Ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve - ku janë punëtorët?

Pika themelore e konfliktit të identiteteve shoqërore në Kosovë është etnike. Do të ishte naive të befasoheshim me këtë, duke marrë parasysh konfliktin e derivonshëm i cili nga forma e manifestuar ka kaluar në atë latente. Por mu ashtu, do të ishte e trishtë të mos luftonim për të drejtat e shumë identiteteve të tjera shoqërore që të bashkëekzistojnë në mënyrë të barabartë, sepse pikërisht kjo betejë është çelës për tejkalimin e konfliktit në fjalë. Duke marrë parasysh vendimin e politikës së jashtme të autoriteteve në Prishtinë që Kosovën ta pozicionojnë në periferi të kapitalizmit botëror (emëruesi i përbashkët të cilin e ndajnë me kolegët e Beogradit), grupi shoqëror i cili përgjëron për pozicionim më të qartë dhe njohjen e të drejtave janë punëtorët (dhe ata të cilët pa sukses përpiqen të bëhen të tillë).

22 janar 2018 10:16

Kur kam ardhur në Kosovë më është dhënë një identitet parësor pa më kërkuar të deklarohem në lidhje me të. Isha serbe, shkinë, edhe pse për mua është shumë me rëndësi, ta zëmë, që jam studente, e majtë, aktiviste. Kurrë nuk kam pasur një marrëdhënie veçanarisht të fuqishme ndaj identitetit tim kombëtar, më konkretisht gjithmonë kam konsideruar se ndonjë identitet tjetër shumë më shumë tregon për atë se kush jam dhe si e shoh botën. Por, njerëzit për mua kanë supozuar gjëra të mira dhe të këqija në bazë të etiketës të cilën madje as vetë nuk e kam zgjedhur dhe ishte e çuditshme dhe interesante të ballafaqohesha me këtë. Por përderisa për mua si person i cili këtu është vetëm mysafir ky ishte ekperiment shoqëror i llojit të vet, për njerëzit të cilët jetojnë në një shoqëri të tillë kjo përbën përditshmërinë.

Pse është kjo me rëndësi? Cila është pasoja e futjes së qytetarëve kryesisht brenda kategorive kombëtare? Autoritetet në Prishtinë i shfrytëzojnë tensionet etnike si justifikim të përshtatshëm për ta larguar vëmendjen nga problemet strukturore të Kosovës – standardi i ulët i jetës, sistemi i shkatërruar i mbrojtjes sociale, korrupsioni dhe krimi, shkelja e të drejtave të punëtorëve, papunësia, sistemi i dobët arsimor dhe shëndetësor. Ekziston një qëndrim i fuqishëm brenda shoqërisë se me njohjen formale të pavarësisë nga Serbia, Kosova në mënyrë magjike do të bëhet shtet funksional. Në anën tjetër, raportin e kolegëve të tyre nga Beogradi karshi nevojave të qytetarëve dhe të punëtorëve të Kosovës më së miri e ilustron deklarata e ministrit për punë, punësim dhe çështje sociale, Aleksandar Vulin, për rëndësinë e shkuarjes në Kosovë për ledhatimin e Graçanaicës.Çdo përpjekje e Qeverisë së Serbisë për t'i mbrojtur të drejtat e punëtorëve në Kosovë është i orientuar ekskluzivisht drejt një grupi etnik - serbëve, dhe në të vërtetë shërben për korrjen e poenëve politikë në lojën e Brukselit ku njëri humb që të fitojë tjetri (zero sum game). Fakti që politika e klasifikimit të qytetarëve të Kosovës në grupe etnike dhe trajtimi i tyre në përputhje me këtë ndarje përgjatë historisë edhe e ka sjellur Serbinë në pozicionin ku është sot – është muhabet në vete.

Nëse për një çast i lëmë mënjanë meta(narrativat) e mëdha nacionale, dhe i kthehemi jetës reale të përditshme në Kosovë, situata është si vijon. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2016 vetëm 28% e popullsisë së moshës 15- 64 vjeç është e punësuar. Në këtë grupmoshë nga kjo shifër janë të punësuara vetëm 12,7% e grave. Përveç kësaj, metodologjia e EUROSTAT-it e cila përdoret për të ardhur deri te këto statistika me „të punësuar“ nënkupton çdo person i cili në javën kur grumbullohen këto të dhëna është paguar për një orë të punës, në para apo natyrë. „I punësuar“ është edhe çdo person i cili kryen punë pa pagesë në ekonomi familjare nëse i kontribuon biznesit të cilin e drejton anëtari tjetër i asaj ekonomie familjare. Personi i „punësuar“ mund të ketë kontratë mbi vepër, kontratë për kryerjen e punëve të përkohshme dhe të kohëpaskohshme apo mund të mos ketë kontratë fare. Nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në Kosovë më shumë se një çerek, apo 26,3% nuk kanë kurrfarë kontrate, dhe rrjedhimisht as ndonjë mbrojtje të duhur ligjore. Në kuadër të atyre të punësuar të cilët punojnë me kontratë, 70,5% nuk kanë kontratë të përhershme të punës. Kur të anketuarit e punësuar u pyetën nëse mund t'i realizonin të drejtat e tyre në vendin e punës, pra nëse i gëzojnë të drejtat e mbrojtjes sociale, 3,6% kanë dhënë përgjigje pozitive. Shkelje të mëdha të të drejtave të punëtorëve vërehen në sektorin joshtetëror, ku punëtorët janë të detyruar të durojnë paga të parregullta e të vogla, punë jashtë orarit për të cilën nuk paguhen, nuk kanë të drejtë të garantuar me ligj për pushim vjetor, pushim mjekësor dhe pushim të lehonisë, nuk kanë sigurim shëndetësor dhe social, kryejnë punë të cilat nuk janë të parapara me kontratë të cilën e kanë nënshkruar, kanë frikë të organizohen nëpër sindikata.

Është e tepërt të thuhet se një situatë e tillë është e papranueshme. Kushtet për punë të dinjitetshme janë e drejtë e çdo qytetari dhe obligim i shtetit. Ky është njëri prej themeleve për jetë të lumtur sepse krahas përmbushjes së nevojave ekzistenciale puna e dinjitetsjme është burimi i identitetit të individit, të përmbushjes dhe të vetërespektit të tij.

Këto nuk janë probleme të cilat në mënyrë të izoluar prekin një bashkësi etnike. Dihet se ekzistojnë nivele të shtresimit të shoqërisë kosovare të cilat s'kanë të bëjnë me ato etnike, megjithëse elitat udhëheqëse nga të dyja anët me paramendim këmbëngulin se të vetmet dikotomi të cilat kanë rëndësi janë ato nacionale. Konflikti vazhdimisht ushqehet në relacionin „elita udhëheqëse – elita udhëheqëse“ dhe „elita udhëheqëse – bashkësia“, dhe krejt kjo me qëllim të kalimit të kësaj në nivelin „bashkësia – bashkësia“ dhe vijës së fundit të largimit të vëmendjes së qytetarëve nga problemet e tyre të njëmendta.

E ashtuquajtura elita kompradore, gjenezën e së cilës e shpjegon kolegu Rron Gjinovci, nuk ka kurrfarë interesi që të ndodhë ndonjë ndryshim në këtë mekanizëm. Prandaj ajo duhet të vijë nga poshtë. Qytetari është ai obligimi i të cilit është ta ngjallë ekzistencën e identeteve të ndryshme në shoqëri dhe t'u jap zë të eksploatuarve sepse në atë linjë do të mësohet interesi real i përbashkët ndërmjet pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme në luftën kundër padrejtësisë së institucionalizuar shoqërore. Nuk është se konsideroj që në kontekstin e Kosovës kjo mund të bëhet lehtë, qoftë për shkak të pasoja të tmerrshme personale dhe humbjeve që i ka sjellur lufta, qoftë për shkak të (meta)narrativava të internalizuara të përmendura më parë. Por për hir të jetës së përbashkët të cilën pashmangshëm do ta çojmë së bashku në Kosovë, është me rëndësi të ngritemi përtej ndarjeve të imponuara nacionaliste ndërmjet „neve“ dhe „atyre“, sepse ato nuk e pasqyrojnë, por e fabrikojnë realitetin.  

22 janar 2018
10:16

Ema Stepanovic