishte pyetja thelbësore, që autori nga këndvështrimet dhe trajtat e ndryshme, shtron në shkrimet rreth legjitimitetit dhe demokracisë në këtë libër.

Nëse lufta e kaluar, pavarësia dhe integrimi evropian janë tre meta-narrativat dhe kredencialet kyçe të klasës politike për vizionin e tyre, kjo sipas Gëzimit, çon detyrimisht në një krizë legjitimiteti politik. Sepse, bazohet më shumë në “ëndrrat” e liderëve dhe në “dëshirat” sentimentale të masës për të kaluarën e lavdishme, sesa në nevojat e kërkesat reale të qytetarëve. Kështu, ky synim për t’u legjitimuar është a priori kalkulim për vota e miratim publik sesa themel i ndërtimit të një “marrëdhënie legjitime” ndërmjet qeveritarëve dhe të qeverisurve. Vërejtjet mbi defektet e legjitimitetit nga autori janë mjaft të hershme, meqenëse këto qysh në shkrimet nga viti 2009 i thekson, vërejtje të cilat janë aktuale dhe të vlefshme akoma.

Legjitimiteti nuk buron vetëm nga rezultatet e dala nga kutitë e votimeve e as nga hulumtimet e opinionet. Sepse kjo do të thoshte që e gjithë demokracia të reduktohet në garë të thjeshtë elektorale dhe diktat numrash, duke fundosur masën kritike dhe nevojën për angazhim qytetar. Sikurse edhe të anashkalohet fakti që abstenimi në zgjedhje dhe rezultatet me pakënaqësinë ndaj qeveritarëve vazhdon të jetë shumë i lartë. Së këndejmi, sipas Selacit, kjo krizë e legjitimitetit demokratik mund të zgjidhet përmes një kontrate të re politike. Një kontratë e cila do të siguronte se qytetarët nuk do të manipulohen përmes agjendave të shpikura qeveritare dhe kauzave si bie fjala Demarkacioni, Asociacioni, Evropianizimi apo çfarëdo çështje e cila paraqitet si jetike dhe esenciale për ekzistencën dhe të ardhmen e vendit. Por, një kontratë e cila mundëson raporte të shëndosha shtet-shoqëri, qeveri-qytetar pa ndërmjetësimin e ambasadave, OJQ-ve, militantëve partiakë e sekserëve të çfarëdo specie. Rreziku tjetër për demokracitë vjen nga ata që ofrojnë zgjidhje të shpejta, thjeshta e përfundimtare, me qëllim të kënaqin veshët e masës së padurueshme. Duke rrëshqitur ngadalë por sigurt drejt regjimit autoritar. Prandaj nevoja për legjitimitet është një përpjekje e vazhdueshme e aktorëve politikë që përmes ndërveprimit me shoqërinë te ofrojë zgjidhje të mirëfillta e qëndrueshme për kërkesat dhe idealet e tyre. Strukturat e partive ekzistuese, të cilat kryesisht legjitimitetin e tyre e bazojnë në të kaluarën e tyre personale e jo në politikat publike dhe në veprat e tashme.

Pa ndryshimin e burimit të legjitimitetit, nuk do të ndryshojnë as partitë, as politika e as Republika, e cila tash e sa kohë gjendet në udhëkryq. Kështu që, çështja e legjitimitetit demokratik është thelbësore për të kuptuar dhe analizuar marrëdhëniet mes qeverive dhe të qeverisurve, respektivisht mes shtetit dhe shoqërisë. Ky libër na nxit për një reflektim te mirëfilltë dhe na fton për debat të gjerë rreth këtyre premisave.               

                                                    

26 shkurt 2018
09:49

Bekim Baliqi