Në #MeToo jemi edhe ne

Qendra Kosovare për Studime Gjinore

05 dhjetor 2017 11:36

Si asnjëherë më parë, debati për ngacmimin seksual sot është top-temë globale.

Nuk kalon ditë pa u publikuar ndonjë lajm, hulumtim, analizë dhe kritikë për këtë fenomen. Orteku medial nuk ka të ndalur.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, regjisorë të suksesshëm, aktorë të jashtëzakonshëm dhe gazetarë të famshëm, por edhe politikanë me ndikim, po përballen me akuza për ngacmime seksuale, disa prej të cilave kanë ngjarë disa dekada më parë.

Edhe në Europë janë publikuar akuza të tilla ndaj personaliteteve të njohura.

Janë dy arsye kryesore për të cilat është duke ndodhur kjo: drejtësi për viktimat, ndonëse me vonesë, si dhe shndërrim në leksion brutal i kësaj praktike, me qëllim që të ndikohet në parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen.

Ngacmimi seksual është formë e diskriminimit që bazohet në gjini. Nuk ndërlidhet ekskluzivisht me aspektet fizike dhe biologjike, por rëndësi të veçantë u dedikon roleve hierarkike shoqërore dhe institucionale.

Akti i ngacmimit seksual është manifestim i qartë i raporteve të pabarabarta të pushtetit dhe domosdoshmërisht e imponon relacionin e dominimit, prandaj jo gjithmonë ka të bëjë vetëm me të përjetuarit e kënaqësisë seksuale nga ky veprim.

Ngacmuesit në vendin e punës zakonisht mbajnë poste të larta dhe e përdorin autoritetin për vendimmarrje mbi aspektet që kanë ndikim të rëndësishëm në karrierën e të punësuarve, ose dëshirojnë të ushtrojnë pushtet dhe kontroll ndaj viktimës.

Në anën tjetër, viktimat tipike janë ato që nuk kanë pushtet për vendimmarrje, ndodhen në pozita të cenueshme ose të pasigurta, u mungon vetëbesimi për të reaguar dhe janë më të prira të vuajnë në heshtje.

Ndonëse është krijuar në vitin 2006 nga aktivistja Tarana Burke, thurja (hashtagu) #MeToo në tre muajt e fundit është përmendur nga miliona gra në rrjetet sociale për të treguar se kishin vuajtur ngacmime seksuale ose sulme seksuale. Gratë nga e gjithë bota i kanë postuar në rrjetet sociale me dhimbje dhe zemërim historitë personale të ngacmimeve seksuale ose sulmeve seksuale. Në shumë vende të botës, njerëz me ndikim në fushat e aktivizmit, kulturës, mediave dhe politikës, në mënyra të ndryshme iu kanë bashkëngjitur betejës për ta luftuar këtë dukuri.

Bashkimi nën ombrellën e #MeToo ndodhi për ta luftuar stigmatizimin që iu bëhet shumicës së grave të cilat flasin publikisht për këtë çështje, si dhe për të ndërtuar mekanizma mbështetës që janë të një rëndësie parësore në kërkimin e zgjidhjeve për parandalimin dhe eliminimin e ngacmimeve seksuale.

#MeToo është një marsh virtual i solidaritetit që nënkupton harmonizimin e gjerësishëm për gjetjen e zërit të përbashkët kundër dukurisë së ngacmimit seksual.

Në Kosovë, përpos aktivisteve për të drejtat e njeriut dhe aktivisteve për të drejtat e grave në veçanti - rrallëherë edhe të politikaneve, nuk ka pasur ndonjë thirrje të fuqishme nga faktorët tjerë për eliminim dhe parandalim të ngacmimeve seksuale.

Janë hartuar ligje dhe rregullore të shumta për funksionimin e institucioneve të cilat tashmë janë duke u zbatuar, mirëpo fusha e ngacmimit seksual ka mbetur e patrajtuar nga këto ligje dhe akte nënligjore. Rrjedhimisht, nuk ekzistojnë mekanizmat institucionalë që do ta luftonin këtë dukuri.

Për më tepër, nuk ekziston asnjë institucion publik që të ketë zhvilluar politika kundër ngacmimit seksual në vendin e punës. Si pasojë e një gjendjeje të këtillë, kemi një numër të vogël të rasteve të paraqitura, përkundër, siç konsiderohet realisht, shtrirjes shumë më të madhe të kësaj dukurie.

Vetëm gjatë vitit të fundit në media u publikuan disa lajme lidhur me ngacmimin seksual në institucionet publike, përfshirë këtu edhe Universitetin e Prishtinës.

Cenueshmëria e grave është vërtetuar edhe nga statistikat zyrtare për shërbimin civil, të cilat tregojnë se gratë zakonisht mbajnë pozita të ulëta në këtë shërbim, gjë që i bën më inferiore ndaj eprorëve të tyre burra.

Një tregues tjetër i ngacmimit seksual që i vendos gratë në pozitë të pafavorshme, madje edhe para se ato të punësohen, janë shpalljet për vende të lira të punës të cilat janë shumë diskriminuese nga aspekti gjinor.

Deri më tash, në ministritë e Qeverisë së Kosovës, apo në zyrat që janë në varësi të tyre, nuk ka pasur ndonjë raportim lidhur me numrin e rasteve të ngacmimit seksual në vendin e punës. Duket se trajtimi i kësaj problematike kufizohet vetëm me ekzistencën e ndonjë dispozite ligjore dhe nuk ka hapa konkretë për ta trajtuar më specifikisht në rregulloret e këtyre institucioneve, duke parashikuar masa disiplinore në përputhje me këto ligje, apo ndonjë politikë konkrete që do ta parandalonte ngacmimin seksual në vendin e punës.

Për këtë problem heshtet, ndërkohë që të dhënat e hulumtimeve empirike e vërtetojnë ekzistencën e ngacmimit seksual në vendin e punës.

Janë të pakta studimet e mirëfillta dhe sistematike të kushteve të punës dhe të raporteve gjinore në vendet e punës dhe të kushteve të punës në ndërmarrje private apo në ato publike në Kosovë. Nëse duam ta analizojmë gjendjen e grave dhe burrave sa i përket tregut të punës, nuk mund mbështetemi vetëm në dy tregues - punësimin dhe papunësinë. Edhe pse këta janë dy tregues shumë të rëndësishëm, duhet të plotësohen edhe me treguesin e arritjes së standardeve ndërkombëtare lidhur me kushtet e punës.

Një hulumtim i realizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore e ka dëshmuar nevojën e krijimit të Ligjit kundër Ngacmimin Seksual në Vendin e Punës, si dhe nevojën për përpilimin e politikave të veçanta kundër ngacmimit seksual në vendin e punës.

Projekti të cilin jemi duke e realizuar aktualisht mëton të sigurojë përkrahje nga të gjitha palët e involvuara në procesin hartimit të ligjit me qëllim të përmirësimit të gjendjes së tanishme.

Miratimi dhe implementimi i ligjit dhe politikave kundër ngacmimin seksual do të finalizonte infrastrukturën ligjore dhe do të plotësonte punën që është bërë deri më tash për zbatimin e Ligjit për Barazinë Gjinore dhe Ligjit Kundër Diskriminimit.

Më e rëndësishmja është të krijohen mundësitë që punonjësit në Kosovë të njihen me përkufizimin e “ngacmimit seksual në vendin e punës”, llojet e ngacmimeve dhe definimin e sjelljeve të patolerueshme, që më pastaj të kenë mundësi të raportimit dhe reagimit institucional.

Përkushtimi i përbashkët i mekanizmave shtetërorë dhe shoqërisë civile do të rezultojë që në shoqërinë dhe institucionet kosovare ngacmimi seksual të identifikohet dhe të sanksionohet maksimalisht.

___________________

Ky artikull është shkruar si pjesë e fushatës 16 ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore: “Të mos e lëmë askënd prapa: Ndal dhunën ndaj grave dhe vajzave”. Artikulli mbështetet nga programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC. Artikulli është përgjegjësi e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore dhe nuk pasqyron pikëpamjet e Qeverisë Amerikane, Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID apo Qendrës së Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.

05 dhjetor 2017
11:36

Luljeta Demolli