E kuqe, e zezë

29 nëntor 2017 15:09

28 nëntori, si rëndom, festohet edhe në Prishtinë. Sheh gjithandej flamuj me shqiponjën dykrerëshe bizantine, e dëgjon himnin me një muzikë të komponuar nga një rumun, dhe me një tekst të adaptuar nga një rumun tjetër. Shqiptarët kanë virtualitet të falsifikuar. Dhe 28 nëntori, festohet në falsitetin e inautenticitetin e pritshëm. Virtualiteti nuk përkthehet në realitet, dhe dashuria për kombin në festë, nuk përkthehet në një angazhim të sinqertë të përditshëm.

Ajo që kujtohet nga kjo festë, është ‘privilegji’ i të qenit pjesë e këtij kombi, me një të kaluar heroike të paraardhësve, dhe me shpresat e papërcaktuara për të ardhmen. Dhe, si për çdo komb tjetër, mjeti përmes të cilit përjetohet kjo ditë është narrativa. Në epigrafet e ngurta e të pandryshueshme të kësaj narrative ndryhet një konceptim organik e romantik i nacionalizmit. I përjetimit të kombit. Ndryhet të menduarit e vetes si entitet natyral e ahistorik. E ato që nënvizohen si arritje kombëtare në këtë ditë feste, ndërtohen në relacion ndaj të tjerëve. Asnjëherë nuk kemi një arritje të përmendur në relacion me veten. Një arritje që do të shtronte kërkesën për arritje të tjera. Dhe do ta bënte identitetin e supozuar kombëtar të qarkullueshëm.

E si kategori në raport me trajtimin që merr çështja e kombit, ndoshta më shumë e fshehur se e nënrenditur, është edhe ajo e gjinisë. Roli i saj, megjithatë është thelbësor në konstruktimin dhe kultivimin e imagjinatës për kombin, dhe ngjarjeve historike të së kaluarës e të së tashmes që ndërlidhen me të. Duke qenë kështu, narrativa kombëtare ndërlidhet ngushtë me simbolikën, fatin dhe trupin e gruas. Por, ky rol në narrativë është i nënkuptueshëm dhe gratë rrallë e hiç marrin një rol vendimtar. Ato janë figurante të thjeshta, që bëjnë atë që ‘organikisht’ presupozohet se bëjnë. E kjo e zbulon një tjetër ndryerje të këtij narracioni, pak më periferike, por gjithsesi vendimtare. Meqë feminizmi mësyn çeljen e ndryerjeve të tilla ose identiteve të ngurta e të shtypura, të cilat krijojnë apo/dhe mirëmbajnë raporte të zhdrejta pushteti dhe binarizojnë identitete të vendosura në pozicione antagoniste, a mund të ketë një përafrim me nacionalizmin? 

Folëm pra për konceptin e stërvjetëruar të kombit me të cilin operojnë shumica e shqiptarëve. Ai është ‘i natyrshëm’, ‘organik’, pakashumë i ngjashëm me rolin dhe organizimin që i ngarkohet familjes biologjike. Kësisoj, narrativa kombëtare konstruktohet në analogji me raportet familare, në kohën kur shoqëritë bashkëkohore duke ekonomizuar pushtetin, në funksion të së mirës së përgjithshme, e kanë relativizuar rolin e familjes. Duhet përmendur këtu nji institucion të ngjashëm përbashkues – kanunin, i cili konstrukton relacione krejtësisht familjocentriste. Mirëpo, familja pengon qarkullueshmërinë e vlerave, dhe e prioritetizon veten ndaj të përbashkëtës. Pra, kombi shqiptar e zbehë kësisoj aspektin qendror të tij, atë politik. Dhe është në të kundërt të konceptimit modern të kombit, i cili është i lidhur me bujqësinë, vlerat, ekonominë, ushtrinë etj. Një shqiptar i rëndomtë beson që kombi është përtej tyre. Dhe si rrjedhojë, edhe përtej barazisë gjinore.

Territori është atdheu ose mëmëdheu, ndërsa populluesit e tij janë bijtë dhe bijat. Mëmëdheu është ‘zoja e rëndë’ me moral, si në vargjet e Pashko Vasës. Por, poashtu e brishtë si në vargjet e Asdrenit. E pastër dhe e përsosur si në vargjet e Gjergj Fishtës. Por e rrezikuar si te “Atdheu dhe Dashuria” e Çajupit. Bijtë janë ata që i dalin zot. Ata që rriten për ta mbrojtur nga rreziku i jashtëm, ata që nuk “frikohen, por vdesin dhe bëhen dëshmorë për të.” Bijat e kombit, përjashto ndonjë rast aty-këtu, fshihen në ndonjë varg të vetmuar dhe kanë rol krejtësisht të parëndësishëm. Mbase, për shkak se roli i tyre mendohet si thjesht riprodhues, dhe moralmbajtës. Ajo e humbë kuptimin, sapo del përtej këtij roli.

Pra, kontrolli, forca, e pushteti i mbeten burrit. Trupi i grave shërben si simbolikë, i rëndësishëm në virtualitet, por që e pëson keq në realitet. Trupi i grave kontrollohet ashtu që kombi të shtohet kur ka nevojë. Ato poashtu duhet të mos mund të krijojnë lidhje me anëtarë të grupit tjetër kombëtar, sepse kështu lëkunden kufijtë kombëtar. Në të kuqen e flamurit, është i simbolizuar gjaku – i cili duhet të jetë i pastër. Në raste lufte, duke synuar çnderimin kombëtar, burrat e kombit tjetër cenojnë integritetin trupor dhe pastërtinë e gjakut duke kryer dhunime.

Memorja kolektive mbi kombin kultivohet në atë mënyrë që të nënvizohen eventet që lidhen me luftën, mbrojtjen apo sundimin e kombit tjetër. E në rastin tonë, krejtësisht vetëm me mbrojtjen. Prandaj, konservimi ngulmues i vlerave të vjetra, i primitiviteteve merr kuptim. Rrezikimi i dinjitetit nga dominimi i një agresori të jashtëm duhet të mbrohet përmes operacioneve ushtarake për të cilat gratë shihen si të papërshtatshme. Pjesëmarrja e grave në luftë është minimale dhe roli i tyre është anësor. Prezenca e tyre në këto ambiente të mbipopulluara nga burrat paragjykohet.

Në fund, kur pavarësia kombëtare arrihet, nevojat dhe synimet e grave anashkalohen. Ato pak gra të cilat kanë marrë pjesë në luftë stigmatizohen dhe nuk nderohen barabartë me burrat. Shumicë burrash përfaqësojnë një tërësi kombëtare nëpër tavolina negociatash, e roli i grave në rindërtim është sërish riprodhimi biologjik. Diskriminimi i tyre në raport me trashëgiminë në pronë, apo të drejta të tjera vazhdon. Dhuna në familje mbetet problem kronik. Sepse narrativa për kombin, i anashkalon këto çështje si triviale. Siç e thamë më herët, raporti me veten anashkalohet. Vetja, kombi, merret si i përkryer. Procesi i përsosmërisë ka përfunduar diku në pakohë, dhe krejt çfarë mbetet është konservimi. Ashtu siç tentohet të konservohen normat patriarkale të cilat e theksojnë brishtësinë, e pastërtinë e nderit të grave. Nevoja për një vetëkritikë, për qarkullim vlerash, shihet si diçka e cila nuk e prek atë narracion.

Ndonëse nacionalistët tentojnë që sfidat me bazë gjinore e të tjera të përfaqësohen nga sfidat kombëtare, problemet e grave refuzohen dhe paragjykohen nga anëtarët e brendshëm të shoqërisë. Për shembull, pasi që është stigmatizuar gruaja e dhunuar gjatë luftës deri në atë masë sa viktimat hezitojnë të deklarohen, brenda Parlamentit të Kosovës paragjykohet se ato do të mund të keqpërdorin fondin e ndarë për to, duke u paraqitur kinse kanë qenë viktima.

Në anën tjetër, nacionalizmi kontribuon në dobësimin e marëdhënieve të grave të kombësive të ndryshme, duke ua pamundësuar luftën e përbashkët ndaj problemeve të përbashkëta, dhe bashkëpunimin për arritjen e qëllimeve të përbashkëta që lidhen me barazinë gjinore.

Në kushte socio-politike apo ekonomike të postmodernitetit shtrohet pyetja nëse nacionalizmat krijojnë vështirësi për gratë? Poashtu, ekzistenca e një entiteti homogjen me referencë në strukturën e familjes biologjike shihet si i dëmshëm dhe kontribuon në mirëmbajtjen e kësaj strukture dhe vlerave që i janë atribuar, nga një synim i cili i takon modernitetit. Në këto kushte, a është e mundur që lëvizja feministe të bashkohet në qëllimet kombëtare nën një synim të përbashkët? Qëndrime pro dhe kundër ka në mesin e feministeve. Mbizotërojnë ato kundër. Por ajo që dihet dhe duhet të synohet është të paktën tejkalimi i dihotomisë dhe analogjisë patriarkale, si dhe përfshirja e grave në procese të rëndësishme shoqërore. Në anën tjetër, nga feministet kërkohet mirëkuptimi i ‘armiqve’ përtej patriarkalizmit, meqë ashtu si burrat, edhe gratë vuajnë nga shtypja me bazë kombëtare. 

29 nëntor 2017
15:09

Donjeta Demolli