Erdogani në Beograd: a është "punë e madhe?"

19 tetor 2017 09:58

Ka pasë reagime nga më të ndryshmet në lidhje me vizitën e Erdoganit në Beograd në fillim të javës. Prej kritikimeve deri te lavdat ndaj “Sulltanit”. Mua çka më bëri përshtypje më shumë ishin reagimet e Vuçiqit, i cili ishte shumë rehat që Erdogani ishte show-man i ngjarjes.

Nëse e analizojmë këtë vizitë vetëm nga ana se çfarë ndodhi atje, kush çfarë tha, atëherë nuk do ta kuptojmë si duhet. Një datë që duhet ta mbajmë mend është 27 nëntori. Do të flasim për të më vonë, por një herë ta shikojmë se çfarë ndodhi tjetër në Turqi gjatë këtyre ditëve.

Gjatë vizitës në Serbi, Erdogani gjithnjë kritikoi Amerikën. Ambasada dhe konsullatat e Amerikës në Turqi e ndërprenë dhënien e vizave për qytetarët turq, jo për shkak të ndonjë ndalimi apo diskriminimi kundër Turqisë, por për shkak se policia arrestoi punonjësin e dytë lokal, turk, të konsulatës. Vitin e kaluar e kishin arrestuar një punonjës në konsulatën në Adana, kurse pas incidentit të parë këtë javë qeveria e Turqisë nxorri një fletë-arrest për punojnësin e tretë turk në misionin amerikan. Atë nuk e gjetën por i arrestuan së pari gruan dhe djalin, ditën tjetër edhe vajzën, si pengje.

Në Turqi është i arrestuar edhe një klerik protestant, Andrew Brunson, me arsyetimin se ishte pjesë e lëvizjes së imamit në Amerikë, Fetullah Gylen. Presidenti Trump kërkoi lirimin e tij në takimin e parë me Erdoganin, por Erdogani në fillim të muajit publikisht tha që do ta lironin Brunson-in nëse Amerika e ekstradon Gylenin, të cilin Erdogani e akuzon për grushtshtetin e vitit të kaluar, dhe për të cilin autoritetet amerikane kanë kërkuar evidencë nga qeveria turke dhe një gjë e tillë ende nuk ka arritur ne Washington DC. Arrestimi i punonjësve turq në misionin amerikan në Turqi nuk mund të bëhet pa dijeninë e Erdoganit. Në mendjen e Erdoganit, ai mund të burgosë amerikanë apo punonjës të misionit të Amerikës, e pastaj t’i shkëmbejë ata me njerëzit me interes të tij.

Në DC dhe Ankara flitet se Erdogani është në pozitë të keqe pasi që nuk ka mundur ta bindë qeverinë e Amerikës ta lirojë iranianin Reza Zarrab prej burgut të Nju Jorkut. Reza Zarrab, iranian me pasaportë turke dhe maqedone, akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash për shtetin e Iranit. Gjithashtu Zarrab akuzohet bashkë me zyrtarë turq, se kanë shkelur sanksionet kundër Iranit. Para disa muajve zëvendës drejtori i Halk Bank u burgos në Nju Jork nën të njëjtën akuzë, si dhe muajin e kaluar, gjykata e Nju Jorkut lëshoi një fletë-arrest për Zafer Caglayan, ish ministri i ekonomisë në qeverinë e Erdoganit. Të gjithë akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe mosrespektim i sanksioneve kundër Iranit. Flitet që Zarrab nuk ka bashkëpunuar me autoritetet amerikane pasi që ka pritur se Erdogani do ta lirojë. Por data e gjykimit po afrohet, 27 nëntori, dhe për këtë Erdogani ka frikë që Zarrab do të bashkëpunojë, e kështu të dëshmojë kundër anëtarëve të familjes së Erdoganit apo edhe atij direkt.

David Ignatius raportoi për Washington Post se në takimin me zëvendës presidentin amerikan, Joe Biden, më 21 shtator 2016, Erdogan kishte folur gjysmën e kohës 90 minutëshe vetëm për Reza Zarrab dhe se si ai duhet të lirohet. Zonja e parë, Emine Erdogan, gjithashtu kishte folur për lirimin e Zarrab me Jill Biden. Ministri turk i drejtësisë, Bekir Bozdag, kishte takuar homologen e tij Loretta E. Lynch dhe kishte kërkuar lirimin e Zarrab. Në dy telefonatat e fundit me Obamën, dhjetor 2016 dhe janar 2017, Erdogani sërish kishte kërkuar lirimin e Zarrabit. Ignatius thotë se është interesant që publikisht Erdogani gjithmonë ka thënë që ka kërkuar nga autoritet amerikane që ta ekstradojnë Gylenin, por shihet që më shumë kohë ka harxhuar duke kërkuar lirimin e Zarrab sesa ekstradimin e Gylenit.

Tanimë të gjithë e dinë që Erdogani është në situatë të rëndë dhe për këtë arsye atij i duhet një fajtor në qoftë se dalin detajet rreth involvimit të tij apo familjes së tij në afera korruptive ose dëshmi të përfshirjes së tij në aferat për zhbllokimin e sanksioneve ndaj Iranit. Ky fajtor, Erdoganit do t’i nevojitet edhe për shkak të ekonomisë. Ekonomia turke është duke shkuar në drejtim të kolapsit total, dhe në qoftë se ndodh ajo, Erdoganit do t’i duhet dikush për fajësuar publikisht. Një gjendje e njëjtë ishte edhe para korrikut 2016 dhe përnjëherë e pamë një show-puç ushtarak që ende nuk e dimë se kush e bëri. Shpjegimet e qeverisë turke janë shumë sipërfaqësore, dhe askënd nuk e kanë bindur.

Po pse është kjo e rëndësishme për ne? Shumë analistë politikë, ndër ta edhe unë, kemi qenë për lidhjen më të fuqishme të Kosovës dhe të Turqisë, gjatë kohës që Turqia nën Erdoganin kishte prioritet Bashkimin Europian, dhe kohë gjatë të cilës Amerika e shihte Turqinë si aleatin më të rëndësishëm në rajon, duke marrë parasysh që Turqia është edhe pjestare e NATO-s. Në politikat për Ballkanin dhe Lindjen e Mesme, Amerika vendosi të punojë me Turqinë, pas debatit në Afghanistan dhe Irak. Për këtë arsye ishte me rëndësi që Kosova të afrohej me Turqinë, jo për shkak të Turqisë por për shkak të aspiratave euro atlantike të saj, që ishin në përputhje me asipratat e Kosovës. Aleancat ndërmjet shteteve bëhen për shkak te vizionit të përbashkët, por kur njëri aleat e braktis atë vizion, atëherë ajo aleancë duhet të rimendohet.

Gjatë kësaj jave Erdogani disa herë tha që Europa dhe Amerika nuk i duhen më Turqisë. Për këtë arsye vizita në Serbi ishte e rëndësishme sepse ajo ishte një mesazh për Amerikën dhe Europën, nga Turqia dhe Serbia së bashku: ‘Edhe pse nuk duhemi aq shumë ne do të bashkëpunojmë në një aleancë të re në krye me Rusinë, kundër jush’. Nuk është e rastësishme që Erdogani e forcoi retorikën e tij kundër Amerikës gjatë kohës që ishte në Serbi, si dhe ministrat serbë disa herë dhanë deklarata që ambasadori amerikan nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të Serbisë. Në këtë aleancë, Kosova, Bosnia, Maqedonia, Mali i Zi, apo Shqipëria nuk kanë vend, përkundrazi, është një aleancë e dëmshme për Ballkanin. Në të vërtetë as Turqia nuk ka vend, por Erdoganit i duhet një aleancë e tillë, për shkak se i duhet një fajtor në publikun turk kur ekonomia përkeqësohet si dhe nëse Reza Zarrab bashkëpunon me gjykatën e Nju Jorkut dhe dëshmon kundër njerëzve të tij.

Këto javë janë shumë të rendësishme. Unë mendoj që retorika e Erdoganit kundër Amerikës do të keqësohet, dhe ai do të provojë çdo rrugë për ta liruar apo që ta bëjë të heshtë Reza Zarrabin. Duhet patur kujdes ndaj organizatave që financohen nga Erdogani në Kosovë, Bosnje, Maqedoni, ose Shqipëri, sepse mund t’i fusin ato në këtë retorikë kundër Amerikës. Organizatat e Erdoganistëve në Amerikë vetëm kanë filluar me atë retorikë, por për shkak se ato dihen se cilat janë, askush nuk po ua vë mendjen. Kurse në Kosovë, ka krerë partie, deputetë, e madje edhe ministra që deklarohen se “çfarë është mirë për Turqinë është mirë edhe për Kosovën”. Këto deklarata jo vetëm që janë injorante, por edhe me qëllim të keq. Kosovës i duhet miqësia e Amerikës për qëllimet, vizionin, sigurinë, dhe të mirën e vendit. Derisa Turqia ndante të njëjtin vizion atëherë Kosovës i duhej edhe Turqia, por kur Turqia e braktis atë rrugë atëherë Kosovës nuk i duhet një aleat i tillë.

Për këtë arsye vizita e Erdoganit në Serbi është “punë e madhe” për neve, sepse ne nuk mund të jemi afër një njeriu që zgjodhi Serbinë e Rusinë, për shkak të problemeve të tija personale. Një njeri që i ka burgosur dhjetëra mijëra turq vetëm për të ngritur autoritetin e tij edhe më tutje. Një njeri që është gati t’i prishë marrëdhëniet historike të Turqisë me Amerikën vetëm për shkak të frikës që ka. Nuk do të shkojë shumë kohë që të gjitha “rrobat e ndyra” do të dalin në shesh dhe atëherë kush ka lidhur punë me të do të shoqërohet me të bërat e tij. Loja e Erdoganit me Amerikën është shumë e rrezikshme.

 

19 tetor 2017
09:58

Erdoan Shipoli