Parada ishte festë, jo protest?

14 tetor 2017 11:27

Në shkrimin e tij ‘Dy fjalë për paradën’ Jetlir Buja bën një vetëreflektim të shkëlqyeshëm shoqëror dhe një kritikë të mprehtë të qasjes sonë sipërfaqësore në diskutimin dhe përdorimin e vlerave. Ani pse në shikim të parë, ka shumë mundësi që lexuesit ta keqkuptojnë qëndrimin e Bujës për të mos marrë pjesë në paradën e parë të krenarisë të ogranizuar nga komuniteti LGBTI në Kosovë, protesta e tij tejkalon veprimin individual. Megjithatë, kryesisht si pasojë e stilit pragmatik të shkrimit, në të përvidhen disa supozime të paargumentuara. Kur këto kombinohen me një mishmash të nivelit të diskutimit të ideve dhe të veprimit që ndërlidhet me ato ide, lënë hapësirë për të bërë një reagim si ky i imi sot, që kornizohet në dy shtylla.

Së pari, duhet ritheksuar se Buja argumenton që mospjesmarrja e tij në paradë, të cilën e çmon dhe e sheh si të nevojshme, ishte për shkak se parada shpërfilli rrethanën e shoqërisë kosovare kur vjen puna te seksualiteti. Përderisa argumentet e tij kryesore – sa i përket shtypjes seksuale në mesin e heteroseksualëve, sidomos ndaj grave, por edhe burrave, sa i përket imitimit pro-forma të koncepteve ideologjike në diskurs – qëndrojnë, dhe, janë të dobishme, përgjatë tyre vendosen edhe disa supozime problematike të cilat Buja i merr si të qena, pa i argumentuar.

E kuptoj argumenin e Bujës sa i përket shtypjes së grave në Kosovë dhe e përkrah pafundësisht avokimin e tij se duhet diskutuar vlerat. Kjo, për shkak se si shoqëri e çoroditur mes tranzicioneve, na kanë mbetur shumë vlera zombie, pa shpirt dhe pa jetë, por vdekjepruese, të cilat i nxjerrim nga nënsqetulla në çdo diskutim. Identifikimi i familjes si koncepti që duhet çmontuar në kuptimësi është po ashtu i drejtë, sepse familjen dhe vlerat familjare i keqpërdorim gjithandej si koncepte hyjnore, jo për të hapur debate, por për t’i mbyllur ato. Megjithatë, ky nuk është kurrfarë argumenti për mosdalje në paradë. Sidomos meqë Buja e përkrahë paradën. Për më shumë, heshtja e ndërlidhjes së këtij argumenti me idenë fillestare të shkrimit gumëzhinë pushtetin e një diskursi që çon në rrjedhën e gabuar logjike ‘nuk po merremi me një çështje për shkak një çështje tjetër është më e rëndësishme’.

Së dyti, është shumë problematik transcendimi që Buja u bën ideve drejt veprimit, e që, në mendimin tim, del si pasojë e një keqkonceptualizimi ose të paktën një konceptualizimi të pjesshëm që ai ia bën paradës së krenarisë.

Paradën nuk duhet parë si protestë. Ajo nuk bëhet (veç) për qëllime të promovimit të të drejtave sa i përket orientimit seksual. Parada ishte ndejë, ishte manifestim, ishte festë. Ishte festë e jona. E të gjithëve. Pra edhe e atyre që e mohojnë. Ishte tregues i ekzistencës së një pjese të kësaj shoqërie, të miqëve të mi e miqëve tuaj, të cilëve ne ua mohojmë sekualitetin. Por me jetësimin e saj, me vetë ndodhjen e ngjarjes, me manifestimin që u bë, u tregua, si është më së miri, se kjo pjesë e shoqërisë që e shtypim deri në mohim, është këtu, është në mesin tonë, kudo. Pra, parada nuk ishte protestë. Ishte shenjë jete. Frymëmarrje shoqërore. Dhe si e tillë, e ka arritur efektin e saj.

Ani pse në këto pak fjalë nuk i përmbledha të gjitha pajtimet e mospajtimet e mia me shkrimin e Bujës, besoj se mesazhi i reagimit tim është i qartë. Argumentet e tij qëndrojnë, por jo edhe ndërlidhja e tyre me paradën. Prandaj, ani pse shkrimi ka vlerë argumentuese sa i përkët diskutimit të vlerave, ka një ndërlidhje problematike me të protestuarit me mospjesmarrje. Jetlir Buja bëri gabim që nuk erdhi në paradë, ku bashkë me të tjerët me të cilët pata rastin t’i takojë, diskutuam, thuajs tërë kohën, pikërisht për këtë temë. Nuk kam dyshime se kontributi i tij do të ishte përmbajtësor.

Krejt në fund, për hirë të korrektësisë, nga shumë reagimet që morrëm në sbunker pas shkrimit në fjalë, më së shumti më la përshtypje sugjerimi se ky shkrim do duhej redaktuar konform një fryme më liberale. Në mendimin tim, por edhe të gjithë Sbunkerit, një proces i tillë nuk do të ishte redaktim, por censurë. Shkrimi i Jetlir Bujës, me gjithë limitet që i ka, disa prej të cilave i vura në pah këtu, është një shkrim që prekë në telin e duhur të diskutimit të vlerave. Përderisa opinioni mbetet individual, në Sbunker do vazhdojmë të botojmë secilin prej tyre që arsyeshëm sfidon krijimin e kuptimeve në shoqëri.

 

14 tetor 2017
11:27

Krenar Gashi