Dekonstruktimi i elitës politike kosovare - Elitat kurrë më afër - komunitetet kurrë më larg

Metodologjia e gishtit’’

30 janar 2018 10:53

Çështja e marrëdhënieve ndërmjet elitës dhe popullit është prej çështjeve më të rëndësishme të një shoqërie moderne. Ajo çështje dhe ajo marrëdhënie kanë peshë të posaçme, e sidomos për shoqëritë të cilat janë në tranzicion dhe akoma më shumë për shoqëritë pas konfliktit siç është ajo e Kosovës.

Le të jemi të sinqertë e para së gjithash seriozë, elita politike kosovare nuk ekziston. Ka shumë arsye për këtë: para së gjithash elitën politike e përbëjnë njerëzit nga jeta politike e një komuniteti politik dhe shoqërie në përgjithëse veprimtaria e së cilës bazohet në vlera demokratike, parime të altruizmit, etikë të përgjegjësisë ndaj qytetarëve të cilët i përfaqësojnë dhe për interesat e të cilëve do të duhej të përkushtoheshin. Arsyeja tjetër e rëndësishme është mungesa e një elite integrale, të mos them homogjene politike. Ajo është e ndarë sipas parimit etnik, shpeshherë edhe fetar, mu ashtu siç i ka hije një shoqërie qytetare europiano-perëndimore apo jo?

Ç'është ajo e cila do ta konstituonte elitën politike kosovare? Kjo është konsenzusi politik rreth asaj se si do të duket e ardhmja e Kosovës.  Për disa e ardhmja tashmë ka mbërritur në formën e ’’realitetit të ri’’, të tjerët jetojnë në të kaluarën, e ca të tjerë nuk pajtohen as me të parët as me të dytët rreth asaj se si ka qenë ajo e kaluar, derisa të katërtit do të donin t'ju shpjegonin mirë e mirë edhe të kaluarën edhe të ardhmen. E ju ende mendoni se ekziston elita politike kosovare?

Prandaj, për hir të së vërtetës, edhe pse jetojmë në këtë shoqëri të pas së vërtetës ku secili e ka nga një ide të vetën, do të duhej të bënim fjalë për elitat politike kosovare, megjithëse ato nuk janë diçka e tillë. Gjithsesi duhet folur në shumës, qoftë edhe duke e gënjyer veten dhe të tjerët se ato janë elita, megjithatë jetojmë në atë botë të pas së vërtetës, dhe që të ms jemi ne në Kosovë jashtë saj, në këtë mënyrë do të jemi më afër të vërtetës. Do t'i quajmë elita thjesht për të mos i quajtur ndryshe sepse me çdo cilësim tjetër futemi në fushën e jokorrektësisë politike të cilën, për hir të mirësjelljes, do ta shmangim tash për tash. Jam shumë i bindur se shumë shpejt, dhe atë në nivel global, kjo fushë do të jetë dalja e vetme nga kjo botë e pas së vërtetës, natyrisht për ata që duan të shikojnë të vërtetën drejt në sy. Besoj se shumicës i kanë shkuar në mendje vetëm këto ’’elitat tona’’ por krahas këtyre vendore, etno-nacionale, fetare, ekziston edhe një elitë, hiç më pak jokonstruktive, ndërkombëtare apo e ashtuquajtura ’’prania ndërkombëtare’’.

Marrëdhëniet ndërmjet këtyre elitave shpeshherë kanë ndikuar në tërësinë e marrëdhënieve politike dhe shoqërore në Kosovë. Kësisoji, ato përbëjnë një instrument të dobishëm kontrolli të gjendjes në terren, mund të sjellin qetësim të tensioneve, normalizim të marrëdhënieve, krijim të bazave të qëndrueshme për bashkëjetesë, dhe në fund për zhvillim në tërësi. Po ashtu, ato mund të përdoren edhe për të ashtuquajturin ’’kaos të kontrolluar’’, që na sjell tek përfundimi se ne qytetarët ishim, dhe ende jemi, pjesë e një eksperimenti shoqëror të ’’makiato diplomatëve’’(Martin Heipertz, Macchiato Diplomacy) të cilët edhe sot e kësaj dite i mbajnë frenat e lëvizjeve politike në Kosovë, derisa gjerbin makiatot e tyre duke e përcjellur me komentin se moti s'kishin pirë një të tillë.

Për një gjë më duket se mund të pajtohet shumica: këta njerëz nuk jetojnë në botën e përditshmërisë kosovare; ata janë në njëfarë dimensioni paralel apo thënë thjesht, ata janë njerëz të tëhuajsuar. Të tëhuajsuar nga populli i vet të cilin e përfaqësojnë dhe për të mirën e të cilit duhet të luftojnë, sepse këtë mbase do të duhej ta bënin elitat. Kështu që, ata as që e dinë, dhe nuk besoj se mërziten fort, se si në fakt jeton një njeri i rëndomtë në Kosovë, pavarësisht se cila elitë bëhet kinse e mbron apo përkushtohet për interesin e tij. Të gjithë e dimë se ai njeri jeton vështirë dhe pasigurtë në një konflikt absurd me më të afërmit e tij (ne në Ballkan e dimë më së miri se ai gjithmonë është fqinji), në kufi të ekzistencës, se fëmijët i sheh përmes Skype-it, se brengoset nëse do ta kuptojnë nipërit kur të nisin të flasin, se jeton në njërën prej pjesëve më të pazhvilluara të Europës e cila është më e ndotur se qytetet e stërngarkuara industriale të Azisë.

Dhe me gjithë këtë situata të pashpresë në të cilën gjendet, ai prapëseprapë ka mjaft forcë që çdo ditë të parashtrojë pyetje lidhur me atë se si është e mundur që kemi ardhur në një situatë kaq absurde dhe si është e mundur që kemi dalur kaq jointeligjentë. Pyetjet e përditshme pa përgjigje janë të rrezikshme dhe mund të bëhen sfidë për elitat në majë, prandaj ato gjithmonë përpiqen të japin përgjigje. Ato në të vërtetë nuk janë shumë përgjigje, por është vetëm një përgjigje. Kur e mendoj më mirë, ajo në fakt nuk është as përgjigje, por është vetëm një gisht, një gisht i kthyer drejt atij të cilin e kemi më të afërm. Ai fqinji ynë bëhet përgjigjja e të gjitha pakënaqësive tona, përgjigjja e krejt fatit tonë të keq. Ai tjetri, ai është përgjigjja për paaftësinë e tyre, shpeshherë analfabetizmin, për korrupsionin dhe amoralitetin e tyre, për pangopshmërinë e tyre dhe, para së gjithash, për servilizmin e tyre politik, sepse mundeni në të njëjtën kohë të kujdeseni edhe për të mirën e qytetarëve edhe të atyre të cilët nuk dinë asgjë për atë popull përveç se jetojnë në një territor rreth të cilit ata kanë interesa të caktuar.

Kjo dikotomi interesash është pikërisht arsyeja themelore përse nuk kemi elitë, në fund ata mbase disi do t'ia dilnin të mirreshin vesh ndërmjet tyre dhe t'i tejkalonin vijat e tyre të kuqe etno-fetare të paqena, por duket thuajse nuk u lejohet ta bëjnë një gjë të tillë. Deri atëherë, e vetmja gjë për të cilën do të pajtohen elitat politike është metodologjia e gishtit, e kthyer drejt atij tjetri vetëm që njerëzit të pushojnë së parashtruari pyetje dhe së menduari.

 

 

 

30 janar 2018
10:53

Stefan Filipovic