Edukimi seksual për të rinjtë shkon përtej shëndetit fizik

14 nëntor 2017 15:47

Nevoja për edukim seksual gjithpërfshirës e ka një bazë me tri pika të forta. Së pari, të rinjtë kosovarë e fillojnë në moshë shumë të re aktivitetin seksual. Së dyti, manifestojnë sjellje me rrezik të lartë për shkak se nuk dinë ta mbrojnë shëndetin e tyre. Së treti, dhe më e rënda, ka shumë raste kur konteksti brenda të cilit të rinjtë kanë marrëdhënie seksuale është i pavullnetshëm. Arsyeja pse unë dhe aktivistë të shumtë duan edukim gjithpërfshirës seksual është sepse e kemi parë rrezikun e lartë të problemeve emocionale te të rinjtë, sidomos vajzat. Është më se e qartë se ata nuk dinë sa duhet për trupin, kontrollin, dhe seksin në përgjithësi, dhe kjo ju shkakton mundime.

Të rinjtë kosovarë, pa dallim me të tjerët, ballafaqohen me vendime të rëndësishme shëndetësore. Mirëpo, studimet tregojnë se shumica e adoleshentëve nuk e kanë njohurinë që ju duhet për t’i marrë këto vendime me përgjegjësi. Kur këto vendime prekin shëndetin seksual, ata nuk kanë burime lehtë të qasshme profesionale, çka i bën ata të cenueshëm ndaj koercionit, infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe shtatzanive të padëshirueshme.

Se sa shumë ka mungesë të njohurisë seksuale e dëshmon platforma e këshillimit online Nuk Je Vet, ku nga mbi 20 mijë pyetje sa ka në databazën 7 vjeçare të saj, rreth 40% nga ta janë pyetje për trupin, për seksin, për zhvillimin seksual. Këto pyetje janë në të shumtën e rasteve të shoqëruara nga një nivel shumë i lartë i stresit, të cilin të rinjtë e shprehin në mënyra anonime, duke na bërë të ditur që, të mos pasurit informacion për trupin e tyre, posaqërisht vajzat e reja, kanë nivel tepër të rritur të ankthit. Ato janë vazhdimisht tepër të preokupuara me virgjërinë, e dinë shumë pak rreth saj. Në asnjë mënyrë nuk janë për t’u fajësuar – stigma ka prodhuar mosdije. Ne jemi të vetëdijshëm mbi qëndrimet e raportimet e kosovarëve për virgjërinë, mbi të cilat është shkruar edhe më parë në sbunker.

60% të këtyre përdoruesve që kërkojnë këshillim janë të moshës 18-25 vjeç. Krejt çka ata kërkojnë është qasje për njohuri bazike e herë herë edhe më të avancuara, mbi trupin e tyre, seksualitetin, mënyrat e mbrojtjes, e proceset tjera përcjellëse. Ata janë të privuar nga këto njohuri qoftë në rrethin familjar qoftë në të gjitha nivelet e edukimit nëpër të cilat ata kalojnë. Arsimimi i tyre shkollor, i mbështetur krejtësisht vetëm në dhënie e marrje të fakteve, nuk ju ka zhvilluar shkathtësitë e kërkimit e përdorimit të informacionit në mënyrë efektive e kritike, për ta moderuar pastaj sjelljen e tyre në bazë të njohurive që kanë në dorë. Të rinjtë kanë nevojë për informacion mbi praktikim të sigurtë të seksit, njësoj sikur kanë nevojë mbi informacionin se si të hanë shëndetshëm. Kanë nevojë të zhvillojnë besimet e tyre mbi atë se çka është e drejtë dhe çka e gabuar për ta, duke u mbështetur në burime profesionale.

Në të kundërtën, stigmatizimi dhe heshtja rreth këtyre problemeve, e ka një rezultat tipik - turpërimi nga sjelljet tona, orientimi e identiteti seksual, e deri te infeksionet e sëmundjet. Kjo çon në edhe më shumë heshtje, në më pak informacion, e pastaj në edhe më shumë sjellje me rrezik të lartë. Rrethi është vicioz. 

T’i kthehemi të dhënave nga databaza e platformës Nuk Je Vet. Më e rëndësishmja çka kam kuptuar, është se më të ndjeshme dhe më të rrezikuara nga mungesa e edukatës seksuale janë vajzat, të cilat njëherësh përbëjnë pothuajse 70% të totalit të përdoruesve të kësaj platforme.

70 për qind!

Ato përballen shumë më shumë me paragjykime nga shoqëria dhe stigmatizim, që i çon shpesh në vendimeve të dëmshme për shëndetin e tyre fizik dhe mendor. Shumë nga to, shpesh ndajnë në këtë platformë përvojat e tyre të hidhura mbi detyrimin për t’ua dëshmuar partnerëve se janë të virgjëra, rrjedhimisht “të ndershme”. Shumë nga ta i kanë detyruar të bëjnë qepje të himenit. Shumë nga to ju janë bindur. Në pyetje e sipër, shumë të reja rrëfejnë se si mbrojtjen ua lënë në duar krejtësisht partnerëve të tyre, dhe varen nga ta për sigurinë e tyre seksuale. Këto situata në vetvete janë mjaft për ta rrënuar shëndetin mendor të dikujt, së pari duke rritur tej mase nivelin e stresit, ankthit, e deri në mendime e tentativa për vetëvrasje. Kjo është dhunë sistematike ndaj vajzave e grave të reja, e cila ushqehet nga stigma dhe mosdija njëlloj.

Përderisa stigma është edhe më e vështirë për t’u shpërbërë, të paktën, në edukim seksual gjithpërfshirës, mbrojtja e trupit dhe reagimi kur kontrolli personal është në rrezik janë pika kyçe.

Më tutje, qëllimi i programeve gjithpërfshirëse të shëndetit seksual nuk ka të bëjë vetëm me uljen e sjelljeve me rrezik të lartë, apo uljen e stigmës dhe rëndesës sociale tek të rinjtë.Përfshirja e të rinjve në programe gjithpërfshirëse të edukimit seksual jo vetëm që i mundëson ta mbrojnë shëndetin e tyre fizik, por gjithashtu mirëqenien dhe integritetin trupor e mendor. Dhe për shkak se programet mbi edukimin gjithpërfshirës seksual janë të bazuara në principet e të drejtave të njeriut, ato e avancojnë barazinë gjinore dhe të drejtën e të rinjve për fuqizim, si vlerë e shtuar.

Realiteti është që shumë vajza e djem, burra e gra të reja në Kosovë eksplorojnë realitetin e tyre seksual me shumë pak informacion sigurues, edhe nëse publikisht nuk e pranojmë. Duke e ditur këtë, dhe duke e parë çdo ditë nivelin e shqetësimit të tyre nga mungesa e dijes e mospërgatitja, unë e di që pak gjëra janë më urgjente sesa mësimi i të rinjve dhe posaqërisht të rejave, si të mbrojnë trupat dhe mendjet e tyre.

 

14 nëntor 2017
15:47

Rreze Hoxha