UÇK – edhe ushtri çlirimtare klasore?

26 shtator 2017 11:10

Kush do ta imagjinonte disa vjet më parë krahun e luftës në pritje të Beogradit për ta marrë bekimin e krijimit të qeverisë? Askush. Po si ka mundësi që ndodhi? Këtë mund të na e shpjegojë vetëm një pikëpamje tjetër nga ajo zyrtarja për luftën e UÇK-së. Duhet parë më në thellësi karakterin e rebelimit të armatosur dhe shtytjet e vërteta të atij rebelimi. Duhet parë se sa ka qenë hisja e pakënaqësisë klasore ajo që ndikoi në rebelimin e grupeve të armatosura dhe cili është raporti i këtij rebelimi me çështjen kombëtare. Në këtë shkrim do të mundohem të argumentoj se përveç shtypjes kombëtare ndaj shqiptarëve që zë vendin më me rëndësi në krijimin e vetëdijes kryengritëse, një rol shumë të rëndësishëm ka luajtur edhe pabarazia klasore mes vet shqiptarëve.

Natyrisht që përmes një shkrimi që paraqet përshtypje më tepër sesa hulumtim kjo është e pamundur të qartësohet, por një vështrim i ri i shkaqeve të luftës mund të hidhet për diskutim publik.

Le të kujtojmë pak atë meselen për “qytetarët” e Prishtinës që bënin ahengje në Sante e Kurriz kur në Drenicë e zona të tjera kryheshin ofansiva nga ushtria e policia e Serbisë. Përveç anës, si të thuash, prej përralle, në këtë tregim ka mjaft të vërteta. Në Prishtinë vërtetë pihej në mbrëmje e bëheshin ahengje të shqiptarëve ndërkohë që konflikti i armatosur kishte nisur. Edhepse këtu jemi shumë vonë, sepse kjo situatë nuk tregon lindjen e rebelimit të armatosur, megjithatë ajo përshkruan më qartë se sa larg kishte shkuar ndarja klasore mes klasës së mesme (të privilegjuar) të shqiptarëve në Prishtinë (mbase edhe në qendra të tjera) me klasën e bujqëve fshatarë poashtu shqiptarë të zonave të tjera të Kosovës. [Se fundja, identifikimi e solidariteti klasor janë karakteristikë e rëndësishme e të privilegjuarve qoftë edhe e dy kombeve “armike”. Përballë kombit, te të pasurit (në këtë rast të privilegjuarit) vlen klasa (lexo: privilegji i përbashkët) më tepër. Vetëm të varfërit i hanë foret e nacionalizmit e të fetarizmit. Kështu ka qenë gjithmonë.]

Para kësaj kohe, keni tregimet e maltretimeve sistematike nëpër autobusë apo atë tjetrën që policët serbë nëpër qytetin e Prishtinës në të nëntëdhjetat rrihnin vetëm ata që i dallonin se nuk ishin të Prishtinës. Aq e lehtë ishte pra, t’i dalloje, se dallimet ishin të mëdha.

Po sikur pakënaqësia klasore të ketë qenë arsyeja e vërtetë e rebelimit të klasës së bujqëve fshatarë? Përpara se ta shtrojmë këtë tezë na duhen edhe disa konstatime për ta ndërtuar si argument më të qëndrueshëm.

Pas luftës së dytë botërore pushteti i kapur nga “qytetarët” e Gjakovës të cilët është evidente që drejtuan gjithë investimet në qytetin e tyre, lanë rajonin e Rrafshit të Kosovës në mjerim. Po kështu, ndërtuan pastaj njëfarë klase sunduese që identifikonte veten kryesisht në diferencë me “katundarët”. Kuptohet, këta i mundonte një kompleks inferioriteti që vinte nga epërsia e elitës në Beograd e cila as që mund të krahasohej me personin më të arrirë në Kosovë. I shtypuri shtyp, kur ka mundësi. Kështu ka qenë gjithmonë.

Me dhjetëra vite “katundarët” u lanë pa arsim cilësor, të papunë (është fjala në administratën publike e ndërmarrjet publike ku gëlonin gjakovarët), madje edhe pa minimumin e dinjitetit, ndërkohë që Nouveau riche (të pasurit e rinj – term që përshkruan ata që pasurohen brenda një gjenerate pa ndonjë bazament të trashëguar ekonomik) e Gjakovës dhe Prishtinës bënin pushime në Budva e Dubrovnik.

Dallimi klasor mes atyre që jetonin në qytete dhe atyre në fshatra ishte epokal. Ndërkohë që qytetet ishin njoftuar me industrinë e lehtë të shekullit njëzetë, që krijoi një ambient të ri social - gratë filluan të punësoheshin në administratë, punëtorët organizoheshin në sindikata, ata përfitonin nga kreditë e përjetshme e bënin një jetë deri diku luksoze për kohën, në anën tjetër fshatrat ende merreshin me bujqësi në një ambient social gati gati mesjetar. Shto këtu represionin kombëtar që në periudha të ndryshme merrte karakter të ndryshëm, mirëpo kurdoherë ishte drejtuar në veçanti ndaj fshatarëve si qytetarë të dorës së dytë, dhe kështu pra u akumulua një potencial revolucioni klasor (me terma të Marksit) në të gjithë popullsinë fshatare.

Kjo është një pikëpamje e thjeshtuar e historisë së vonë të raporteve klasore në Kosovë. Por ajo që po provoj të ngris është roli i kësaj armiqësie klasore në nisjen e konfliktit të armatosur nga ana e shqiptarëve (lexo: fshatarëve) të Kosovës. Në ndihmë të kësaj teze nuk na hyn më në punë historia, por e sotmja. Sjellja tolerante e krahut të luftës, apo më saktë e udhëheqësve e tyre me prejardhje nga klasa e të shtypurve, karshi Serbisë, është treguesi që për mendimin tim paraqet të vërtetën e qëllimit të kësaj lufte, nëse jo për pjesëmarrësit e saj në përgjithësi, atëherë përfundimisht për drejtuesit e kësaj lufte.

Kur u bënë të pasur vet, pra pasi bënë atë që bënin funksionarët gjakovarë dikur me punësime e investime lokaliste, Serbia më nuk është pengesë për ta. Ajo është bërë mekanizëm për suksese të reja në nivel politik lokal e ndërkombëtar. Kush për ta marrë ndonjë copë pushteti lokal e kush për reputacion ndërkombëtar, drejtuesit e luftës që na paraqitet si kombëtare, me bekimin e Serbisë dhe përmes saj arrijnë përmbushjen e qëllimeve të veta. Dhe është pikërisht kjo që na tregon se lufta nga ana e tyre nuk ka pasur karakter kombëtar, por ka qenë një rebelim klasor. Deri këtu gjithçka është brenda idesë së revolucionit klasor që unë e shoh me admirim. Por, siç rëndom bëjnë revolucionarët e papërgatitur, këta tradhëtuan klasën e vet (të fshatarëve), u pasuruan për vete, ndërruan, si të thuash, lëkurë me sjellje e me veshje të reja (kishte edhe të atillë që nuk ia arritën me sukses) dhe ja, përpara nesh shfaqen si Nouveau riche (klasa e re e të pasurve) e pajisur edhe me pushtet formal. Parashikim poashtu i teoricienëve marksistë kur analizojnë sjelljet reaksionare të bujqëve rebelë përgjatë historisë.

Me këtë nuk them se ata ishin të vetëdijshëm, dhe mund të mos jenë as sot, por tashmë për neve duhet të jetë e qartë se lufta e tyre nuk pati karakter vetëm kombëtar apo nacionalist. Karakteri i angazhimit të tyre ishte edhe një luftë personale për avancim klasor e mbështjellë me petkun nacionalist i cili nga një lëkurë deleje u shndërrua në pallto Dolce Gabanna me të arrirë nivelin e ri klasor prej Nouveau riche-i.

Se si sillen e si funksionojnë tregojnë personazhet “Zonjat” të Stupcave, që më mirë se cilido studiues kanë konservuar të vërtetën për Nouveau riche-in e epokës sonë. Nouveau riche-in e vendit tonë që për dekada me radhë s’arriti të prodhonte një klasë të mesme jetëgjatë e progresive, por që me revolucionin permanent të Nouveau riche-ëve vazhdon të zhvillohet keq.

26 shtator 2017
11:10

Rron Gjinovci