Dështimi jonë i përbashkët në mbrojtjen e viktimave të dhunës

22 tetor 2017 13:55

Përkundër rritjes së vetëdijes për këtë temë, dhuna në familje vazhdon të mbetet problem madhor për shoqërinë tonë. Edhe nëse nuk njohim dikë që jeton nën ushtrim të dhunës fizike, mendore apo seksuale, mjafton t’u hedhim një sy lajmeve të përditshme dhe do të ndeshemi me raste të shumta të raportuara gjithandej Kosovës. Disa prej tyre, edhe pse me bazë të plotë ligjore, nuk janë procesuar për udhër mbrojtje, duke përfunduar edhe në fatalitet. Paaftësisë së sistemit, ndërkaq, i ka kontribuar edhe heshtja publike e mbështetur në mendësinë fajësuese.

Reagimet e sistemit të drejtësisë ndaj problemit të dhunës në familje janë të pamjaftueshme. Policia dhe gjyqësori nuk i trajtojnë me efikasitet rastet e tilla. Sipas raportit të OSBE-së në vitin 2011, për dhunën në familje, gjykatat kanë dështuar në shqyrtimin e kërkesave për urdhër të mbrojtjes për shumë javë, madje në disa raste edhe me muaj, dhe rrjedhimisht, i kanë lënë shumë persona nën kërcënimin e dhunës.

Dhuna në familje në publik ende cilësohet si problem familjar, si çështje private, në të cilën nuk duhet të ndërhyhet. Në këtë mënyrë vazhdojmë të kemi një mospërputhje mes asaj se çka viktimat përjetojnë si dhunë dhe atë se çka akterët e gjyqësorit e konceptojnë si vepër penale. E rezultatet e kësaj ‘mospërputhjeje’ po shprehen në probleme të pariparueshme.

Rasti i Zejnepe Bytyqit është shembull tipik i neglizhencës së autoriteteve të drejtësisë, e cila ka arritur deri në atë pikë, sa raportimet e saj për ndihmë janë injoruar mbi 15 herë. Burri i saj, një- kohësisht edhe dhunuesi, është arrestuar disa herë nga policica vetëm për t’u liruar pas disa ditëve, me arsyetimin se nuk do të përsëriste më dhunë mbi gruan. Por në tetor të vitit 2015, Zejnepja vdiq nga 20 goditje me thikë, nga burri i saj.

Është fakt që dhunuesit kërcënojnë viktimat për të qëndruar të heshtura. E vërteta tjetër e hidhur është se edhe kur gratë mbledhin pak guxim për të raportuar rastin, fjalët e tyre shkojnë në vesh të shurdhër. Siç ka ndodhur me rastin e Diana Kastratit, rast të cilin Gjykata Kushtetuese e cilësoi si shkelje të të drejtave të njeriut me vendimin të cilin e nxori në shkurt të 2013-tës, duke gjetur që shteti ka dështuar të sigurojë mbrojtjen e saj edhe përkundër që kushtet për ketë mbrojtje ishin plotësuar.

Çështja është se çfarë fshihet pas qëndrimit neglizhent të gjyqësorit, pra, si ndodhë ky fenomen? Mangësitë e shumta në mbarëvajtjen e proceseve janë të ndërtuara mbi arsyetimet se ka numër të madh të lëndëve, dhe numër të vogël të stafit nga ana e gjyqësorit. Pra, institucionet gjyqësore janë inkompentente për ta kryer punën e tyre – edhe pse e dinë çka i pengon në këtë proces.

Injorimi i thirrjeve për ndihmë nga gratë në rrezik vjen kur policia, prokuroria e edhe gjykata, nganjëherë duan ta luajnë rolin e ‘rojës së paqes’, e mbajtësve të harmonisë familjare, duke e pranuar dhunën me pretekstin se për hir të fëmijëve duhet të durohen shumë gjëra. Prokurorët dhe gjyqtarët në një mënyrë përpiqen të "pajtojnë" burrat abuzivë me partnerët e tyre – viktimat – pra, gjithmonë duke supozuar se fëmijët nuk mund të rriten pa dy prindërit. Këtë fenomen e ka përfshirë edhe OSBE në raportin e vitit 2012, bashkë me disa mangësi tjera të Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje (LIGJI Nr. 03/L-182).

Sa herë që policia dështon të akuzojë një keqtrajtues, sa herë që një rast hidhet poshtë nga prokuroria, sa herë që kthejmë kokën në anën tjetër ndaj shenjave të mavijosura të dikujt që e njohim, e bëjmë më të lehtë për abuzuesit që të përsërisin ato veprime. Duhet të kujtojmë se dhuna në familje është një krim i rëndë që duhet trajtuar si i tillë. Siç i shohim si tepër të papranueshme sulmet ndaj ndonjë zyrtari, apo ngasjen në gjendje të dehur, njësoj duhet qasur ndaj rasteve të dhunës familjare.

Pra, një dozë e problemit qëndron edhe te mentaliteti konservativ që është prezent në vendin tonë, në suaza të të cilit lejohen lloj-lloj arsyetimesh, të cilat figurojnë edhe në artikuj medial. Shumë njerëz haptazi thonë që “disa gra meritojnë të rrahen”, dhe shumë të tjerë e konsiderojnë tradhtinë si motiv të pranueshëm.

Përkrahësit e vlerave familjare predikojnë respekt për nënat, por presin që nënat e njëjta të durojnë abuzimet vetëm brenda shtëpive të tyre në heshtje - duke u dhënë abuzuesve hapësirë të bëhen përsëritës të veprave penale dhe duke e përcjellë këtë edhe në gjeneratat që vijnë.

Ndërsa ne të tjerët, duke dështuar të flasim kundër dhunës në familje, e falim atë. E minimizojmë atë. U japim njerëzve të dhunshëm leje për të vazhduar abuzimin e tyre.. Kur ata ia atribuojnë dhunën e tyre gjërave si alkooli ose stresi, e fajësojnë viktimën, duke thënë se ajo e 'provokoi' ose 'meriton' abuzimin – dhe ne nuk flasim, atëherë i pranojmë këto shpjegime që mbrojnë një sjellje të papranueshme.

Edhe sa gra e vajza duhet të ballafaqohen me situata të rrezikshme e abuzive, e mbrojtësit e rendit të dështojnë t’i mbrojnë ato?

Diskutimi duhet të kthehet në efektet që ka dhuna në familje, mbi viktimën, anëtarët e familjes dhe shoqërisë.

E vërteta është se dhuna është zgjedhje e dhunuesit. Asnjë grua nuk është dhe nuk mund të jetë përgjegjëse për veprimet e dhunuesit të saj.

Mbi të gjitha, dhuna në familje nuk është çështje private. Është çështje sociale. Është çështje politike. Mbi të gjitha, është krim, që si çdo krim tjetër i dënueshëm,  e bën të domosdoshëm reagimin tonë.

_____________

Ky shkrim është pjesë e programit "Kërko Drejtësi", financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/INL dhe implementuar nga National Center for State Courts. Përmbajtja e këtij punimi është përgjegjësi e plotë e autores, dhe në asnjë mënyrë nuk reflekton pozicionin e palëve tjera.

22 tetor 2017
13:55

Anita Zeka