Paga minimale – a ka vend për ndryshim?

04 tetor 2017 11:16

Më 2011, kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, kishte marrë vendim që në Kosovë të caktohej paga minimale e detyrueshme për të gjithë sektorët e punësimit. Sipas vendimit, asnjë punëtor në Kosovë nuk mund të paguhet më pak se 130 euro në muaj nëse i takon kategorisë deri në 35 vjeç, dhe 170 euro nëse i takon kategorisë 35-65 vjeç.

Në parim, vendimi duket i drejtë madje edhe njerëzor. Pra ideja që shteti të ndërhyjë në treg të punës dhe të mbrojë punëtorët të cilët mund të jenë objekt i shfrytëzimit nga kompanitë që kanë për qëllim maksimizimin e profitit.

Por vendimi i qeverisë duket se ishte i nxituar. Një hulumtim i bërë nga Lëvizja FOL, me mbështetjen e projektit EYE, nxori në pah se vendimi ishte bërë më shumë për të shënuar poena politikë sesa për të zgjidhur ndonjë problem. Në fakt, hulumtimi tregoi se vendosja e pagës minimale është një vendim i ndërlikuar dhe kërkon studim të gjerë të faktorëve ekonomikë që nuk ishin në tavolinën e kryeministrit kur ai mori vendimin.

Hulumtimi gjithashtu nxori në pah një sërë pikëpyetjesh pa pëgjigje. Si erdhi deri tek vendimi për pagën minimale dhe kush u konsultua në proces; pse u vendosën shumat 130 dhe 170 dhe pse u nda në dy kategori të moshave - pyetje që ende sot mbesin pa përgjigje.

Vendimi i Qeverisë

Procesi i vendosjes së pagës minimale është bërë shpejt e lehtë në vitin 2011. Sot askush nuk mund të gjejë një dokument të vetëm nga grupi punues qeveritar ose nga komisioni parlamentar ose ndonjë trup tjetër institucional që dëshmon që ka pasur një diskutim paraprak para se kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, të ngjyroste vendimin.

Vendimi ka caktuar pagën minimale të nivelit prej 130 euro për moshën vendimtare, pra, nën moshën 35 vjeçare. E para, nuk është e qartë prej cilës moshë punëtori/ja duhet ta pranojë pagën minimale prej 130 euro. A kanë të drejtë adoleshentët, që janë ende në shkollë të mesme, në pagën minimale prej 130 euro? A zbatohet paga minimale tek ata/ato që kryejnë praktikë me pagesë; që janë në trajnim; që janë duke studiuar dhe që kërkojnë punë me orar të shkurtuar? A i inkurajon paga minimale të rinjtë që t’i braktisin studimet dhe të zgjedhin pagën minimale?

Ndarja e moshave duket të jetë diskriminuese sepse ajo nuk është e bazuar në ndonjë fakt ose argument të qëndrueshëm dhe është bërë qëllimshëm për të mundësuar një pagesë më të vogël për pjesën më të madhe të fuqisë punëtore.

Fatkeqësisht, hulumtimi nuk ishte në gjendje t’i përgjigjet shumicës së pyetjeve në Kosovë në mënyrë të bindshme, por kërkimi akademik tregon se të gjitha këto pyetje janë komplekse dhe për një përgjigje të kënaqshme duhen studiuar indikatorët ekonomikë të vendit dhe sistemi qeverisës. Ajo që dimë është se mosha rinore është në mes moshës 15-24 vjeçare siç është vendosur me ligjin për të rinjtë dhe ndarja në 35/35-65 s’ka të bëjë me moshën rinore. Dimë se forca më e madhe punëtore është deri në moshën 35 vjeç. Dimë se vendimi nuk është i bazuar në ndonjë dokument strategjik, në ndonjë hulumtim paraprak apo në indikatorë ekonomikë.

Mësime nga literatura

Në botë, paga minimale është pjesë e diskutimit publik në shoqëri, sidomos gjatë fushatave zgjedhore, si dhe pjesë e kërkimeve akademike mes autorëve të ekonomisë të cilët studiojnë efektet e pagës minimale në punësim dhe zhvillim ekonomik.

Kryesisht janë dy rryma të teorive që shkojnë në favor dhe kundër pagës minimale.

Njëra është liberalizmi/neoliberalizmi dhe e dyta është Kejnezianizmi dhe periudha post Kejnezianiste (Keynesianism and post-Keynesianism). Autorë si Neumark, Wascher, Cunningham, Palley e të tjerë janë të mendimit se paga minimale e cila vendoset mbi ekuilibrin e tregut mund të jetë negative në punësim. Si rrjedhojë çdo ndërhyrje e shtetit në tregun e punës duke caktuar paga më të larta sesa që janë në treg, mund të rezultojë me efekte negative. Efekti i parë është se punëdhënësit do ta ndalojnë punësimin e mëtejmë për të ruajtur shpenzimet në fuqi punëtore. Efekti i dytë mund të jetë se disa punëdhënës mund të shkarkojnë punëtorët e punësuar si veprim për të reduktuar shpenzimet në fuqi punëtore. Efekti i tretë është se disa punëdhënës mund ta zëvendësojnë fuqinë punëtore me kapital (që njihet ndryshe si efekti i zëvendësimit).

Në fakt, liberalët argumentojnë se paga minimale e vendosur shumë lartë dëmton pikërisht ata që shteti ndërhyn për t’i mbrojtur – punëtorët e pakualifikuar dhe të rinjtë, kjo sepse punëtorët e pakualifikuar janë ata që pranojnë dhe punojnë për pagën minimale.

Post-kejnezianët, në anën tjetër, argumentojnë se shpërndarja e të ardhurave varet nga faktorët institucionalë. Ata argumentojnë se ngritja e pagës reale shpie në ngritjen e konsumit, që si rrjedhojë ngre kërkesën për fuqi punëtore dhe përfundimisht e zvogëlon papunësinë. Si rezultat, rritja në pagën minimale dhe në pagën mesatare do të ketë efekt përfitues në punësim dhe në ekonominë e përgjithshme.

Kjo ndarje në fakt është edhe ndarje programore në mes të liberalëve dhe socialdemokratëve. Në janar 2009, në një ligjëratë në Universitetin George Mason, ish-presidenti amerikan, Barack Obama, tregonte arsyet se përse ai po jepte miliarda dollarë nga taksapaguesit për të rregulluar tregun i cili kishte dalë jashtë kontrollit nga kriza ekonomike:

“...vetëm qeveria mund ta ndalë ciklin e rrënimit të ekonomisë, ku mungesa e shpenzimeve/konsumit çon në humbje të vendeve të punës, çka çon edhe në më pak shpenzime/konsum; ku pamundësia për të dhënë dhe marrë hua/kredi çon në më pak kredi. Prandaj ne duhet të vendosim para në xhepat e qytetarëve amerikanë, të krijojmë vende të reja të punës dhe të investojmë në të ardhmen tonë”. - Barak Obama, Univesiteti George Manson, janar, 2009.

Post-kejnezianët angazhohen për ndërhyrje në tregun e punës sepse punëtorët janë ata që dëmtohen më së shumti kur kompanitë bëhen të papërgjegjshme dhe kur ekonomia është në recesion. Liberalët në anën tjetër besojnë që ekonomia edhe kur është në rënie, vetërregullohet. Kur ekonomia është në rënie, atëherë çmimet do të bijnë në pikën ku qytetarët do të jenë në gjendje të paguajnë. Ata parashikojnë që paga do të ngrihet nëse ata në anën e furnizuesit - punëdhënësi - ballafaqohen me kërkesë të ulët si rezultat i vendeve të punës që paguhen pak.

Pra, dallimi është ideologjik e politik. Paga minimale është e rregulluar ndryshe në vende të ndryshme të botës. Në Amerikë ajo caktohet për orë të punës, në Bashkim Evropian ajo llogaritet me indeksin e Kaitz, e cila është 50% e mesatares kombëtare, kurse në vendet nordike ajo rregullohet përmes kontratave kolektive për secilin sektor veçmas. Në fakt, kontratat kolektive janë treguar të jenë më të efektshmet në përcaktimin e pagës minimale për secilin sektor, pasi ato marrin parasysh produktivitetin e sektorit, aftësimin profesional të punëtorëve, moshën dhe përvojën në punë dhe si të tilla negociohen mes punëtorëve dhe punëdhënësve.

A ka vend për ndryshim të pagës minimale?

Kur është vendosur paga minimale, janë vendosur edhe kriteret për ndryshimin e saj me udhëzimin administrativ Nr. 09/2013. Megjithatë një varg i kritereve pak më ndryshe ishin vendosur nga një dokument tjetër, ligjërisht detyrues, i quajtur Kontrata Kolektive në Kosovë, e nxjerrë nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës (Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale) si anëtare të Këshillit Ekonomiko-Social (KES).

Megjithatë, hulumtimi tregoi që pothuajse në të gjitha kriteret e vendosura ka pasur ndryshim që nga viti 2011, ndërkaq paga minimale ka mbetur konstante në nivelin 130/170 euro.

Indeksi i çmimeve ka ndryshuar vazhdimisht, konsumi është rritur, shkalla e papunësisë është zbutur, produkti bruto vendor, paga mesatare në sektorin publik dhe privat janë rritur të gjitha. Për më tepër, sipas hulumtimit nga EYE, edhe pagat mesatare në sektorin joformal janë rritur.

Paga minimale duhet të ndryshojë varësisht nga produktiviteti i sektorëve të punës, indikatorëve ekonomikë dhe politikat qeverisëse.

Nëse do të merreshin parasysh indikatorët ekonomikë nga viti 2011 deri në 2017, paga minimale mund të ndryshojë pa pasur ndikim negativ në punësim. Siç tregon hulumtimi, pothuajse të gjithë sektorët tashmë paguajnë pagë minimale mbi pagën e paracaktuar me vendim të qeverisë prej 130/170 euro.

Si rrjedhojë, qeveria e tashme do të duhej të merrte iniciativë për rishikimin e pagës së tashme minimale. Në këtë rishikim do të duhej që të merreshin parasysh hulumtimet akademike (nëse ka), të unifikohen faktorët për ndryshimin e pagës minimale pasi ato janë përcaktuar ndryshe në tri dokumente të ndryshme; të niset një debat shoqëror i cili do të lejonte grupet e ndryshme sikurse punëdhënësit dhe unionet e punëtorëve të kontribuojnë në një pagë të drejtë e cila nuk ndikon negativisht në punësim, por edhe ndihmon qytetarët të përballojnë standardin e jetesës. Në këtë debat do të duhej të inkuadroheshin edhe partitë politike duke shprehur qëndrimet e tyre.

Ndryshimi i saj gjithashtu duhet të marrë parasysh të rinjtë dhe ndikimin që paga minimale mund të ketë në ndërprerjen e shkollimit.

Paga minimale është çështje e ndjeshme sidomos për vendet në zhvillim sikurse Kosova e cila vuan nga niveli i lartë i papunësisë, punëtorë të pakualifikuar dhe edukim të dobët. Rritja e saj është e dëshirueshme, por rritja e tepërt mund të ndikojë negativisht në punësim, duke dëmtuar pikërisht shtresën e cila do të duhej të përfitonte nga rritja e pagës minimale.

__________

Ky shkrim është përgatitur në kuadër të kornizës së platformës “FOL Hapur” që mbështetet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, dhe implementohet nga “Helvetas Swiss Cooperation” dhe MDA. Përmbajtja e këtij shkrimi është krejtësisht përgjegjësi e autorit, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si diçka që reflekton pozicionin e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim ose të Departamentit Zviceran për marrëdhënie të jashtme.

04 tetor 2017
11:16

Jeton Zulfaj