Të kuptuarit e integrimit të serbëve

28 gusht 2017 11:18

Integrimi i komunitetit serb nuk duhet parë si një detyrim i jashtëm ose një imponim që duhet përmbushur me zor. Jo, është e domosdoshme që kjo të bëhet vullnetshëm – sepse komuniteti ndërkombëtar nuk do të jetë këtu përjetësisht – në mënyrë që të mos konservohet në skutat e mendjes së shoqërisë sonë kurrfarë potence për diskriminim.

Shoqëria kosovare nuk është raciste. Ajo po e gënjen veten. Ajo nuk ka asgjë kundër integrimit të serbëve, procesit të kthimit, apo një bashkëjetese normale ndëretnike. Sidoqoftë, është e shtrënguar me u sillë tjetërqysh. E shtrënguar nga virtualiteti që ka prodhu, dhe nga vetja në relacion me tjetrin. Është racizëm fals.

**

Veçoritë e rrethanës epistemike të shoqërisë kosovare mund të njihen vetëm duke rrëmuar në të kaluarën e saj. Mbi këtë kuptim, kanuni ndjell shumë kurreshtje. Nuk duhet shumë imagjinatë për të kuptu që ky set normash që e përthekonte jetën e një shoqërie të tërë, sot është i fijëzuar brenda skemës së kuptimeve, mendimeve, prodhimit e vlerave të saj.

Kanuni e organizonte shoqërinë në një formë të ngurtë e të ngushtë familjare. Normat e tij të rrepta e pamundësonin hapjen kulturore dhe mendimin e vlerave. Kësisoj, shoqëria shqiptare mbeti mjaft shterpe dhe e pavirtualizuar. E vetmja dromcë virtualiteti vërehet në konceptimin e mikut, i cili e merrte rolin e shokut të sotëm të Facebook-ut. Përmes tij, familja pritëse kishte mundësi me dalë përtej realitetit të përditshëm, dhe me u virtualizu. Kjo dëftohet në pikën 603, ku thuhet se “Miku nuk mund të hijë në shpi, pa ba za n’oborr”. Kjo ndalesë i mundësonte familjes të kishte kohë që të organizonte shfaqjen e saj para mikut. Të mbulonte intimitetin e saj. Se miku kishte rol virtualizues, e tregon edhe pika 616 ku thuhet se ‘Mikut i lëshohet kryet e vendit” – e ndër arsyet që përmenden në pikat e mëposhtme, është se ai duhet të jetë i rrokshëm për shikimin e pritësve, por edhe shikues i shfaqjes.

Ky virtualizim i rremë, pa fijen e spontanitetin, vërehet qartë edhe në ditët e sotme. Shoqëria e sotme kosovare nuk mund të njihet përmes televizorit, radios, gazetave apo Facebook-ut. Ajo vazhdon ta ketë prirjen kanunore për falsifikimin e virtualitetit. Hapësira digjitale nuk i duhet për me shprehë veten, por për me ndërtu një maskë të rremë, që ia mbulon fytyrën e vërtetë. Ky falsifikim i virtualitetit, nuk është thjesht manipulim imazhi, maskë, apo ndryshim i pamjes. Jo, është me jetu brenda një mashtrimi më kompleks kur vendosesh brenda hapësirës publike. Kur je i dukshëm. Njerëzit bile mund të mos jenë të vetëdijshëm se janë hipokritë. Ta zëmë, për çështjen e moralit. Në një anë kërkojnë të mos ketë korrupsion, të ketë kritere e profesionalizëm – në sytë e të tjerëve. Por në anën tjetër, atë të padukshmën, janë krejt të pakualifikuar, jomeritorë për gjithçka, dhe shumë kollaj të korruptueshëm.

Kjo sjellje ka bërë që shoqëria jonë të mos e njohë veten. Bile, të mos ketë as interesin më të vogël që të merret me veçoritë e saj. Brenda asaj mosnjohjeje, ajo ngutet me saju bindje të rreme. Dhe përmes tyre, me kriju virtualitete të çuditshme, siç është ta zëmë, nacionalizmi kuq e zi, i kopjuar nga pika e parë e deri në atë të fundit nga nacionalizmi serb. Historiografia shqiptare e ka prodhu ligjërimin për autoktonitetin tonë, për lashtësinë, për rilindjen, mandej edhe qasjen humane e viktimizuese – dhe të gjitha si kopje nga historiografia serbe.

Në mënyrë që procesi i kombformimit të bëhet si duhet, shqiptari i Kosovës duhet që sa më parë të ndahet nga iluzionet që i ka kriju. Duhet me u nda nga ajo shfaqje që ia jep tjetrit, dhe të sillet çlirshëm, spontanisht, duke i kuptu më mirë sjelljet e tij. Shqiptari i Kosovës nuk është racist. As ndaj serbit, as ndaj maqedonit, e as ndaj askujt. Nëse e shpreh racizmin, kjo ndodh sepse i duhet që ta mbulojë të vërtetën e tij, të virtualizojë sjelljen, në këtë rast, të kopjojë maqedonin e serbin. E vetmja formë racizmi që haset në shoqërinë tonë, përtej këtyre figurave imagjinare që i sajon për veten, është ai i internalizuari. Racizëm ndaj kulturës e shoqërisë që i përket.

Çdo ditë, çdokund, mund të hasësh shqiptarë që në llafe private, nuk ngurrojnë të shprehin bindjen e tyre se shqiptarët janë budallë, të poshtër, të këqinj, të dobët, etj. etj.. Racizëm të internalizuar kishin edhe boshnjakët në foret e tyre të çuditshme të kohës së luftës, ose edhe afrikanoamerikanët. Në një eksperiment në disa shkolla në Amerikë, fëmijët afrikanoamerikanë ishin detyruar të zgjidhnin mes dy kukullave: të bardhës dhe të zezës. Të gjithë e kishin zgjedhur kukullën e bardhë. Të zezën, që ishte ngjyra e tyre e lëkurës, e lidhnin me ‘të shëmtuarën’ e ‘të keqen’. Ky është një ilustrim, jo vetëm i racizmit të internalizuar, por edhe i mundësisë për bindje të rreme publike. Përmes imagjinatës, nga ky tip racizmi, lehtë mund të kuptojmë sa i rremë që është virtualiteti ynë. Të menduarit e vetes. Sjellja ndaj komunitetit serb në Kosovë. Integrimi i tyre. I rremë e fals.

Shoqëria kosovare është e kurthuar brenda këtyre bindjeve të rreme. Brenda një virtualiteti të habitshëm që ia pamundëson me u lidhë me rrethanën e tij konkrete, me realitetin dhe të vërtetat e tij të njëmendta.

Po e përsëris: shqiptari i Kosovës nuk është racist. Por, ai shtrëngohet me aktru si i tillë, shkaku i paragjykimeve që ka për veten. Racizmi është goxha objektiv. Ai ushqehet përmes faktesh. Dhe, ashtu në mënyrë të vrazhdë, i stivon ato për me i kriju do të vërteta intime. Dhe këto fakte, asnjëherë nuk ishin në të mirë të shqiptarit të Kosovës. As tash nuk janë. Rezultatet e dobëta në sport, artistët e shkencëtarët e pakt, organizimi i dobët i jetës kulturore etj. etj. e shtyjnë të mendojë, në skutat e ndërdijes së tij, se është esencialisht inferior. Dhe kjo shprehje inferioriteti, e hasur në momente intime mes miqsh, gjithnjë ka qenë befasuese për mua. Si ka mundësi, në realitet të urrejmë kulturën të cilës i përkasim, e ndërkohë nëpër dritare virtualiteti të derdhim krenarinë e të formulojmë një shprehje si “O sa mirë me qenë shqiptar!”? Epo, njeriu i zakontë ka mundësi të besoj në pohime kundërthënëse.

Ky falsifikim i bindjeve të shoqërisë i ka dëmtu themelet e kombit tonë. Si pjesë e kombformimit të Kosovës që në fillim ishte çështja e integrimit të komunitetit serb. Në realitet, shqiptari nuk ndjen kurrfarë urrejtje për serbin nga Kosova – dhe në bazë të njohjes së këtij realiteti, do të duhej të ndërtohej një qasje racionale për çështjen në fjalë. Shqiptari bën biznes me serbin. E përshëndet e e nderon. Miqësohet me të. Por, në jetën institucionale e në hapësirën publike ku realiteti duhet me u mbulu si pasojë e shikimit të tjetrit, kalohet në një kopjim të asaj që besohet se duhej të ishte një sjellje e përshtatshme. Edhe nëse kjo sjellje përmban diskrimin racor.

Integrimi i serbëve në Kosovë është mendu si një detyrim ndërkombëtar. Epo jo, ne e dimë që është një gjë e domosdoshme dhe e drejtë.

28 gusht 2017
11:18

Jetlir Buja