Shoqëri të mosbesimit

31 tetor 2017 15:50

Sondazhi Shoqëror Evropian (European Social Survey – ESS) është një nga sondazhet më të mëdha që organizohen në kontinentin evropian. Sondazhi zhvillohet periodikisht në shumicën e shteteve evropiane dhe në Izrael dhe përfshin aspekte të shumta të jetës shoqërore e politike të evropianëve.

Kemi fatin që vala e ESS-së për vitin 2012 përfshiu Kosovën dhe Shqipërinë. Nga ESS-ja mund të mësojmë për aspekte të ndryshme të opinioneve shoqërore në shtetet shqiptare. Përveç kësaj, për shkak se kemi të bëjmë me një sondazh mbarevropian, të gjitha rezultatet mund t'i shohim në plan krahasues. Në këtë seri planifikoj që kohë pas kohe të eksploroj aspekte të ndryshme të opinioneve që dalin nga ESS-ja.

Për sot do ta shikojmë çështjen e mirëbesimit. Studimet e ndryshme e nxjerrin mirëbesimin (trust) midis qytetarëve me një korrelacion të lartë me indikatorë të shumtë të tjerë shoqërorë, ekonomikë e institucionalë, duke përfshirë që nga efektiviteti i institucioneve, cilësia e demokracisë, e deri te mirëqenia ekonomike dhe zemërgjerësia e programeve sociale. Ndër të parët që ngriti çështjen e mirëbesimit në agjendën e shkencave shoqërore ishte Robert Putnam me studimin e tij Making Democracy Work (1993). Në këtë studim, Putnam e lidhi çështjen e besimit me atë që e mbiquajti kapital shoqëror (social capital). Për Putnam-in, kapitali shoqëror ishte një "kapital" i paprekshëm që shprehej në formën e lidhjeve qytetare (civic) në mes të qytetarëve përmes organizimit asocional. Sipas Putnam-it, shoqëritë me dendësi më të madhe asocionale: aty ky qytetarët ishin anëtarë të më shumë klubeve, shoqatave dhe organizimeve të tjera me karakter qytetar (civic), mirëbesimi ndërqytetar ishte më i lartë, ndaj edhe demokracia dhe shteti ishin më efektiv. Putnam këtë e demonstroi me rastin e Italisë, ku jeta shoqërore asocionale më e pasur në veri të vendit prodhonte një qytetari më aktive dhe një demokraci më funksionale se në jug, ku qytetarët ishin më pak të organizuar në linja qytetare dhe si pasojë kishin më pak besim në njëri-tjetrin dhe në institucione publike.

Së fundi, çështjen e mirëbesimit e ka marrë si qendrore epidemiologu Richard Wilkinson, i cili çështjen e mirëbesimit e lidh me pabarazinë ekonomike. Ai argumenton se pabarazia është shkak i reduktimit të mirëbesimit në shoqëri, ndër efektet tjera negative që i krijon për shumicën e pjesëtarëve të shoqërisë. Grafiku i mëposhtëm i cili shfaq korrelacionin midis variablës së mirëbesimit dhe pabarazisë në të ardhura është dhënë më poshtë. Këto të dhëna njerrin një pasqyrë tashmë të njohura në nivel të shteteve të avancuara kapitaliste e demokratike, të shoqërive me "mirëbesim të lartë" (high trust), që përfshin shtetet nordike, me vendet me "mirëbesim të ulët" (low trust), që janë kryesisht ato të Evropës jugore. Vendet kontinentale, ish-britanike, SHBA-të dhe Japonia bien diku në mes.

Image

Sondazhet tregojnë se kryesisht, shkalla e mirëbesimit bie dukshëm për vendet në zhvillim. Në rastin e Kosovës dhe Shqipërisë, ESS e dëshmon këtë bindshëm. Në Kosovë, 49% të respondentëve shprehen negativisht për besimin ndaj të tjerëve. Në Shqipëri, ky nivel arrin në 60%. Nga ana tjetër, më pak se 15% e respondentëve shprehen se kanë besim tek të tjerët.

Image
 
Image

Se këto nivele janë ndër më të ultat në Evropë tregon grafiku më poshtë, i cili liston shtetet dhe kategoritë më të mëdha përbrenda tyre. Shqipëria nxen vendin e parë në Evropë për nga nivelet e mosbesimit. Siç pritet, ajo dhe Kosova janë në shoqëri me shtetet e Evropës jugore dhe të tjera ish-komuniste: Portugalia, Qiproja, Bullgaria, Sllovakia, Rusia dhe Ukraina. Interesant është se edhe shtetet baltike, Estonia dhe Letonia, qëndrojnë më mirë në këtë pikëpamje se shtetet tjera të Evropës lindore dhe jugore.

Image

Çfarë interpretimi mund t'i japim kësaj? Natyrisht, intepretimet varen si nga korniza interpretuese, ashtu dhe nga ajo se si e trajtojmë mirëbesimin si variabël, një faktor përcaktues, apo pasojë e rregullimeve tjera institucionale. Aq më tepër kur mirëbesimi matet përmes metodës deklarative të sondazhit.

Putnam do të thoshte se mosbesimi është shenjë se këto shoqëri vuajnë nga mungesa e lidhjeve qytetare, çfarë rezulton në demokraci të brishtë dhe shtete jo-efektive. Të tjerë, si p.sh. Charles Tilly, mirëbesimin nuk e konsideron si shkak por pasojë të proceseve historike shoqërore e institucionale të ndërtimit të autoriteteve publike. Përvojat historike me shtete autoritare e struktura shoqërore represive bëjnë që besimi në autoritete publike dhe në marrëdhënie private të jetë më i ulët.

Autorë që ndjekin këtë linjë p.sh. argumentojnë se mirëbesimi i ulët shoqëror në shtetet e Evropës lindore është rezultat i natyrës së ish-regjimit. I bazuar në represion politik përmes policive sekrete, ai shpesh mobilizonte lidhjet shoqërore për qëllime spiunimi. Në këto shoqëri, vetëmbrojtja detyronte që dyshimi ndaj motiveve të të tjerëve të ishte gjithmonë i lartë. Autoritarizmi i regjimeve komuniste gjithashtu parandaloi zhvillimin e kapitalit shoqëror të formës së Putnamit, sepse në këto regjime ndaloheshin organizimet shoqërore të pavarura. Pas rënies së komunizmit, futja e marrëdhënieve të tregut, përfshirë korrupsionin e lartë, bëri pak që të ndryshojë kjo situatë. Ndonëse një intepretim i tillë mund të vlejë për shumicën e vendeve ish-komuniste, ajo vihet në sprovë nga shtetet baltike, ku e kaluara e sundimit sovjetik nuk duket të ketë lënë shenja të thella në nivelet e mirëbesimit.

Tilly preferon që mirëbesimi të mos merret si një variabël e përgjithësuar, e shprehur në formë të një qëndrimi deklarativ (attitude), por e vështruar në format e ndërveprimit shoqëror. Prandaj Tilly preferon që në vend të mirëbesimit të përgjithësuar të flasim për rrjete të mirëbesimit (trust networks). Në rrjete të mirëbesimit, besimi nënkupton gatishmërinë që njëri/a t'ia besojë tjetrit/ës të mirat, pasurinë, shëndetin, fatin e vet apo të fëmijëve të saj/tij ndaj riskut të keqpërdorimit. Rrjetet e mirëbesimit mund të jenë të shumëllojshme dhe të bazohen mbi lidhje familjare, etnike, fetare, komunitare, profesionale, regjionale etj.

Tilly thotë se regjimet dallojnë për nga mënyra se si historikisht i kanë integruar rrjetet e mirëbesimit, që mund të kenë strukturë dhe funksion të ndryshëm. P.sh., në shoqëri ku mirëbesimi në institucione publike është i ulët, rrjetet e mirëbesimit mund të funksionojnë përmes lidhjeve familjare ose të patronazhit. P.sh., në një regjim klientelist, nuk është se mungon mirëbesimi në tërësi, por se lidhjet e mirëbesimit funksionojnë që të mirat materiale e simbolike nën kontroll të pushtetit politik t'i shpërndahen njerëzve brenda rrjeteve ku mirëbesimi midis pjesëtarëve funksionon si mekanizëm përjashtimi për të tjerët, siç funksionon p.sh. një klikë ose taraf. E dimë që rrjetet korruptive shpesh funksionojnë në këtë mënyrë. Brenda rrjeteve korruptive mirëbesimi midis pjesëtarëve duhet medoemos të jetë i lartë, por ai është në funksion të qëllimeve perverse.

Në këtë pikë, Tilly puqet me Putnam në idenë se një demokraci nuk mund të funksiojë pa një integrim të pjesshëm të rrjeteve të mirëbesimit në zhvillimin e politikave publike dhe në mirëbesimin e qytetarëve se pushteti është në funksion të një interesi publik. Në shoqëri ku rrjetet e mirëbesimit janë të organizuara në kundërshtim me synimet e autoriteteve publike, këto të fundit gjithmonë do të jenë më pak legjitime e më pak efektive.

Dosido, fakti që mirëbesimi ndërqytetar është kaq i ulët në shoqëritë shqiptare nuk mund të merret si indikator i mirë.

31 tetor 2017
15:50

Besnik Pula