Rrëfimi për personazhin sui generis, për punën dhe ëndrrat në një mjedis sui generis

07 dhjetor 2017 14:46

Para se, siç kërkojnë rregullat, të kalojmë në thelb, është e nevojshme të jepen disa shpjegime për personazhin sui generis të këtij rrëfimi po aq sui generis (plebes së rëndomtë, që më mirë njihet me emrin e vjetër serb OPED).

Personazhi ynë është soji i cili korr sukses vetëm në territoret postkonflikti dhe nuk është për t'u habitur që ka të ngjashëm me të anembanë kësaj bote të papërsosur. Këtu do të flasim për sojin endemik nga Kosova meqë kemi pasur nderin të jemi dëshmitarë të drejtpërdrejtë të bitisjes së tij në këtë mjedis sui generis. Por të themi disa fjalë më shumë për të.

U shfaq, si këpurdha pas shiut, menjëherë pas përfundimit të studimeve në vendin e tij të origjinës. Ka studiuar marrëdhënie ndërkombëtare (apo diçka të ngjashme) në Fakultetin e Asgjësë Praktikisht (FAP) dhe meqë nuk mund të gjente punë (shih, shih) në vendlindjen e tij, jo vetëm demokratike por edhe ekonomikimisht të fuqishme, e nuk donte të merret profesionalisht me punë postare (thjesht ky profesion nuk i dikuj mjaft interesant, e ai kishte përfunduar FAP-in dhe më shumë ia donte zemra të shpërndante dashuri, paqe dhe tolerancë anembanë botës se postë) vendosi që ka më shumë leverdi nëse qëllimin e ekzistencës e gjen në OKB, EULEX dhe në misione e organizata të tjera në Kosovë.

Gjithsesi, personazhi ynë nuk ka menduar të kalojë më shumë se dy vjet në këtë xhep të Europës. Kosova do të duhej të ishte vetëm një pikë kalimthi, një pikë ekzotike në biografinë e tij (jo Havai ekzotike por Kristofer Li ekzotike – Sarumani nga Mbreti i Unazave, luftoi kundër gjermanëve në Luftën II Botërore ekzotike), të cilën do ta kujtonte me njëfarë nostalgjie romantike nga zyra e tij në Nju Jork apo Bruksel. Për fat të keq, u mashtrua. Vitet kalonin, e ai vazhdonte të rrinte këtu. Puna në postë gjithmonë ishte alternativë, por sa herë që mendonte për t'u kthyer në shtëpi i kujtohej se ka edhe shumë gjëra të rëndësishme për të bërë në Kosovë. Demokratizimi, liberalizimi, toleranca, pajtimi, ngritja e vetëdijësimit, korrektësia politike, eurointegrimet, fuqizimi i grave... eh, qe, neve, plebenjve të thjeshtë, tashmë na dhemb koka vetëm nga numërimi i disa prej temave me të cilat ai merrej përditë duke shkruar raporte shumë, ama shumë të rëndësishme.

Më 27 tetor, personazhi ynë përsëri u ndie i gjallë, një lajm i papritur ’’Katalonia shpall pavarësinë“ shkaktoi reagim të pazakonshëm në organizmin e tij. Zemra nisi të rrahë më shpejt, duart u dridhën, buzëqeshja e ëmbël iu shfaq në fytyrë dhe pa humbur kohë e mori të lirë pjesën tjetër të ditës sepse duhej të shkruante një raport shumë, ama shumë të rëndësishëm.

Zgjidhjen e të gjitha problemeve të tij e kishte mu ato. Më në fund i gjithë universi ishte bërë bashkë që t'i ndihmonte ta arrinte atë që vërtet e dëshironte. E pa veten në Barcelonë, si pjesëtar të misionit të paqes i cili do të punojë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet katalonëve dhe spanjollëve, për ballafaqimin e tyre me të kaluarën, për ngritjen e vetëdijesimit si dhe për gjëra të tjerë shumë, ama shumë të rëndësishme të cilat në këtë moment seç nuk i binin në mend. Ah, çfarë gjërash të mrekullueshme do të bënte ai atje për njerëzimin (dhe për një pagë të mirë sipas standardeve europiane), dhe poashtu nuk do ta kishte vështirë, në një vend aq të mrekullueshëm, me arkitekturë të mahnitshme, me plazhe, diell, me liri (mhm, mhm) dhe ai atje do të lulëzonte, e ç'është më e rëndësishmja, edhe njerëzimi bashkë me të. Ç'raportesh do të shkruante ai! Po ato do të ishin raporte mbi raporte, ndoshta në nder të tij do të ndanin edhe Çmimin Nobel për raportin më të mirë të paqes.... Oh, sa shumë mundësi.

Por, fati përsëri luajti me personazhin tonë. (Në sfond dëgjohet Rekuiemi i Mozartit). NJET-i historik i shembi ëndrrat e këtij personazhi fatkeq. Kësaj radhe ai erdhi nga vetë djepi i të drejtës për vetëvendosje, nga Xha Sami i mirë plak: „Vetëvendosja sui generis është vetëvendosja e vetme e njëmendtë. Pra, vetëvendosja pa prefiksin sui generis nuk është vetëvendosje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Departamenti i Shtetit konsideron se aktualisht nuk i plotësoni kushtet për arritjen e saj, pra Independecia es social justicia - no passaran, apo që të kuptoni të gjithë NJET. Paqe në botë, peace up“ 

Personazhit tonë nuk ka nevojë t'i thuhet dy herë, se ai megjithatë e ka kryer FAP-in. E shtriu shilten e tij të jogës, u kthye drejt diellit që po lind: „Çakra, energjia kozmike, dashamirësia, krijoi versionin e pësosur të vetes sime, se zoti është gjithçka, e unë jam zot… E nesër është ditë e re, e ai raport duhet të shkruhet, e të gjithë e dimë sa e rëndësishme është paqja në botë, dhe përndryshe edhe rroga kosovare sipas standardeve të BE-së disi duhet të arsyetohet.“

 

___________________

***Autorja e këtij teksti është shumë mirënjohëse për ekzistencën e këtij soji frymëzues endemik, dhe me këtë rast premton publikisht se nëse një ditë fiton Çminin Nobel për OPED, paratë e atij çmimi do t'i investojë në themelimin e organizatës për mbrojtjen dhe ruajtjen e këtyre personazheve të vogla të cilët barrën e krejt njerëzimit e bartin mbi supet e tyre të plogështa duke shkruar raporte shumë, ama shumë të rëndësishme.

07 dhjetor 2017
14:46

Milica Radovanovic